Pas raportimit në KALLXO.com, INFRAKOS paguan një pjesë të borxhit ndaj punëtorit

Fahri Dragusha, i cili përreth 8 muaj ka dal në pension, ka punuar në INFRAKOS në pozitën inxhinier i komunikacionit hekurudhor.

Pasi kishte dal në pension, INFRAKOS-i i kishte mbetur borxh rreth 900 euro pasi i njëjti përmes INFRAKOS-it kishte mbajtur trajnim për shkollim hekurudhor në Feronikel.

Dragusha ka raportuar në KALLXO.com se përveç këtij borxhi që INFRAKOS kishte ndaj tij, tani e kishte kuptuar që INFRAKOS-i ka edhe borxh tjetër, mos-pagesën e Trustit Pensional.

“Qe tetë muaj kam dal në pension dhe afër dy vjet nuk m`u ka paguar trusti. Paret mi kanë ndal në rrogë 27 euro të rrogës e 27 të organizatës rreth 54 euro gjithsejt në muaj”, tha Dragusha.

Sipas dokumenteve që kishte marr nga Trusti që nga periudha janar 2017 deri në prill 2018, INFRAKOS nuk kishte paguar obligimin ndaj këtij punëtori.

KALLXO.com, ka kontaktuar me kryeshefin ekzekutiv të kësaj ndërmarrje Agron Thaçi.

Ai e ka pranuar që ndërmarrja ka borxh ndaj këtij punëtori, ndërsa nuk e ka mohuar se mund të ketë borxh edhe ndaj një numri më të madh të punëtorëve me arsyetimin e mungesës financiare dhe se financat dhe shërrbimi i resurseve kanë bërë gabime gjatë evidentimeve.

Thaçi tha se më Dragushën janë dakorduar që brenda një kohe të shkurtër t`i paguhet borxhi.

“Jemi dakordu për me pagu borxhin. Ka qenë në zyre për një obligim që kemi ndaj tij. Gjatë kësaj jave e kemi marr me prioritet duke e ditur edhe gjendjen e tij shëndetësore”, tha Thaçi.

“Ka mundësi të ketë edhe raste të tjera që nuk ju kanë paguar trusti për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Po me marrëveshje herë pas here po mundohemi me i përcjell. Nuk e di me statistika sa janë”, tha Thaçi.

Pas bisedës së KALLXO.com, me Thaçin, Fahri Dragusha ka njoftuar që INFRAKOS e ka paguar një pjesë të borxhit ndaj tij.

“Pjesën e parë të borxhit gjegjësisht parat e Feronikelit i kanë dërguar në bankë, ndërsa për trust nuk kam kurrfarë konfirmimi do me thënë pagesa veç pjesërisht është kryer”, tha Dragusha për KALLXO.com.

Dragusha tha se për pjesën tjetër të pagesës së Trustit Pensional është në pritje që t`i realizohet.