Qytetari Ankohet se KEDS i Faturoi Paushall 95 Euro

Nderim Kamberi, qytetar nga Prishtina, po e akuzon KEDS-in se ia ka faturuar një borxh të paqenë. Ai ka pranuar një faturë (gjobë) prej 95 eurosh në emër të kthimit të humbjeve nga KEDS-i. Kjo faturë atij i kishte ardhur vetëm disa ditë pas një vizite që i kishin bërë zyrtarë të kompanisë në banesën e tij.

Ai ka raportuar në KALLXO.com se në fund të muajit tetor disa punëtor të KEDS-it kanë vizituar banesën e tij për të kontrolluar pajisjet elektrike. Thotë se vizita dhe kontrolli i pajisjeve është bërë pa autorizimin e tij.

“Kam pasë vizitë në banesën time me datë 26 tetor 2016 nga dy zyrtarë të KEDS-it, në proces verbal të shkruar janë tre persona. Vizita e tyre ka rezultuar me lënien e procesverbalit të zyrtarëve të KEDS-it pas verifikimit të pajisjeve dhe fuqisë së tyre elektrike. Fillimisht jam i indinjuar me këtë veprim pa paralajmërim dhe duke kryer këtë  proces pa praninë time në atë kohë, por vetëm intervistimin e kujdestares të cilës në fund i kanë kërkuar që ta nënshkruajë procesverbalin”, rrëfen Kamberi për KALLXO.com.

Punëtorët e KEDS-it, sipas tij, e kanë bërë verifikimin e pajisjeve nga distanca dhe pas bisedës me kujdestaren e fëmijëve, e cila nuk është anëtare e familjes madje.

KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala. Ai tha se veprimet e tyre janë në përputhje me Ligjin për Energji, përkatësisht neni 28 ku përcaktohen rastet ku mund të bëhen “inspektimet, mirëmbajtja dhe matja”.

Mysafirët e paftuar

Nenet të cilat Buzhala ia ka dërguar KALLXO.com nuk thonë në asnjë pikë se zyrtarët mund të hyjnë në një pronë private pa leje të pronarit.

“Personat fizikë dhe juridikë do të lejojnë zyrtarët”, kështu nis paragrafi i parë i nenit 28. Kurse, paragrafët pasues nisin kështu: “Personat fizikë dhe juridikë do t’u lejojnë përfaqësuesve të autorizuar…”

Zëdhënësi i KEDS-it thotë të kenë marrë leje për të kontrolluar pajisjet nga një person i moshës madhore.

“KEDS kishte marrë aprovimin nga një person i moshës madhore për të hyrë në pronën e konsumatorit në fjalë”, ka thënë Buzhala.

Por, Nderim Kamberi thotë se KEDS-i ka bërë shkelje të Ligjit për Privatësinë.

“Personat fizikë dhe juridikë do të lejojnë zyrtarët që ushtrojnë inspektime në përputhshmëri me këtë Ligj, mund të hyjnë dhe të kalojnë në pronën e çfarëdo individi për ushtrimin e aktiviteteve të tyre në lidhje me inspektimin dhe mirëmbajtjen e stabilimenteve energjetike, instalimeve apo sistemeve”, citon ai Ligjin për Privatësinë, që sipas tij është shkelur nga ana e KEDS-it.

Ndërsa, zëdhënësi Buzhala thotë se arsyeja e kësaj vizite kanë qenë dyshimet për manipulim të njehsorit elektrik.

“Ne kemi bërë ndërrimin e njehsorit dhe pas ndërrimit ky njehsor ka rezultuar i manipuluar dhe sipas rregullores për shfrytëzimin e paautorizuar të energjisë nevojitet që te konsumatori të merren shënimet e pajisjeve të cilat konsumatori i ka shfrytëzuar dhe në bazë të shënimeve bëhet rikthimi i humbjeve”, tha Buzhala.

Nderim Kamberi ka thënë se ka pranuar një faturë të papaguar prej 95 euro nga KEDS-i. Ai thotë se ka qenë pagues i rregullt i energjisë elektrike.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga KEDS-i për mënyrën e faturimit të këtij borxhi.

“Kalkulimi është bërë për 6 muaj në formë retroaktive, pas matjes së pajisjeve shtëpiake ashtu siç e parasheh edhe Ligji dhe rregulloret e ZRRE-së. I janë shtuar nga 356 kWh për muaj”, thotë Buzhala.

Vlerësimi paushall që peshon 95 euro

E Kamberi thotë se ky borxh i është faturuar paushall, pasi verifikimi i pajisjeve është bërë nga distanca dhe nuk është bërë asnjë matje reale e pajisjeve.

Qytetari nga Prishtina thotë të ketë kryer obligimin e tij ndaj KEDS-it duke i paguar me rregull faturat e energjisë elektrike. Thotë se asnjëherë nuk e ka manipuluar njehsorin me qëllim të uljes së faturës së energjisë elektrike.

“Ora gjendet në korridor bashkë me orët e tjera dhe unë nuk mbaj përgjegjësi për këtë orë dhe për atë kuti ku gjenden orët e tjera. Unë as nuk e kam instalu këtë orë as nuk e kam menaxhu ndonjëherë. Plombat i heqin dhe i vendosin ata sa herë që donë, duke mos më lajmëru mua kurrë. Pra nëse është e manipuluar ata është dashtë me e ditë më herët jo tash”, tha Kamberi.

KEDS-i, sipas tij, nuk i ka prezentuar asnjë dëshmi që tregojnë se ora e tij ka qenë e manipuluar apo se ky e ka keqpërdorë energjinë elektrike.

KALLXO.com ka marrë edhe raportin e Avokatit të Popullit lidhur me kontrollet e paautorizuara të KEDS-it në prona private. Në raportin e Avokatit të Popullit thuhet se kontrolli i paautorizuar i banesës mund të shkaktojë shkelje të së drejtës në privatësi.

“Avokati i Popullit rikujton se kontrollet në objektet private për dyshime të veprave penale mund të bëhen vetëm me urdhër gjyqësor nga ana e Policisë dhe atë duke respektuar Dispozitat e Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.

Ky raport ka për qëllim njoftimin e Prokurorisë së Shtetit për pretendimet lidhur me kontrollet e paautorizuara në pronat private dhe hapësirat e konsumatorëve nga ana e KEDS-it, si dhe tërheqja e vëmendjes së KEDS-it, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Zyrës për Rregullatorit për Energji lidhur me shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut.

Ndërsa, Nderim Kamberi është i vendosur për të sfiduar KEDS-in deri në instancën më të fundit. Ai tashmë e ka bërë ankesën në KEDS rreth “mysafirëve të paftuar të KEDS-it”, por edhe për borxhin prej 95 eurove të cilën ia kanë faturuar.

“Ankesa e parë më është refuzuar pa ofruar asnjë dëshmi apo argument nga KEDS-it. Ata po thirren në disa nene të Ligjit, ndërsa nuk janë përgjigjur në asnjë nga pikat e ankesës”, thotë Kamberi.

Këtë përgjigje negative e ka pritur nga KEDS-it, sepse Kamberi thotë të jetë paralajmëruar nga punëtorët e kësaj kompanie.

“Me lejo të të njoftoj që isha me 9 nëntor 2016 tek zyrat e KEDS-it dhe njëri nga rojet aty me sugjeron që ta paguaj këtë borxh, sepse nuk është i madh, ka mujt me qenë edhe trefish më i madh! Më tha që munden me të paditë edhe më e dërgu lëndën në Gjykatë. Nuk po e kuptoj se si munden me më paditë ata për diçka që nuk e kam bërë”, ka thënë Kamberi.

Thotë se do të vazhdojë të ankohen në instanca të tjera, duke përfshirë edhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.