Punësimet partiake në ndërmarrjen publike ‘Ambienti’ në Pejë

Në Pejë, paqe mes vete kanë gjetur dy partitë që nuk njihen për ndonjë bashkëpunim të mirë në nivel qendror.

LDK dhe PDK kanë lidhur koalicion për bashkëqeverisje në këtë komunë që dy mandate. Kështu, bashkë këto parti përveç pushtetit si duket i kanë ndarë edhe punësimet.

Kryesues i bordit në Ndërmarrjen Publike Lokale “Ambienti” është Arton Muhaxheri, anëtar i PDK-së në Pejë. Vetë Muhaxheri në një bisedë me telefon ka thënë se është vetëm anëtar ndërsa nga pozitat udhëheqës ka dhënë dorëheqje disa muaj para se të zgjidhej në krye të bordit në “Ambient”.

“Po, jam në bord që një vjet e gjysmë. Nuk ka ndikuar askush, konkursi ka qenë publik. E kam marrë vlerësimin maksimal. Unë tash jam vetëm anëtar i thjeshtë, paraprakisht kam dhënë dorëheqje, nja dy-tre muaj më herët, procesi ka qenë transparent. Unë jam simpatizant, anëtar i PDK-së”, ka thënë Arton Muhaxheri për KALLXO.com.

Kryesues i Bordit në Ndërmarrjen Publike Lokale “Ambienti”, Arton Muhaxheri
Kryesues i Bordit në Ndërmarrjen Publike Lokale “Ambienti”, Arton Muhaxheri

Edhe një anëtar tjetër i PDK-së u rehatua në kompaninë “Ambienti”. Ylber Goska fillimisht nuk e ka pranuar që ka qenë në partinë e cila është në koalicion me LDK-në në Pejë.

“Që një vit e gjysmë jam në kompaninë “Ambienti”, në pozitën e sekretarit në ndërmarrje. Jo, nuk kam qenë as më herët as tash, as anëtar i thjeshtë nuk kam qenë, nuk e di për cilat fotografi”, ka thënë ai.

Ylber Goska, Sekretar në Ndërmarrjen Publike Lokale, “Ambienti”
Ylber Goska, Sekretar në Ndërmarrjen Publike Lokale, “Ambienti”

Por, ndryshe tregon një fotografi të cilën e postuar shefi i PDK-së në Pejë, Xhavit Haliti. Ai e prezantoi Goskën si prurje të re në parti më 30 janar të vitit 2017. Vetëm pas prezantimit të fotografisë ku shihet së bashku me Halitin, Goska e ka pranuar që është personi në fjalë.

Nuk janë vetëm këta dy njerëz të PDK-së në këtë ndërmarrje publike lokale. Që tre muaj si inspektor në kompaninë lokale “Ambenti” u punësua edhe Lulzim Shala, një simpatizant i PDK-së.

Lulzim Shala, Inspektor në kompaninë lokale “Ambenti”
Lulzim Shala, Inspektor në kompaninë lokale “Ambenti”

“Unë jam kryetar i Bashkësisë Lokale në kuadër të komunës. Jam simpatizant i PDK-së, nuk jam në kryesi a najsen me naj pozitë, simpatizant non stop, por jo me pozicione. Xhavit Halitin e adhuroj për kontributin për Kosovën, normal, PDK nuk ka ndikuar, unë jam me shkollë laborant i Kimisë me të gjitha 5-sshe”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Por, punësimet në ndërmarrjen publike lokale i ka arsyetuar i pari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. Ai tha se zgjedhja e personave në Ndërmarrjen Publike Lokale është bërë nga një komision vlerësues, e ajo nga ai personalisht.

“Ai është Bordi Menaxhues i Ndërmarrjes, këta i kemi zgjedhë me komision, unë se kam zgjedhë Bordin edhe me të kallxu drejtë ka qenë komisioni përzgjedhës. Unë e kam kritikuar edhe qeverinë tonë  edhe qeverinë që është tash, Bordet nuk duhet me u zgjedhë as me konkurse, ish dashtë me i emëru kryeministri”, ka thënë Gazmend Muhaxheri në emisionin “Jeta në Komunë”.