Stacioni i Autobuseve

Sa janë të kënaqur qytetarët e operatorët me shërbimet e Stacionit të Autobusëve?

Ndërmarrja Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë, në baza vjetore bënë matjen e kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet që ofron.

Në vitin 2015 Stacioni i Autobusëve u shndërrua nga Ndërmarrje Shoqërore në Ndërmarrje Publike Komunale.

Hulumtimin për vitin 2020 e ka kryer kompania “Global Consulting and Development Associates” SH.P.K, e cila ka hulumtuar operatorët transportues, autoshkollat, lokalet afariste, kompanitë e taksive dhe udhëtarët.

Intervistimi i udhëtarëve në hulumtim ka qenë i rastësishëm dhe është bërë nga datat 05 prill 2021 deri më 09 prill 2021. Ai ka përfshirë transportuesit e qytetarëve, bizneset të cilat shfrytëzojnë me qira hapësirat e ndërmarrjes, udhëtareve që udhëtojnë në destinacione të ndryshme përmes Stacionit të Autobusëve, autoshkollat si dhe kompanitë të taksive.

Sa i përket operatorëve transportues, nga 180 kompani/operatorë të cilët marrin shërbime nga Stacioni i Autobusëve, 100 prej tyre kanë qenë pjesë e mostrës së hulumtimit. Të dhënat janë marrë nga shoferët e autobusëve apo nga konduktorët.

Në pyetjen sa janë të kënaqur me shërbimet e peronizimit, nga 100 operatorë transportues që kanë marrë pjesë në hulumtim, 14% prej tyre janë ndarë shumë të kënaqur me shërbimet e Stacionit të Autobusëve, 39% e tyre janë ndarë të kënaqur dhe 31% janë shprehur se janë mesatarisht të kënaqur me shërbimet e Stacionit të Autobusëve. Ndërsa të pakënaqur kanë dalë të jenë 10%, e aspak të kënaqur 6% e tyre.

Sa i përket shërbimeve të shitjes së biletave, 9% e operatorëve transportues dalin të jenë shumë të kënaqur, 34% janë shprehur se janë të kënaqur, pjesa tjetër e shumicës pozitive prej 37% janë mesatarisht të kënaqur, ndërsa një përqindje rezulton të jetë e pakënaqur ose aspak e kënaqur.

Kur janë pyetur për shërbimet e parkingut gjatë ditës, vetëm 8% e operatorëve transportues janë shprehur se janë shumë të kënaqur me këtë shërbim, ndërsa pjesa tjetër prej 40% janë shprehur se janë të kënaqur. Mesatarisht të kënaqur janë shprehur se janë 21% e transportuesve, duke lënë 23% të tyre të pakënaqur dhe 8% aspak të kënaqur me shërbimin e parkingut gjatë ditës.

Sa i përket shërbimeve të parkingut gjatë natës, vetëm 5% e operatorëve transportues janë shprehur se janë shumë të kënaqur dhe një pjesë më e madhe e tyre prej 32% janë të kënaqur me shërbimin e parkingut gjatë natës. Mesatarisht të kënaqur janë shprehur se janë 21% e të intervistuarve. Ndërsa 28% e tyre janë shprehur të pakënaqur dhe 14% aspak të kënaqur me këtë shërbim të ofruar nga Stacioni i Autobusëve.

Në pyetjen se sa janë të kënaqur operatorët transportues me kohën e pritjes gjatë ndërrimit të orareve, në përgjithësi ata kanë qenë të kënaqur. Sipas të rezultateve të nxjerra nga hulumtimi, 14% e tyre janë shumë të kënaqur dhe 40% e tyre janë të kënaqur.

Mesatarisht të kënaqur janë shprehur 29% e operatorëve transportues dhe 11%  janë shprehur se janë të pakënaqur, duke lënë kështu vetëm 6% aspak të kënaqur me këtë shërbim.

Sa i përket ambientit brenda Stacionit të Autobusëve, 15% e operatorëve transportues janë ndarë shumë të kënaqur dhe 28% e tyre janë ndarë të kënaqur me ambientin. Mesatarisht të kënaqur janë shprehur 27% e tyre, duke lënë kështu 19% të pakënaqur dhe 11% aspak të kënaqur me ambientin brenda Stacionit të Autobusëve.

Kur bëhet fjalë për sigurinë brenda Stacionit të Autobusëve, 16% e operatorëve transportues janë shprehur se janë shumë të kënaqur dhe 27% e tyre të kënaqur. Mesatarisht të kënaqur dhe të pakënaqur janë deklaruar me nga 14%. Ndërsa me një përqindje më të lartë prej 29% janë deklaruar si aspak të kënaqur rreth sigurisë brenda Stacionit të Autobusëve.

Rezultatet e nxjerra nga hulumtimi tregojnë se në përgjithësi të gjitha njësitë operuese si dhe udhëtarët janë të kënaqur me shërbimet që u ofrohen nga ndërmarrja.

Në raste më të pakta është kërkuar që niveli i sigurisë të jetë më i lartë, kryesisht nga lokalet afariste, por edhe nga operatorët transportues.

Gjithashtu, edhe ngritja e nivelit të pastërtisë është kërkuar nga të gjitha kategoritë e përfshira në hulumtim.

Vlerësime më të dobëta në përgjithësi janë dhënë nga lokalet afariste.

Ndërmarrja ‘Stacioni i Autobusëve’, në Prishtinë, është themeluar në vitin 1977, ndërkaq në hapësirat ekzistuese është vendosur në vitin 1983. Pas përfundimit të luftës, në vitin 1999, ndërmarrja është administruar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) e cila më pas ishte shndërruar në AKP. Në vitin 2015 është transformuar në Ndërmarrje Publike Komunale, e organizuar si Shoqëri Aksionare, me Kuvendin Komunal  të Prishtinës si pronar i vetëm i ligjshëm i të gjitha aksioneve të ndërmarrjes. Në këtë kontekst, Kuvendi Komunal i Prishtinës ushtron kompetencat dhe përgjegjësitë e parapara me ligjet në fuqi, por edhe me Statut dhe akte të tjera nënligjore të ndërmarrjes.

Raportin e plotë të hulumtimit mbi kënaqshmërinë e qytetarëve me NPL “Stacioni i Autobusëve” e gjeni këtu.