Foto: Kallxo.com

Plagët e pakompensuara të punëtorit

Prej lëndimeve të lehta e deri te gjymtimet, punëtorët kosovarë mbesin në mëshirën e pronarëve– pa përkrahje shtetërore dhe me dhimbje e shkelje te të drejtave të tyre që i përcjell gjatë gjithë jetës.

 

Me rekomandimin e një të afërmi të tij, Emin Ademi kishte vendosur ta ndërronte vendin e punës në fund të vitit 2012, pasi në mobilerinë në të cilën ai punonte paraprakisht e konsideronte larg nga shtëpia e tij në fshatin Koshare të Komunës së Ferizajt.

Destinacioni i punës së radhës për 41 vjeçarin ishte fabrika e konstruksioneve metalike “Exim Metal” e cila ndodhet në fshatin prej nga vjen Emini. Punën aty e kishte filluar vetëm me një marrëveshje gojore me menaxherin e kësaj fabrike, i cili i kishte kërkuar letërnjoftimin gjoja për të ia përgatitur kontratën, mirëpo një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

Emini u angazhua si punëtor i terrenit në këtë ndërmarrje, në të cilën kryesisht punonte me skele si ndihmës i një mjeshtri. Të njëjtën punë ishte duke e bërë edhe më 7 janar të vitit 2013, dhe së bashku me disa punëtorë të tjerë, gjersa po çmontonin skelet tek një objekt, kishte rrëshqitur nga një lartësi jo shumë e lartë, mirëpo e lartë ishte shkalla e lëndimit nga ky rrëzim. Emini kishte thyer kërdhokullën e këmbës së majtë dhe fillimisht nuk e kishte ndjerë aq shumë seriozitetin e lëndimit.

“Unë ju thash punëtorve ‘punoni ju, se ban vaki veç pak’, thotë Emini, i cili për ta dërguar deri në spitalin e Ferizajt e kishte kontaktuar vëllain e tij, për të cilin thotë që fatmirësisht ndodhej në qytet.

Pasi në spitalin e Ferizajt nuk kishin mundur ta kryenin rëntgenin, Emini kishte shkuar në një ordinancë private për ta kryer fotografimin. Ortopedi i kishte rekomanduar atij të rrijë dhjetë ditë i shtrirë në regjim krevati.

“Po nuk ish kanë reni dhjetë ditë”, thotë Emini.

Të nesërmen në shtëpi Eminin e kishte vizituar pronari i kompanisë “Exim Metal”, Ahmet Petrova, i cili ia kishte kërkuar fotografimet e rëntgenit për t’i dërguar tek një ortoped tjetër në Ferizaj, i cili Petrovës i kishte thënë se gjendja e Eminit është e rëndë dhe duhet të dërgohet urgjent në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, QKUK.

“Në mëngjes u ardhë Ahmeti e më ka çu me ndihmë të shpejt në Prishtinë. Tha rri këtu tash ta shohim a po të shtijnë në operacion menjëherë a çka po bahet. I pagujta 450 euro tre shrafa, po veç dy mi vendosën. Prej xhepit tem i kam pagu”, rrëfen ai.

Ndihma e vetme që Emini kishte pranuar nga pronari i kompanisë ishte shuma prej 100 eurove që Ahmet Petrova i kishte lënë në spital pas një vizite tek ai. Emini pretendon se sjellja e tillë nga pronari në raport me të, ndodhte pasi ky i fundit nuk kishte kontratë pune që e obligonte pronarin t’ia mbulojë shpenzimet shëndetësore, duke rënë ndesh edhe me Ligjin e Punës. Në nenin 60 të Ligjit të Punës saktësohet se pronari është i obliguar t’i ofrojë të punësuarit kompensimin e shpenzimeve nëse është lënduar gjatë orarit të punës.

“Ai nuk u kanë punëtor i jem, që s’ka pas kontratë nuk u kanë punëtor i jem. Ai ka mujt me ardhë me nejt, me përky kamën edhe udha e mbarë. Asnjë puntori nuk ja mbaj skelet”, i tha BIRN-it Petrova,  pronari i “Exim Metal”, para se ta mbyllë telefonin.

Fabrika Exim metal. Foto: Halim Kafexholli

Tri vjet para se të lëndohej Emini, në maj të vitit 2016 kompania “Exim Metal” kishte përuruar një linjë të re të prodhimit të tubave prej çeliku, pasi ishte përfituese e një grandi prej 400 mijë euro nga zyra e Bashkimit Europian dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Në ceremoninë e inaugurimit në atë botë merrte pjesë edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli dhe ish-Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hikmete Bajrami, të cilët e hapjen e asaj linje të prodhimit e prezantuan si storie suksesi.

Në këtë fabrikë punojnë 52 punëtorë, për të cilët Petrova thotë se të gjithë janë me kontrata.

E pikërisht mungesa e kontratës e kishte rezervuar Emin Ademin që ta padisë pronarin e kompanisë . “Nuk kisha kontratë – se do thoshin qite ne gjyq, po edhe për gjyq duhet me pasë një dokument”, thotë Emini.

Por, ushtruesi i detyrës së kryeinsepktorit të punës, Valon Leci thotë që mungesa e një kontrate aspak nuk do të duhet t’i dekurajonte punëtorët të paraqesin ankesat e tyre në Inspektoratin e Punës, IP. Sipas tij, IP-ja do të jetë e pamëshirshme për kompanitë të cilët shkelin të drejtat e punëtorëve.

“Është e vërtetë që në rrafshin procedural neve na nxjerr më shumë punë, mirëpo kurrsesi nuk e lejon punëdhënësin me e hjek prej përgjegjësisë mungesa e kontratës, bile ai do të ngarkohet edhe një herë më shumë”, thotë Leci.

Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, sipas statistikave të IP-së janë 61 lëndime, për të cilat Inspektorati i punës është i informuar, por që ky numër është shumë i vogël duke e pasur parasysh që një numër i madh i këtyre rasteve nuk lajmërohen në asnjë organ kompetent.

Sidoqoftë, e çuditshme statistikisht sipas Lecit është se shumica e ankesave që vijnë në Inspektoratin e Punës janë nga sektori publik me rreth 1,648 ankesa nga punëtorët e sektorit publik dhe vetëm 89 nga sektori privat.

Ndërsa ankesa për mungesën e kontratës ai thotë që kemi shumë pak raste. Kjo për shkak se punëtorët kanë frikën se hakmerren pronarët e kompanive private, por Leci thotë se një gjë e tillë është vetëm frikë sepse IP-ja ka politika të përafruara me standardet e Bashkimit Evropian, e ku identiteti i ankimuesit ruhet maksimalisht.

Inspektorati nuk jep statistikë për numrin e punëtorëve pa kontrata, mirëpo Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat Jusuf Azemi thotë se janë gjithsej 150,000 punëtorë në Kosovë të cilët punojnë pa kontrata pune. Ndërsa për numrin e punëtorëve të lënduar, Azemi thotë që edhe pse asnjë institucion nuk e ka numrin e saktë, nga të dhënat që BSPK-ja i kishte marrë nëpër qendra rajonale spitalore, vetëm vitin e kaluar ishin lënduar më shumë se 1,748 punëtorë.

“Kemi pas raste kur unë personalisht kam ndërmjetësu, aty është rrëzu punëtori nga kati i dytë, ka pësu lëndime, por jo lëndime vdekje prurëse, dhe merreni me mend, derisa mjeku i propozon minimumi një muaj ditë të jetë në pushim, regjim shtrati, unë vet kam qenë prezent që në ditën e katërt, pronari i kompanisë i ka thënë nëse do me ardhë me punu mirë, nëse jo të shkëputet kontrata e punës”, thotë Azemi.

Për mungesën e kontratave të punës kishte konstatuar edhe një raport  i Bankës Botërore i publikuar më 2017, në të cilin theksohet shkelja e të drejtat të punëtorëve të ndërtimit. Sipas tij, rreth 52 për qind e punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë punojnë pa kontrata të punës.

Fajtor për këtë gjendje Azemi e lë edhe Inspektoratin e Punës, i cili sipas tij i lajmëron kompanitë një muaj para se me i vizitu. “Cila kompani është ajo që e din që ka me u vizitu edhe i lenë punëtorët e vetë derisa të kryhet inspektimi”, shton Azemi. “Kjo është një masakër e llojit të vet”.

Mirëpo, këtë e mohon Kryeinspektori Leci, ai thotë se kjo ka qenë një praktikë e para dy viteve e një projekti të Bashkimit Evropian ku IP-ja i ka vizituar kompanitë për vlerësim të riskut dhe sipas Lecit për këtë gjë nuk ka nevojë të zihen kompanitë pa përgatitur.

Por, Leci vitin 2019 e sheh si vit me përmirësime në krahasim me vitet tjera, pasi në gjysmën e vitit të kaluar kishte 15 vdekje të punëtorëve, sivjet janë vetëm tetë deri në periudhën janar – korrik.

Valon Leci, ushtrues detyre i Kryeinspektorit të Punës. Foto: Halim Kafexholli

Deri në muajin korrik të viti 2019, Inspektorati i Punës i ka shqiptuar 127 gjoba për sigurinë në punë, ndërsa në vitin 2018 ishin 270 sosh, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë. Gjersa sipas raportit të IP-së, në vitin 2018 në total ishin kryer 9,531 inspektime të rregullta dhe të përsëritura.

Ndërsa sa i përket mungesës së kompensimit të dëmit, Kryeinspektori Leci thotë se këtë kompetencë, këtë e ka vetëm gjykata.

BIRN ka bërë një kërkesë tek Këshilli Gjyqësor i Kosovës, mirëpo KGJK-ja nuk ka statistikë konkrete, por në gjashtë mujorin e parë të vitit 2019 në të gjitha gjykatat e Republikës së Kosovës janë pranuar vetëm gjashtë raste për veprën penale “cenimi i të drejtave në marrëdhëniet e punës”, tri prej të cilave janë zgjidhur.

Pasojat e vazhdueshme

Vetëm pas tre muajve i shtrirë në regjim shtrati, Emini kishte filluar të ecte. Gjatë gjithë kësaj periudhe për të ishte përkujdesur bashkëshortja e tij me të cilën ka tre fëmijë. “Gruja u dashke me më mbajt për krahu”, kujton Emini, i cili për të gjitha kostot e shpenzimeve të shërimit të tij falenderon vëllëzërit të tij që jetojnë në Zvicërr. Ata i kishin ndihmuar financiarisht Eminit për të gjitha tretmanet; operimin, vizitat te mjeku dhe qëndrimin në banjat termale. Rroga prej 300 euro sa paguhej Emini e bënte të pamundur t’i mbulonte këto shpenzime.

Pas dy viteve, Emini e kishte rimarrë veten dhe i ishte drejtuar përsëri kompanisë “Exim Metal” që ta rikthejnë në punë. Kërkesa e tij kësaj radhe kishte qenë që të punonte brenda në fabrikë, pasi më nuk është i aftë për punë të rënda. Mirëpo edhe pse fillimisht i kishin premtuar se do ta rikthenin në punë, kërkesa e tij ishte injoruar pastaj nga kompania në fjalë.

“Thojke (Ahmet Petrova) të marrë të marrë, por mo jo, s’um murr”, tregon Emini.

BIRN ka provuar të marrë përgjigje nga pronari edhe për këtë, por Petrova ishte arsyetuar vazhdimisht duke thënë se nuk i kujtohet një gjë e tillë.

“Unë menoj që u tutë me m’marrë – që kur të ma bënë kontratën, ka mendu që ngajë me gjyq, e për qata nuk më ka marrë”, pretendon Emini.

Emini tashmë çalon gjatë ecjes dhe thotë se më nuk është i aftë për punë të rënda por ka raste kur detyrohet t’i bëjë ato për shkak se duhet ta mbajë familjen e tij pesë anëtarëshe. Kur ai kërkon punë, zakonisht nuk e tregon gjendjen e këmbës së tij të majtë.

“Unë edhe e mbaj fsheht lëndimin kur të lypi punë. Kam punu në Bechtel – Enka pak, s’iu kam kallxu qysh e kam gjendjen”, thotë Emini. Sa herë ndërrojnë stinët, ai ndjen dhimbje të këmbës.

Sikurse Emini, edhe Halit Rushiti, 53 vjeçar nga fshati Qirez i Komunës së Drenasit, është lënduar në fabrikën e hekurit dhe nikelit ‘Ferronikeli’ në Drenas.

Haliti kishte filluar punën në vitin 2007 dhe punonte në shiritat furnizues. Mirëpo, me tetë mars të vitit 2011, gjatë bartjes së xeheve, njëri shirit ishte bartur në njërën anë, dhe teksa Haliti provonte të tërhiqte xehet për ta balancuar shiritin lëvizës, i kishte ngecur dora e majtë, ku si pasojë ka humbur tre gishtat e asaj dore duke i shpëtuar vetëm gishti i madh dhe ai tregues.

Ferronikeli. Foto: Halim Kafexholli

“Nuk kam mundur me hjek mo (dorën), se qarkullojke xehja non-stop, deri sa u ndal shiriti nuk ka mujt me ma hjek askush, e janë ardh këtë vullkanizerët edhe u dashtë me e pre shiritin për me e hjek dorën, se nuk ka pas shanca ndryshe”, thotë ai.

Në spitalin e Prishtinës Haliti ishte shtrirë në kirurgjinë plastike, mirëpo përpjekja e doktorëve për të ia shpëtuar gishtërinjtë ka qenë e pasuksesshme.

Për dallim nga Emini, Halitit të gjitha shpenzimet ia kishte mbuluar kompania, e cila ia kishte paguar edhe rrogat shtatë mujore sa ai qëndroi ai deri në shërim. Mirëpo, përveç shpenzimeve të kurimit, atij nuk i është kompensuar fare dëmi dhe shkalla invalidore që e ka. Përveçse, për dallim nga pronari i Eminit, menaxhmenti i Ferronikelit, Halitit i kishte ndërruar vendin e punës. Ai sot punon në një deponi si kontraktor i jashtëm i Ferronikelit, roli i tij është si mbikëqyrës i punëtorëve të asaj deponie. Mirëpo rroga i kishte mbetur e njëjtë, Haliti i cili jeton vetëm me gruan e tij, për një muaj punë në Ferronikel paguhet 360 euro.

Kompensimin e dëmit, nuk e kishte kërkuar as Haliti, i cili me ndërmjetësimin e Sindikatës së Ferronikelit kishin rënë dakord që një gjë e tillë mos të kërkohet, duke u dakorduar thjeshtë që të lënduarit vetëm t’i ndërrohet vendi i punës.

“Unë nuk i kam qitë në gjyq as kurgjo, qysh ka vendos kompania”, thotë Haliti.

Edhe pse roli i sindikatës është për të ruajtur drejtat e punëtorëve, Fehmi Nika – Kryetar i Pavarur i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit” thotë se në raste të tilla merret parapëlqimi i punëtorit se a dëshiron të ndjek kompaninë penalisht apo jo. Sipas tij zgjidhja më e mirë në këtë rast ka qenë të mos ndodhë një gjë e tillë.

“Ky e ka pasë edhe kontratën me afat veç një vjeçare, ka mujt edhe mos me kanë në punë hiq. E ndoshta as kompensimi nuk ish bo”, thotë Nika. “Çka kujtove ti, me ia bo sherrin punëtorit a?”

Edhe Jusuf Azemi, Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat thotë që rastet si pretendimet e Nikës ndodhin shpesh.

Azemi përmend një rast të tillë i cili ka ndodhur në Lipjan, me të cilën është marrë sindikata që drejton Azemi.  “Kemi punëtor që komplet e kanë humbur dorën dhe është dërgu në Shtëpinë e Shëndetit në Lipjan, dhe prej aty ka ardhë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë ku është bë një intervenim kirurgjik, ndërsa prej QKUK-së ka shku punëtori në Beograd, dhe kur ka përfundu kjo procedurë, ka thënë (pronari) “eja tash mirremi vesh”. I thotë: unë ty të ofroj një lloj posti të menaxherit në kompani, një banesë dhe veturë. Punëtori e ka pranu atë marrëveshje, dhe pas 5-6 muaj kur i skadon kontrata kjo marrëveshje ka ra”, thotë Azemi, i cili shton se këtu lëndë shpesh humbin kontestin në gjykatë sepse qëllimisht trajtohen keq në fillim.

Fehmi Nika. Foto: Halim Kafexholli

Kurse sipas Abedin Haxhiu, Nënkryetar i Këshillit Drejtues së BSPK-së dhe i Sindikatës të pavarur të Ferronikelit, Halitit i ka munguar guximi, por rekomandon që ky një ditë të kërkojë dëmshpërblimin, sepse kur të del në pension ai duhet të dal në pension invalidor.

Me kërkesë të Halitit, BIRN-i nuk ka drejtuar pyetje specifike për ketë rast, por, të pyetur se a kompensohet dëmi i punëtorëve të lënduar, menaxhmenti i Ferronikelit nuk ka dhënë përgjigje.

Por, sa i përket kompensimit të dëmeve ky ligj më shumë i jep favorizime punëdhënësit, pasi në nenin një te ligjit thuhet se; nëse i punësuari në punë ose lidhur me punën, me qëllim ose me pakujdesi të plotë i ka shkaktuar dëm punëdhënësit, ai është i obliguar ta kompensojë dëmin.

Meqenëse ligji nuk e parasheh një situatë të tillë sikurse rasti i Halitit, ai vazhdon të përballët me vështirësi fizike, pasi e ka pothuajse të pamundur të kryej ndonjë punë fizike, si dhe përballet me dhimbje të dorës gjatë gjithë stinës së dimrit. Mirëpo, fat në fatkeqësi ai e quan faktin që gishtat i mungojnë dorës së majtë dhe jo e asaj të djathtës.

“Masi e kam dorën e djathtë, gjysa e t’keqtit”, thotë Haliti.

Punëtorët e kompanive publike nuk bëjnë përjashtim

Me mos kompensim të dëmit është përballur edhe i ndjeri Xhafer Musliu, i cili ka qenë punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Xhaferi së bashku më vëllanë e tij Ismailin kishin filluar punën në KEK në vitin 1981. Të dy punonin në termoelektranën Kosova B.

Meqenëse ka punuar në të dy sistemet politike, atë të Jugosllavisë dhe pasluftës, Ismaili Musliu, tashmë në pension, thotë se kushtet në KEK në vitet e paraluftës kanë qenë shumë më të mira se tani, kurse vitet e pas luftës ai i quan si vite të degradimit të kësaj korporate. E pikërisht, në vitet e pas luftës, saktësisht në vitin 2004, i ndjeri Xhafer Musliu kishte pësuar një lëndim, shkak për të cilin vëllai i tij Ismaili thotë se edhe vdiq pastaj.

Gjersa në korporatë punëtorët po i bartnin disa gype, njëri prej tyre rrëshqiti duke e goditur në kokë Xhaferin, goditje nga e cila ai kishte qëndruar një muaj në komë. “Edhe trutë i kanë pas dal jashtë”, kujton Ismaili, vëllau i Xhaferit.

Xhaferit i ishin dashur një vit gjersa e kishte rimarrë veten. Ndërsa për mbulimet e shpenzimeve mjekësore nga KEK-u i ishin mbuluar vetëm 60 për qind e shpenzimeve.

Pasi ishte forcuar, Xhaferi kishte filluar punën përsëri në KEK, mirëpo dalja në punë ishte dalje episodike, sepse pas atij lëndimi Xhaferi ishte diagnostifikuar me kancer në mëlçi.

“Prej qatij lëndimi ai më s’ka mujt me përparu, u angazhu në punë qato vite po tani e rroki edhe kanceri”, kujton Ismail Musliu, i cili thotë se nga KEK-u nuk u kompensua as për lëndimin e as nuk u ndihmua financiarisht pas diagnostifikimit me kancer.

Sipas statistikave që BIRN i ka siguruar nga KEK-u, vetëm në vitin 2004 në KEK ishin lënduar 380 punëtorë.

Përveç moskompensimit, për dallim nga vëllai Ismaili i cili në korrik të këtij viti ka dalë në pension ku i merr 198 euro, Xhaferi nuk kishte arritur ta mbërrinte as pensionin, pasi kishte ndërruar jetë në moshën 62 vjeçare, në vitin 2014.

Pas vdekjes së Xhaferit, në vitin 2014, Ismaili kishte bërë kërkesë në KEK që t’ia merrnin djalin e vëllait të ndjerë në punë, mirëpo kërkesën e tij nuk e kishte marrë parasysh menaxhmenti i KEK-ut.

Përveç moskompenzimit të lëndimeve, punëtorët e KEK-ut shpesh përballen edhe me neglizhencë të kompensimit të shëndetësor. Kjo korporatë ka kontratë me kompaninë private të sigurimeve, Euro Sig, dhe KEK-u paguan nga 23 euro e 50 cent në muaj për sigurime shëndetësore, mirëpo kur punëtorët kanë probleme shëndetësore, ata fillimisht duhet t’i paguajnë nga xhepi i tyre barnat, pastaj tu bëhet kompensimi, e në raste nuk u është bërë fare.

Mirëpo, sipas kryetarit të Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnicës, kjo kompani, përveç që ka vonesa, shumë shpesh edhe nuk i paguan fare disa prej barnave.

Nexhat Llumnica, Sindikata e KEK-ut. Foto: Halim Kafexholli

“Rastet ku kanë të bëjnë me një shumë të vogël edhe e dinë kompanitë e sigurimeve që nuk bëjë ankesa punëtorët për shuma të vogla, edhe aty ka raste që nuk i kompensojnë fare”, thotë Llumnica. Madje, ai shton se edhe kur bëhet kompensimi, interesi i transferit bankar të mjeteve i faturohet punëtorëve.

Përvoja të tilla kishte pasur edhe Ismail Musliu, ai thotë që ka pasur raste ku kur shumë për shumë barna që kishte paguar nuk i ishte bërë kompensimi. “Ka pas 30 euro ilaç që kam pagu, edhe 9 euro veç i kokërr, asnjë s’ma kanë pagu”, thotë Musliu.

BIRN ka kontaktuar edhe kompaninë e sigurimeve Euro Sig në lidhje me këtë çështje, mirëpo Ardita Ramaxhiku, përgjegjëse e administratës dhe e burimeve njerëzore në këtë kompani, thotë që kompania nuk mund të jep informacione të tilla, sepse sipas saj, konsiderohet si shkelje private dhe konfidenciale zbulimi i informacioneve pa pëlqimin paraprak të KEK-ut.

Por, zëdhënësi i KEK-ut Skender Bucolli thotë se kjo çështje është e rregulluar dhe KEK-u është shembulli më i mirë në nivel vendi për respektimin e të drejtave të punëtorëve sa i përket obligimeve dhe përgjegjësive si korporatë. Si dhe shton që edhe kompensimin e pushimit mjekësor kjo korporatë e ka të rregulluar në mënyrë të favorshme.

Së këndejmi, edhe pse me Ligjin e Punës parashihen 20 ditë në vit për pushim mjekësor, ku punëdhënësi është i obliguar të paguaj 100 për qindin e pagesës, por KEK-u paguan vetëm 60 përqind, ndërsa në bazë të kontratës së KEK-ut me kompaninë Euro Sig, pjesën tjetër obligohet ta paguaj kjo e fundit.

Mirëpo, Llumnica thotë se një gjë e tillë nuk respektohet nga kompania e sigurimeve dhe ky 40 përqindësh nuk paguhet fare. Sipas tij, kjo marrëveshje mes KEK-ut dhe kompanisë është shkelje e ligjit dhe ka raste kur punëtorët vijnë të sëmurë në punë, për shkak se vetëm me 60 përqind të pagës nuk mund të mbijetojnë.

Llumnica e ka një përgjigje se pse KEK-u vepron në këtë mënyrë.  “Këta, për shkak të asaj që mos me shku punëtori në pushim pa pasë nevojë, me anë të shkeljes së ligjit po dojnë me evidentu edhe një parregullsi, kjo nuk shkon kështu, se ka dëme të punëtorëve që kanë nevojë”, thotë Llumnica.

Por, KEK-u nuk e shkel ligjin vetëm në të tilla raste. Sepse, sipas ligjit, për punëtorë të cilët kanë të bëjnë me rrezikshmëri të punës, u takon 30 ditë pushim, gjë e cila nuk ndodh me punëtorët që i ekspozohen rrezikut, qoftë në miniera apo në termocentraleve. Edhe kësaj kategori i takon vetëm 20 ditëshi.

E përderisa ligji i punës vazhdon të shkelet dhe institucionet vazhdojnë të çalojnë edhe për shkak të mungesës së mirëfilltë të bazës ligjore që i siguron një trajtim të dinjitetshëm punëtorëve të cilët ballafaqohen me kushte të rrezikshme të punës, Emini do të vazhdoj të vuaj lëndimin e tij, kurse Haliti të vazhdoj punën pa tre gishtërinjtë e dorës sikur asgjë nuk ka ndodhur, e Ismaili ta kujtojë vëllain e tij duke e shprehur vazhdimisht indinjatën për kushtet e punëtorëve në KEK.

Gjersa institucionet çalojnë për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, do të çalojnë edhe shumë punëtorë, teksa lëndimet apo vdekjet e tyre do mbetën vetëm statistikë, pa i dal në ndihmë askush, as punëdhënësi,  as shteti.

 

Ky botim është mundësuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Halim Kafexhollit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së.