Privatizimi i KEDS-it pamundëson liberalizimin real të tregut të energjisë

Tregu i energjisë në Kosovë vazhdon të jetë i monopolizuar në praktikë, edhe pse letrat e thonë të kundërtën.

Aktualisht në Kosovë nuk ka energji elektrike në dispozicion që të mund të tregtohet nga furnizuesit e energjisë, e nuk ka as klientë që mund të furnizohen qoftë edhe nga tregu i jashtëm.

Liberalizimi i tregut të energjisë është pamundësuar edhe me rastin e privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit, ndërkohë që edhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë e ka prolonguar liberalizimin e domosdoshëm të tregut të energjisë për biznese, pas kundërshtimeve që kishte pas nga odat ekonomike.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka licencuar deri më tash 8 kompani që kanë të drejtë të furnizojnë konsumatorët me energji elektrike. Në Kosovë janë të licencuara tetë kompani për furnizim me energji elektrike: “Enerco”, “KEK”, “Sharrcem”, “Jaha Company”, “Kesco”, “HEP Enerjija”, “GSA energy” dhe “Future Energy Trading and Exchange Dynamics”.

Përkundër liçencimeve të bëra, KESCO vazhdon të mbanë monopolin në furnizim me energji elektrike. KESCO është në pronësi të Konsorciumit ‘Limak&Calik’, të cilët e kishin privatizuar këtë ndërmarrje së bashku me KEDS-in në vitin 2013 për 26.3 milionë euro. Pra, me vendim të qeverisë të njëjtit pronar i është shitur rrjeti i shpërndarjes së energjisë dhe kompania që merret me furnizim me energji elektrike. Kjo shihet si pengesë për furnizuesit e tjerë që dëshirojnë t’i bëjnë konkurrencë KESCO-s.

Rinor Klaiqi, pronar i kompanisë për Furnizim me Energji Elektrike “Enercopower”, ankohet se nuk po mund ta fillojë punën as gati një vit pas liçencimit. Klaiqi thotë se tregu i furnizimit me energji elektrike në Kosovë është i monopolizuar, sado që nuk ka pengesa ligjore.

“Nuk jam futë në treg, sepse Kosova ende nuk ka liberalizim faktik të tregut, për mos me thënë se është treg i monopolizuar. Vendimi që mos të dalin në treg konsumatorët e kyçur në nivelit 10kV dhe atyre 04kV, do të thotë që ne s’kemi kënd me furnizu. Në Kosovë nuk ka energji elektrike në dispozicion që të mund të tregtohet, po ashtu nuk ka as klientë që mund të furnizohen qoftë edhe nga tregu i jashtëm”, ka theksuar Klaiqi.

Ai thotë se betonimi i monopolizimit të tregut ishte bërë me rastin e privatizimit të Rrjetit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizimi me Energji Elektrike (KESCO).

“KEK-u me marrëveshje të privatizimit ka obligim pothuaj tërë energjinë që e prodhon me ia shitë KESCO-s edhe atë me një çmim të ulët të rregulluar nën çmim të tregut. Dëmet janë evidente që nga pagesa shumë e lartë e taksës për liçencë e deri te plotësimi i kushteve për të qenë i licencuar si: shpenzimet e zyrës, stafit etj…, pa pasur mundësi operimi në treg të energjisë”, tha Klaiqi.

Monopolizimin e tregut të energjisë e pranojnë edhe në ZRrE, që është përgjegjës për liçencimin e kompanive energjetike duke përfshirë liçencimin e furnizuesve të energjisë. Drejtori i Departamentit Ligjor dhe të Liçencimit në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike në Kosovë, Afrim Ajvazi, thotë se Kosova e ka të rregulluar pjesën ligjore pasi e ka obligim si anëtare e Komitetit të Energjisë së Evropës Juglindore.

“Kontrata e privatizimit të rrjetit për furnizim me energji elektrike në Kosovë është monopolistike. Ne kemi sensibilizu çdo akterë të mundshëm. Krejt çka është në zyre përgjegjësi e jona si zyre e kemi ndërmarrë. ZRRE ka kryer të gjitha obligimet e saj ligjore në lidhje me procesin e hapjes së tregut. Krejt ajo çka varet prej ZRRE-së që kërkohet me legjislacion i kemi bërë por këto dyja janë jashtë kompetencave tona”, ka thënë Ajvazi.

Ai e pranon se pengesë në liberalizimin faktik të tregut të energjisë shkakton kontrata e lidhur në mes të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe KESCO-s (Kompanisë për Furnizim me Energji elektrike), mbi bazën e të cilës gati e gjithë energjia e prodhuar nga KEK-u i shitet KESCO-s.

“KEK-u do të ruajë rendin dhe do të sigurojë disponueshmërinë optimale të kapaciteteve gjeneruese në stabilimentet e Kosovës A dhe Kosovës B, në pajtim me Praktikat e Ndërmarrjeve të Kujdesshme dhe, përveç rasteve të përcaktuara shprehimisht ndryshe me këtë Marrëveshje, do t’i shesë KEDS-it tërë energjinë elektrike që mund të furnizohet nga këto stabilimente, të cilën KEDS-i mund ta kërkojë kohë pas kohe sipas kësaj marrëveshjeje”, thuhet në pikën 5 të kontratës së nënshkruar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim Me Energji Elektrike “KEDS”, në muajin tetor 2012.

Kurse, sipas marrëveshjes për shitblerje të energjisë elektrike në Kosovë, e cila është në kuadër të kontratës së privatizimit të Distribucionit të Energjisë Elektrike KEDS, kjo e fundit do të vazhdojë t’i furnizojë të gjithë konsumatorët pa dallim, deri në hyrjen në treg edhe të kompanive tjera furnizuese.

Drejtori i kompanisë tjetër të liçencuar si furnizues “Jaha Compani”, Trim Terrnava ka folur për problemet që i kanë në teren, e që lidhen me sipas tij ‘privatizimin e keq që është bërë’.

Terrnava thotë se po e kanë të vështirë të garojnë me KESCO-në pasi e njëjta ka të njëjtin pronar me KEDS-in. Ai thotë se pengesa kryesore në liberalizim të tregut të energjisë ka vendimi i qeverisë së KEDS-i dhe KESCO t’i shiten të njëjtit pronar.

KEDS-i ka në pronësi dhe menaxhon me rrjetin e energjisë elektrike në Kosovë dhe është monopol natyral. Kurse, KESCO e bën furnizimin me energji elektrike, fushë në të cilën lejohet që të ketë konkurrent edhe kompani të sektorit privat. KESCO dhe secili furnizues tjetër duhet që përmes telave të KEDS-it t’i furnizojë me energji elektrike konsumatorët e tyre.

Terrnava thotë se po e kanë të vështirë t’i bindin konsumatorët që të largohen nga KESCO.

“Për neve është vështirë me i bindë kompanitë me nënshkru kontratë me neve kur e dinë që mirëmbajtjen e rrjetit e ka kompania jonë konkurrente, që është një dallim shumë i madh… Ne e dimë që këtu ligji nuk funksionon, askush nuk na garanton neve që KEDS-i nuk ua ndalë rrymën e nuk tallet më ta qëllimisht duke u arsyetuar se ka probleme në rrjet e të tilla. Problemi kryesor është që kompania, konkurrenti kryesor i yni KESCO, është pronar te kompania që e ka distribucionin që është problem goxha i madh për me zhvillu konkurrencë”, thotë Terrnava.

KEDS-i i ka hedhur poshtë pretendimet e Tërrnavës. Ata thonë se janë një kompani serioze që respektojnë ligjet.

“KEDS mban dhe e di përgjegjësinë për t’u shërbyer 24/7 të gjithë qytetarëve të Kosovës, edhe në kushtet më të vështira atmosferike. KEDS është duke bërë çmos për të rinovuar dhe zhvilluar një rrjet të trashëguar në gjendje të rëndë, ku nuk janë bërë investime të mirëfillta dekada me radhë. KEDS zbaton ligjet dhe është e angazhuar për trajtimin e barabartë të secilit konsumator, pavarësisht se nga vije. Dhe në fund të fundit, KEDS është një kompani, aktivitetet e së cilës janë rregulluar dhe monitoruar rreptësishtë nga ZRRE dhe të gjitha institucionet e tjera zyrtare të Kosovës”, thuhet në reagimin e KEDS-it.

Dardan Abazi nga Instituti INDEP, thotë se pakoja e tretë e BE-së për energji ka kërkuar që të ketë më shumë se një prodhues dhe më shumë se një furnizues me energji elektrike në tregun e Kosovës. Ai ka thënë se furnizuesi duhet të ketë kontrata individuale me secilin konsumator, gjë që nuk ka ndodhur në realitet.

“KESCO i ka marrë të gjithë ata konsumatorë që kanë qenë dhe automatikisht i ka futur në një kontratë me ta. Nuk ua ka sqaruar konsumatorëve se cila është e drejta e tyre edhe pse në ligj ekziston specifikisht neni që e garanton të drejtën e ndërrimit të furnizuesit. Pra, mungon edhe informimi i qytetarëve. Ka edhe një mungesë e vet përgjegjësisë së KESCO-s në këtë rast që të ofrojë kontrata individuale me operatorët e tjerë”, ka thënë Abazi.

Ai thotë se nuk është faji i furnizueseve që ende nuk kanë filluar operimin, pasi mungon tregu, mungojnë konsumatorët, mungon tregu faktik. Abazi thotë se ZRRE-së i është bërë presion tash e disa vite që ta shtyjë liberalizimin tregut nga MZHE-ja dhe Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, me arsyetimin se do të rritej çmimi për energji elektrike nga rrjetet e nivelit të lartë e ku janë të kyçur kryesisht bizneset.

Janë bizneset që po i frikësohen liberalizimit të tregut. Kryetari i Odës Ekonomike e Kosovës, Berat Rukiqi thotë se dalja në treg të lirë tash do të thotë çmime më të larta të energjisë për bizneset.

“Dy-tri vitet e fundit jemi ballafaquar me një situatë kur kompanitë kur kanë shku me rekomandim të ZRRE-së me dalë në treg të hapur, kanë hasë në një situatë paradoksale kur edhe pse është konsideru që është hapë tregu, për shkak të pamundësisë për me pas furnizues tjerë, me qenë vetëm një furnizues, çmimet kanë qenë 30 përqind më shumë se sa ato të rregulluara”, ka thënë Rukiqi.

Ai thotë se bizneset janë të interesuara që të ketë një liberalizim real të tregut, në të cilin ka garë dhe çmimi bie.

“Ne kemi kërkuar që të shtyhet kjo, afati që kompanitë private të jenë të obliguara me dalë në treg të hapur derisa të krijohen kushte të plota për me funksionu një treg i energjisë”, tha Rukiqi. Ai thotë se gjatë këtij viti presin që Qeveria, Kuvendi dhe ZRRE-ja ta gjejnë një zgjidhje dhe ta kenë një model të tregut i cili mundëson konkurrencë në treg dhe zgjidhje afatgjatë të këtij problemi.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, thotë se KEDS dhe KESCO janë kompani që vetëm ekzekutojnë vendimet e ndërmarra nga institucionet më të larta, në këtë rast ZRrE-ja.

Ai ka thënë se liberalizimi i tregut është paraparë të bëhet gradualisht.

“Sa i përket liberalizimit të tregut, me vendim të ZRRE-së dhe Kuvendit të Kosovës ka filluar, dhe vitin e kaluar është bërë kalimi në tregun e hapur, përkatësisht në derregullim sepse këta konsumatorë quhen konsumatorë të derregulluar”, tha Buzhala.

Ai tha se aktualisht vetëm konsumatorët e kyçur në linjat 110kV janë të derregulluar.

“Ne jemi kompani e rregulluar dhe kalimi në derregullim ka kalu tek konsumatorët e kyçur në linjat 110 kV, sivjet është dashur të kalojnë konsumatorët në 35 kV dhe vitin e ardhshëm ata në 10 kV dhe deri te konsumatorët e amvisërisë”, ka thënë Buzhala.

Ai thotë se ka qenë kërkesa e bizneseve që e ka ndal liberalizimin.

“Ka qenë kërkesë e odave ekonomike, përkatësisht Odes Amerikane dhe Odës Ekonomike të Kosovës të cilat e kanë përçu kërkesën e konsumatorëve në Kuvend, që liberalizimi të ndalet për shkak se bizneset nuk kanë qenë të përgatitura dhe ka paraqitë barrë të madhe për biznese. Pra nuk ka qenë kërkesë e jona ajo por e bizneseve. Është shty kjo me vendim të Kuvendit”, tha Buzhala.

Tregu i energjisë elektrike pritet të ndikohet edhe nga zbatimi eventual i marrëveshjes për energji të nënshkruar në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Kjo marrëveshje, përveç tjerash, parasheh themelimin e një kompanie për furnizim me energji elektrike kryesisht për katër komunat me shumicë serbe.

Marrëveshja parasheh që të themelohen dy kompani: kompania për furnizim dhe distribuim të energjisë elektrike “Eletrosever” dhe ajo për tregtim të energjisë “EPS Trgovina”. Në Agjencinë e Regjistrimit të bizneseve të Kosovës (ARBK) nga kompanitë e lartpërmendura figuron e regjistruar vetëm kompania për furnizim dhe distribuim të energjisë, “Elektrosever”.

“Kjo kompani e re do të furnizojë me energji elektrike dhe mund të ofrojë shërbime të shpërndarjes (të tilla si faturimi, inkasimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorëve të rinj) për konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe, dhe do të jetë në gjendje të blejë dhe të shesë energji në tregun e hapur”, thuhet në marrëveshje për energji, të e nënshkruar nga Serbia dhe Kosova.

Deri në vitin 2006, Korporata Energjetike e Kosovës ka operuar me gjithë sistemin e energjisë në Kosovë duke filluar nga prodhimi, shpërndarja dhe furnizimi.

Në vitin 2006, KEK-ut i është ndarë KOSST-i (Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut), ndërsa më 2009 është ndarë edhe Distribucioni dhe Furnizimit (KEDS dhe KESCO) nga KEK-u, përkatësisht termocentralet dhe mihjet.

Pas privatizimit për shkak se legjislacioni nuk lejon që rrjeti me qenë as me prodhuesin e as me furnizimin, këto dy shërbime janë ndarë ligjërisht. Pra është themeluar KESCO dhe KEDS.

Ky botim është mundësuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Drita Vitia dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së.

Teksti është edituar me datën 26 shkurt duke ju shtuar një përgjigje shtesë e KEDS-it rreth liberalizimit të tregut. Reagimi i plotë i KEDS-it është publikuar në rubrikën: Letër Redaksisë dhe mund të shkarkohet duke klikuar KËTU.