Peja e LDK-së injoron ‘Plazmat’, por porosit ‘Eurokrem’ dhe ‘Smoki’

Në tenderin 23.5 milionësh të Agjencisë Qendrore të Prokurimit për furnizim me mallra, nuk e ka lënë pa bërë porosi as Komuna e e Pejës që udhëhiqet nga Gazmend Muhaxheri i LDK-së.

Kjo komunë ka porositur një varg produktesh me artikuj ushqimor, përfshirë edhe produkte serbe që Kosova muaj më parë kishte vendosur taksë 100%.

Në dokumentet e siguruara nga KALLXO.com, Peja në këtë tender nuk ka porositur “Plazma” sikurse disa komuna të tjera të Dukagjinit, por ka kërkuar nga AQP, 300 kilogramë “Eurokrem”, 1500 copë “Smoki” dhe 500 kilogramë “Chips”.

Përveç këtyre produkteve serbe, kjo komunë ka porositur edhe disa artikuj tjerë ushqimor me sasi të mëdha si dhe me firmë të specifikuar.

Peja në tenderin e AQP-së ka kërkuar për furnizim edhe me 15.000 copë “Pop Kek”, 600 kilogramë makarona “Divella e 40000 pako krem banane.

Kjo komunë sikurse edhe komunat e tjera nuk e ka anashkaluar as pashtetën “Argeta”, kështu duke porositur 500 sosh.

Peja nuk ka porositur asnjë pije energjike e as lëngje, por ka kërkuar një sasi të madhe të mishit nga AQP, 2000 kilogramë mish të bluar gjedhi.

KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Pejës për të marrë sqarime për këto porosi.

Xhemë Berisha, menaxher i prokurimit në këtë komunë tha për KALLXO.com se Peja vetëm ka përmbushur nevojat si Autoritet Kontraktues dhe se shablloni ka qenë i vendosur nga AQP.

“Ju njoftojmë se AK –së Komuna e Pejës me 07.11.2018 ka pranuar një kërkesë nga AQP-ja për grumbullimin e të dhënave  për furnizim me artikuj ushqimor  për  nevojat e autoriteve kontraktuese që të shpallet  një tender i centralizuar nga ana e AQP-së. Pas grumbullimit të të dhënave  nga njësitë  kërkuese, me  datën 14.11.2018, AK-së Komuna e Pejës e dërgon listën e artikujve ushqimor  për nevojat e AK-së”, tha ai për KALLXO.com.

“Kjo listë nuk është marrë si e vlefshme  , pasi që me datën 19.11.2018 AQP-ja e dërgon formularin e kompletuar dhe të përgatitur  për grumbullimin e këtyre të  dhënave,( për artikuj ushqimor) . Në këtë formular janë të përfshirë të gjithë artikujt e nevojshëm  dhe Autoritetet Kontraktuese kanë qenë të obliguara t’i vendosin vetëm sasitë të cilat  parashohin që i plotësojnë nevojat e tyre . Kështu ka vepruar edhe  Komuna e jonë si AK-së . Këtë formular të plotësuar me sasitë e parapara e kemi dërguar në AQP me dt 20.11.2018.  Përshkrimi i artikujve për furnizim është kompetencë eskluzive e AK-së, i cili e zhvillon aktivitetin e prokurimit, në këtë rast AQP-ja”, ka shtuar Berisha.

Ndryshe, vendosja e markave të prodhueseve është e ndaluar me nenin 28 të Ligjit të Prokurimit Publik.

Ndërsa AQP-ja e cila bënë prokurime për të gjitha institucionet, në emërtimin e produkteve që synon t’i blejë ka vendosur marka të prodhuesve të caktuar.

Në tenderin, që është i ndarë në 9 llote dhe që pritet të kushtojë rreth 23.5 milionë euro, tek specifikat teknike janë edhe artikujt: “EuroKrem”, “Plazma”, “Vegetë”, “Pop-Kek”, apo pashtetën e pulës “Argeta” por që pas tyre shkruhet edhe ekuivalentë.

AQP-ja, në arsyetimin e saj, ka thënë se kanë përdorur një shabllon të vitit 2015.

KALLXO.com, ka shkruar se kjo Agjenci pas reagimit publik është angazhuar për t’i larguar nga lista vetëm prodhimet serbe, siç janë: “Smoki”, “Plazma” dhe “Eurokrem”.

Për vendosjen e shabllonit të vjetër, KALLXO.com, ka marrë vesh se drejtori i përgjithshëm i AQP-së, Behxhet Rukiqi është dërguar në komision disiplinor nga Ministria e Financave.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht për komunat që kanë bërë porosi në AQP për tenderin 23.5 milionësh dhe mund t’i shikoni në këtë LINK.