Komisioni për Zhvillim Ekonomik | Foto: KALLXO.com

Rruga Pa Krye e Borxheve të Ndërmarrjeve Publike

Ndërsa emërimi i anëtarëve të bordeve në ndërmarrjet publike është kryesisht politik, përgjegjësitë për performancën financiare të këtyre ndërmarrjeve, anëtarët e emëruar dhe menaxherët e këtyre ndërmarrjeve nuk e kanë marrë seriozisht në disa raste të konfirmuara.

Politizimin e bordeve e ka pohuar edhe Kryeministri Isa Mustafa, i cili tha se nuk “ishte qëllimi jonë që t’i politizojmë, mirëpo nuk kemi asnjë gjë jopolitike në Kosovë”.

Një prej shmangieve më të dukshme nga përgjegjësitë është mospagimi i detyrimeve tatimore të ndërmarrjeve publike ndaj shtetit të Kosovës.

Pas vendimit për faljen e borxheve dhe publikimit të listave nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK-ja), dolën në pah shuma të mëdha të detyrimeve të papaguara, mbi 10 milionë euro, që këto ndërmarrje kanë grumbulluar nga viti 2000 deri në vitin 2014.

Ligji për faljen e borxheve i shtatorit 2015 shkaktoi telashe jo vetëm për ndërmarrjet publike, por edhe për komisionin i cili punoi në draftimim e ligjit, duke ngritur dilema për institucionet përgjegjëse dhe mënyrën e shlyerjes së detyrimeve.

 

http://kallxo.com/ndermarrjet-publike-ne-hall-me-ligjin-per-faljen-e-borxheve/

Kryetari i këtij komisioni Agim Dibrani, njëherësh, këshilltar Politik i Ministrit të Financave, gjatë një interviste për Gazetën Jeta në Kosovë, disa herë përsëriti se borxhet që ndërmarrjet publike i kanë ndaj ATK-së nuk do të falen për asnjë periudhë.

Në fund të nëntorit të vitit 2015, ATK-ja publikoi dy lista të borxheve të grumbulluara në tatime të papaguara, në të cilat bëjnë pjesë këto ndërmarrje publike.

Njëra listë përmban periudhën e borxheve të grumbulluara 2000-2008 të cilat do t’u falen të gjithë personave fizikë dhe juridikë, por jo atyre publikë, ku përfshihen ndërmarrjet në pronësi shtetërore.

Lista tjetër përmban borxhet e grumbulluara 2009-2014, të cilat priten të shlyhen brenda dy viteve nga personat juridikë dhe tre vite nga personat fizikë.

Listës së borxhlinjve publikë që për periudhën 2000-2008 gjeneruan rreth 8 milionë euro borxh u prijnë kompania rajonale e mbeturinave “Pastrimi” në Prishtinë me mbi 4.8 milionë euro borxh dhe kompania rajonale e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren me 1.5 milionë euro borxh.

Borxhlinjtë fajësojnë konsumatorët dhe ATK-në

Kompaninë e mbeturinave “Pastrimi” në Prishtinë, e pyetur nga Gazeta JNK për borxhin mbi 4.8 milion euro, tha përmes emailit se obligimet tatimore 2001-2004 janë krijuar si pasojë e mospagesës së Tatimit në Vlerën e Shtuar (TVSH) në bazë të faturimit.

“Që nënkupton se kompania “Pastrimi”, nuk ka arritur të bëjë inkasimin qind për qind që të paguajë në tërësi TVSH-në e faturuar nga ATK-ja”, tha kompania.

Po ashtu, në përgjigje thuhet se një pjesë e borxhit është krijuar në bazë të ngarkesës së tatimit në fitim (korportatë), duke mos u njohur borxhet e paarkëtuara (borxhet e këqija) nga programi i ATK-së.

Si pasojë e këtyre ngarkesave të kompanisë është aplikuar edhe ndëshkimi dhe interesi për borxhet e papaguara.

“Pastrimi” tha se që nga muaji shtator 2004 e në vijim, kompania i kryen të gjitha pagesat ndaj ATK-së.

Kompania e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” tha pë Gazetën JNK se borxhi i krijuar 1.5 milion euro ka të bëjë me tatimin në fitim për periudhën 2002-2005.

“Ne nuk jemi pajtuar me konstatimet e ATK-së, që si bazë e të hyrave/fitimit të kompanisë, zyrtarët e ATK-së kanë marrë të hyrat e faturave e jo ato të arkëtuarat”, thuhet në përgjigje.

“Hidroregjioni Jugor” shpjegoi se sipas memorandumit të mirëkuptimit (nr. 993-2006), mes Ndërmarrjeve Publike, ATK-së dhe AKM-së (ish-agjencia Kosovare e Privatizimit), “ndërmarrjet publike obligohen me pagesën e TVSH-së në bazë të vlerës së arkëtimit e jo të vlerës së faturimit”.

Por, pas refuzimit të ankesës nga ATK-ja, kompania u detyrua të hyjë në marrëveshje me ATK-në për pagesë të borxheve me këste mujore deri në vitin 2014.

“Në vitin 2014 pas përpjekjeve dhe bisedave është ndërpre marrëveshja me arsyetimin se së shpejti do të bëhet zgjidhje e qëndrueshme”, shpjegoi kompania në email, duke shtuar se presin t’u falen borxhet sipas ligjit të ri.

“Hidroregjioni Jugor” pretendon se ky borxh është pikërisht borxhi fiktiv (i paarkëtuar) për të cilin kompania ngarkohet të paguajë tatim në fitim, ndërsa “me ligj po u falen konsumatorëve”.

Pas kompanisë “Pastrimi” dhe “Hidroregjioni Jugor” renditen kompani të tjera mbeturinash – “Ekoregjioni” në Prizren me 706 mijë euro borxh, “Higjena” në Gjilan me mbi 512 mijë euro detyrime të papaguara dhe “Çabrati” në Gjakovë me 453 mijë euro.

Një borxh më të vogël ka kompania e mbeturinave “Ambienti” në Pejë me mbi 46 mijë euro dhe “Uniteti” në Mitrovicë me mbi 48 mijë euro borxh.

Të gjitha kompanitë që iu përgjigjën pyetjeve të Gazetës për borxhin e grumbulluar ndaj ATK-së dhanë përgjigje të ngjashme me ato të “Hidroregjionit Jugor” të Prizrenit dhe “Pastrimi” të Prishtinës.

Kompanitë e mbeturinave “Ambienti” në Pejë, “Çabrati” në Gjakovë dhe “Ekoregjioni” në Prizren, gjithashtu, thanë se tatimet nuk kanë marrë parasysh mospagesat e konsumatorëve fundorë dhe ia kanë faturuar tatimin mbi shumën e paarkëtuar, kompanive.

Ndërsa kompanitë rajonale të mbeturinave “Higjiena” në Gjilan dhe “Uniteti” në Mitrovicë nuk iu përgjigjën pyetjeve të Gazetës mbi borxhet e tyre.

Pas vitit 2008 deri në 2014 këto ndërmarrje kanë grumbulluar borxh tatimor të papaguar në vlerë totale prej 2.6 milionë euro, ku sërish rekordin në numër e mbajnë kompanitë e mbeturinave.

 Jo vetëm bërllok

Po ashtu, në listën e ndërmarrjeve publike 2000-2008 figurojnë edhe ato hoteliere, ku spikatin aferat e Hotel Grand në Prishtinë dhe të kompleksit turistik në Brezovicë INEX Shtërpce.

Në vitin 2005, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit inicoi një “Spin Off Special” të shitjes, për privatizimin e Hotel Grand në Prishtinë.

Në atë kohë Hotel Grand ka qenë i regjistruar me emrin K.H.T. “Kosova” e cila ishte privatizuar me një çmim prej rreth 8 milionë euro, ndërsa i kishte borxh Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) mbi 5.7 milionë euro.

Po ashtu, në nëntor të vitit 2014 u dha me koncesion resorti më i njohur turistik i Kosovës në Brezovicë për 410 milionë euro, për 99 vite.

Brezovica “Rrëshqet” te Francezët

Kjo kompani ka një borxh prej 4 milionë eurosh ndaj ATK-së.

“Nuk i falim!”

Agim Dibrani nga komisioni i draftimit të ligjit për borxhlinjtë shpjegoi se përgjegjësinë për pagesën e borxheve të ndërmarrjeve publike e bartin vetë këto ndërmarrje.

“Ndërmarrjet që janë shitur dhe nuk i kanë paguar kontributet siç është rasti me Hotel Grand, atëherë ato i merr përsipër AKP-ja [Agjencia Kosovare e Privatizimit], ne kemi pasur takime me AKP-në dhe u kemi treguar atyre se borxhet e ndërmarrjeve publike nuk falen”, tha Dibrani.

Ai theksoi se AKP-ja duhet t’i shlyejë të gjitha borxhet e grumbulluara ndaj administratës së tatimeve edhe për periudhën 2000-2008.

Gazeta JNK u përpoq të kontaktojë AKP-në mbi borxhet e pashlyera, por nuk mori përgjigje.

Sa i përket borxheve të INEX-it në Brezovicë, procedurën e koncesionimit e ka udhëhequr Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI).

Gazeta JNK e pyeti Ministrinë se çfarë do të ndodhë me borxhet e grumbulluara dhe kush do t’i paguajë ato, por MTI-ja tha në një email se kjo çështje nuk është përgjegjësi e saj.

“Çështja e faljes së borxheve për bizneset është kompetencë e ATK-së”, tha ministria duke sugjeruar se pret të ketë falje.

INEX-i ka vazhduar të grumbullojë borxhe tatimore edhe pas vitit 2008, dhe në listën e borxhlinjve të periudhës 2009-2014 figuron të ketë rreth 180 mijë euro detyrim tatimor të papaguar.

Sipas Dibranit, përgjegjës për grumbullimin e këtij borxhi tatimor si dhe performancën e dobët të ndërmarrjeve publike është vetë menaxhmenti i tyre.

“Te ndërmarrjet publike ku nuk paguhen tatimet, përgjegjësinë e merr menaxhmenti, anëtarët e bordit janë më shumë politikë”, tha Dibrani.

Komunat nuk marrin përgjegjësi

Bordet dhe emërimi i menaxherëve të ndërmarrjeve publike kryhet nga kuvendet komunale.

Megjithëse Gazeta JNK kontaktoi të gjitha komunat që iu kryejnë shërbime këto kompani publike, për t’i pyetur se a janë në dijeni kuvendet komunale për borxhet e ndërmarrjeve publike, vetëm Komuna e Pejës u përgjigj.

Kryesuesi i Asamblesë së Pejës Islam Husaj, tha për Gazetën se kuvendi nuk e ka diskutuar borxhin e kompanisë “Ambienti” me iniciativë të vetën.

“Asnjëherë Kuvendi nuk ka diskutuar për borxhin e ndërmarrjes “Ambienti” përveç kur ata e kanë prezantuar në kuvend planin operativ, atëherë është thënë se qytetarët kanë shumë borxhe ndaj “Ambient”-it, por nuk është specifikuar shuma”, tha Husaj.

Performanca e Bordeve të Ndërmarrjeve Publike u kritikua edhe nga Komisioni për Zhvillimin Ekonomik me rastrin e prezantimit të raporteve financiare të këtyre Ndërmarrjeve për vitin 2013-2014

http://kallxo.com/performance-e-dobet-e-ndermarrjeve-publike/

Profesori Muhamet Mustafa në fund të mbledhjes së këtij komisioni, si kryesues komisioni, më shumë fajësoi bordet për performancën e dobët të ndërmarrjeve publike.

“Veçanërisht neve si komision na intereson performanca e bordeve, për arsye se bordet duhet të japin përgjegjësi në kuvend, sepse ligji ndryshimi i ligjit për Ndërmarrjet Publike ka theksuar shumë qartë përgjegjësinë e bordeve nëse performanca e tyre është e dobët”, tha Mustafa.

Ai vuri në dukje ndikimin e grupeve të interesit për emërimin e anëtarëve të bordeve, duke vënë në pikëpyetje profesionalizmin dhe përgjegjësitë e këtyre të fundit.

“Ju po e dini se sa shumë ka interesime dhe intervenime që njerëzit me hy në borde sepse askush nuk i merr përgjegjësitë për performancën”, theksoi Mustafa.

Ndërkaq, është e paqartë sesi do të funksionojë grumbullimi i borxheve tatimore për ndërmarrjet publike nga ATK-ja.

Mbetet, gjithashtu, për t’u parë gjatë zbatimit të ligjit nëse agjencia e privatizimit do të marrë përgjegjësinë për borxhet e ndërmarrjeve të privatizuara.