Pas raportimit të KALLXO.com, ATK e dërgon në Anti Korrupsion zyrtarin e saj

Divizioni i Standardeve Profesionale në Administratën Tatimore të Kosovës e ka dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsion, zyrtarin Burim Troni, pas raportimit të KALLXO.com, në lidhje me dyshimet për mos deklarimin e tre bizneseve dhe dyshimet për konflikt interesi.

Këtë e kanë bërë të ditur Standardet Profesionale në ATK.

“Zyra e Standardeve Profesionale në Administratën Tatimore të Kosovës e ka dërguar për hetime në Agjencinë Kundër Korrupsion, Burim Tronin, pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com, në lidhje me dyshimet për fshehje të biznesi”, thuhet në përgjigjien e DSP-së.

Një javë më parë KALLXO.com, ka publikuar një hulumtim në të cilin zbuloj se zyrtari i lartë i ATK-së, Burim Troni nuk i ka deklaruar tre biznese dhe ka qenë anëtar bordi nga njërin prej tyre.

Në deklarimin zyrtar, Burim Troni i ka deklaruar vetëm dy biznese të cilat figurojnë në emër të prindit të tij, Izahir Troni.

Bizneset të cilat i ka deklaruar janë “Cement Plus”, në të cilën ka 35% të aksioneve në vlerë 916 mijë euro si dhe 0.6 % të aksioneve në bankën “NLB.

Ndërsa bizneset të cilat nuk janë deklaruar nga zyrtari i ATK-së, janë “N.T.SH Jehona”, “Troni Sh.p.k” dhe kompania “Kooperimi B.I”.

Të tre këto biznese janë në pronësi të prindërve të ndihmës drejtorit dhe të njëjtat nuk janë deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion edhe pse deklarimi i tyre obligohet me ligj.

Pasuria e familjes Troni vlerësohet të jetë mbi 2.7 milionë euro dhe pjesë e saj janë një shtëpi, një banesë, një lokal, toka si dhe aksione në biznese të ndryshme.

Përpos faktit se nuk e ka deklaruar pasurinë Burim Troni nuk ka deklaruar as pozitën të cilën e ka pasur në në kompaninë “Troni Sh.p.k”.

Në këtë kompani emëri i ndihmësdrejtorit figuronte si anëtar bordi së bashku me tre familjarët e tjerë.

KALLXO.com ka kontaktuar me ndihmës drejtorin Troni për ta pyetur në lidhje me bizneset e pa deklaruara.

Në lidhje me këto biznese Burim Troni ka deklaruar se për dy biznese nuk e ka ditur se ekzistojnë ndërsa për një tjetër nuk e ka parë hapësirën në formular se ku duhet ta deklarojë.

“Sa i përket biznesit “Jehona NTP” e cila është në pronësi të njërit prind nuk e kam pa në formular një pozicion të tillë ose nuk e kam kuptuar, por sa i përket dy bizneseve tjera “Troni shpk “dhe “Kooperimi”, për këto dy biznese as që kam qenë në dijeni që këto biznese janë të regjistruara në emër të familjarëve të mi edhe pse këto biznese të regjistruara në qendër të regjistrimit të bizneseve, kurrë nuk kanë zhvilluar aktivitet ekonomik”, ka thënë Troni.

Sipas ligjit për deklarimin e pasurisë, zyrtarët e lartë publikë janë të detyruar që të deklarojnë pasurinë e tyre dhe të anëtarëve të familjes së tyre çdo vit nga 1 deri më 31 mars dhe mos deklarimi i pasurisë është veper penale.

Ky është zyrtari i dytë i ATK-së që dërgohet në anti-korrupsion gjatë këtij viti.

Muaj më parë, KALLXO.com kishte publikuar një hulumtim në të cilin shfaqeshin dyshimet se zëvendës drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Hamit Mulaj, i kishte fshehur bizneset e tij.

Hamit Mulaj, në deklarimin e pasurisë, kishte deklaruar se nuk ka pozita e as pronësi në ndonjë biznes, mirëpo hulumtimi disamujor i KALLXO.com kishte zbuluar se emri i tij figuronte në dy biznese.

KALLXO.com kishte gjetur se Mulaj është pronar i një biznesi i cili deri vonë figuronte në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK) me emrin “Pfleiderer Novoterm Kosovë”.

Përpos këtij biznesi, hulumtimi kishte zbuluar se emri i zëvendës drejtorit të ATK-së, Hamit Mulaj figuronte si përfaqësues i biznesit “Termo-Trade” në një katalog të kompanisë “URSA” i cili është publikuar në vitin 2018.

Në lidhje me emrin e tij në katalogun e kompanisë gjermane, zëvendës drejtori Mulaj kishte deklaruar se mund të ishte ndonjë gabim teknik.

Mirëpo KALLXO.com kishte kontaktuar me vëllanë e drejtorit i cili është pronar i kompanisë  kompanisë, “Termo Trade” për të parë nëse Hamit Mulaj kishte ndonjë rol në kompani.

Driton Mulaj kishte deklaruar se Hamiti kishte startuar me biznesin dhe se vazhdojnë të janë bashkë.

“Hamiti është vëllai im, ai ka startuar, ne punojmë bashkë, po tash jam si ma përgjegjës, jemi bashkë, s’guxojmë as me u nda, se Zoti s’na ka nda”, kishte deklaruar vëllai i zëvendësdrejtorit të ATK-së.

Pas këtyre informacioneve kishte reaguar Administrata Tatimore e Kosovës, e cila rastin e kishte dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsion.

 

Pas raportimit të KALLXO.com, ATK e dërgon zv/drejtorin e përgjithshëm në Anti Korrupsion