Punëtorët që po vdesin, po punojnë pa kontrolle shëndetësore

Punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë po rrezikojnë jetën për punë, ata përballen me pasiguri në punë, por edhe ballafaqohen me shkelje të të drejtave të punëtorëve. Kontrollet shëndetësore që kushtojnë vetëm 15 euro injorohen shpesh herë nga punëdhënësit, ndërsa numri i të vdekurve dhe të lënduarve në punë, po rritet nga viti në vit.

“Kurrë s’jemi kontrollu për certifikatë shëndetësore. Kurrë s’kanë ardh me na kontrollu, asnjë inspeksioni as sen, natën dathun duhet me ikë prej këtu”, kështu e përshkruan gjendjen në punë L.D., i cili tash e gati gjashtë vite punon në sektorin e ndërtimtarisë.

32-vjeçari nga Ferizaj  thotë se përgjatë këtyre viteve sa është duke punuar në sektorin e ndërtimtarisë asnjëherë nuk ka pasur kontratë pune, rrjedhimisht as nuk ka kryer kontrolle shëndetësore. Kësisoj atij dhe kolegëve të tij u janë shkelë një sërë të drejtash që ua garanton Ligji i Punës në Kosovë.

Ky i ri thotë se për pesë vite me radhë ka punuar në një firmë tjetër dhe tash e katër muaj në një firmë tjetër në sektorin e ndërtimtarisë, ai thotë se asnjëherë nuk janë kontrolluar nga inspektorët e punës.

Nga frika se mund ta humbas vendin e punës, në kushte anonimiteti thotë se ka kërkuar nga punëdhënësi i tij i ri, kontratë punë, por që i është thënë se do ta marrë vetëm vitin e ardhshëm.

“Javën e kaluar bile u rroka me shef, i thash qysh qe sa pa dokumente, pa kontratë pa sen. Me tha hajt se vitin tjetër kysmet. Një punëtor këtu e ka thy krahun tu punu ja kanë shti në gips edhe asgjë tjetër, domethënë deri sa t’i shërohet dora jetë pa punë, pa pagesë, pa asgjë”, shprehet L.D.

Megjithatë, ka raste kur punëtorë të tjerë nga ky sektor për të cilët janë interesuar Inspektorati i Punës, por që sipas punëtorëve, ata kanë shpëtuar madje as pa u gjobitur.

“Ka ndodhë ka ardh inspeksioni, na ka kontrollu se a kemi shlema, dorëza, çizme mbrojtëse. Kontrolla shëndetësore kurrë s’kemi ba, ka ardh inspeksioni, po shefi s’është denu kurrë”, thotë V.D., nga Ferizaj.

Ai thotë se për shkak të rrezikshmërisë, është detyruar të largohet nga sektori i ndërtimtarisë, për të punuar në një rrjet të marketit. Ai thotë se të paktën në këtë sektor nuk ka rrezikshmëri, teksa potencon faktin se tashmë kryen edhe kontrolle shëndetësore.

“Tash që po punojë në market, tash po bajm edhe kontrolla shëndetësore, a sa kam punu në ndërtimtari, jo kurrë”, thotë ai.

Në Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë theksohet se punëdhënësi është i detyruar t’u sigurojë të gjithë punëtorëve kontrolle shëndetësore. Ekzistojnë dy lloje të kontrolleve mjekësore me çka obligohet punëdhënësi t’u sigurojë punëtorëve: kontrolli për certifikim të punës dhe kontrollet sistematike. Lloji i parë ka të bëjë me diagnostikimin e gjendjes së përgjithshme psiko-fizike. Ai bëhet zakonisht në fillim të punës dhe vlen gjashtë muaj, ndërsa vizitat sistematike varësisht nga lloji i punës bëhet një herë në vit deri në tri vjet.

Inspektorati i Punës në Kosovë obligohet që të mbikëqyrë marrëdhëniet mes punëtorit dhe punëdhënësit, duke përfshirë këtu kontratat e punës, certifikatat shëndetësore dhe kontrollet sistematike. Por vet Inspektorati i Punës, ka mangësi në kryerjen e obligimeve me çka ngarkohen, kjo për faktin se gjithë territori i Kosovës duhet të mbulohet me më pak se 40 inspektorë.

Megjithatë, shprehen se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti kanë kryer afër 500 inspektime në sektorin e ndërtimtarisë. Inspektorati i Punës, përgjatë gjashtë mujorit të parë ka shqiptuar 242 masa ndëshkimore në të gjitha sektorët, ndërsa për shkak të mungesës së një databaze nuk dihet saktë numri i gjobave ndaj sektorit të ndërtimtarisë, e as mos kryerja e obligimit të kontollave shëndetësore.

“Meqenëse Inspektorati i Punës nuk ka një data bazë të mirëfilltë për t’i selektuar masat ndëshkimore, gjatë këtij nëntë mujore janë shqiptuar 242 masa ndëshkimore për punëdhënësit të cilët kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore. Gjatë këtij viti bazuar në planin e punës, dhe duke pasur prioritet sigurinë dhe shëndetin në vendet e punës, Inspektorati i Punës ka realizuar mbi 500 inspektime vetëm në sektorin e ndërtimtarisë”.

Pse kontrollet shëndetësore shpëtojnë punëtorët?

Kontrollët shëndetësore të cilat janë të parapara edhe me Ligjin e për Sigurinë dhe Shëndetin në punë, mund të rezultojnë jetike për shëndetin e punëtorëve, kështu vlerëson Naser Syla, drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK.

Ai thotë se kontrollet e tilla sistematike zbulojnë shumë sëmundje të cilat rrezikojnë jetën e punëtorëve, vecaranisht asaj të ndërtimtarisë. Thotë se nga evidentimi i hershëm i ndonjë sëmundje, iu ndalohet ose iu tërhiqet vërejtja për rreziqet që mund t’i paraqiten në punë.

“Po ashtu  kontrollet sistematike zbulojnë shumë sëmundje të cilat e rrezikojnë jetën e punonjësve në sektorët e ndryshme e posaçërisht në ndërtimtari, e që në shumicën e rasteve ju ndalohet ose ju tërhiqet vërejtja  për sëmundjen që posedon dhe rrezikshmërinë që paraqet për punën e caktuar”, thotë ai.

Veç tjerash, Syla thotë se kontrollet sistematike dhe kartonët shëndetësorë do të ndikonte jashtëzakonisht në mënyrë pozitive tek shëndeti i punëtorëve, por edhe tek puna e profesionistëve shëdnetësore.

“Kontrollet sistematike dhe kartonët shëndetësor janë të domosdoshëm për të gjithë punëtorët si në sektorin publikë dhe atë privat, janë të obligueshme në të gjitha vendet e  Bashkimit Evropian, janë shume të rëndësishme  si për punëtorët, ashtu edhe për ne profesionistët  shëndetësor sepse na lehtësojnë punën gjatë  kontrolleve të pacienteve të aksidentuar, sepse jemi paraprakisht të informuar për sëmundjet eventuale kronike që vuan i aksidentuari”, thotë ai.

Drejtori i Klinikës së Emergjencës në Prishtinë, thotë se vetëm nga fillimi i këtij viti deri në muajin nëntor, janë pranuar afër 70 raste të lëndimeve në punë, ku tre prej tyre kanë humbur jetën, ndërsa të tjerët kanë humbur gjymtyrët e trupit si dorën, këmbën, gishtat, syrin apo kanë përfundura me lëndime të lehta.

Mjekësia e punës ‘pensioniste’ në Kosovë

Vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, nëntë punëtorë kanë vdekur në vendin e punës aq sa kanë vdekur gjatë gjithë vitit 2021, 40 të tjerë kanë marrë lëndime të rënda, ndërsa 139 të tjerë lëndime të lehtë trupore. Që nga viti 2016 më shumë se 90 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës.

Numri i punëtorëve të vdekur dhe i të lënduar në vendin e punës është si rrjedhojë e një varg shkeljeve të ligjit të punës, ku veç tjerash mungon siguria në punë, por edhe mungesa e kontrolleve shëndetësore.

Qendra Kombëtare e Mjekësisë së Punës me seli në Gjakovë, institucioni i vetëm publik që lëshon certifikata të punës për këtë vit ka lëshuar vetëm 44 certifikata të tilla, ndërsa në vitin 2021 vetëm 69.

Përveç numri të vogël të certifikatave të lëshuara nga ky institucion, gjendje e rënduar është edhe sa i takon mjekëve shëndetësorë në këtë institucion që lëshon një certifikatë të tillë për punëtorë. Në këtë institucion aktualisht është vetëm një mjek i cili ka arritur pensionimin, por që në mungesë të mjekëve të tillë është angazhuar si bashkëpunëtor i jashtëm me gjysmë orari.

“Aktualisht, kemi  vetëm një mjek të punës i cili ka arritur moshën e pensionimit, mirëpo me qëllim të mos  kufizimit  të ofrimit të shërbimeve nga lëmia e Mjekësisë së Punës,na është lejuar  angazhimi si bashkëpunëtorë i jashtëm, me gjysmë orari për kohëzgjatje një vjeçare.  Presim që në pajtim me Ligjin për Prokurim Publik të vazhdohet angazhimi i plotë i tij”, thuhet nga Qendra Kombëtare e Mjekësisë së Punës në Gjakovë.

Sipas kësaj qendre, në Kosovë janë katër specializantë nga Mjekësia e Punës, në vitin e dytë të specializimit, me kontrate pune me Ministrinë e Shëndetësisë, janë të angazhuar dhe të involvuar në punën e përditshme të Mjekut të Punës specialist, nëpër komisione dhe vizita sistematike.

Nga kjo qendër vlerësojnë se përveç obligueshmërisë ligjore për kontrollet e tilla shëndetësore, këto kontrolle mund të jenë jetike, duke parandaluar përkeqësimet e ndryshme shëndetësore të punëtorëve.

“Asnjë sëmundje apo përkeqësim i gjendjes shëndetësore nuk vjen ad-hoc, ajo është vazhdimësi e fillimit me një simptomë apo disa simptome, kështu që është domosdoshmëri e çdo qytetari e me këtë në veçanti e çdo te punësuari të i garantohet qasja, shërbimi dhe kujdesi me kohë dhe në kualitet, me qëllim që të ruhet dhe mbrohet shëndeti”.

Qendra Kombëtare e Mjekësisë së Punës, nuk është institucioni i vetëm në Kosovë i cili ka të drejtë të lëshojë certifikata të tilla.

Në bazë të Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë certifikata të tilla lëshohen edhe nga institucionet private shëndetësore, për çka nuk dihet numri i saktë i tyre dhe as certifikatat e lëshuara nga to.

“Institucionet Private Shëndetësore që lëshojnë certifikata shëndetësore të llojit të caktuar janë: Qendrat diagnostike – terapeutike me të gjitha lëmit specialistike, të kërkuar për llojin përkatës të certifikatave; Spitalet Private dhe Instituti i Mjekësisë së punës në Obiliq”, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërtimtaria dhe ligji

Aktualisht në Kosovë janë më shumë se 9 mijë e 100 biznese që merren me sektorin e ndërtimtarisë, ndërsa vetëm vitin e kaluar janë shqiptuar 415 gjoba ndaj këtyre bizneseve nga Administrata Tatimore e Kosovës, gjoba këto të cilat kanë të bëjnë me mos paraqitje të të dhënave financiare. Ndërsa, gjatë gjithë vitit të kaluar janë shqiptuar vetëm 7 gjoba për punësim joformal në sektorin e ndërtimtarisë.

ATK-ja që nga viti 2019 kishte filluar të implementojë një projekt i cili synonte që në mënyrë intensive t’i inspektonte bizneset e sektorit të ndërtimtarisë, për shkak se të cilat nuk i kryenin obligimet tatimore. Sipas ATK-së për arsye të punësimit të konsiderueshëm formal, nivelit të lartë të tregëtisë me konpensim pa u tatuar dhe arsyeje të tjera.

Përkundër konstatimeve se sektori i ndërtimtarisë është sektori ku bëhen shkeljet më të mëdha të punëtorëve, punëdhënësit e ndërtimtarisë janë komod sa i takon drejtësisë. Në një përgjigje nga Zyra për Media e Këshillit Gjyqësor të Kosovë, thuhet se vitin e kaluar nuk është pranuar asnjë lëndë nga “cenimi i të drejtave në marrëdhëniet e punës”.

Megjithatë, Qendra për Politika dhe Avokim, konsideron se për shkak të nivelit të ulët të vetëdijes së punëtorëve, vazhdojnë tu shkelet e drejta e tyre në punë.

“Në praktikë sidomos në sektorin e ndërtimtarisë ku vetëdija është më e ulët sa i përket të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin nga LSSHP duke përfshirë edhe kontrollet shëndetësore të punëtorëve në të shumtën e rasteve nuk respektohen”, thuhet nga QPA.

Përmirësimi i sigurisë në punë në sektorin e ndërtimtarisë sipas kësaj qendre mund të bëhet duke rritur fillimisht vetëdijen tek punëdhënësi dhe punëtorët për të drejtat dhe obligimet e tyre, të ndryshohet ligji që obligon kontrolle më të shpeshta për punëtorët si dhe të rritet numri i instituteve mjekësore të punës dhe mjekëve, ku sipas tyre për shkak të numrit të vogël këto kontrolle kryhen në klinika private dhe gjithçka kalohet më lehtë.

Përveç kontrolleve shëndetësore, punëdhënësi obligohet tu sigurojë trajnime përkatëse punëtorëve, tu ofrojë siguri në punë, t’i pajisë me pajisje personale mbrojtëse, me ndihmë të parë dhe çështje të tjera.