Rektorati i UP-së | Foto: KALLXO.com

Rektorati i UP-së Anulon Konkursin e Shpallur me Kritere të Ulëta

Rektorati i Universitetit të  Prishtinës “Hasan Prishtina” ka anuluar konkursin e shpallur vet për pranim të stafit të ri për administratën e UP-së.

Anulimi i këtij konkursi është bërë nga rektori, Marjan Dema, pasi që ky i fundit kishe marrë vërejtje nga Këshilli Drejtues i UP-së për kriteret e ulëta të këtij konkursi.

Për këtë konkurs, një qytetar kishte raportuar të hënën në KALLXO.com. Rektorati e ka anuluar konkursin ditën kur i janë dërguar pyetjet nga KALLXO.com.

Rektorati i UP-së më 6 shkurt 2018, kishte publikuar konkursin për 13 pozita të lira në administratën e Universiteti të Prishtinës, por kishte vënë kritere të ulëta për pranim si: posedimi i shkollës së mesme dhe pa përvojë pune.

15 ditë pas shpalljes së këtij konkursi, Rektorati u kishte dhënë mundësi aplikuesve duke e zgjatur afatin e tij. Pra më 21 shkurt 2018, Rektorati me të njëjta kritere të ulëta kishte shpallur njoftim për zgjatje të konkursit.

KALLXO.com kishte gjetur se nga 13 pozitat e kërkuara nga ky konkurs, Rektorati kishte vënë kritere për pranim të punonjësve të administratës me shkollë të mesme dhe pa përvojë pune.

Prej 13 pozitave të këtij konkursit, katër nga to si zyrtar për informim i UP-së, zyrtar administrativ në Fakultetin Juridik, zyrtar për Arkiva 1 në Fakultetin e Shkencave Matematike- Natyrore dhe zyrtar për Shërbime Studentore nuk është kërkuar përvoja e punës.

KALLXO.com po ashtu ka gjetur që Rektorati ka kërkuar “Asistent Administrativ në Zyrën e Rektorit” me shkollë të mesme por i/e cila di të punojë me programe kompjuterike.

“Shkolla e mesme, 3 vite përvojë pune. Shkathtësi kompjuterike në aplikacione të programeve: Word, Excel, Power Point, Access. E nevojshme njohja e gjuhës angleze”, thuhet në pikën 7 të konkursit i cili mban numrin e protokollit 263.

E njëjta kërkesë për të punësuar me shkollë të mesme është kërkuar edhe për pozitën asistent administrativ në Fakultetin e Mjekësisë.

Për këtë çështje, KALLXO.com i ka drejtuar pyetje zyrtarëve të Rektoratit, përfshirë këtu edhe rektorit Marjan Dema dhe prorektorit Naser Sahiti. Në emër të Rektoratit është përgjigjur Fidan Hamiti, menaxher i personelit në UP duke e konfirmuar anulimin e këtij konkursi.

“Konkursi është anuluar me vendim të rektorit të UP, pas shqetësimeve të ngritura nga KD, të cilat kanë të bëjnë me kualifikimin dhe përvojën e punës së kërkuar për plotësimin këtyre vendeve të punës, sidomos për disa vende specifike të cilat kërkojnë ekspertizë relevante”, tha Hamiti për KALLXO.com.

Ndërsa i pyetur për kriteret e këtij konkursi që janë kërkuar si pa përvojë pune, Hamiti ka thënë se kjo është bërë duke u bazuar në Katalogun e Vendeve të Punës që është miratuar nga Qeveria e Kosovës në vitin 2015.

“Në kuadër të kësaj, (sqarim që jep përgjigje të gjitha pyetjeve tuaj) ju sqarojmë se, në rast të plotësimit të vendeve të punës në të gjitha Institucionet e Administratë Publike të RKS që kanë të punësuar shërbyes civilë, ashtu si edhe në UP, kriteri i kualifikimit dhe i përvojës së punës duhet të jetë në përputhje të plotë me atë të përcaktuar nga ky Katalog i vendeve të punës”, tha Hamiti.

E kryesuesja e Këshillit Drejtues të UP-së, Ardiana Bunjaku për KALLXO.com tha se Rektorati ka hapur konkurs me kritere të ulëta.

“Ne si Këshill Drejtues vetëm kemi drejtuar shqetësimin tonë për shkak të kritereve që janë kërkuar. Shumica e kritereve të pozitave kanë qenë me kritere të ulëta, ka qenë kërkesë me shkollë të mesme ose me zero eksperiencë”, tha Bunjaku.

Ajo tha se pas shqetësimeve të Këshillit Drejtues, Rektorati ka venduar ta anulojë konkursin për 13 pozita në administratën e UP-së.

“Pas shqetësimit që e kemi bërë për këtë shpallje të këtij konkursi ata kanë vendosur ta anulojnë dhe ta shpallin me kritere më të larta qysh edhe i takon Universitetit të Prishtinës”, tregoi Bunjaku.

Kryesuesja Bunjaku tha se në mbledhjen e parë të Këshillit Drejtues është diskutuar për kriteret e këtij konkursi për çka anëtarët janë takuar me Rektorin Marjan Dema për t’i diskutuar këto shqetësime.

“Shumica e pozitave që kanë qenë aty duke marrë parasysh rëndësinë e Universitetit të Prishtinës, ne vetëm e kemi treguar shqetësimin tonë që një asistent i Rektorit me shkollë të mesme nuk është pozitë. Është personi i parë që merret me të gjitha informacionet, takimet. Kemi parë të domosdoshme që duhet të ketë një nivel tjetër. Rektori ka qenë këtu dhe menjëherë ka filluar dhe ka marrë masa për këtë”, tha Bunjaku.

Në konkursin e hapur më 6 shkurt 2018, Rektorati kishte kërkuar 13 pozita për të plotësuar në administratën e Universitetit të Prishtinës si: auditor i brendshëm, zyrtar ligjor 2, zyrtar për informim, zyrtar për lektorim, zyrtar për mbështetjen e kërkimeve shkencore, zyrtar për buxhet dhe financa, asistent administrativ në Zyrën e Rektorit, asistente administrative në Dekanatin e Fakultetit Filozofik, asistente administrative në Fakultetin e Mjekësisë, asistente administrative në Fakultetin Juridik, zyrtar për Arkiv në Fakultetin e Shkencave Matematike- Natyrore, teknik i Bujqësisë në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, zyrtar për shërbime studentore, punonjës në Fakultetin e Filologjisë, në Fakultetin e Mjekësisë, në Fakultetin e Arteve dhe në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit.