Ilustrim

Pas interesimit të KALLXO.com, i jepet bursa studentes nga Rahoveci

Listës së përftuesve për bursë komunale në Rahovec i janë bashkëngjitur edhe studentë të cilët nuk e plotësuan kriterin kryesor, i cili është certifikata e notave apo suksesi i treguar gjatë studimeve.

Që të fitosh statusin bursist i Komunës, sipas konkursit të shpallur më 4 shkurt, duhet plotësuar këto kritere; të tregosh lëmin e studimeve, suksesin gjatë studimeve (nota mesatare), gjendjen ekonomike familjare, si dhe të jesh fëmijë i të rënëve në luftë.

Në mesin e aplikuesve ishte edhe Lirije Krasniqi, e cila i filloi studimet në tetor të vitit 2018, në Fakultetin e Filologjisë në Universitet të Prishtinës, por nuk arriti që të bëhet përfituese e bursës komunale.

Ajo kishte plotësuar tre prej katër kritereve të paraqitura në konkurs, por studentja nuk kishte dorëzuar dëshmi që tregojnë notën mesatare të saj, andaj edhe ishte refuzuar.

Mirëpo, në mesin e 92 bursistëve ka edhe nga ata që nuk plotësuan këtë kriter kryesor.

Drejtori i Arsimit në Rahovec, Avni Morina, tha së përfitues të bursës janë edhe studentët që nuk kanë poseduar certifikatë të notave.

“Po, ka pasur raste edhe kur përfitues të bursës janë studentë pa certifikatë të notave, por që kanë plotësuar disa kritere të konkursit”, ka thënë ai.

Pas disa ditëve, Morina për Gazetën Jeta në Kosovë bëri të ditur se kandidatja në fjalë tashmë është përfituese e bursës.

“Ju njoftoj se komisioni për shqyrtimin e ankesave ka shqyrtuar me kujdes ankesat e studentëve dhe pas shqyrtimit edhe studentja Lirije Ukë Krasniqi është përfituese e bursës”, ishte përgjigjur Morina.

Shkelja institucionale në konkursin për shpërndarjen e bursave

Konkursi i bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale ka përfunduar me shkeljen e kritereve të parashtruara.

Kjo pasi që duke u nisur me faktin që komisioni vlerësues ka përzgjedhur edhe studentë që nuk kanë plotësuar të gjitha kriteret.

Anëtarë të komisionit për ndarjen e bursave ishin: Lulzim Krasniqi, kryesues dhe Ardian Rama, Arben Sokoli, Arben Gashi e Adnan Rexha, anëtarë.

Ndërsa, Komisioni i ankesave kishte këtë përbërje: Admirim Durguti, kryesues dhe Gjyle Gashi e Muharrem Morina, anëtarë.

Gazeta JnK ka kërkuar sqarim nga Drejtoria e Arsimit se përse u ishte ndarë kjo bursë disa studentëve të cilët ngjashëm me studenten Lirije Krasniqi nuk kishin plotësuar kriterin në fjalë.

Por, insistimi i gazetës ka rezultuar vetëm me ndarjen e kësaj burse edhe për Lirije Krasniqin.

Drejtori i Arsimit ka thënë për Gazetën JnK se pas shqyrtimit të ankesave nga komisioni është paraparë që një numër i ankesash të pranohen.

“Kriteret e ndarjes së bursave janë përcaktuar me konkurs. Pasi janë nxjerrë rezultatet e përfituesve, komisioni për shqyrtimin e ankesave ka paraparë që një numër i ankesave të pranohen. Rrjedhimisht, është rritur edhe numri i përfituesve të bursave. Prandaj, njëra nga ato kandidate që kanë përfituar nga shqyrtimi i ankesave, është edhe studentja në fjalë”, shtoi ai.

Ndërkaq, të premten (4 prill) kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi përmes llogarisë së tij në Facebook, ka njoftuar se është takuar me studentët të cilët janë përfitues të bursave të ndara nga komuna.

“Jam jashtëzakonisht i entuziazmuar kur jam pranë studentëve të tillë të cilët padyshim se janë shtylla e të ardhmes së Rahovecit por edhe e Kosovës”,  u shpreh ai të premten.