Stacioni i Autobusëve || Ilustrim: Trembelat

Problemet mes kompanive të udhëtimit nga Shqipëria në Kosovë

Dy agjenci udhëtimi nga Shqipëria po vazhdojnë të marrin pasagjerë nga territori i Kosovës pavarësisht që nuk janë të licencuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.

Kompanitë e autobusëve ‘Rilindi’ dhe ‘Driagona’ më seli në Tiranë, që veprojnë në linjat Tiranë – Gjakovë, Bajram Curri –  Gjakovë, Gjakovë – Tiranë, Gjakovë – Bajram Curri pretendohet së po marrin pasagjerë në Gjakovë me arsyetimin së kanë autorizimin për kalim transit.

Saktësisht kompania ‘Rilindi’ operon në relacionin ‘Bajram Curri – Qafë Morinë (AL)/(KS) – Gjakovë – Prizren – Vërmicë (KS)/(AL) Morinë –  Kukës – Tiranë”, ndërsa, ‘Driagona’ në linjën ‘Tiranë- Kukës – Morinë – Gjakovë – Qafë Morinë – Bajram Curri’.

Këto dy kompani Ministria i kishte ndaluar një muaj më parë në pikën kufitare në Vërmicë, me arsyetimin së operatorët nga Shqipëria asnjëherë nuk kanë pasur leje qarkullimi nëpër Kosovë nga autoritetet kosovare por vetëm nga ato të Shqipërisë.

Për shkak të humbjeve financiare nga kjo konkurrencë, Admir Jahjazi, administrator i kompanisë ‘Papi Mers’ i cili është i autorizuar nga dy vendet për transport ndërkombëtar, pretendon së është detyruar të ndërpres veprimtarinë e tij tash e disa muaj, edhe për arsye që ndjehet i rrezikuar.

Admir Jahjazi - kallxo.com
Admir Jahjazi – ‘PAPI MERS’ kallxo.com

Sipas tij, dy kompanive në fjalë autoritetet kosovare i kishin lejuar para dy vitesh për kalim transit në territor të Kosovës për shkak të vështirësisë së qarkullimit në shtetin fqinj.  

‘Ato kompani më konkurrojnë me gjithçka, t`u fillu prej çmimit të biletës, me orar pasi që nisen gjysmë ore para meje, janë edhe të paligjshëm, gjithçka e kanë në kundërshtim me ligjin ata. Nuk e di se kush i përkrah që punojnë dhe së pas ndalesave në pikat doganore, prapë të njëjtin aktivitet e ushtrojnë me shkelje. Kam njoftuar Ministrinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, por autoritetet ligjzbatuese nuk po marrin masa kundër tyre që me i gjobit. Që 8 muaj unë nuk mundem më punu, kam pësuar humbje të mëdha”, deklaron ai duke treguar dokumentet e autorizimit nga dy palët.

Leja nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit në Kosovë – kallxo.com

“Këto për shkak që nuk janë të licencuara nga Kosova, ato nuk paguajnë as tatime në Stacionin e Autobusëve në Gjakovë, pasi që nuk kanë të drejtë të hyjnë, në këtë rast humbje nga mosveprimtaria ime ka edhe ky stacion”, u shpreh tutje ai.

Lidhur më rastin, KALLXO.com ka kontaktuar dy kompanitë në fjalë të cilët mohojnë pretendimet së nuk posedojnë autorizim, por që shtojnë së kanë të drejtë kalimi transit.

Pronari i kompanisë ‘Rilindi shpk’, Rifat Hajdini tha së ata kanë fituar të drejtën e operimit “Mbi transportin ndërkombëtar të udhëtareve dhe mallrave”.

“Për operimin në linjën Tiranë-B. Curri- Tiranë më 04.12.2016, është autorizuar si shoqëri e vetme në ketë linjë me këtë itinerar, shoqëria “DRIAGONA” sh.p.k; Për operimin në linjën Bajram Curri – Tiranë – Bajram Curri me itinerar Qafë Morinë (AL)/(KS) Gjakovë-Prizren – Vërmicë (KS)/ Morinë – Kukës me licencën nr.49 date 04.01.2017 është autorizuar ‘RILINDI”, thuhet në përgjigjen elektronike të ‘Rilindit’.

“Të dy këto shoqëri kanë fituar të drejtën e operimit në përputhje të plotë me ligjin 8308 datë – Marrëveshje parashikon lëvizjen transit me dyer të mbyllura nëpër territorin e R.K.S. Nga gjitha kontrollet e ushtruara nuk kemi pasuar asnjë penalitet nga M.I.T e Kosovës”, thuhet më tutje.

Ndërkaq, pronari i kompanisë ‘Driagona’, Isa Sallahu e quan urdhër ‘korruptiv’ atë të ministrit Lekaj për bllokimin e kalimit transit në pikën kufitare në Vërmicë, një muaj më parë.

“Pengimi që na është bërë me datën 15.06.2019 të dy shoqërive të transportit ‘Rilindi’ dhe ‘Driagona’ me një urdhër verbal të ministrit të Kosovës mendojmë se është i parregullt abuziv dhe mban erë korrupsioni (këtë ju mund ta verifikoni ligjshmërinë dhe rrugën e marrjes të këtyre vendimmarrjeve ) janë mbajtur 13 autobusë me udhëtarë (të moshuar, të rritur dhe foshnje) mbi 6 orë në dy pikat e kalimit në territor të Kosovës dhe kalimi u bë i mundur vetëm pas ndërhyrjes së kryeministrit”, ka thënë Sallahu.

“PAPI MERS duke qenë i pajisur me dy autorizime dhe dy liçenca për dy linjat nga Tiranë – Gjakovë dhe B.Curri-Gjakovë, i është bërë edhe pajisja e mjeteve të tij me dy certifikata transporti për secilin mjet gjë që bie në kundërshtim më ligjin. Është e pamundur të niset një mjet në të njëjtin orar nga Tirana dhe po në të njëjtin orar nga B.Curri. Kjo shoqëri është e regjistruar në tatime me 1 ose 2 punonjës kur minimalisht duhet të këtë mbi 9 mjete dhe mbi 10 vetë të siguruar”, ka shtuar Sallahu.

Mirëpo në anën tjetër, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit për KALLXO.com thotë së shërbimet e operatorëve ‘Rilindi’ dhe ‘Driagona’ nuk janë subjekt i autorizimit të lëshuar nga pala tjetër kontraktuese – Kosovës.

Por që thonë së kanë ndërmarrë veprimet e domosdoshme ligjore ndaj operatorëve, pasi që sipas tyre, nuk iu kanë përmbajtur obligimeve ligjore.

“Në rastin konkret shërbimet e transportit në relacionin : “Bajram Curri – Qafë Morinë (AL)/(KS) – Gjakovë – Prizren – Vërmicë (KS)/(AL) Morinë –  Kukës – Tiranë” në emër të subjektit  “Rilindi” sh.p.k. dhe  dhe linjën  “Tiranë- Kukës – Morinë – Gjakovë – Qafë Morinë –  Bajram Curri” në emër të subjektit “Driagona” sh.p.k. hyjnë në kategorinë e shërbimeve të tilla dhe shërbimet e tilla nuk janë subjekt i autorizimit të lëshuar nga pala tjetër kontraktuese (Kosovës)”, ka thënë Fillojeta Konjuhi, zyrtare për Media në kabinetin e ministrit, Pal Lekaj.

Mes tjerash kjo ministri ka thënë së pala shqiptare është zotuar se do të ndërmarr masat adekuate: “Me qëllim të disiplinimit të operatorëve në fjalë, në të kundërtën do të aplikojnë masat e tjera për të pezulluar licencën/autorizimin ndaj këtyre operatorëve dhe rrjedhimisht edhe heqjen e autorizimeve për të operuar”.