Procesi i dyshimtë: Si i humbi Posta e Kosovës 27 mijë euro?

Posta e Kosovës është tërhequr nga revizioni në Gjykatën Supreme për aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, i cili e obligon Postën e Kosovës që të kthejë në pozitën e drejtorit punëtorin e saj Gazmend Isufin dhe të njëjtit t’ia paguajë 22 mijë euro në emër të ndryshimit në pagë.

Tërheqja e Postës nga revizioni është bërë pa miratimin e kryeshefit të Postës së Kosovës, Shefqet Avdija. Kjo ka bërë që Posta e Kosovës, përkatësisht nga Drejtoria e Inspektorëve brenda kësaj ndërmarrjeje të nis një rishikim të këtij rasti dhe tërheqjes së bërë.

Gazmend Isufi kishte qenë drejtor i Kontrollit të Brendshëm në Postën e Kosovës në kohën kur ndaj tij ishte ngritur një aktakuzë nga Prokuroria, e cila pretendonte se Isufi gjatë periudhës 2013-2015 ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare duke u premtuar personave të ndryshëm punësimin e të afërmve  në Postën e Kosovës. Isufi është shpallur i pafajshëm duke u liruar nga gjitha pikat e akuzës me vendim të formës së prerë.

Pas kësaj, Posta e Kosovës e kishte kthyer në punë Isufin, mirëpo duke e sistemuar në pozitën “zyrtar i shitjes” që ka gradën 7, e jo në pozitë të drejtorit që e kishte më herët dhe ku grada ishte 15.

Isufi çështjen e degradimit në pozitë dhe uljes së gradës e kishte dërguar në Gjykatën Themelore të Prishtinës duke kërkuar nga Posta e Kosovës që të kthehet në pozitën e drejtorit dhe njëkohësisht të obligojë këtë kompani që në mënyrë retroaktive t’ia paguajë ndryshimin e pagës në mes të gradës 7 dhe 15. Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte hedhur poshtë pretendimet e Isufit, duke i dhënë të drejtë Postës së Kosovës.

Isufi e kishte apeluar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës. Gjykata e Apelit, me datë 26 mars 2019 ka vendosur t’i jep të drejtë Isufit, duke e ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës. Apeli ka vendosur që Posta e Kosovës duhet të kthejë Isufin në pozitën e drejtorit të Kontrollit të Brendshëm. Njëkohësisht, Posta e Kosovës obligohet që në mënyrë retroaktivë t’i paguajë Isufit ndryshimin e pagës në mes të gradës 15 dhe 7.

“Detyrohet e paditura (Posta e Kosovës) që t’i paguaj ndryshimin e pagës, ndryshimin e bonusi dhe trustit në mes të gradës 15 dhe 7 për çdo muaj duke filluar nga data 26.04.2016 deri me 30.04.2018 dhe atë në shuma neto e diferencës në pagë është 22,115.90 Euro, me kamatën e llogaritur në shumën prej 1,856.96Euro duke filluar nga data 26.04.2012, tatim në pagë në burim në shumën prej 2,432.66 Euro, trusti 5% në shumën prej 1,292.03 euro, në afat prej 7 ditësh nga dita e marrjes së aktgjykimit e nën kërcenim të përmbarimit me dhunë”, thuhet në Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit. Në total, Posta e Kosovës do të shpenzojë 27,697 euro, duke përfshirë pagesën për diferencën në paga si dhe kamatën.

Këtë aktgjykim të Gjykatës së Apelit, Posta e Kosovës e ka dërguar në revizion në Gjykatën Supreme. Revizion do të thotë rishikim i një rasti për të bërë ndryshime ose rregullime, në këtë rast Posta e Kosovës kishte kërkuar revizion në Gjykatën Supreme kundrejt vendimit të Gjykatës së Apelit.

Posta e ka arsyetuar revizionin për shkak se pretendon se Apeli ka bërë shkelje qenësore, aplikim të gabuar të së drejtës materiale si dhe ka kërkuar që të prishet aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, të refuzohet kërkesa e paditësit si dhe të kthehet rasti i shkallës së parë në rigjykim.

Në revizion Posta thotë se është e pamundur të zbatohet aktgjykimi i Gjykatës së Apelit. Një nga argumentet që përmenden në këtë shkresë të Postës është fakti se Gazmend Isufi kishte kontratë dy vjeçare për postin e Drejtorit në Drejtorin e Kontrollit, që ka nisur me datën 26.04.2014 deri me 25.06.2016. Posta kishte thënë se pozita që më herët ka mbajtur Isufi është shuar. Dhe kontestimit i dytë i Postës është bërë për detyrimin që të kompenzohen Isufi për periudhën 26.04.2016 deri më 30.04.2018, gjatë periudhës kur Isufi ka pas një kontratë tjetër të nënshkruar për pozitën e re dhe jo atë të drejtorit.

Kërkesa për revizion ishte bërë në mars të vitit 2019, ndërsa në dhjetor të po të njëjtit vit, Posta e Kosovës e kishte tërhequr këtë mjet juridik.

Kjo ndërmarrje i ishte drejtuar Gjykatës Supreme të Kosovës duke u tërhequr nga revizioni.

Posta e Kosovës, pasiqë ka zbatuar Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimin Përmbarimor të Gjykatës Themelore të përshkurar si në mjetin e jashtëzakonshëm juridik të dorëzuar në Gykatën Supreme, e tërheq revizionin”, thuhet në shkresën e shkurt të Postës së Kosovës të dërguar në Gjykatën Supreme.

Në një përgjigje të Postës së Kosovës thuhet se kryeshefi i Postës së Kosovës nuk ka dhënë aprovim për tu tërhequr nga revizioni.

“Jo, nuk ka pasur aprovimin nga Kryeshefi Ekzekutiv, prandaj jemi duke pritur përgjigjen nga Drejtoria e Inspektorëve të Postës së Kosovës”, thuhet në përgjigjet e Postës së Kosovës për KALLXO.com.

Tërheqja nga revizioni është bërë nga Drejtoria Ligjore e Postës së Kosovës.

“Drejtoria Ligjore merret me të gjitha çështjet juridike që kanë të bëjnë me Postën e Kosovës, ku përfshihen edhe proceset në organet gjyqësore, ku përfshihet edhe ushtrimi i mjeteve juridike. Për rastin konkret lidhur me ushtrimin e mjetit juridik nga ana e Drejtorit të Drejtorisë Ligjores, ju njoftojmë se Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, ka kërkuar nga Drejtoria e Inspektorëve që të merret me këtë proces duke e shqyrtuar tërësisht. Kjo është një procedurë që do të vlerësojë të gjitha elementet e rastit dhe kompetencat përkatëse”, thuhet në përgjigjet e Postës së Kosovës.

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Drejtorin e Zyrës Ligjore në Postën e Kosovës, Xhevdet Smakiqi.

Madje Smakiqi thotë se pasi që Gazmend Isufi ka heq dorë nga pozita e Drejtorit të Kontrollit të Brendshëm të Postës së Kosovës dhe ka pranuar të jetë vetëm këshilltar, drejtori ka tërhequr revizionin për lëndën e tij.

“Rasti penal dhe civil i Gazmend Isufit në raport me Postën është çështje e mbyllur. Në urdhëresën përmbarimore jemi detyru me ja kthy paret dhe me kthy në vendin e punës, në këtë rast ne si Postë jemi të detyruar me përdor mjetet e jashtëzakonshme juridike në Gjykatë Supreme që janë jashtë procedurës së rregullt dhe kemi bo revizion. Po në kompensim të asaj që ka heq dorë nga pozita e drejtorit ka vendos me u bo këshilltar, ne i kemi tërheq mjetin juridik të revizionit”, tha ai.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje shtesë nga Posta e Kosovës për gradën që ka Isufi si këshilltar në Postën e Kosovës.

“Si drejtor e ka pasur gradën 15, të njëjtën e ka edhe tani si Këshilltar, sipas kërkesës së prerë të Gjykatës”, thuhet në përgjigjet e Postës së Kosovës.

Drejtori i Zyrës Ligjore, Smakiqi thotë se është personi kompetent i cili vendos nëse duhet ose jo të dërgohet ndonjë ankesë në Gjykatë.

“Unë jam kompetent nëse duhet ose jo me dërgu ankesë. Unë mundem me dërgu ankesë se nuk fitojmë. Unë i kam sqaru kryeshefin i kam tregu se nuk dëmtohet Posta, kurrgjë s’ka ndodh edhe që është tërheq dhe lënda është e mbyllur”, ka thënë ai më tutje.

Ai tha se shkresës për tërheqje nga rasti ishte pa ‘memo’, shenjë që vendoset nëpër shkreset që duhet t’i shikojë kryeshefi.

“Nuk është pa leje është pa memo pa një shenjë përmi që e sheh edhe kryeshefi… Prej shumë dokumenteve që i kemi kjo na ka ik pa memo, e kam bërë unë sqarimin”, tha ai.

KALLXO.com ka kontaktuar me Gazmend Isufin, por ai nuk ka dhënë përgjigje se më kë ka negociuar në Postë për pozitën e re, atë të këshilltarit.

Isufi ka dhënë një përgjigje të përgjithësuar në disa pyete specifike të bëra nga KALLXO.com.

“Lënda ime është e përfunduar në dy instancat (gjykata) e formës së prerë. Ka përfunduar qysh moti. Nuk e di që ka instancë më të lartë se Gjykata e Republikës së Kosovës”, ishte përgjigja e Isufit.