Rrëqebulli në Kosovë. Image: ERA Group

Rrëqebulli ballkanik përballë zhdukjes

Nëpër majat e parkut kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna në perëndim të Kosovës, alpinistët mund ta kenë fatin të ndeshen me gjurmë të mëdha putrash në dëborë – madje, edhe mund të shohin ca gëzof të artë me bala, veshë leshtorë me thepa, apo një palë dhëmbë të mprehtë mes drunjsh.

Por, mundësia për t’ia prerë udhën rrëqebullit ballkanik, maces së egër më të madhe dhe më të rrezikuar të rajonit, në pyjet dhe malet e Kosovës po zvogëlohet, duke qenë se njëri ndër dy individët e vetëm të evidentuar në këtë rajon ka ngordhur në fillim të këtij muaji

“Nuk kemi ndonjë përgjigje rreth ngordhjes së tij, kufoma ishte shumë e shpërbërë për ta kryej një autopsi të plotë,” ka shpjeguar Bardh Sanaja, ekolog dhe studiues për ERA group, organizatë joqeveritare në Pejë që merret me ruajtjen e mjedisit. “E kemi gjetur të varur prej një lisi, nëse e sheh fotografinë duket shumë panatyrshme. Nuk ka pasur një vdekje natyrore sipas meje.”

Rrëqebulli në Kosovë. Image: ERA Group

Gjuetia ilegale, shpyllëzimi, mungesa e zbatimit të ligjeve në parqet nacionale dhe ndërtimi i hidrocentraleve në zonat e mbrojtura po e ndikojnë mbijetesën e rrëqebullit, dhe nëse këto rreziqe nuk adresohen, ekspertët nga Balkan Lynx Recovery Program (Programi për Mëkëmbjen e Rrëqebullit Ballkanik, BLRP) thonë se rrëqebullit i kërcënohet zhdukja e plotë.

Një lloj i harruar

Aktualisht, më pak se 50 rreqebuj ballkanikë kanë mbetur në rajon. Popullatat më të mëdha gjenden në Malet e Munellës së Shqipërisë dhe në Parkun Kombëtar të Mavrovës në Maqedoni, si dhe në Kosovë, ku janë gjetur dy rrëqebuj në Bjeshkët e Rugovës.

Prej vitit 2004, rrëqebulli ballkanik, nënlloj i veçantë i rrëqebullit euroaziatik, ka vend të lartë në Listën e Kuqe të Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, IUCN, si lloj Skajshmërisht i Rrezikuar, por atëherë nuk ishte atëherë hera e parë që rrëqebullit i kërcënohej zhdukja.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, popullata e tyre ra në 15-20 individë, por u mëkëmb vetvetiu në natyrë si rrjedhojë e mbrojtjes së rreptë ligjore, duke iu rritur numri në më se 280 individë në vitet e 70-ta, dhe duke u rishfaqur në Mal të Zi dhe Greqi, ka shpjeguar Dime Melovski, koordinatori i programeve të BLRP-së së Maqedonisë.

“Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, numri i tyre filloi të bie prapë, madje deri në 40 individë,” ka thënë Melovski. “Ky ishte një zvogëlim serioz. Besojmë se popullata mund të mëkëmbet vetvetiu sërish, por vetëm nëse adresohen rreziqet.”

BLRP-ja ka filluar si projet ndërshtetëror në vitin 2006, duke i bërë bashkë OJQ-të mjedisore të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, tri shtetet e Balkanit që kanë prani të vërtetuar të rrëqebullit Ballkanik në malet dhe pyjet e tyre së voni.

Grupet e BLRP-së bën bashkë shkencëtarë dhe ekspertë për të kryer studime dhe për të monitoruar rrëqebullin dhe mjedisin e tij, si dhe për të lobuar për reformë ligjore dhe politike dhe për punë edukative që të promovohet dhe mbrohet rrëqebulli Ballkanik në mjedisin ne tij natyror.

Shkencëtarët dhe pjesëtarët e lëvizjes e lëvizjes për ruajtjen e kafshëve në Shqipëri, Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri, ShRMMNSh, ishin të parët që filluan ta provojnë ekzistencën e rrëqebullit i cili mendohej se ishte shfarosur.

Gjetja e rrëqebullit në Kosovë

Historia e rizbulimit të rrëqebullit filloi në vitin 2007, jo në malet e Shqipërisë siç mund të pritet, por në dhomën e ndejës së një familjeje në Shkodër.

ShRMMNSh-ja gjeti dëshminë e parë për mbijetesën e tij, një rrëqebull të balsamuar që ishte qëlluar me armë dhe ishte shitur, dhe atëherë qëndronte shfaqur mbi buhari të një oxhaku në qytetin e Shkodrës. Studiuesit kujtuan se nëse mund ta gjenin vendin ku është vrarë, atëherë edhe mund të gjejnë rrëqebuj të tjerë të gjallë në natyrë.

Edhe pse pronarët e rrëqebullit të balsamuar nuk kishin idenë se kush kishin qenë gjuetarët, ata iu diftuan një drejtim të përgjithshëm se prej nga do të mund të ishte sjellë. Këta tregues, bashkë me rrëqebuj tjerë të balsamuar dhe gëzofët e tyre që grupi i identifikoi, ishin mjaftueshëm për ShRMMNSh-në për t’i gjetur vendndodhjet e përgjithshme të rrëqebullit, dhe vunë kurthe kamerash për ta monitoruar zonën.

Disa vite më vonë në vitin 2010, ekipi shqiptar u lajmërua për një rrëqebull të gjallë që mbahej në një kafaz brenda një restoranti jo shumë larg vendit ku është gjetur rrëqebulli i balsamuar.

Ata nuk arritën ta shpëtonin kafshën, e cila kishte ende shputën e lënduar nga një grackë, por u siguruan t’i jepnin trajtim mjekësor dhe të merrnin informata për vendin e kapjes së tij.

Pak më vonë, në mars të vitit 2011, ShRMMNSh-ja ia dolën t’i shkrepin fotografitë e para të rreqebullit të egër në thellësitë e Maleve të Munellës.

Rrëqebulli në Shqipëri. Image: PPNEA

Ndërkohë, kamerat në Maqedoni zbuluan ekzistencën e 20 deri në 40 individëve mes viteve 2008 dhe 2010 në zonën e Mavrovës, shumë më pak sesa 120 individëd që ishin evidentuar aty në vitet e 70-ta.

Në Kosovën e vitit 2015 nuk kishte pasur dëshmi të rrëqebullit ballkanik për më se 30 vjet, përveç thashethemeve dhe histori të ndeshjeve me malësorët. Partneri kosovar i BLRP-së, ERA, filloi t’i lidhte pikat e këtyre thashethemeve dhe nisi të hulumtojë në Luginën e Rugovës.

Pamjet e para të rrëqebullit në Kosovë dolën prej kamerave që ishin vënë në Bjeshkët e Nemuna në vitin 2015.

“Filluam t’i vinim kamerat në fillim të dimrit, por pasiqë nuk pati rezultate deri në fund të dimrit, ne gati i larguam kamerat dhe erdhëm në përfundim se nuk ka rrëqebull,” ka thënë Sanaja. “Në fakt monitoronim për ta provuar mospraninë në atë kohë.”

Kur dolën t’i heqin kamerat, ekipi u trondit kur pa tri fotografi të një rreqëbulli duke ecur nëpër dëborë.

Ishte lajm i jashtëzakonshëm kur e mendon,” ka vazhduar ai. “Nuk kishte kuptim te ketë rrëqebull në perëndim të Kosovës, nuk lidhej me Maqedoninë, Shqipërinë, apo ndonjë popullatë tjetër të rrëqebullit. Kjo e hapi mundësinë për një histori krejt të re, atë që mund të ketë rrëqebull edhe në Mal të Zi”.

Sanaja ka shpjeguar se studimet e bëra rreth mjedisit të rrëqebullit në Ballkan kanë indentifikuar se Kosova dhe Mali i Zi përmbajnë 40 për qind të zonës së përshtatshme për jetesë dhe riprodhim të kafshës, kurse 60 përqindëshi tjetër është në Maqedoni dhe Shqipëri.

Rrëqebulli në Kosovë. Image: ERA Group

Ky mjedis i përshtatshëm për rrëqebullin, rajonet malore, zonat e izoluara shkëmbore dhe pyjet e dendura, kanë që të gjitha një gjë të përbashkët: kanë nivel të lartë të gërmimeve, prerje të drunjve, ndërtimeve të hidrocentraleve, dhe aktivitete të tjera shfytëzuese që kërcënojnë florën dhe faunën që gjëllin aty.

Rreziqet e mundshme

Biologia dhe ekspertja për mishngrënësit e mëdhenj, Mareike Brix, ka shpjeguar se shpyllëzimi i paligjshëm dhe prerja e drunjve privatë dhe publikë ka ndikim të drejtpërdrejtë në mbijetesën e rrëqebullit, duke shkaktuar shkatërrime edhe ekonomike, edhe ekologkike, si dhe dëmtim të mjedisit.

“Mjedisi i tyre i jetesës shkatërrohet, dhe ndikimi i drejtpërdrejtë është i vogël por i vazhdueshëm,” ka thënë ajo. “Kjo bëhet ede më keq sepse ke edhe ndikimin e makinerisë së rëndë, gjë që mund ta shkaktojë shpenzimin e presë së rrëqebullit.”

Melovski ka shpjeguar se shfrytëzimi njerëzor i pyjeve e ndikon çdo kafshë, dhe sidomos në pyjet ku jeton rrëqebulli. Sipas tij, është e rëndësishme që gjitarët e mëdhenj, si kaprolli dhe dhia e egër, burimi kryesor për ushqimin e rrëqebullit, ta kenë popullatë, ushqim, dhe mjedis të qëndrueshëm.

“Varësia ushqimore për shumë lloje të ndryshme është e pazëvendësueshme,” ka shpjeguar Melovski. “Është e rëndësishme që shtetet të ken regjime të rrepta të gjuetisë në vendet ku ekziston rrëqebulli ballkanik, në mënyrë që popullsia e egër e tij të stabilizohet dhe të rritet me kohën.”

“Rreziku më i madh ndaj rrëqebullit ballkanik në Kosovë është gjuetia e presë së tij, kaprolli, dhia e egër dhe lepuri i egër,” ka thënë Sanaja, duke shpjeguar se brenda parqeve kombëtare të Kosovës është i jashtëligjshëm çdo lloj gjuetie, përfshirë gjuajtjen e presë së rrëqebullit. “Problemi është se, duke parë se si sillen gjuetarët, ata që janë të pasur dhe investojnë shumë në sportin e tyre janë shpeshherë amatorë dhe nuk e dinë se çfarë bëjnë, shumë prej tyre ndoshta as nuk e dinë se gjenden në një park kombëtar.”

Sanaja ka thënë se janë dy kategori tjera të gjuetarëve ilegalë në Kosovë. Edhe pse ende ka disa njerëz që gjuajnë disa herë në vit si pjesë e kulturës së tyre, traditë që vazhdohet prej para luftës, ka edhe njerëz që kanë shkojnë në male në fund të viteve të 90-ta pas hyrjes së një numri të madh armësh në Kosovë, dhe gjuajnë kafshë për qejf. Prej atëherë, kanë vazhduar të veprojnë ashtu.

Mishngrënësit e mëdhenj sikur rrëqebulli varen prej burimeve të njëjta sikur njerërzit, ka shpjeguar Brix, duke e krijuar perceptimin e garimit natyror mes njerëzve dhe mishngrënësve sikur arinjtë, ujqit dhe rrëqebullit, gjë që mund të përdoret për ta arsyetuar përndjekjen e tyre.

Ky perceptim mbështetet prej faktit që rrëqebulli nuk shihet thuajse fare në natyrë: në një studim të vitit 2010 rreth dijes dhe pikëpamjeve të gjuetarëve të Maqedonisë për rrëqebullin, kishte dalë përfundimi se fshehtësia, ecja e tyre nëpër hije, shpejtësia dhe egërsia e paramenduar mund të shkaktojë frikë të paarsyeshme. Në të vërtetë, sipas studimit, rrëqebulli nuk përzihet në mjedisi e njerëzve, dhe tepër rrallë gjuan në grigjat e fermerëve në shpatet e maleve.

“Rrëqebulli? Ai është edhe më i rrezikshëm sesa ujku apo ariu, sepse nëse do të të lëndojë rrëqebulli, ai hip në një dru, ti nuk e di, vetëm kalon andej… ai mund të bie mbi ty, mu në qafë. Është i rrezikshëm!” ka thënë një gjuetar i cituar në raport.

Ky imazh i rrëqebullit si vrasës i hijeve që fshehet mes drunjsh krijon frikë dhe, ngjashëm me mishngrënësit tjerë të mëdhenj, mund të shkaktojë perceptime të paverteta negative për natyrën e tyre dhe mund t’i nxisë gjuetarët t’i shohin kërcënim për sigurinë e njerëzve dhe kafshëve.

Po ashtu, ndërtimi i hidrocentraleve, ngrehina të mëdha që ndërtohen në lumenj për të prodhuar energji elektrike përmes ujit, mund ta rrisë rrezikun deri në dhjetë herë, dhe kanë mundësinë ta shpenzojnë prenë dhe t’i ngushtojnë hapësirat e ushqimit dhe riprodhimit të rrëqebullit.

Ndërtimi i hidrocentralit në Deçan. Image: Adthe Mulla

Ky është një problem tash e gjashtë vjet,” ka thënë Melovski. “Thuajse çdo lum në vend, i vogël apo i madh, ka plan për hidrocentral.”

Ngjashëm me praktikat e prerjes së drunjve, ndërtimi hidroentraleve kërkon që të hapen rrugë nëpër pyje që t’i lejojnë punëtorët të kenë qasje me makineritë e tyre. Kjo jo vetëm se e ndan mjedisin, por edhe e bën më të lehtë për gjuetarët të mund të shkojnë në vende të izoluara ku jeton rrëqebulli dhe të vënë kurthe, ka shpjeguar Melovski.

Në Kosovë, ERA dhe aktivistë tjerë vendas po mundohen t’i pezullojnë lejet e ardhshme për ndërtimin e hidrocentraleve pas një problemi në zonën e Deçanit që është shkaktuar nga thithja e ujit prej anës së bimëve nga burimet ujore në fshatrat përreth.

Brix ka thënë se kjo, si dhe popullata e kafshëve që mbështetet në burimet ujore duhet të merret parasysh. “Statusi i shumë i rrezikuar i popullatës së rrëqebullit na bën të mendojmë se duhet të shmanget çdo gjë që mund ta ndikojë popullatën e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë.”

Rreziku i hidrocentraleve ka nxitur një nismë austriake të quajtur RiverWatch ta nisë një fushatë në vitin 2012 bashkë me BLRP-në për t’i shpëtuar zonat e mbrojtura të cilat kërcënohen nga ndërtimi i hidrocentraleve.

“Është diçka mjaft e ndërlikuar këtu, sepse ne duam energji elektrike të qëndrueshme që vijnë nga burime të qendrueshme, dhe burime që nuk do ta ndotnin ambientin,” ka thënë Melovski.

“Në anën tjetër, ndërtimi i këtij lloji të madh të hidrocentraleve do ta ndikojnë ambientin dhe infrasktruktura sigurisht do t’i dëmtojë shumë lloje. Rrëqebulli ballkanik, si lloj skajshmërisht i rrezikuar me 50 individe në ekzistencë, nuk duhet të shtyhet më tej prej këtyre aktiviteteve,” ka thënë ai.

Fushata e RiverWatch, e cila është bërë dokumentar “Save the Blue Heart of Europe,” thotë se paratë nga Perëndimi po pompohen në këto projekte të hidrocentraleve, të cilat mund ta shkatërrojnë bukrinë dhe biodiversitetin e lumenjve të Ballkanit.

Zvogëlimi i gjuetisë ilegale

Prej vitit të kaluar, Melovski dhe ekipi i tij janë fokusuar në identifikimin e rrethanave dhe praktikave të gjuetisë në Maqedoni, duke shpresuar që ta marrin vesh se çfarë i shtyn gjuetarët t’i gjuajnë llojet sikur rrëqebulli. Sipas tij, qëllimi përfundimtar është të ndalohet plotësisht gjuajta e rrëqebullit.

“Po mundohemi t’i përfshijmë ekspertët e gjuetisë në aktivitetet tona, dhe t’i zbulojmë shtysat prapa gjuajtjes,” ka shpjeguar ai. “Me shpresë, ne do të gjejmë të dhëna interesante, dhe mund të bëjmë vendimi adekuate dhe ndryshime apo plotësime të ligjeve që merren me këtë, dhe to të shtyjmë përpara implementimin e praktikave të pranueshme të gjuetisë.”

Në Kosovë, ERA po ashtu ka punuar afër me gjuetarë dhe njerëz që jetojnë në komunitete ku gjuetia është praktikë e rregullt, por janë ballafaquar me kundërshtime të rënda duke lobuar t’I mbrojnë këto zona.

“Në vitin 2013, ne po avokonim që zona në Kosovë të shpallet park kombëtar. Edhe pse njerëzit që e kundërshtuan ishit të pakët, ata ishim shumë të zëshëm,” ka thënë Sanaja. “Kur mundohesh t’i luftosh këta njerëz, ata kanë tencencë t’i lidhin veprat e tyre me diçka patriotike, sikur po mundohesh t’ua privosh të drejtën themelore ndaj tokës dhe lirisë së tyre. Ata e ndrrojnë plotësisht argumentin”.

https://kallxo.com/gjendet-i-vdekur-nje-rreqebull-ballkanik-ne-bjeshket-e-nemuna/

Edhe pse këta gjuetarë dhe komunitetet që jetojnë afër mjedisit të rrëqebullit e kanë ndihmuar ERA-n t’i kryejnë studimet bazike, monitorimin dhe vënien e kamerave në rajon, tendenca e tyre për t’i mbajtur të fshehura praktikat e gjuetisë e pengon çdo lloj përparimi drejt parandalimit të vrasjes së tyre ilegale.

“E kundërshtojnë vetveten, i pyesim se a dojnë të mbrohet toka, ata thonë po!” ka thënë Sanaja. “Të thonë se kurrë nuk do të mund ta vrasnin një shtazë tjetër, thonë ‘do të shkoj t’i mbroj me armën time nëse ka nevojë!’, por dihet se janë ata që po i vrajnë”.

Në Shqipëri, një moratorium mbi gjuetinë është shpallur në Mars të vitit 2014 dhe është zgjatur deri në vitin 2021. Qeveria shqiptare po ashtu e ka siguruar statusin special për rrëqebullin Ballkanik në vitin 2017 si lloj i mbrojtur përmes Konventës së Bernës, marrëveshje nën Këshillin e Evropës për ruajtjen dhe mbrojtjen e bimëve dhe kafshëve të egra evropiane si dhe mjediset e tyre.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Maqedonia ka gjetur një mënyrë novatore për ta ndihmuar mbrojtjen e rrëqebullit dhe mjedisin e tij thelbësor, parkun kombëtar të Mavrovës.

Ngjashëm me Kosovën, qeveria maqedonase ka bërë plane për më se 20 hidrocentrale të vogla në zonën e Mavrovës.

Pasi ushtruan trysni ndaj Bankës Botërore që ta sigurojnë një hua për ndërimin e hidrocentralit para vlerësimit të ndikimit në mjedis, peticionet dhe akesat ndaj Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës bënë që të tërhiqen fondet dhe të ndërprehet projekti.

Ankesat janë paraqitur për herë të parë në vitin 2015 kur qeverisë maqedonase i është kërkuar të sigurohet që të mos ndërtohet asnjë hidrocentral në Mavrovë pa u kryer vlerësimi i saktë para fillimit të ndërtimeve.

Pasiqë nuk i janë bindur kësaj kërkese, qeverisë maqedonase i është kërkuar t’i pezullojë ndërtimet e të gjitha hidrocentraleve deri në kryerjen e vlerësimeve. Komiteti erdhi në përfundim se do të ishte punë e pamatur që t’i shtohet ky presion rrëqebullit, duke e ditur rëndësinë e Mavrovës për mbijetesën e tij.

Për më shumë, qeverisë i është kërkuar që t’ia japë Mavrovës statusin e parkut kombëtar. Për momentin, kategorizimi i parkut në ligjin kombëtar nuk i jep mbrojte të plotë zonës, gjë që lë hendeqe që lejon ndërtimin e hidrocentraleve pavarësisht biodivesitetit të pasur në zonë që do të ndikohej.

Pavarësisht politikave të rrepta në Kosovë për parqet nacionale, Sanaja mendon se zbatimi i ligjit duhet të jetë më i serioz.

“Parqet kanë rregull të brendshëm, ka njerëz që punojnë aty, por nuk janë funksionalë,” ka shpjeguar ai. “Njerëzit duhet ta kuptojnë se veprat e tyre do të kenë pasoja, qofshin gjoba apo diçka tjetër”.

Veçanërisht në Maqedoni, lufta për të arritur mbrojtje për parqet nacionale dhe grupet tjera mbetet e vështirë, pavarësisht përparësive ekonomike që do t’ia jepte shtetit.

“Qeveria nuk e ka kuptuar çfarë lloj përfitimesh do t’i kishin prej turizmit të qëndrueshëm dhe rural, nuk e kanë kapur atë koncept ende,” ka thënë Melovski, duke shpjeguar se, edhe pse ka punuar me qeverinë për t’i treguar se si kjo do të mund të funksiononte, është prapëseprapë e sforcuar për ta.

“Kjo është kryesisht sepse qeveritë kryesisht tentojnë të mbarojnë projekte që u japin përfitime të menjëhershme, sesa përfitime më afatgjata. Ata nuk e shohin të ardhmen, e as të ardhmen e afërt”.

E ardhmja

Hapat e radhës, sipas Melovskit, janë që BLRP-ja t’i shndërrojë studimet në praktikë.

“Duhet të kemi bashkëpunim të afërt me ministritë relevante që t’ua shpjegojmë se nëse nuk i implementojmë dhe zbatojmë këto ligje, si dhe t’i plotësojmë, atëherë veç mund t’i harrojmë përpjekjet tona deri më tash,” ka thënë ai. “Mbrojtja e secilit lloj, jo vetëm të rrëqebullit, bëhet e pamundur pa këtë”.

Sa i përket Kosovës, zbatimi i ligjit nuk është i mjaftueshëm, dhe zgjidhje duhet të bazohet të komuniteti, sipas Sanajës.

“Unë nuk besoj që ndryshimi vjen nga lart poshtë,” ka thënë ai. “Edhe nëse duhet të jetë një zë më i fortë autoritar që do t’i zbatonte rregullat, mendoj se kjo do të shkaktojë kundërshtime më të mëdha”.

Sanaja shpjegoi se, nëse komunitetet që merren me gjueti ilegale difersifikohen, dhe ato me më shumë vetëdije për natyrën dhe ruajtejn e saj gjejnë një zë kolektive, atëherë përmirësimi i mbrojtjes së rrëqebullit mund të jetë i mundshëm

“Kemi punuar me fëmijë të vegjël që ta ndryshohmë pikëpamjen e tyre për naturën,” ka thënë ai. “Zbatimi i ligjit mund mund të ketë rezultate të menjëhershme, por edukimi është më afatgjatë, ndoshta do ta shohim pas 20 vjetësh. Vetëm mund të shpresojmë që rrëqebulli do të jetë i pranishëm atëkohë”.

BLRP-ja në Kosovë mbetet optimiste pavarësisht ngordhjes së njërit nga rrëqebujt, dhe do ta fillojë vënien e kamerave në vjeshtë të këtij viti, si dhe do të vazhdojnë të kenë programe edukative që të frymëzojnë sa më shumë njerëz që është e mundur t’I respektojnë dhe ruajnë mjediset e rrëqebullit.

“Tani, përgjegjësia më e madhe bie mbi ne, ta bëjmë monitorimin në mënyrë sa më të mirë”, ka thënë Sanaja. “Dua ta shoh këtë si mundësi, ndoshta disa njerëz tjerë do të vijnë dhe ta zënë vendin e tij dikur”.