Rruga ‘Nënë Tereza’ dhe pemët që po synohet të prehen

‘Shka boni’ Ardiani për Gjakovën?

“Do t`i kthejmë investimet komunale në zhvillim për komunën”, ky ishte koncepti mbi të cilin Ardian Gjini kishte bazuar fushatën e tij zgjedhore me të cilën arriti ta mundte Mimoza Kusari- Lilën në balotazhin për Gjakovën.

Koncepti i promovuar i Gjinit premtonte seBuxheti do të investohet nuk do të shpenzohet. Çdo projekt do të jetë i ndërlidhur në konceptim e menaxhimit të ri publik, edhe parku do të krijojë të hyra për komunën, edhe vende të punës”, kishte thënë Ardian Gjini në debatin për zgjedhjet komunale të vitit 2017.

Koncepti i shfaqur në debatet zgjedhore ishte një risi në diskutimet për komuna dhe synonte që investimet komunale të kishin përllogaritje të qartë në efektin e zhvillimit të komunës.

Tri vite më vonë premtimet e Ardian Gjinit për konceptin e ri qeverisës nuk kanë dhënë shumë rezultate.

Gjakova vazhdon të mbetet njëri nga qytetet në nivel të lartë të papunësisë, ndërsa zona urbane e qytetit është shndërruar në një vend-punishte që nuk i dihet fundi se kur do të përfundohet.

Të dhënat tregojnë se kryetari i Gjakovës harxhoi mesatarisht 8 litra naftë në ditë për makinën e tij, apo thënë më mirë për ta qeverisur Gjakovën makina e tij vozitet brenda ditës përreth 100 kilometra çdo ditë.

Buxheti i premtuar për investime është kanalizuar në vetëm 200 mijë euro investime për bujqësinë dhe 300 mijë euro në vit për ekonominë e qytetit që dikur ndihej si qyteti industrial i Kosovës.

Vizitorët e banorët e Gjakovës shpesh nga larg mund të ndiejnë kundërmimin nga një deponi në lagjen ‘Ali Ibra’.

Për disa javë rresht qyteti i Gjakovës ishte i mbuluar nga tymi i mbeturinave, si pasojë e djegies, çka shtyu Asamblenë Komunale që të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën u vendos që kjo deponi të pastrohet dhe të largohet për 60 ditë.

Në lidhje me këtë deponi, emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’ në maj 2019, kishte transmetuar se si një biznesmeni i ishin kërkuar 33% e aksioneve, pas një ankandi të fituar në komunë, për riciklimin e mbeturinave. Ndërsa në fund qeverisjes në Gjakovë i kishte mbetur vetëm nënshkrimi i kontratës.

Deponia në lagjen ‘Ali Ibra’ në dalje të Gjakovës

Në total, numri i deponive ilegale në territorin e komunës së Gjakovës është 45 sosh, prej të cilave 34 konsiderohen të mëdha, 11 të mesme dhe 5 konsiderohen të vogla.

Sikur të mos mjaftonte kjo, në muajin prill të këtij viti, komuna e Gjakovës u përkujdes që t’i prejë disa pemë në qendër të qytetit për të shtruar asfalt.

Sipas komunës janë prerë për t`u zëvendësuar me të reja, të cilat do duhen vite për të arritur në gjendjen e drunjve të prerë.

Gjakova njihet si qytet me aktivizëm qytetarë dhe për këtë prerje të pemëve banorët e rrugës ‘Bardhyl Qaushi’ kanë ngritur zërin.

Nevruz Dujaka banor i zonës thotë se rruga e re pos që nuk po sjellë zhvillim siç ishte premtuar nga kryetari Gjini, por edhe po ua pengon biznesin.

“Para se me fillu këtë mur me e ndërtu, me datën 17 maj kanë fillu me i hapë disa gropa këtu dhe kur kemi fillu punën ne me 18 maj, kur është leju hapja e lokaleve dhe ka fillu punimet kjo kompania. Kryetari na ka premtu që ne ta bëjmë një kërkesë, për njëfarë ndryshimi të vogël, që muri me u ulë pak më poshtë dhe njëfarë rregullimi i këtij muri. Ne kemi bo një protestë me datë 19 maj. Ne nuk e kemi pa projektin se çka ka me u bo këtu”, ka thënë Dujaka.

Nervruz Dujaka, banor i qytetit

Ndërkohë, një tjetër projekt rrugor po synon prerjen e pemëve në qytet për të shtruar asfalt.

Rreth 200 pemë në rrugën kryesore ‘Nënë Tereza’ në qendër të qytetit komuna e qeverisur nga Ardian Gjini po synon që t’i presë, për të shtruar asfalt.

Arsyetimi i komunës është për zgjerim të rrugës dhe se pemët do t’i zëvendësojë.

Shkamb Zajmi që është banor në këtë rrugë, thotë se komuna nuk e ka marrë mendimin e qytetarëve në lidhje me këtë projekt.

“Problemi në këtë rrugë është se në lidhje me projektin ne si banorë nuk jemi të informuar as si banorë e as si biznese, vetëm na është prezantuar nëpër intervista apo kryetari kur ka qenë në takime me bizneset, ka thënë se do të ngushtohet trotuari, do të prehen drunjtë dhe do të zgjerohet rruga, vetëm kaq jemi të informuar”, tregon ai.

Më 15 maj ishte zhvilluar një protestë në lidhje me këtë projekt, por protesta e qytetarëve nuk është se u morr parasysh nga ana e komunës.

Rruga ‘Nënë Tereza’ dhe pemët që po synohet të prehen

Buxheti

Buxheti do të investohet nuk do të shpenzohet. Çdo projekt do të jetë i ndërlidhur në konceptim e menaxhimit të ri publik, edhe parku do të krijojë të hyra për komunën, edhe vende të punës”, kishte thënë Ardian Gjini në debatin për zgjedhjet komunale të vitit 2017.

Në vitin 2018 buxheti total i komunës së Gjakovës ka qenë 23,266,603.00 euro.

Nga këto, komuna e qeverisur nga Ardian Gjini kishte ndarë për shpenzimet kapitale në Shërbimet Publike 3,824,590.00 euro. Për Bujqësi ishin ndarë 250 mijë euro shpenzime kapitale, në Zhvillim Ekonomik ishin ndarë 305 mijë euro, më Shëndetësi 110 mijë euro, për Rini 10 mijë dhe për Arsim, gjithnjë për shpenzimet kapitale ishin ndarë 370 mijë euro.

Në vitin 2019 buxheti i komunës ishte 24,785,173.00 euro. Nga këto, komuna kishte ndarë për shpenzime kapitale si në vijim: për Shërbime Publike 4,130,268.00 euro; për Bujqësi 340 mijë euro; për Zhvillim ekonomik 346 mijë euro; për Shëndetësi 207 mijë euro; për Rini 12 mijë euro dhe për Arsim 471 mijë euro.

Ujësjellësi dhe kanalizimi

Në shekullin 21 në komunën e Gjakovës ka fshat që nuk ka  ujë të pijes.

Fshatrat Goden, Prush, Zylfaj dhe Koshare janë fshatrat që nuk kanë furnizim me ujë të pijes.

Sipas komunës së Gjakovës për dy fshatrat është duke u bërë një projekt për furnizim me ujë të këtyre.

Në mandatin e Gjinit në rrjetin e ujësjellësit janë kyçur 44 fshatra të cilat nuk kanë pasur qasje në ujë të pijes më parë.

Edhe gjakova është në mesin e komunave ku trajtimi i ujërave të zeza ende nuk ka filluar ndërsa kanalizimi i qytetit ndotë lumenjtë e komunës.

Sipas të dhënave, qyteti i Gjakovës është i mbuluar me 95% me kanalizim sanitar, ndërsa në përgjithësi ujërat e kanalizimeve janë duke u derdhur në lumenjtë e qytetit Krena, Lukaci dhe Ereniku.

Në premtimet e komunës është ndërtimi i impanitit të ujërave të zeza i cili ka nisur të ndërtohet dhe pritet të finalizohet në vitin 2021.

Kanalizimi duke u derdhur në lumin ‘Krena’ në qendër të qytetit.

Shëndetësia

Komuna e Gjakovës është ndër 10 komunat më të prekura nga COVID-19 në Kosovë.

Por, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë në kohë pandemie mungojnë dezinfektuesit dhe sapunët në banjot e objektit.

Gjendja e banjos në QKMF-në në Gjakovë

Probleme me shëndetësi ka edhe nëpër fshatra.

Gjatë vizitës së KALLXO.com në fshatin Lipovec është gjetur e mbyllur Ambulanta e Mjekësisë Familjare.

AMF-ja e mbyllur në fshatin Lipovec.

Gjithashtu edhe në fshatin Babaj i Bokës Ambulanta e Mjekësisë Familjare ishte e mbyllur.

AMF-ja e mbyllur në fshatin Babaj i Bokës

Edhe AMF-ja në fshatin Gërgoc është mbyllur kohëve të fundit.

Për Ambulantën në fshatin Gërgoc, KALLXO.com kishte raportuar në mars të këtij viti se si kishte mbetur pa ujë përreth dy vite.

Motra kryesore që ishte në këtë qendër, Shefkije Nimani, kishte thënë se për dy vjet, uji që i nevojitej për pije dhe për shërbim të pacientëve në nevojë, detyrohej që ta barte personalisht me bidonë.

“Komuna na e sjell lëndën djegëse (drutë), barnat që na nevojiten, por jo edhe furnizimin me ujë”, kishte thënë Shefkije Nimani për KALLXO.com.

Nimani kërkon nga komuna e Gjakovës që ujësjellësi të lidhet sa më shpejtë të jetë e mundur, në mënyrë që puna me pacientë të kryhet siç duhet dhe atyre t’u ofrohen shërbimet e duhura dhe të pastra, por që në fund Ambulanta u mbyll krejtësisht.

Kjo ambulantë në këtë fshat ishte ndërtuar menjëherë pas luftës, si dhuratë nga ECHO, me ndihmën e Caritas Secours In. Hulp nga Belgjika.

KALLXO.com ka provuar të marr një përgjigje prej drejtorit të Shëndetësisë në komunën e Gjakovës, Ferdinand Kolaj, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Në dy vitet e fundit në komunën e Gjakovës janë riparuar 12 Qendra të Mjekësisë Familjare, dy autoambulanca, ndërsa subvencionet në sektorin e Shëndetësisë kapin vlerën e rreth 90 mijë eurove.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare posedon një laborator Biokimik-Hematologjik, i cili sipas të dhënave të komunës, është në funksion të plotë.

Ndërsa, sipas të dhënave të komunës, koha e reagimit të ambulancës në çdo cep të komunës është 7 minuta, ndërsa në qendër të qytetit është rreth 5 minuta, kurse për pjesët rurale, sipas komunës, varet nga largësia e lokacionit.

Gjakova probleme serioze me mbeturinat

Kryetari Ardian Gjini kishte premtuar në fushatën elektorale se do t’i eliminojë të gjitha deponitë ilegale në territorin e komunës dhe do t’i krijojë 4 deponi legale të mbyllura në 4 regjione të komunës.

“Nuk do të ketë fare deponi ilegale, do të ndërtohen katër deponi të reja të llojit të mbyllur nëpër regjione”, kishte thënë Gjini në debatin për zgjedhjet komunale.

Por situata në Gjakovë me mbeturina është mjaft shqetësuese.

Përveç deponisë kryesore në lagjen ‘Ali Ibra’ në dalje të qytetit, deponi ilegale ka edhe nëpër fshatra.

Në fshatin Lipovec ekipi i KALLXO.com ka hasur në një deponi të madhe të mbeturinave dhe nga fotografitë aty mund të shihet se vazhdimisht dikush hedh mbeturina, duke e shkatërruar peizazhin natyror të këtij fshati.

Deponia në fshatin Lipovec

Një tjetër deponi ilegale është vërejtur në dalje të qytetit, afër fshatit Korenicë, shumë afër rrugës kryesore.

Edhe në këtë deponi pamjet janë mjaft shqetësuese.

Deponia afër fshatit Korenicë.

Arsimi

Në shkollat e komunës së Gjakovës numri i nxënësve nëpër klasa, sipas të dhënave, është 32 nxënës për klasë.

Por, ajo që momentalisht është problem në shkollat e komunës, tash kur është koha e pushimeve, është mirëmbajtja e oborreve.

Ndonëse kryetari Gjini kishte premtuar pyllëzimin e oborreve të shkollave në komunë, fotografitë tregojnë të kundërtën.

Në shkollën fillore ‘Yll Morina’ në qytet, shihet se oborri i kësaj shkolle është i pa mirëmbajtur.

Oborri i shkollës ‘Yll Morina’ në qytet.

E njëjta situatë është edhe në oborrin e shkollës teknike në Gjakovë.

Oborri i shkollës teknike

Ndërsa vetëm 20% e numrit të përgjithshëm të fëmijëve janë të përfshirë nëpër institucionet parashkollore.

Në Gjakovë ka shkolla që kanë mungesë të kompjuterëve nëpër kabinete.

Drejtori i shkollës ‘Emin Duraku’, Albert Zajmi, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se shkolla që drejton ka mungesë të kompjuterëve.

“Gjithmonë ne kemi mungesë, sepse për shembull në klasë i kemi 30 nxënës e 20 kompjuterë”, ka thënë shkurtimisht ai përmes telefonit.

Kurse Berat Bejtullahu, drejtor i shkollës ‘Yll Morina’, ka thënë se në këtë shkollë  vetëm kabineti i informatikës është i kompletuar me kompjuterë.

“Kur e kam marrë detyrën, i kemi pas kompjuterët e vjetër. Tash e kemi kompletu kabinetin e informatikës. Edhe në kabinete tjera i kemi të vendosur Smart Tv, ashtu i përdorim laptopët që i lidhim me Smart Tv”, ka thënë Bejtullahu përmes telefonit.

Mungesë të kompjuterëve në shkollë e ka konfirmuar edhe Gjokë Osmani, drejtor i shkollës ‘Selman Riza’.

Ndërsa drejtoresha e shkollës ‘Fehmi Agani’, Majlinda Doli, ka thënë se secila klasë e ka nga një projektor, që përdoret për mësim, me anë të laptopit.

“Secila paralele e ka një projektor edhe iu dedikohet nga një laptop, që nuk janë nëpër klasë por mbahen me një vend dhe arsimtarët i marrin ato kur hyjnë në mësim. Secili kabinet e ka nga një të tillë”, ka thënë ajo.

Doli ka bërë të ditur se objekti i shkollës nuk e ka një dalje emergjente, në rast rreziku në shkollë, ndërsa komuna në përgjigje për KALLXO.com ka thënë se të gjitha objektet shkollore e kanë një dalje të tillë.

“Të gjitha objektet shkollore, të cilat janë nën menaxhimin e Komunës së Gjakovës, që e kanë të nevojshme të kenë dalje emergjente, e kanë një të tillë”, thuhet në përgjigje.

Barazia Gjinore

Në komunën e Gjakovës në mandatin e Ardian Gjinit nga 12 drejtori sa ekzistojnë, vetëm 2 prej tyre i udhëheqin gratë.

Ndërsa përqindja e grave të punësuara në këtë komunë është 35.

Në bazë të dhënave, nga 37 vende udhëheqëse, vetëm 8 janë gra/vajza dhe 29 të tjerët janë burra.

“Në Arsim në pozita udhëheqëse janë 9 gra/vajza, ndërsa në QKMF në pozita udhëheqëse janë 8 gra/vajza’.

Parkingjet, problem në vete në Gjakovë

Për të gjetur një vend për të parkuar makinën në Gjakovë është një sfidë në vete për vozitësit.

Kryetari Gjini kishte premtuar që do të ofronte zgjidhje për parkingje.

“Jemi të vetmit që kemi shkru konkretisht në program për parkingjet, trotuaret, për këmbësorët. Krejt veturat e qytetarëve të Gjakovës janë në trotuar. Kemi një plan konkret për ndërtimin e trotuareve”, kishte premtuar Gjini.

Në shumicën e rrugëve kryesore të qytetit në Gjakovë, mund të shihni makina të parkuara anash trotuarit, makina të parkuara në trotuar dhe makina të parkuara në hapësirat për këmbësorë.

Vetura të parkuara në trotuar.

Urbanizmi

Në komunën e Gjakovës që nga viti 2015 nuk është bërë ndonjë regjistrim zyrtar se sa është shifra e ndërtimeve pa leje.

Deri në vitin 2015, sipas komunës, janë mbi 8 mijë objekte të ndërtuara pa leje ndërtimi, të cilat sipas komunës janë duke u trajtuar. Ndërsa vetëm në katër rrugë janë bërë rrënime të ndërtimeve pa leje nga ana e Inspektoriatit komunal.

Rrënimet janë bërë në rrugën ‘Dëshmorët e Lirisë’, ‘Dah Polloshka’, ‘Remzi Pula’ dhe ‘Mazllom Lakuci’.

Për pajisje me leje ndërtimore, qytetarit i duhet të presë nga 30 deri në 45 ditë, sipas kategorive I, II, dhe III të lejes ndërtimore.

Në total në këtë komunë janë 21 inspektorë të sanitarisë, veterinës, bujqësisë, mbrojtjes së mjedisit dhe ndërtimit.

Gjatë viteve 2018-2019 janë shqiptuar gjithsej 345 gjoba nga ana e inspektorëve dhe nga këto gjoba janë inkasuar 43 mijë euro.

Gjobat janë të shqiptuara për sanitari, mbrojtje të konsumatorit, mbrojtjes së mjedisit.

Ndërsa komuna e Gjakovës nuk ka ndonjë studim nga ana e ekspertëve, për siguri ndaj tërmeteve.

Gjini kishte premtuar edhe hartimin e Hartës Zonale brenda vitit 2018, por që ky premtim ende nuk është realizuar.

“Lidhur me Hartën Zonale, ju informojmë se Komuna e Gjakovës është në procedurë të hartimit të saj nga Kompania e përzgjedhur fituese”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Mirëmbajtja e parqeve

Në Gjakovë janë tri parqe kryesore dhe më të mëdha. Ai i qytetit, ‘Parku i Lirisë’ dhe parku afër Bibliotekës së qytetit, ku ishte i vendosur KFOR-i pas luftës.

Përveç Parkut të Qytetit, i cili mirëmbahet mjaftë mirë, të njëjtën gjë nuk mund të themi për dy parqet tjera.

Fotografitë tregojnë se në ‘Parkun e Lirisë’ bari nuk është prerë dhe paraqet një problem mjaft të madh për banorët përreth, sa që është fare pak i frekuentuar.

Bari i rritur dhe i paprerë në ‘Parkun e Lirisë’

Ndërsa parku te Biblioteka e qytetit, i cili është renovuar kohëve të fundit, nuk është mirëmbajtur fare.

Fotografitë tregojnë se aty bari është i pa prerë, i pa mirëmbajtur dhe ka mbetje që kanë mbetur aty gjatë punimeve, rrjedhimisht ky park duket i shkretë dhe i pa frekuentuar.

Gjendja e parkut të ri afër gjimnazit ‘Hajdar Dushi’

Premtimet e mbajtura

Një ndër premtimet që ka mbajtur kryetari Ardian Gjini është ai i publikimit të kontratave.

Gjakova në fillim të vitit 2018 ishte komuna e parë që filloi publikimin e kontratave të nënshkruara me operatorët ekonomik për kryerjen e punëve dhe ofrimin e shërbimeve.

Një premtim tjetër që e ka mbajtur kryetari Gjini është ai i ndërtimit të shëtitores për gjatë lumit ‘Krena’ që gjendet në mes të qytetit.

Deri më tani ka përfunduar shumica e projektit, ndërsa momentalisht punimet janë në fazën e tretë.

Projekti ka filluar në korrik të vitit 2019 edhe është bashkëfinancim i komunës me Ministrinë e Mjedisit, vlera totale e projektit është 2 milionë euro.

Shëtitorja e re në lumin ‘Krena’

Ndërtimi i qarkores së qytetit është një premtim që e ka mbajtur Gjini.

Punimet për ndërtimin e qarkores kanë filluar në nëntor të vitit 2018, ndërsa i tërë projekti do të kushtojë mbi 8 milionë euro. Projekti është bashkëfinancim i komunës me ministrinë e Infrastrukturës, ndërsa është tenderi më i madh që është hapur ndonjëherë nga komuna e Gjakovës, kurse punimet janë ende duke u zhvilluar.

Shpenzimet e kryetarit dhe te kabinetit

Kryetari Ardian Gjini gjatë vitit 2018 ka shpenzuar 2 mijë e 949 litra naftë. Kurse në vitin 2019 Gjini ka shpenzuar 2 mijë e 639 litra naftë.

Ndërsa pas kryetarit më së shumti ka shpenzuar Administrata, në vitin 2018 kanë shpenzuar 1 mijë e 385 litra naftë, ndërsa në vitin 2019 1 mijë e 538 dhe 1 mijë e 618 litra naftë.

Edhe kabineti i kryetarit ka shpenzuar mjaft për transport. Në vitin 2018 kanë shpenzuar 1 mijë e 226 litra naftë, ndërsa në vitin 2019, 810 litra naftë.

Kurse sa i përket shpenzimeve të telefonit, kryetari Gjini ka në dispozicion 50 euro në muaj, që i bie 600 euro në vjet. Nënkryetari i ka 30 euro në muaj, që i bie 360 euro në vjet. Gjithashtu dhe drejtorët komunal i kanë 30 euro në dispozicion për telefonata.

Politizimi i Ndërmarrjes Publike ‘Çabrati’

Bordi i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave ‘Çabrati’ është politizuar gjatë mandatit të Ardian Gjinit.

Në janar të këtij viti KALLXO.com kishte raportuar se si bordi i kësaj Ndërmarrje Publike ishte i politizuar.

Dy nga katër anëtarët e këtij bordi ishin gjetur se kishin lidhje politike.

Njëri prej tyre, Kushtrim Brahimaj lidhej me partinë e kryetarit Ardian Gjinit, AAK-së, ndërsa tjetri, Gazmend Hoti lidhej me partinë që është në koalicion me AAK-në në nivelin qendror, Nismën Social Demokrate.

Ish kryeshefi ekzekutiv i kësaj Ndërmarrje, Berat Hadri, kishte hedhur akuza ndaj kryetarit Gjini për politizim, ndërsa ky i fundit i kishte mohuar akuzat.

“Bordi i ri është zgjedhur plotësisht me meritë. Pjesën më të madhe as nuk i kam njohur. Bordi i ri del me raport për punën e deritashme të KRM ‘Çabrati’”, ka thënë Gjini në përgjigjen e tij”, pretendonte kryetari Gjini.

Sporti – Problemet me ‘Vëllaznimin’

Klubet e Gjakovës në tri sportet më të popullarizuara futboll, basketboll dhe hendboll janë larg sukseseve.

Në futboll, ndonëse kryetari Gjini kishte premtuar që do të shndërrohej në shoqëri aksionare, tek në qershor të këtij viti është njoftuar vetëm përmes një shkrimi në ‘Facebook’ se KF Vëllaznimi nga OJQ është shndërruar në shoqëri aksionare, fati i klubit më tutje nuk dihet. Ndërsa më herët gjatë vitit klubi kishte njoftuar se është gati duke falimentuar dhe pranë shuarjes si klub. Kurse KF Vëllaznimi vazhdon garat në një nivel më të ulët se Superliga, atë të Ligës së Parë të Kosovës.

Në muajin maj kanë nisur punimet për stadiumin e qytetit, me financim të Ministrisë së Kulturës dhe Sportit, por që asnjëherë nuk u bë e qartë se a do të rinovohet stadiumi aktual, apo do të ndërtohet komplet i ri.

Në basketboll Vëllaznimi tek tash pas 4 vjetëve ka arritur që të ngjitet në Superligë, ndërsa në Hendboll gjendet në mesin e tabelës, pa ndonjë pretendim.

Kulturë – Problemet me Kullën e Sylejman Vokshit

Me 4 mars të vitit 2019, Kuvendi Komunal i Gjakovës me 18 vota pro, 14 kundër dhe asnjë abstenim, kishte miratuar propozimin për ndryshim të një vendimi të vitit 2015, ku zona për rreth Kullës së Sylejman Vokshit ishte shpallur zonë e veçantë e mbrojtur.

Në lidhje me këtë ishte mbajtur një protestë para Kuvendit në Gjakovë, nga shoqëria civile dhe opozita lokale.

Sentona Macula, zyrtare për informim në këtë Komunë , kishte thënë për KALLXO.com se me ndryshimin e vendimit, do të shpronësohet kulla dhe oborri i saj, ndërsa parcelat tjera nuk do të shpronësohen.

“Pagesat e shpronësimit të Kullës dhe oborrit të Kullës do të bëhen nga buxheti i Komunës, dhe janë të buxhetuara. Me ndryshimin e vendimit, parcelat që hiqen nga shpronësimi e lirojnë buxhetin nga 700 mijë deri në 1 milion euro”, ka thënë Macula në përgjigjen e saj.

Pas ndryshimit të këtij vendimi, në afërsi të Kullës së Sylejman Vokshit u ndërtuan dy ndërtesa shumëkatëshe.

Ndërtesa e ndërtuar afër Kullës

Raporti i Auditimit për vitin 2019

Komuna e Gjakovës ka angazhuar 74 punëtorë me kontrata për Marrëveshje për Shërbime të Veçanta.

Sipas raportit të Auditorit, 22 prej tyre ishin angazhuar për mirëmbajtjen dhe sigurimin e objekteve dhe 52 për punë të ndryshme.

Auditori ka gjetur së komuna nuk ka zhvilluar ndonjë procedurë formale (të thjeshtëzuar) të rekrutimit edhe pse kishte 40 pozita të përhershme të lira për rekrutim

Angazhimi i këtyre punëtorëve është bërë për shkak të vonesave në procedurat e tenderimit për mirëmbajtjen e objekteve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Qendrën për Punë Sociale dhe nevojës së komunës për shërbime të ndryshme.

“Pamundësia për të rekrutuar pozitat e përhershme të punës ka ndodhur si rezultat i kujdesit jo të duhur dhe pezullimit të ligjit për zyrtar publik nga ana e Gjykatës Kushtetuese në shtator 2019, komuna nuk ka mundur të procedoj me konkurse të rregullta për pozita të përhershme nga shtatori i vitit 2019”, thuhet në raport.

Sipas Ligjit për Shërbimin Civil Nr. 03/L-149, angazhimet e tilla lejohen të bëhen vetëm për punë specifike dhe në kushte të veçanta e të paparashikuara.

Sipas Auditorit, angazhimi i stafit për shërbime të veçanta pa procedura të thjeshtëzuara rrezikon punësimin e personave jo kompetent në mungesë të konkurrueshmërisë.

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).