Shkëputja ‘paqësore’ e kontratës, rriti mbi 22 mijë euro koston e renovimit të 'Emin Gjikut'

Pas më se 4 vjetësh, e dy tenderëve, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka arritur t’i japë fund restaurimit të shtëpisë kryesore të Kompleksit Etnologjik, “Emin Gjiku”, ku edhe funksionon Muzeu Etnologjik i Kosovës në Prishtinë.

Restaurimi i ndërtesës së Muzeut Etnologjik, ka nisur në 2017. U bënë pak punë, por vetëm në 2020 MKRS arriti të hap tender për restaurimin e objektit kryesor të kompleksit.

Herën e parë, në 2020, tenderi (i hapur më 22.06.2020) për restaurimin e shtëpisë kryesor të Muzeut Etnologjik, ishte fituar nga Kompania “Albi Company” , në vlerë prej 52,308 eurove.

Por, në verën e këtij viti, MKRS u detyrua të shkëpusë kontratën me ‘Albi Company” për shkak se kjo e fundit, nuk arriti të përmbushë kushtet e kontratës.

Për ta përfunduar punën për restaurimin e objektit, MKRS i ofroi një kontratë (me procedurë të negociuar) N.T. “Pleqja” për restaurimin e objekti të Muzeut Etnologjik me vlerë prej 74,912.72 eurosh.

Kontrata e tenderit të dytë MKRS i kushtoi dukeshën më shtrenjtë se e para. Dallimi me mbi 22 mijë euro.

Tenderi i parë, shkëputja e kontratës

Kompania “Albi Company” u shpall fituesi i tenderit të MKRS për restaurimin e objekti të Muzeut Etnologjik në shtator të 2020, me vlerë të përgjithshme të kontratës 52,308.00 euro. Kompania “Albi Company” nga Rahoveci “mposhti” 8 kompani të tjera në garë për tenderin në fjalë. Bile edhe një kompani që kishte ofruar çmim më të lirë.

Sipas njoftimit për dhënien e tenderit, “Albi Company” kishe në dispozicion 120 ditë për përfundimin e punimeve.

MKRS ishte paralajmëruar se oferta me çmimin më të lirë e rrezikon përmbushjen e kontratës dhe finalizimin e punimeve në objekt.

Kontrata në mes të MKRS dhe ‘Albi Company” u nënshkrua në tetor të 2020. Por në korrik të 2021, MKRS ia ndërpreu kësaj kompanie kontratën, për shkak të mos përmbushjes së kushteve të kontratës.

Qazim Bytyqi, drejtor i Kompanisë “Albi Company” nuk ka dhënë shumë detaje për arsyet e shkëputjes së kontratës. Ai ka thënë se disa prej kërkesave të MKRS-së, kanë qenë të paqarta dhe nuk ka mundur t’i realizojë.

“Kontrata është ndërprerë në mënyrë miqësore. Disa prej kërkesave të MKRS-së kanë qenë të paqarta, andaj kam kërkuar sqarime. Më qonin e më kërkonin t’ju bëjë ofertë, unë nuk ka mundur t’ju bëjë ofertë. Kur e kemi ba kontratën, kanë qenë do mangësi në projekt. U kam kërkuar sqarime, kemi pasur disa takime, më pas më kanë dërguar një paramasë për masa të sigurisë, ato që kanë kërkuar s’kam mujt me i përballu për shkak të çmimit”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Por, Zana Fetiu, këshilltare për media e ministrit të Kulturës, ka thënë për KALLXO.com se një ndër arsyet që kanë quar në shkëputjen e kontratës, ka qenë refuzimi i OE (operatori Ekonomik, në këtë rast Albi Company) për përdorimin e mjeteve, stabilimenteve dhe pajisjeve teknike të ofruara në dosjen e tenderit, pasi, siç thuhet më tej në përgjigjen e Fetiut, kjo ka qenë një ndër arsyet pse OE është kualifikuar i përgjegjshëm.

“Operatori Ekonomik, ka refuzuar vendosjen e skelave në ndërtesë dhe ka pohuar se mjetet e punës janë ofruar si dëshmi vetëm për fitimin e tenderit dhe jo edhe për përdorim gjatë ekzekutimit të punimeve. Në dëshminë e ofruar në dosjen e tenderit, OE ka paraqitur kontratë mbi shfrytëzimin e tyre, me qira – Marrëveshje e Vlefshme për shfrytëzimin e Makinerisë”, ka thënë për KALLXO.com, Zana Fetiu.

Ajo shton se kontrata me “Albi Company” është shkëputur mbështetur edhe në opinionin ligjor të divizionit të prokurimit.

“Nga ku është konfirmuar se OE ngarkohet sipas kontratës dhe kushteve të tenderit edhe me mjetet, stabilimentet dhe pajisjet teknike të ofruara për ekzekutimin e punimeve për ndërtesën në fjalë. Si përfundim, refuzimi për përmbushjen e kontratës, specifikisht për kushtet e veçanta të përcaktuara në kontratë, ka qenë përcaktues për shkëputjen e kontratës me OE me datë 13.07.2021”, ka thënë Fetiu.

Ndarja ‘paqësore’

Por, pavarësisht mosmarrëveshjeve dhe dërgimit të rastit në Inspektoratin e Trashëgimisë, MKRS dhe “Albi Company” janë ndarë paqësisht.

Kompania “Albi Company” është paguar nga ministria për punën që ka bërë deri në shkëputjen e kontratës, por asnjëra nuk kanë treguar për shumën financiare që ka përfituar OE.

“Pagesat janë bërë në përputhje me kushtet e përcaktuara në kontratë dhe për çështjen e padive, MKRS ka marrë masa administrative në drejtim të shfrytëzimit të dispozicioneve të përcaktuara me kontratë në drejtim mbrojtjes së interesit të saj juridik, ndërsa në përfundim të projektit në tërësi, do të analizohet e gjithë kostoja përmes identifikimit të dëmeve direkte dhe indirekte, materiale dhe jo materiale si dhe do të ndërmerret çdo hap për të mbrojtur interesin e saj juridik në raport me operatorët që zgjedhin të provojnë të dëmtojnë këtë interes të ligjshëm”, tha Fetiu.

Ndërsa Bytyqi, drejtori i “Albi Company” ka thënë se është ndarë paqësisht me MKRS-në.

“E kemi ndërprerë kontratën në mënyrë miqësore, ato punë që i kam kryer, më janë pagur”, ka thënë ai.

Tenderi i dytë, rritja e çmimit të kontratës

Pas shkëputjes së kontratës me “Albi Company”, MKRS përmes procedurës së negociuar, më 16.08.2021 lidhi kontratë me ndërmarrjen ndërtimore “Pleqja” për renovimin e ndërtesës së objektit të Muzeut Etnologjik.

Vlera e kontratës së lidhur është 74,912.72 euro.

Këshilltarja e ministrit të Kulturës, Zana Fetiu ka thënë se njëra ndër arsyet kryesore pse për të njëjtat punë-pozicione për ekzekutim mund të jenë lidhur kontratë me shumë financiare më të lartë, ka qenë ngritja e çmimeve në ndërtimtari.

“Derisa vitin e kaluar kilogrami i hekurit ishte rreth 50 centë, këtë vit çmimi është rritur për afro 100 për qind. Pos hekurit është rritur edhe çmimi i çimentos, blloqeve dhe drurit. Çmimet e larta kanë ndikuar në ndryshimin e kostos financiare. Vlera e kontratës është 74,912.72 euro. Nuk përjashtohen edhe investime tjera në kuadër te Kompleksit Etnologjik ‘Emin Gjiku’, pasi që MKRS ka planifikuar të investojë edhe në ndërtesat tjera në kuadër të këtij kompleksi”, tha ajo.

Restaurimi i objektit kryesor të Muzeut Etnologjik ka filluar në vitin 2017 nën mbikëqyrjen e Muzeut të Kosovës dhe më vonë i njëjti projekt ka vijuar nën menaxhimin e DTK – MKRS.

Muzeu Etnologjik. Foto: KALLXO.com.

Muzeu Etnologjik. Foto: KALLXO.com.