Mbështetësit e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan,gjatë një tubimi elektoral në maj 2018 në Sarajevë. Foto: AFP

Politikë me Diasporën: Ambasadorët e Rinj të Turqisë në Ballkan

Gjithnjë e më shumë turq po ‘kthehen në shtëpi’ në Ballkan. Përderisa një komunitet i ri po lëshon rrënjë, a do t’i transplantojë ai vlerat e ‘Turqisë së re’ të Erdoganit?

 

Pak hapa larg fontanës së drunjtë osmane në sheshin “Bashçarija” në qendër të Sarajevës, blerësit në një dyqan ushqimor turk pinë çaj, përdorin erëza dhe hanë ëmbëlsira turke.

Murat Ozkaya, pronar i dyqanit, e konsideron veten një udhëtar. Ish-agjenti i bursës nga qyteti Malataya në Turqinë lindore, e ndërtoi biznesin e tij pasi ra në dashuri me një grua boshnjake dhe u vendos në Sarajevë 12 vjet më parë për t’u martuar me të.

Që nga atëherë, shumica e emigracionit ndërmjet dy vendeve shkoi në drejtim të kundërt. Por brenda një dekade qëkur ai hapi biznesin bashkë me disa biznese tjera, përfshirë edhe një shitore tekstili turk- ai ka parë tek marrë hov emigracionin turk në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Popullsia jonë po rritet; shumë po vijnë”, thotë Ozkaya, përderisa pi një kafe turke në një kafene në pjesën e vjetër të qytetit në Sarajevë, jo larg nga dyqani i tij. “Unë sinqerisht shpresoj se një ditë, një nga ne do të hyjë në parlament (të Bosnjës). Shpresoj që politika e Turqisë ta mbështesë këtë”.

Përgjatë Ballkanit, një numër në rritje i turqve po lëshojnë rrënjë në vendet që dikur ishin pjesë e hartës së Perandorisë Osmane. Shumë nga ta janë të tërhequr nga mundësitë për ndërmarrësi, investime, arsim ose dashuri. Të tjerët kanë rizbuluar lidhjet stërgjyshore me kombin në pragun e Turqisë.

Pa marrë parasysh motivet e tyre, pjesëtarët e diasporës së re sjellin gjuhën turke, kulturën dhe vlerat në atdheun e tyre të adoptuar. Ata janë fytyrat e përditshme të një Turqie më të sigurt, një shekull pas kolapsimit të sundimit turk.

Analistët thonë se mundësia për t’i mobilizuar turqit jashtë për të marrë pushtetin e butë nuk është gjë e humbur nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, sundimi autoritar i të cilit në vend e ka vënë atë në raporte të ashpërsuara me fuqitë perëndimore dhe i ka bërë shpresat e Ankarasë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian të duken edhe më të largëta.

Përderisa disa emigrantë janë larguar pas goditjes së gjerë të Erdoganit pas një puçi të dështuar në vitin 2016, shumë të tjerë mbështesin vizionin e tij për një “Turqi të re”, të ndërtuar mbi nacionalizmin islamik se sa mbi parimet sekulare dhe perëndimore të Mustafa Kemal Ataturk, themeluesit të Republikës moderne të Turqisë, në vitin 1923.

“Ata shihen si ambasadorë që do t’i transmetojnë vlerat e ‘Turqisë së re’ në Ballkan dhe eventualisht të bëhen pjesë e vendeve ballkanike – duke zgjeruar komunitetet e vogla tashmë ekzistuese të turqve, sidomos në Maqedoninë e Veriut, Kosovë se dhe në një masë më të vogël në Shqipëri”, thotë Osman Softiq, një analist i pavarur politik nga Sarajeva.

Ndikimi turk në Ballkan një kohë të gjatë është duke u bërë përmes investimeve në universitete, xhami dhe infrastrukturë. Ankaraja gjithashtu ka ushtruar pushtet të butë përmes qendrave kulturore, Agjencinë Turke të Ndihmave dhe mediat e mbështetura nga shteti që transmetojnë programe në gjuhët e rajonit.

Por ndërsa numri i emigrantëve rritet, disa e shohin këtë si rast për ta riformësuar edhe peizazhin politik. Vet Erdogan ka kërkuar nga turqit në shtetet e Ballkanit të aplikojnë për një pasaportë të dytë në një përpjekje të dukshme për të ndërtuar blloqe votuesish në favor të Ankarasë në tokë të huaj.

“Nëse do të kishte më shumë qytetarë të Ballkanit që janë rritur në Turqi, Turqia do të kishte qenë me shumë më shumë ndikim”, thotë Raif Sait, një ish-deputet i partisë në pushtet në Turqi i cili kryeson një grup të diasporës në Ballkan dhe është kryetar i Qendrës për Hulumtime Strategjike të Ballkanit, një institut në Izmir, në perëndim të Turqisë.

“Rezultatet e zgjedhjeve mund të ndikohen nga qendrat e votimit të vendosura në Turqi ku njerëzit do të votonin për ato parti që janë më të afërta me qeverinë turke”.

Erdogan në tubimin parazgjedhor në Sarajevë, Foto: Balkan Insight/Anadolu

‘Sulltani Erdogan’

Në një tubim zgjedhor në Sarajevë ku lansoi fushatën për rizgjedhje në krye të Turqisë në maj të vitit të kaluar, Presidenti Erdogan e tha atë që ai e pret nga turqit jashtë Turqisë.

Ai  u ndal në kryeqytetin e Bosnjës pasi Austria, Holanda dhe Gjermania ia ndaluan tubimet zgjedhore, të zemëruara nga apelet e tij për votuesit në diasporë që në zgjedhjet në këto tri vende evropiane të votojnë së pari si turq e pastaj si holandezë apo gjermanë.

Në sallën olimpike Zetra, ai  pati mjaft mbështetës.

Në mesin e 12 mijë njerëzve në sallë ishte edhe Bekir Tekin, një mekanik nga Gjilani, qyteti lindor i Kosovës. Tekin nuk kishte qenë kurrë në Turqi, por ai  tha se  “Erdogani është Turqia, kështu që sot Turqia erdhi tek unë”.

Shumë të tjerë kishin marrë autobusët nga të gjitha anët e Ballkanit. Turqit etnikë nga Maqedonia Veriore u përzien me bashkëatdhetarët nga rajoni i Sanxhakut që shtrihet në kufirin Serbi- Mali i Zi. Ata nga Kosova dhe nga Trakia Perëndimore në verilindje në Greqisë erdhën bashkë me bashkëatdhetarët nga Mali i Zi dhe Shqipëria.

Kishte edhe të tjerë që erdhën edhe nga Gjermania, Austria e Holanda- që të gjitha këto vende me një diasporë të madhe turke.

Kur Erdogani doli në skenë, jehuan këngët me emrin e tij ndërmjet britmave me zë të kumbues. Disa mbështetës bërtitën: “Sulltani Erdogan”.

Bakir Izerbegoviq, anëtar i Presidencës trepalëshe të Bosnjës në atë kohë, elektrizoi masën duke bërtitur: “Presidenti Erdogan është i dërguari i Allahut te ju”.

Qytetarët turq që jetojnë jashtë mund të votojnë në zgjedhjet turke falë një ligji të vitit 2012 që kaloi nga partia në pushtet e Erdoganit, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP). Duke iu adresuar këtyre emigrantëve, Erdogan e bëri të qartë se vetëm vota për AKP-në nuk mjafton.

“Merrni shtetësinë e vendit ku jetoni”, tha Erdogan. Mos thuani ‘Jo’. Merreni. Nëse ua japin, merreni”.

Ai shpjegoi: “Ju jeni përfaqësues në vendet tuaja. Duhet të mësoni gjuhën e vendit tuaj, të integroheni me vendin tuaj, të hyni në politikë dhe t’i përmirësoni marrëdhëniet tona. Por asnjëherë mos e harroni gjuhën e kulturën turke dhe Turqinë tuaj”.

Për turqit etnikë të cilët nuk kanë shtetësi turke dhe të drejtë vote, ai ka këshillë tjetër: përfshihuni më shumë në politikën vendore. “Ju duhet të jeni në ato parlamente në vend se dikush që e tradhton vendin tuaj”, tha ai.

Erdogan e mbylli fjalimin e tij duke deklaruar synimin e Turqisë për të investuar më shumë në Ballkan. Ai bëri të ditur planet për ta shtruar një autostradë 3.5 miliardë dollarëshe që e lidh Sarajevën dhe Beogradin me kryeqytetin e Turqisë.

Muajin në vijim, tre milionë vota nga diaspora ishin hedhur në zgjedhjet të cilat i dhanë Erdoganit edhe pesë vjet tjera si President- pas 16 viteve tashmë të kaluara në krye të qeverisë.

Votimi zbuloi një ndarje të thellë mes votuesve turq në Ballkan. Përderisa gati 60 përqind e fletëvotimeve të hedhura në Bosnjë, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut shkuan për Erdoganin, votuesit në Shqipëri, Bullgari, Greqi, Rumani e Serbi u përcaktuan për rivalin e tij kryesor nga partia opozitare Partia Republikane Popullore.

Turqit në Ballkan

Ministria e Jashtme e Turqisë vlerëson se më shumë se 6 milionë turq jetojnë jashtë, 5.5 milionë në Europën Perëndimore. Ky komunitet emigrantësh përbën gati 8 përqind të popullatës së përgjithshme të Turqisë prej 79.5 milionë banorë.

Dhe ndarja po bëhet edhe më e thellë, e nxitur nga jostabiliteti politik dhe çrregullimi ekonomik brenda shtetit. Sipas shifrave të fundit nga Instituti Turk i Statistikës (TurkStat), emigracioni turk u rrit për 42.5 përqind në vitin 2017 në krahasim me vitin paraprak, duke shkuar në gati 254 mijë persona.

Analistët presin që shifrat e vitit 2018 të jenë edhe më të larta.

Emigracioni turk

Shifrat janë të pakta për numrin e saktë të shtetasve turq që jetojnë në Ballkan por statistikat e lëshuara nga Ministria e Jashtme në fillim të shkurtit tregojnë se më shumë se 110 mijë turq janë regjistruar në misionet e huaja në rajon.

Rreth 60 mijë turq janë të regjistruar në Bullgari përderisa 13 mijë në Rumani, 12 mijë në Maqedoni të Veriut, 10.700 në Bosnjë, 8 mijë në Shqipëri, 3.500 në Kosovë, 2 mijë në Mal të Zi, 600 në Serbi, 250 në Kroaci dhe 200 në Slloveni.

Si votuan turqit në Ballkan në vitin 2018?

“Që nga fillimi i viteve 2000, numri i shtetasve turq që qarkullon ndërmjet Turqisë dhe vendeve të Ballkanit është rritur”, tha Gul Uret, një hulumtues në Qendrën për Studime të Europës Juglindore në Universitetin e Gracit në Austri. “Ky është një fenomen që shkon krah për krah me rritjen e marrëdhënieve të Turqisë me Ballkanin në nivel shtetëror”.

Kjo gjithashtu pasqyron profilin në ndryshim të emigracionit të Turqisë.  , Sipas TurkStat në vitin 2017, më shumë se 42 përqind të emigrantëve turq ishin të moshës 25-34 vjeçare përderisa 57 përqind e tyre vinin nga qytetet e mëdha si Stambolli, Ankara, Antalia, Bursa dhe Izmiri.

“Diaspora e mëhershme për në Europën Perëndimore ishte kryesisht nga vendet rurale dhe qytetet urbane, relativisht të arsimuar dobët dhe njerëz nga shtresa e ulët socio-ekonomike”, thotë analisti politik Softiq.

“Diaspora e re turke në Ballkan janë njerëz të arsimuar, studentë në kërkim të arsimimit, dhe njerëz me përvojë në biznes që i njohin mundësitë he e shohin veten se pjesë të një hapësire të Ballkanit, me të cilën ata ndajnë përvoja historike dhe kulturore”.

Ai shtoi se disa shtetas turq në Ballkan kanë ardhur në kërkim të atdheut stërgjyshor – duke dëshmuar se ndër shekuj emigracioni e ka ndihmuar Turqinë të riformësohet.

Demografët vlerësojnë se së paku 20 përqind e turqve kanë lidhje paraardhëse me Ballkanin përderisa 20 përqind të tjerë kanë rrënjët në Kaukaz dhe diku tjetër.

‘Frikë dhe ankth’

Përderisa shumë turq në Ballkan janë mbështetës të zjarrtë të AKP-së të tjerë i kanë kthyer shpinën asaj që ata e përshkruajnë si një Turqi gjithnjë e më shtypëse nën Erdoganin.

“Nuk mund të merrja frymë në Turqinë e Erdoganit”, tha Arzu Koca, një artiste dhe dizajnere e cila u zhvendos në Sarajevë në vjeshtë të vitit 2018 për të ndjekur studimet Master në Akademinë e Arteve të Bukura të Sarajevës. “Politikat, ndryshimet sociale që pasuan, presioni i madh në mënyrën e të jetuarit të njerëzve- që të gjitha këto më shtynë që të largohem”.

Familja e Koca ka rrënjët në Ballkan. Babai i saj është nga qyteti Razgrad i Bullgarisë verilindore përderisa nëna e saj është nga Prijepolje në Serbinë juglindore. Ajo ka aplikuar për shtetësi serbe.

“Prindërit e mi erdhën në Turqi për një jetë më të mirë kur diferencat pranoheshin me një tolerancë të madhe”, tha ajo. “Ai ishte shteti Ataturkut, i cili është sekular, prosperues dhe i pasur për ata që punojnë shumë”.

Koca është anëtare e “gjeneratës Gazi”, një nofkë e dhënë për të rinjtë që demonstruan në Gazi Park të Stambollit në vitin 2013- protesta e parë masive në rrugë kundër regjimit të Erdoganit. Sikur Koca, shumë të tjerë e kanë braktisur Turqinë që atëherë.

“Që të gjithë ishim njerëz të edukuar mirë por ishim sulmuar brutalisht me topa uji dhe gaz lotsjellës nga policia e Erdoganit sepse donim ndryshime demokratike”, tha ajo.

Ajo shtoi: “Republika e Ataturkut tashmë ka humbur. Përndryshe, pse do ta braktisja vendin?”

Akademikët thonë se stereotipi i turkut me rrënjë Ballkani është më shumë ai i individit sekular, konservativ në kulturë por jo në çështje të fesë dhe politikisht më i afërt me idealet e Ataturkut se sa brendi i islamit politik të Erdoganit. Ataturku ishte vet një turk ballkanas, me rrënjë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia.

“Turqit që kanë prejardhje nga Ballkani janë fëmijë ose familje që kanë humbur gjithçka dhe kanë qenë të detyruar të largohen nga atdheu i tyre stërgjyshor në Ballkan”, tha Kursat Guc, një doktorant në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Ankarasë. “Shteti, Ataturku, atdheu, republika, sekularizmi dhe terma të tjerë të tillë janë motivime të rëndësishme për njerëzit e Turqisë në Ballkan”.

Analisti politik Softiq thotë se turqit që identifikohen si boshnjakë në veçanti provojnë të jenë të kujdesshëm me Erdoganin dhe partinë islamiste të tij në pushtet.

“Gati të gjitha komunitetet boshnjake në Turqi ishin pak a shumë progresivë dhe të orientuar majtas dhe republikanë [referuar partisë kryesore opozitare, Partisë Popullore Republikane, të themeluar nga Ataturk] në kuptimin turk, dhe ata tashmë nuk përfaqësojnë një bastion për Erdoganin dhe partinë e tij”, tha ai.

“Boshnjakët e rinj dhe gjeneratat tjera të Ballkanit në Turqi, sidomos ata të arsimuarit, filluan ta vënë në pyetje identitetin e tyre dhe tani duan të vinë dhe ta vizitojnë dhe disa nga ta edhe të jetojnë këtu”.

Por çasti më real për shumë kritikë të Erdoganit erdhi në korrik të vitit 2016, kur ushtarët mashtrues në Turqi nisën një tentim të dështuar puçi.

Përgjigja e Erdoganit ishte e shpejtë dhe e ashpër. Duke e shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ai largoi nga puna qindra e mijëra shërbyes publikë dhe burgosi shumë të tjerë nën dyshimet për përfshirje në puç, bashkë me gazetarë, gjykatës, ushtarë dhe policë.

Dhjetëra e mijëra turq u larguan nga vendi për shkak të masave energjike.

Shumë shkuan në Gjermani, ku më shumë se 10 mijë aplikuan për azil vetëm në vitin 2018, sipas statistikave të Zyrës Federale të Emigracionit e cituar nga Die Welt. Të tjerë kanë kërkuar strehë në vendet e Ballkanit siç është rasti në Kosovë.

Për këtë puç, AKP fajëson mbështetësit e klerikut Fetullah Gulen, një ish-aleat i Erdoganit i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që insiston se nuk ka të bëjë asgjë me këtë komplot.

Turqia ka nisur një spastrim masiv të shkollave, kolegjeve, OJQ-ve, kompanive dhe bankave të lidhura me lëvizjen fetare transnacionale dhe sociale, të cilën Erdogan e përshkroi si “shtet paralel” dhe “organizatë terroriste”.

Një nga viktimat e këtij reagimi të ashpër ishte edhe Ahmet Kocyigit, një mësimdhënës turk në Kosovë.

I lindur në qytetin jugor turk Adana, Kocyigit popunonte si profesor i fizikës në një shkollë të afërt me Gulenin në Prishtinë në kohën e tentim-puçit. Gati brenda natës, ai dhe familja e tij u bënë emigrantë – pa mundësi që të kthehen në Turqi dhe të frikësuar për të dalë nga shtëpia.

“Jetoj në frikë dhe ankth se kur do të më kapin”, tha ai. “Kur dal në rrugë, më duhet të kem shumë kujdes. Saherë që dikush troket në derë, duhet të sigurohemi se kush është para se ta hapim atë”.

Djali më i ri i Kocyigit është lindur pas puçit të dështuar. Ai nuk ka dokumente udhëtimi pasi autoritetet turke refuzojnë të lëshojnë letra për fëmijët e prindërve që punojnë në shkollat e Gulenit, edhe nëse ata jetojnë jashtë Turqisë.

Me paraardhës nga Bullgaria, Kocyigit e shqyrtoi mundësinë e aplikimit për shtetësi bullgare. Por për të pasur të drejtë në shtetësi, atij do t’i duhet të shkojë të jetojë atje me familje- përfshirë edhe babanë dhe gjyshin 91 vjeçar- për tri vjet.

Sipas rregullave, fëmijët e mi duhet të presin 12 vjet për shtetësi”, tha ai.

Në pamundësi të kësaj, ai aplikoi për azil në Kosovë por autoritetet ishin të ngadalta për ta procesuar aplikacionin. Përfundimisht, ai vendosi të provojë të shkojë në Amerikë.

“Më mirë të shkoj në Amerikë se sa të jetoj me shpresën e kthimit të së drejtës që t’i përkas vendit tim”, tha ai. “Kosova po bëhet një version tjetër i Turqisë së Erdoganit. Këtu nuk ka vend për turqit si unë”.

Në fund të shtatorit, ai udhëtoi drejt Amerikës për të aplikuar për azil për vete dhe familjen.

Sipas inxhinierit Cemil Luma, një turk kosovar me shtetësi të dyfishtë që jeton në qytetin jugor të Prizrenit, situata pas tentim-grushtshtetit ka krijuar përçarje mes komunitetit turk në vend.

“Njerëzit janë të ndarë dhe të lidhur përgjatë linjave të Erdoganit dhe Gulenit”, tha ai. “Kjo është e dhimbshme dhe do të ketë pasoja këtu për një kohë të gjatë”.

Regjistrimi i fundit i popullsisë tregon se në Kosovë jetojnë rreth 19 mijë turq, një shifër që nuk i përfshin emigrantët turq.

Luma tha se feja është duke luajtur një rol më qendror në jetën publike të këtij komuniteti. “Unë i respektoj ritet fetare por në vitet e fundit, njerëzit flasin vetëm për fenë- dhe kjo më shqetëson”.

Edhe ashtu, ai e konsideron veten si mbështetës të Erdoganit. Pa mbështetjen e një Turqie të fortë, komuniteti i tij në Kosovë shumë shpejt do të asimilohej, tha ai.

“Në betejën për dominim të interesave mes fuqive të ndryshme, Erdogan po fiton në Ballkan”, shtoi ai.

Vërshim gjenealogjik

Në shkurt të vitit 2018, qeveria e Turqisë lansoi një shërbim online gjenealogjiksajtin e vet duke i mundësuar gjithësecilit me një numër të shtetësisë që të mësojë se ku dhe kur kanë lindur dhe vdekur paraardhësit e tyre.

Në një vend në të cilin ligji e ndalon regjistrimin e prejardhjes etnike të njerëzve dhe i shikon të gjithë qytetarët si turq, baza e të dhënave nxiti interes të gjerë.

Shumë përdorues zbuluan se paraardhësit e tyre vinin nga Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Armenia, Rusia, Azerbajxhani, Bosnja, Serbia dhe gjithkah tjetër.

Brenda një jave nga lansimi, sajti u rrëzua disa herë. Aq shumë përdorues, rreth 6 milionë, kishin nxjerrë jashtë funksionit opsionin e kërkimit dhe qeveria u desh që t’i përforcojë serverët me harduer shtesë, raportuan mediat lokale.

“Hapja e regjistrave të popullsisë të cilët janë mbajtur në fshehtësi për dekada hap debat jo vetëm për historinë e Republikës së Turqisë moderne”, tha Uret nga Universiteti i Gracit. “Kjo gjithashtu ekspozon pikëpyetje rreth turqizmit, etnicitetit, identifikimit dhe përkatësisë. Duke vënë në pikëpyetje identitetin modern kombëtar dhe idenë e turqizmës të krijuar nga themeluesit e Republikës, shënimet munden që në mënyrë indirekte të punojnë në favor të elitës aktuale në pushtet”.

Por Oktay Aksoy, një anëtar bordi i Institutit për Politikë të Jashtme të Turqisë me seli në Ankara, tha se nuk kishte motive të mëvonshme.

“Shumë nga të dhënat e lindjes janë shkatërruar dhe shteti përfundimisht e ofroi këtë informacion [online]”, tha ai përmes një emaili. “Ishte kaq e thjeshtë”.

Në Stamboll dhe gjetiu nëpër Turqi, një industri në rritje vilash dhe firmave ligjore si dhe OJQ-ve premton ta modernizojë procesin e shtetësisë së dytë.

Sait nga Qendra për Studime Strategjike të Ballkanit vlerëson se deri në 18 milionë shtetas turq kanë origjinë nga Ballkani në një formë apo tjetër.

“Miliona njerëz, përfshirë turq, shqiptarë, boshnjakë, torbeshë dhe shumë të tjerë erdhën në Azinë e Vogël nga Ballkani në valë të mëdha për shkak të luftërave dhe trazirave politike në shekujt 19 dhe 20”, tha ai.

Sot, ai thotë se rreth 400 mijë turq kanë të drejtë për një pasaportë të dytë në rajon- edhe pse vetëm Serbia e bën këtë proces në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“Shtetet tjera nuk kanë marrëveshje bilaterale me Turqinë për shtetësi të dyfishtë ose nuk janë të etur për ta ofruar këtë për shkak të përbërjes së brishtë etnike të tyre”, tha ai.

Historiani dhe biznesmeni Recep Skrijel me krenari valon një flamur turk në argjendarinë e tij në Novi Pazar të Serbisë. Photo: Hamdi Firat Buyuk

 

Në qytetin jugperëndimor të Serbisë, Novi Pazar, ish- zëvendës kryetari i komunës Faruk Suleviq, pajtohet se shumica e shteteve të Ballkanit ishin të kujdesshme për ta tronditur planin e prishur politik për t’u dhënë turqve pasaportë të dytë.

“Popullsia shqiptare dhe turke në Maqedoni mund të rritet ndjeshëm njëjtë sikur boshnjakët në Mal të Zi… Por Serbia nuk ka probleme dhe frikë të tillë”, tha ai në një intervistë në tetor, gjatë kohës sa ishte ende zëvendës kryetar i komunës.

Një avokat në Stamboll i cili merret me çështje të shtetësisë së dyfishtë përgjatë Ballkanit listoi barrierat me të cilat përballen turqit në kërkim të shtetësisë së dyfishtë.

“Bullgaria nuk u jep [lehtë] pasaportë shtetasve turq për shkak të historisë së saj lokale dhe dinamikave, si dhe për shkak se ajo tashmë ka një pakicë të madhe etnike turke”, tha ai duke refuzuar të identifikohet.

“Kosova dhe Mali i Zi i ndryshuan ligjet e tyre si pjesë e procesit integrues në BE dhe tani ato japin shtetësi pas hetimeve shumë të kujdesshme”.

“Maqedonia [e Veriut] gjithashtu i ka vështirësuar kërkesat për shtetësi, në një përpjekje për ta mbajtur balancin delikat etno-politik në shtetin e vogël, i cili mund të ndryshohet ndjeshëm me një rritje të popullsisë me përkatësi shqiptare apo turke”.

“Dhe Bosnja nuk ka marrëveshje me Turqinë për shtetësi të dyfishtë për arsye të njëjta sikur edhe Maqedonia [e Veriut] ose Mali i Zi”.

Sa i përket Greqisë, ajo nuk ofron shtetësi për turqit bazuar në lidhjet familjare nën marrëveshjet bilaterale të nënshkruara gati 100 vjet më parë, tha avokati.

Tahsin Ibrahim, ish-drejtues i Asociacionit të Organizatave të Shoqërisë CivileTurke në Maqedoni, qëndron afër Urës së Guritnë Shkup. Foto: Robert Atanasovski

 

Biznesi po lulëzon

Përkundër pengesave, iniciativa gjenealogjike ka frymëzuar disa turq të Ballkanit që ta provojnë fatin.

Hasan Cin, një menaxher për shërbime të klientëve në një kompani tregtare në Stamboll, ka aplikuar për shtetësi të Maqedonisë së Veriut në shpinë të rrënjëve të nënës së tij nga ish-republika jugosllave. Babai i tij vjen nga Prizreni, qytet në jug të Kosovës.

“Ata të dy janë turq që u desh të largohen në vitet 1960 për shkak të regjimit komunist [jugosllav] dhe politikave të tyre ndaj myslimanëve”, tha ai. Ai ende pret të dijë nëse aplikacioni i tij do të ketë sukses.

Në Shkup, Tahsin Ibrahim, dikur drejtonte Asociacionin e Organizatave Turke të Shoqërisë Civile në Maqedoni, një rrjet i OJQ-ve që shtyn përpara interesat ekonomike dhe ligjore të turqve etnikë në vend- rreth 75 mijë, sipas shifrave të fundit të regjistrimit të popullsisë të mbajtur në vitin 2002.

Ibrahim thotë se gjithnjë e më shumë shtetas turq me lidhje familjare në Maqedoninë e Veriut i janë afruar aleancës për të kërkuar asistencë ligjore në rikthimin e pronësisë në bazë të tapive stërgjyshore të tokave. Të tjerë kanë kërkuar ndihmë për të aplikuar për shtetësi.

“Shumë nga këta turq janë lindur këtu në Maqedoni [të Veriut]”, tha ai. “Pse të mos marrin ata pasaportë?”

Ai shpjegoi se shumica e kërkesave erdhi nga turqit etnikë që kishin braktisur Maqedoninë e Veriut pas shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë në vitet 1990. Valët e mëhershme të emigracionit në Turqi ndodhën në vitin 1913 pasi Perandoria Osmane u tërhoq dhe në vitin 1953 kur shumë turq u larguan shkaku i politikave represive jugosllave.

Por në Sarajevë, përfaqësuesi boshnjak i një nga OJQ-ve më të mëdha të bizneseve të Turqisë, Asociacioni i Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur, e pranoi se shpresat për një pasaportë të dytë janë një ëndërr në qiell të hapur për shumë turq.

“Çështja e shtetësisë së dytë në mesin e qytetarëve turq me origjinë nga Ballkani u bë shumë popullore por unë nuk e shoh këtë asgjë më shumë se një moment emocional kur ata shohin origjinën e tyre në shërbimin online të gjenealogjisë”, tha Omer Sert, paraardhësit e të cilit erdhën nga rajoni verior i Krajina-s në Bosnjë. “Shumë nga ta nuk kanë të drejtë për shtetësi dhe unë nuk planifikoj të marr shtetësi të dytë”.

Pengesat në shtetësi nuk e kanë ndalur një numër në rritje të ndërmarrësve turq të hapin dyqane në vendet e Ballkanit- shumë nga ta duke u larguar nga vendi i tyre për shkak të turbullirave ekonomike.

Ekonomia turke është goditur nga një turbullirë e lirës turke dhe një inflacion i shfrenuar, duke shtyrë mijëra firma drejt bankrotit dhe duke bërë që shumë investitorë të lëvizin drejt shteteve tjera.

“Nga të gjitha vendet e Ballkanit, Kosova dhe Shqipëria janë vendet më të përshtatshme ballkanike për të punuar”, thotë Cem Ozkan, një turk 30 vjeçar nga Stambolli, i cili drejton një kompani në Prizren që prodhon rrethoja metali dhe dyer. “Mendoj se këto dy shtete ofrojnë mjedis të vërtetë për biznes”.

Abdurrahman Balkiz, drejtues i Odës Ekonomike Turko- Kosovare dhe shef ekzekutiv i bankës BKT në Kosovë, vlerëson se më shumë se 6 milionë shqiptarë jetojnë në Turqi. Ai thotë se investimet turke në Kosovë kanë shkuar në rreth 382 milionë euro.

“Ndjej se shumë njerëz nga Turqia që kanë origjinë nga Ballkani janë më të etur për të ardhur dhe investuar këtu [në Kosovë]”, tha ai. “Unë e shoh këtë numër vetëm duke u rritur”.

Në Shqipëri, më shumë se 400 kompani turke punësojnë më shumë se 15 mijë njerëz, sipas të dhënave të fundit nga qeveria. Statistikat shtetërore tregojnë se investimet nga kompanitë turke në Shqipëri arrijnë në 2.6 miliardë euro.

Por është shteti i vogël i Malit të Zi i cili mban më shumë se pesha që ka kur është fjala për tërheqjen e bizneseve të reja turke.

Më shumë se 2,100 biznese turke janë regjistruar në shtetin 622 mijë banorësh- duke mposhtur në numër si firmat ruse ashtu edhe ato serbe, thonë shifrat e administratës tatimore të Malit të Zi. Rreth 450 kompani janë regjistruar vetëm në vitin 2017, dy herë më shumë se vitin paraprak.

Ismail Guvenc, një ndërmarrës turk dhe themelues u Asociacionit të Biznesmenëve në Mal të Zi, tha se statusi i Malit të Zi si shtet kandidat për anëtarësim në BE bashkë me stimujt për investitorë të huaj e kanë bërë të më shumë atraktive se shtetet tjera në rajon.

Serbia gjithashtu ofron stimuj për investitorët turq, thotë Salih Alkan, i cili drejton një kompani për shpërndarjen e materialit sintetik plastik në Novi Pazar.

Alkan ishte një nga turqit e parë që mori shtetësi serbe- në vitin 2006, shumë më parë se iniciativa gjenealogjike- falë lidhjeve familjare në Novi Pazar dhe qytetin e afërt të Tutinit.

“Sigurisht që kam pasur avantazhe nga shtetësia serbe”, tha ai. “Mund të udhëtojmë në Europë pa viza, gjë që nuk mund ta bëjmë me pasaportë turke, dhe kjo i bën të gjitha lidhjet më të lehta”.

Biznesmeni turk Burak Baglan qëndron përballë fontanës së drunjtë Sebilj të shekullit 18 në sheshin ‘Bashçarshija’ në Sarajevë. Foto: Hamdi Firat Buyuk

 

‘Të gjithë jemi osmanë’

Pavarësisht arsyeve për emigrim, shumë turq në Ballkan flasin për ndjenjën e identitetit të përbashkët me fqinjët e tyre të rinj.

“Kur erdha këtu, familja ime e pa këtë vendim si ringjallje të rrënjëve tona familjare”, thotë Sert nga Asociacioni i Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur në Sarajevë. “U përshtata me gjuhën brenda një kohe të shkurtër. Të gjithë tani jemi shumë të lumtur sepse jam kthyer në vendin e paraardhësve të mi”.

Edhe të tjerët ndjehen njëjtë, sikur të ishin në shtëpi.

“Boshnjakët i përjetojnë Perandorinë Osmane dhe vlerat e saj shumë më mirë se i përjetojmë ne në Turqi”, thotë Burak Baglan, një biznesmen nga krahina jugore turke e Hatay i cili drejton një agjenci turistike që merret me importe dhe eksporte. “Kemi lidhje të forta. Po afrohemi gjithnjë e më pranë”.

I ulur në kafenenë e quajtur Aksaraj, e cila ka marrë emrin nga lagja historike e Stambollit, Baglan thotë se shumë boshnjakë po e mësojnë turqishten me shpresë që do të mund të gjejnë punë me shtetin turk dhe institucionet private në rajon apo edhe në Turqi.

“Edhe turqit po e mësojnë gjuhën boshnjake”, tha Baglan. “Mund të flas në turqisht me miqtë e mi boshnjakë. Mund të porosis çaj dhe kafe në kafene në gjuhën boshnjake dhe anasjelltas sepse njerëzit e dinë turqishten”.

Recep Skrijelj, një profesor i historisë dhe pronar i një dyqani argjendarie në Novi Pazar deklaroi: “Të gjithë jemi osmanë. Perandoria Osmane ende jeton këtu”.

Skrijelj është boshnjak. Gruaja e tij, Muberra, është profesorë turke e mjekësisë, familja e të cilës vjen nga qyteti kosovar i Prizrenit, në të cilin jeton një komunitet i fuqishëm turk. Ata të dy flasin rrjedhshëm turqisht, fjalitë e tyre janë të mbushura me fjalë sllave dhe theks ballkanik.

Krenaria e çiftit në gjithçka turke nuk është e pazakontë në rajonin e Sanxhakut, në jug të Serbisë dhe veri të Malit të Zi.

“Të gjithë fëmijët tanë do të flasin shumë shpejt turqisht”, thotë Skrijelj.

Në Kosovë, drejtori i qendrës kulturore Instituti Yunus Emre në Prishtinë, Mehmet Ulker, po bëhej lirik rreth “raporteve vëllazërore” ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

“Ditën e parë që erdha në Kosovë, isha në gjumë të thellë dhe po dëgjoja muzikën që vinte nga jashtë”, kujton ai. “Thashë se jam në shtëpinë time. Për një çast u zgjova dhe muzika vazhdonte. Kur dola jashtë, pashë që nuk isha në fshatin tim [në Turqi] por në Prishtinë”.

Në Shkup, Ibrahimi nga aleanca e OJQ-ve që mbështet të interesat e turqve etnikë në Maqedoni të Veriut ia krediton Erdoganit për përhapjen e një vizioni të ri të asaj se çka do të thotë të jesh turk në rajon- me financime të shtuara në spitale, shkolla, bujqësi, xhami dhe banka.

“Identiteti turk nuk është një identitet kombëtar”, tha ai. “Ai shpërndahet përtej kombeve. Ai endet nëpër identitete tjera. Nuk është i lidhur me Turqinë. Është shumë më i vjetër, shumë më i gjerë”.

Por të tjerët ishin më pak romantikë rreth ndikimit të Erdoganit në rajon.

“Lufta e Erdoganit me lëvizjen e Gulenit, marrëdhëniet e tij të përkeqësuara me perëndimin dhe goditja e tij në Turqi e kanë ndryshuar shumicën e lojës në Ballkan”, thotë analisti Softiq.

“Një pjesë e madhe e komunitetit të diasporës në Ballkan tani e kundërshton regjimin në Ankara dhe mënyrën e vet të të vepruarit- dhe ne po flasim për myslimanët besimtarë këtë, le më njerëzit sekularë”.

Turqit etnikë në Ballkan

Gjatë shekujve të sundimit osman në Ballkan, shumë fise turke nga Azia e Vogël, Azia Qendrore, Kaukazi dhe rajoni i Detit të Zi u vendosën në rajon si pjesë e përpjekjeve të sulltanin për turkifikim dhe islamizim.

Si rezultat i kësaj, popullata turke u rrit ndjeshëm në atë që më vonë u bënë Greqi, Bullgari, Maqedoni e Veriut, Kosovë dhe kudo tjetër.

Përderisa shumë turq etnikë emigruan në Turqi pas disfatave të Perandorisë Osmane në Luftërat Ballkanike të viteve 1912-1913 dhe gjatë Luftës së Parë Botërore, një numër i madh i pakicave etnike mbetën në disa vende të Ballkanit.

Turqit etnikë përbëjnë 8 përqind të popullsisë së përgjithshme të Bullgarisë- rreth 600 mijë në total- përderisa edhe shumë turq të Bullgarisë jetojnë në Turqi.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, rreth 150 mijë turq jetojnë në pjesën kontinentale të Greqisë dhe 25 mijë të tjerë nëpër ishujt grekë.

Turqit etnikë llogariten rreth 4 përqind të popullatës 2.1 milionëshe të Maqedonisë së Veriut.

Në Kosovë, ata llogarisin deri në 2 përqind të popullatës 1.9 milionëshe të vendit. Turqit janë të përfaqësuar në një nga gjashtë yjet e flamurit të Kosovës që simbolizon popullatën shumëetnike të vendit.

Turqishtfolësit në Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut ia kalojnë shumëfish numrit të turqve etnikë në dy vendet- një indikacion për rëndësinë e gjuhës turke që nga kohërat osmane. Në qytetin jugor të Kosovës, Prizren, dhe në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, janë të dallueshme shumë dialogë në gjuhën turke mes njerëzve.

“Turqit e Kosovës janë të respektuar si qytetarë që i binden ligjeve të Kosovës”, thotë politikani turk i Kosovës, Fikrim Damka. “Turqit e Kosovës kanë ndihmuar në marrëdhëniet e mira të Turqisë me Kosovën dhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e mbështetjes turke për vendin”.

(Të gjitha shifrat, përveç atyre për Greqinë, janë nga CIA Factbook.)

Lëvizja e Gulenit

Lëvizja e Gulenit është një lëvizje fetare dhe sociale transnacionale e frymëzuar nga predikuesi mysliman turk Fetullah Gulen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga viti 1999.

Presidenti i Turqisë Erdogan dhe Guleni ishin aleatë të ngushtë deri në vitin 2013, para se mijëra mbështetës të Gulenit të marrin pozita në ushtri, polici, drejtësi dhe burokraci.

Shkollat e Gulenit dhe institucionet tjera gjithashtu lulëzuan gjithandej globit- dhe në Ballkan në veçanti, me mbështetjen e Ankarasë.

Në shkëmbim për këtë mbështetje, të ashtuquajturit gulenistë promovuan Turqinë dhe punuan si emisarë për Erdoganin në Ballkan.

Por që nga viti 2011 e këtej, kur gulenistët u bënë të papërshtatshëm me nacionalistët e Erdoganit dhe agjendën islamike, u vërejtën çarjet e para në aleancë.

Erdogan më pas iu kthye organizatës, duke e quajtur atë si “shtet paralel” dhe “organizatë terroriste fetullahiste”, ose shkurt FETO.

Erdogan e akuzoi Gulenin dhe lëvizjen e tij ta ketë organizuar një puç të dështuar kundër qeverisë në korrik të vitit 2016, edhe pse Gulen këmbëngul se ai nuk ka të bëjë asgjë me këtë.

Turqia ka arrestuar mijëra ndjekës të dyshuar të tij, si dhe ka mbyllur shkolla, kolegje, OJQ, kompani dhe banka të lidhura me të.

Zyrtarët turq ndërkohë kanë ushtruar presion ndaj Kosovës dhe shteteve tjera në Ballkan për t’i shuar OJQ-të dhe kolegjet e lidhura me Gulenin dhe dorëzimin e anëtarëve të lëvizjes së Gulenit.

Shtetet i kanë rezistuar thirrjes por kjo nuk e ka ndalur Ankaranë që t’i sjellë me forcë gulenistët e dyshuar në Turqi.

Agjencia Kombëtare Turke e Zbulimit zhvilloi dy operacione në Kosovë dhe Moldavi, duke shkaktuar zemërim pasi kapën disa mësimdhënës që punonin në shkollat e Gulenit.

Goditja e Erdoganit pas puçit

Pas një tentim-puçi të dështuar në Turqi në vitin 2016, masat ndëshkimore të Erdoganit ndaj puçistëve të dyshuar kanë qenë të pamëshirshme.

Goditja ka dëmtuar rëndë marrëdhëniet e Turqisë me perëndimin. Ndërkohë, politikanët opozitarë thonë se Erdogan e ka përdorur tentim-puçin si justifikim për t’u lëshuar në gjueti ndaj kritikëve të tij dhe për ta konsoliduar pushtetin.

Disa ditë pas incidentit, Erdogani deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme. Që nga atëherë, ai e kishte sunduar Turqinë me dekret presidencial gjatë dy viteve të ardhshme.

Erdogan i ka larguar nga puna më shumë se 170 mijë shërbyes publikë, përfshirë zyrtarë të ushtrisë dhe policisë, gjykatës, mësues, burokratë, mjekë dhe akademikë për shkak të lidhjeve të dyshuara me organizata terroriste.

Rreth 160 mijë persona janë ndaluar nga policia përderisa 70 mijë janë dërguar në burg. Së bashku, 155 mijë janë hetuar ose ndjekur, sipas Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë.

Qeveria gjithashtu ka mbyllur 70 gazeta, 20 revista, 34 radio-stacione, 30 shtëpi botuese dhe 33 kanale televizive.

Rreth 150 gazetarë janë arrestuar- duke i dhënë Turqisë shenjën e vendit me më së shumti gazetarëve të burgosur në botë.

Ndërkohë, mijëra shkolla, universitete, asociacione dhe fondacione janë mbyllur. Qeveria u ka vënë drynin disa qindra kompanive.

Më shumë se 90 kryetarë të komunave- shumica anëtarë të partive opozitare- janë larguar nga detyra përderisa shumë deputetë janë burgosur.

Zgjedhjet turke të mbajtura gjatë gjendjes së emergjencës kanë nxitur kritika të ashpra nga qeveritë perëndimore dhe opozita.

Pas një referendumi kontrovers në prill të vitit 2017 për të cilin Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) tha se 2.5 milionë vota mund të kenë qenë manipuluar nga qeveria, Erdogan ndryshoi Kushtetutën për t’i marrë mbi vete fuqitë supreme me pothuaj asnjë mundësi kontrolli dhe balanci.

(Të gjitha shifrat rreth goditjes qeveritare janë deri në shtator 2018.)

 

Ky artikull është prodhuar si pjesë e Bursës Ballkanike për Ekselencë në Gazetari (BFJE), e mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN). Hamdi Firat Buyuk është gazetar i BIRN në Sarajevë dhe analist politik. Alexander Clapp është gazetar nga Athina dhe bursist i BFJE. Serbeze Haxhiaj është gazetare hulumtuese në Prishtinë. Artikulli është edituar nga Timothy Large.