Foto: Facebook/MKRS

Përmes tenderit një burimor ministria restauron kinemanë e parë në Prizren

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti ka ndarë një shumë prej 120 mije eurove për restaurimin e kinemasë së parë të qytetit të Prizrenit.

Tenderi një burimor për restaurimin e kinemasë i është dhënë Kompanisë “Hidro Project” SH.P.K., me procedurë të negociuar. Vlera e tenderit është 129,930.01 euro, ndërsa kompania duhet që brenda 90 ditë pune, të përfundojë punimet.

MKRS nuk ka treguar arsyen pse ka vendosur që ta restaurojë këtë monument, përmes një kontrate të negociuar.

Monumenti ikonë

Zyrtarë të MKRS-së thonë se ndërtesa e kinemasë së vjetër përmban vlera historike, kulturore, arkitektonike dhe estetike, dhe nuk do të ngurrojë të shtojë buxhetin nëse është e nevojshme për restaurimin e saj. Por, nuk ka treguar se për çfarë saktë, do të shfrytëzohet ky objekt pas restaurimit, përveç se do të jetë në funksion publik.

Zana Fetiu, këshilltare për media e ministrit të Kulturës, ka thënë për KALLXO.com se ndërtesa e kinemasë së parë të qytetit duhet ruajtur dhe promovuar si vlerë kulturo-historike dhe arkitektonike.

“Pas përfundimit të kësaj faze, MKRS në bashkëpunim me institucionet tjera kompetente do të vlerësojë nëse dhe sa ka nevojë për buxhet shtesë. Ndërtesa, pa diskutueshëm do të jetë në funksion publik”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së për KALLXO.com.

Ajo ka thënë ndërtesa e kinemasë së vjetër përmban vlera historike, kulturore, arkitektonike dhe estetike.

Ky monument gjendet në listën e MKRS për mbrojtje të përkohshme me numrin unik 004201.

Çka do të rinovohet

Punimet për restaurimin e këtij objekti kanë nisur një muaj më parë. Në fund të tetorit punimet u inspektuan edhe nga ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku.

Sipas njoftimin për dhënien e kontratës, objekt do t’i nënshtrohet një restaurimi të thellë, që nga ndërhyrjet themelet e deri te izolimet. Parashihen ndërhyrje në dysheme, fasadaim, rregullim të kanalizimit, instalimeve elektrike, izolimi, ndërhyrje në kulmin e ndërtesës, etj. Gjithashtu parashihet edhe pastrimi dhe rregullimi i oborrit të kinemasë.

Sipas të dhënave, ndërtesa e kinemasë është ndërtesa e parë në Prizren në ambientet dhe oborrin e të cilit janë emituar filma vazhdimisht.

Ndërtesa e kinemasë duke qenë në shfrytëzim për aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive, ka ndikuar në ngritjen e nivelit kulturor dhe rekreativ të qytetarëve të Prizrenit, duke u mundësuar edhe personave me aftësi të kufizuara të zhvillojnë aktivitete sportive, si ping-pong, shah, etj.