Pse u zvarrit tenderi 1.4-milionësh për furnizim me targa?

Tenderi në vlerë 1.4 milion euro për furnizim me targa është shpallur në fund të vitit 2018 por kontrata nuk është nënshkruar deri në shkurt të vitit 2021.

Gjatë kësaj kohe, për të mos mbetur qytetarët pa targa, Ministria e Punëve të Brendshme ka nënshkruar 3 kontrata emergjente në vlerë mbi 700 mijë euro apo sa gjysma e kontratës së rregullt për furnizim me targa.

Por nga mungesa e shpeshtë e targave kanë pësuar edhe kompanitë e transportit të mallrave.

Pronari i biznesit “Aniki-Trans”, Gani Aliu, ka thënë për KALLXO.com se për muaj të tërë 3 kamionë i janë bllokuar në parking për shkak të mungesës së targave.

“Kemi ngelë pa punë, pa mujtë me dalë jashtë shtetit dhe kemi ardhur te shumë humbje. Na boll e patëm pandeminë, këta na bonën edhe një pandemi tjetër”, ka thënë Aliu.

Pronari i kompanisë “Aniki-Trans”, Gani Aliu, Foto: KALLXO.com

Të gjitha kompanitë që kishin aplikuar në këtë tender, në fillim të vitit 2019 ishin shpallur të papërgjegjshme për shkak se sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk i plotësonin kriteret e dosjes së tenderit.

Vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte bazuar në ekspertizën e Laboratorit të Forenzikës, i cili kishte konstatuar se mostrat e dorëzuara nuk ishin në përputhje me kriteret e vendosura nga MPB.

Hartimi i kritereve në kundërshtim me ligjin

Rreth shtatë muaj pasi ishte shpallur tenderi 1.4-milionësh për furnizim me targa, Ministria e Punëve të Brendshme kishte kërkuar interpretim nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik nëse specifikat teknike ishin në përputhje me ligjin.

MPB edhe pse është autoriteti kontraktues në këtë tender, në letrën e saj e kishte përmendur se në ndërkohë e kanë kuptuar se specifikat teknike janë hartuar duke u bazuar në Rregulloren e shtetit gjerman për regjistrimin e automjeteve.

“AK-MPB për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me targa për regjistrim të automjeteve”, Njësia Kërkuese ka hartuar specifikimet teknike sipas  standardit DIN 74069, dhe tani kemi kuptuar që ky standard DIN është standard i shtetit Gjerman, i cili i referohet edhe Rregullores për regjistrimin e automjeteve në Gjermani dhe kjo rregullore është ekskluzivisht për targat e shtetit gjerman. Nga kjo që tani kemi kuptuar është se ky standard dhe kjo rregullore e shtetit gjerman dallojnë në tolerancat e gjatësisë dhe gjerësisë së numrave dhe shkronjave të lejuara në dosjen e tenderit nga ana e AK-MPB, prandaj kërkojmë nga ana juaj interpretim ligjor që ky specifikim teknik i bazuar në standardin DIN 74069 gjerman dhe Rregullore për regjistrimin e automjeteve në Gjermani a është diskriminuese dhe a është në pajtim me nenin 20 “Specifikimet teknike” të paraparë me Rregullat dhe Udhëzuesi Operativ për Prokurimin Publik – KRPP”, thuhet në pyetjen e MPB-së për KRPP-në.

Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj ka thënë se specifikat teknike të hartuara nga MPB e kufizojnë konkurrencën.

“Ata janë thirrë në një standard të një vendi të caktuar, kjo nuk është e lejuar me Ligjin e Prokurimit Publik se është diskriminim dhe favorizim i kompanive dhe vendeve të caktuara”, ka deklaruar Vishaj.

Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj, Foto: KALLXO.com

Duke iu referuar këtij interpretimi të KRPP-së, Ministria e Punëve të Brendshme e ka anuluar tenderin për furnizim me targa.

Por vendimi i MPB-së për anulim ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. OShP nuk e ka marrë parasysh interpretimin e KRPP-së dhe ka urdhëruar MPB-në që të mos e anulojë tenderin por të vazhdojë me procedurat.

Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë për KALLXO.com se vendimi i OShP-së e ka detyruar që të vazhdojë me procedurat e prokurimit të këtij tenderi.

“AK-MPB pas interpretimit të KRPP-së ka anuluar këtë aktivitet të prokurimit dhe brenda afatit ligjor për ankesa është dorëzuar Kërkesë për Rishqyrtim dhe ankesë në OSHP nga një Operator Ekonomik. Me Vendim/Urdhëresë të OSHP-së është kthyer lënda dhe ka qenë  e detyrueshme për AK-MPB që të zbatojë vendimin e OSHP-së”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për KALLXO.com.

Garancioni bankar që eliminoi konsorciumin kosovaro-gjerman

Për t’u shpallur të përgjegjshëm, kompanitë duhet të dorëzojnë edhe garancione bankare. Njëra nga konsorciumet aplikuese “TSR ShPK & EHA Hoffmann GmbH” kishte dorëzuar një garancion bankar nga një institucion financiar në Gjermani. Kjo kompani u eliminua për shkak se sipas sipas MPB-së ky garancion nuk mund të ekzekutohet në Kosovë.

Për këtë çështje Ministria e Punëve të Brendshme i ishte drejtuar edhe Bankës Qendrore të Kosovës, nga e cila kishte kërkuar përgjigje nëse sigurimi bankar të cilin e kishte prezantuar kompania “TSR ShPK & EHA Hoffmann GmbH” mund të ekzekutohet edhe në Kosovë.

Banka Qendrore e Kosovës ka kthyer një përgjigje shumë të shkurtë Ministrisë së Punëve të Brendshme, në bazë të së cilës u eliminua edhe konsorciumi kosovaro-gjerman.

“Siç vërehet garancioni në fjalë nuk është lëshuar nga institucionet e licencuara në Kosovë, rrjedhimisht nuk mund të ekzekutohet në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e parë të BQK-së.

Rreth tre muaj më vonë, Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë një sqarim të dytë nga Banka Qendrore e Kosovës për sigurimin e bankës gjermane.

Banka Qendrore e Kosovës ka thënë se në asnjë moment nuk kanë përmendur që sigurimi është i paekzekutueshëm në Kosovë.

“Siç ju kemi informuar edhe në shkresën e datës 25 shtator 2019, garancioni në fjalë nuk është lëshuar nga institucionet e licencuara në Kosovë dhe në të njëjtin theksohet se në rast kontesti rastet do të zgjidhen sipas legjislacionit gjerman në Gjermani. I njëjti nuk mund të ekzekutohet në Kosovë por në asnjë rast nuk kemi theksuar se i njëjti është i paekzekutueshëm në shtetin lëshues apo nuk është valid në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e dytë të BQK-së për MPB-në.

Të pakënaqur me përgjigjen e BQK-së, e cila u shfrytëzua nga Ministri e Punëve të Brendshme për t’i anuluar nga gara, Marksim Malsijaj, pronari i kompanisë “TSR” e cila ka aplikuar në tenderin për furnizim me targa në konsorcium me kompaninë gjermane “EHA Hoffmann GmbH” tha se kërkuan përsëri sqarim nga BQK.

BQK në sqarimin e tyre kishin thënë përsëri se ata nuk e kanë përmendur askund se garancioni është i paekzekutueshëm.

“Mirëpo autoriteti nuk merret më me vendimet e dyta”, ka thënë Malsijaj për KALLXO.com.

Pronari i kompanisë “TSR”, Marksim Malsijaj, Foto: KALLXO.com

Organi Shqyrtues i Prokurimit e kishte kthyer përsëri në rivlerësim tenderin ndërsa nuk kishte dhënë mendim për garancionin, nëse ai është i ekzekutueshëm ose jo. Për këtë kishte thënë se është përgjegjësi e MPB-së që të sqarojë këtë çështje.

Pas vendimit të OShP-së, Ministria e Punëve të brendshme e kishte krijuar një Komision tjetër për vlerësimin e ofertave të dorëzuara nga kompanitë.

Komisioni i vlerësimit e kishte rekomanduar për kontratë konsorciumin kosovaro-gjerman “TSR ShPK & EHA Hoffmann GmbH”. Mirëpo zyrtari përgjegjës i prokurimit në MPB e kishte refuzuar rekomandimin e komisionit vlerësues dhe ka rekomanduar për kontratë konsorciumin kosovaro-slloven “GSG & KIG d.o.o & KIG”.

“Prandaj, bazuar në nenin 40.13 të RRUOPP-së, në cilësinë e Zyrtarit Përgjegjës të Prokurimit AK-MPB, jam i obliguar që ta refuzoj rekomandimin e Komisionit për rivlerësim për arsye të interpretimeve ligjore të lart-shënuara dhe vendimit të OShP-së”, thuhet në vendimin e MPB-së.

Kontestimi i kompanisë fituese

Marksim Malsijaj, pronari i kompanisë “TSR”, e cila ka aplikuar në konsorcium me kompaninë gjermane “EHA Hoffmann GmbH”, ka thënë se trashësia e mostrës së targës të dorëzuar nga kompania fituese nuk është në përputhje me kriteret e vendosura.

“Kompania fituese sipas dy matjeve të Forenzikës, nuk e plotëson këtë kusht. Kërkesa e AK-së ka qenë trashësia e targës 1 mm me tolerancë 0.03 ndërsa kompania fituese e ka 1,14 milimetra pra me mbitolerancë 11”, ka deklaruar Malsijaj.

KALLXO.com ka kërkuar intervistë edhe me përfaqësuesit e kompanisë fituese por të njëjtit kanë thënë që nuk kanë autorizim të flasin para kamerës por kanë kërkuar që pyetjet t’iu dërgohen përmes emailit.

Kompania fituese e kontratës për furnizim me targa “GSG & KIG d.o.o & KIG” ka thënë se trashësia e mostrës së targës së prezantuar nga ta është në përputhje me kërkesat e dosjes së tenderit.

“Në dosje të tenderit është kërkuar që materiali bazë të jetë Alumin 1mm i trashë dhe është kërkuar që të jetë Alumin EN AW 1050 H42 ose EN AW 1200 H42, të dyja anët të mbuluara me shtresë pa krom dhe njëra anë e mbrojtur me llak transparent, në pajtim me DIN 74069. Pra kërkesën e dosjes së tenderit e përshkruan më detajisht edhe përshkrimi i aluminit që është specifikuar për tu përdorur dhe nga i cili shumë lehtë mund të vërtetohet se është kërkuar që alumini të jetë 1mm dhe ne kemi prezantuar mostrën komfor kërkesës së dosjes së tenderit”, thuhet në përgjigjen e kompanisë fituese për KALLXO.com.

Hartimi i specifikave teknike është bërë nga Agjencia e Regjistrimit Civil, e cila është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Drejtori i Përgjithshëm i ARC-së, Bekim Hoxha ka thënë se specifikat teknike janë trashëguar nga vitit 2008. Ndërsa në vitin 2016 ka thënë se vetëm janë shtuar shenjat e sigurisë në targë.

Drejtori i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Bekim Hoxha, Foto: KALLXO.com

Hoxha ka deklaruar se janë duke planifikuar që në të ardhmen vetë ARC-ja të bëjë prodhimin e targave në mënyrë që mos të ketë problem dhe zvarritje me vite të tëra të tenderit për furnizim me targa.

Tenderi për furnizim me targa, i cili është shpallur në fund të vitit 2018 është përmbyllur në shkurt të këtij viti me nënshkrimin e kontratës në vlerë 1.4 milionë euro.

Qytetarët e Kosovës kanë filluar të mbesin pa targa që nga muaji nëntor i vitit 2020. Pritja e tyre më në fund ka marrë fund pas 3 muajve kur më 12 mars ka filluar edhe pajisja me targa nëpër Qendrat regjionale.