Ilustrim - Parku i Biznesit në Drenas. Foto: Kallxo.com

Parku i Ndotjes në Drenas

Qazim Dushkollit i janë helmuar dy fëmijë vitin e kaluar. Ata janë trajtuar në QKUK. Dushkolli që jeton përballë Parkut të Biznesit në Drenas thotë se mjekët i kanë thënë se fëmijët i janë sëmurë nga konsumimi i ujit të kontaminuar. Bunari prej nga furnizohet me ujë familja Dushkolli është në skaj të rrugës magjistrale Prishtinë- Pejë. Skaj bunarit të familjes Dushkolli për 7 vjet vazhdimisht kanë kaluar ujërat e zeza që lirohen nga Parku i Biznesit në Drenas. Në Parkun e Biznesit janë të vendosura 36 biznese, të cilat merren me riciklimin e plastikës, me prodhim të barnave, apo përpunim të hekurit. Por, ky park ende nuk e ka të finalizuar kanalizimin dhe as një impiant me kapacitete të mjaftueshme për të përballur sasinë e ujërave të zeza që prodhohen nga këto biznese.

Familja Dushkolli më nuk po furnizohet me ujë nga bunari i hapur me investime të familjes. Tash fëmijët e kësaj familjeje disa herë në ditë duhet të ecin qindra metra për t’u furnizuar me ujë nga “Kroni i Mbretit”.

Nëpër kanalin ku aktualisht kalojnë ujërat e zeza të Parkut të Biznesit janë të vendosur edhe 8 bunarë të tjerë të banorëve të fshatit Korreticë e Epërme. Pjesa më e madhe e tyre, tashmë nuk e përdorin atë ujë për pije. Atë e përdorin vetëm për ujitje, e në raste të rralla edhe për pastrim. Kujtim Gullubovci, banor i fshatit Korreticë, thotë se ujin e bunarit e përdorin në familjen e tij për pastrim. Thotë se për hapjen e atij bunari ata kanë shpenzuar të hyrat e familjes dhe se tashmë investimi i tyre ka shkuar huq.

Një ndotje e vazhdueshme e ambientit dhe sidomos ujërave do të ketë pasoja afatgjate në këtë fshat. Edhe nëse një ndotje e tillë eliminohet do të duhen vite deri tek pastrimi i ujërave.

Dyfishimi i kostos

Shteti i Kosovës deri më tani ka paguar 548 mijë euro për ndërtim të impianteve dhe shtrirje të kanalizimit për nevoja të Parkut të Biznesit. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kishte lidhur kontratë në vlerë prej 284 mijë eurove me kompaninë “Er-Com” për ndërtim të impiantit dhe kanalizimit. Në këtë kontratë ishte planifikuar ndërtimi i kanalizimit nga Parku i Biznesit deri në fund të fshatit Korreticë e Epërme. Në këtë kanalizim ishte planifikuar që të lidhen edhe rrjeti i kanalizimit të fshatit Korreticë e Epërme. Në fund të fshatit, është planifikuar të ndërtohej një impiant për pastrimin e këtyre ujërave të zeza, pra të Parkut të Biznesit dhe banorëve të fshatit.

Ajo çfarë ka ndodhur është që kanalizimi është shtri në pjesën më të madhe, në përjashtim të rreth 700 metrave në mes të fshatit Korreticë. Ndërprerja e kanalizimit në mes të fshatit ka bërë që të gjitha ujërat e zeza që vijnë nga Parku i Biznesit dhe kanalizimi i fshatit të përfundojnë në një livadh, që është pronë private, në mes të fshatit Korreticë e Epërme. Ndërprerja e punëve është bërë për shkak të kundërshtimit të disa qytetarëve që gypat e kanalizimit të shtrihen nëpër pronën e tyre.

Nga kontrata e parë e lidhur në mes të MTI-së dhe kompanisë “Er-Com” ka mbetur pa u finalizuar edhe impianti në fund të fshatit. Aty, aktualisht është e ndërtuar një ndërtesë më pak se 100 metra katrorë dhe është e hapur një gropë, e cila është mbushur me ujë nga të reshurat atmosferike. Edhe punimet e impiantit thuhet se janë ndalur për shkak të një kontesti pronësor.

Në kompaninë “Er-Com”, në kohën kur ishte duke i zhvilluar punimet, ka qenë duke punuar Ramiz Lladrovci, kryetar aktual i Komunës së Drenasit.

Gërmadhat e një Impianti në ndërtim e sipër. Foto: Kallxo.com

Siç ka transmetuar emisioni “Jeta në Kosovë”, Lladrovci duke folur për vitin 2010-2011 ka thënë se Komuna e Drenasit kishte dështuar t’i krijonte kushtet e nevojshme për finalizim të projektit kompanisë-kontraktorit të MTI-së.

“Ky problem ekziston që nga viti 2010 kur pronarët e këtij fshati e kanë pengu punën… Komuna e ka pasë për obligim me liru pronat dhe me i zgjidh të gjitha problemet që dalin gjatë implementimit të projektit, mirëpo komuna nuk ka arrit deri sot me i eliminu këto probleme”, tha Lladrovci.

Të njëjtën e konfirmon edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami. Ajo ka thënë se Komuna e Drenasit bazuar në një memorandum të bashkëpunimit ka qenë e obliguar që të krijojë kushte për finalizim të punëve për Parkun e Biznesit.

“Kuvendi Komunal i Drenasit zotohet se do të bëjë sigurimin e papenguar të punimeve (nga kushdo qoftë) gjatë fazës së ndërtimit të infrastrukturës dhe objekteve në Parkun Industrial”, thuhet në pikën e 6 të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar nga MTI-ja dhe Komuna e Drenasit.

Drejtori i Përgjithshëm i KIESA-s që operon në kuadër të MTI-së, Besian Mustafa ka thënë se 80 për qind të punëve nga kontrata e parë është finalizuar. Gjithashtu, sipas tij, shteti ka paguar 80 për qind të shumës së kontratës së parë, apo rreth 227 mijë euro.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami thotë se bazuar në ligjin e aplikueshëm qeverisë i lejohet që të mos e shpronësojë tokën kah do të kalojë gypi i kanalizimit, pasi sipas saj qeveria ka të drejtë ta shtrijë gypin nëpër tokën private me kusht që toka të kthehet në gjendjen e mëparshme dhe të kompensohet dëmin e shkaktuar.

“Në rast se nuk hasim në mirëkuptim me pronarët e tokave…Unë jam e vendosur që ndoshta me përdorë edhe metodat më të rrepta për me zbatu ligjin dhe më shtri kanalizimin, me ndertu impiantin, sepse drejtpërdrejt ndikon në jetën e qytetarëve pikërisht të kësaj zone”, ka thënë ministrja Bajrami.

E kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci nuk e përmend “zbatimin e ligjit”, pasi beson që do të arrijë t’i bindë qytetarët e Korreticës së Epërme që të lejojnë qeverinë në finalizimin e këtij projekti. Ai madje ka thënë se përballë Parku i Biznesit do të zgjerohet, përkatësisht përballë parkut aktual do të ndahet edhe një tokë për vendosjen e bizneseve prodhuese.

“Ne e kemi taku njërin nga pronarët kryesorë që ka bërë pengesa, besoj që do të gjejmë mirëkuptim me të. Mirëkuptimi do të jetë për shkak të gjithë banorëve të Korreticës pasi ata kanë probleme me ujërat e zeza që i përshkon oborret dhe puset e tyre, që e përdorin për pije dhe për bagëti, prandaj besoj që shumë shpejt do të gjejmë mirëkuptim dhe do të gjejmë zgjidhje”, tha Lladrovci gjatë një vizite që i ka bërë Parkut Industrial, vendit ku derdhen ujërat e zeza në fshatin Korreticë.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë thotë se nenet 7, 17 dhe 18 të Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme të cilat flasin për të drejtën e servitutit ua mundësojnë atyre që t’i vendosin gypat nëpër pronën private, por me kusht që të kompensojnë dëmin e shkaktuar dhe të bëjnë kthimin e pronës në gjendjen e mëparshme.

Pas dështimit për të implementuar projektin e parë që parasheh shtrimin e kanalizimit dhe ndërtimin e impiantit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka filluar ndërtimin e një impianti brenda Parkut të Biznesit. Impiantin brenda Parkut Industrial e ka ndërtuar kompania “Construmax”. Kësaj kompanie fillimisht i është dhënë një kontratë prej 264 mijë eurove për ndërtim të këtij impianti. Mirëpo, më vonë, asaj i është dhënë edhe një kontratë shumë më e vogël në vlerë prej 23 mijë eurove për të njëjtën qëllim: ndërtimi i impiantit.

Por, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykemte Bajrami thotë se impianti i ndërtuar brenda parkut nuk ka kapacitet për të përballuar nivelin e prodhimit të ujërave të zeza brenda parkut nga 36 biznese. Ajo tha se është e domosdoshme që të ndërtohet impianti kryesor, që ishte planifikuar fillimisht, në fund të fshatit Korreticë e Epërme.

Atë që e thotë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë e konstaton edhe Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Mustafë Hyseni, nga Inspektoriati i MMPH-së thotë se pas inspektimit që i kanë bërë Impiantit dhe analizave të bëra të mostrës së ujit, ka rezultuar se Impianti ka liruar ujëra të ndotura. Hyseni ka thënë se konstatimi ka qenë që impianti nuk po e kryen punën për të cilën është ndërtuar.

Hyseni ka thënë se Inspektorati ka kërkuar nga një kompani që merret me riciklim të plastikës që të ndërtojë një impiant të ri për nevoja të kompanisë.

Pas konstatimeve të bëra nga Inspektorati i MMPH-së, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i ka kërkuar kompanisë MSS që të bëjë pastrimin e Impiantit, ashtu siç përshkruhen në kontratën e lidhur në mes tyre. Kompania “Mobile Sanitary Services” është kontraktuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për mirëmbajtjen e Parkut të Biznesit për 1 vit për një shumë prej 12 mijë e 990 eurove.

“Aksidenti” mjedisor

Shkarkimi i Ujërave të Zeza në Parkun e Biznesit. Foto: Kallxo.com

Kjo kompani e kontraktuar nga MTI-ja për mirëmbajtjen e Parkut Industrial, duke përfshirë edhe Impiantin ka shkarkuar disa herë ujëra të zeza jashtë në natyrë. Këto ujëra kanë rrjedhur në afërsi të bunarëve të banorëve, prej nga furnizohen me ujë, më pastaj kanë bashkuar me ujin që rrjedh nga “Kroni i Mbretit” dhe kanë kaluar mes fshatit Korreticë e Epërme. Një gjë e tillë është faktuar edhe nga një video që banorët e Korreticës e kanë dërguar në KALLXO.com, e cila ishte edhe pikënisje e hulumtimit. Në video shihet një kamion i kompanisë MSS duke shkarkuar ujëra të zeza.

Kur e kontaktuam kompaninë MSS, e pranuan se ata disa herë kanë derdhur ujëra të zeza në Parkun e Biznesit, si krejt Kosova.

“Ne kemi zbrazur ujërat e zeza disa herë me anë të një automjeti xhip i cili ka kapacitet deri në 250 litra ujëra të zeza dhe për këtë jemi gjobitur nga inspektorati 100 euro dhe kjo është paguar menjëherë. Automjete tjera kanë marrë ujërat e zeza gjatë pastrimit të kanalizimit brenda parkut dhe ato ujëra janë zbrazur aty”, thuhet në përgjigjet e dërguara nga Berat Hasanaj, menaxher në Kompaninë “Mobile Sanitary Services” (MSS).

Ai ka thënë se Impianti i ujërave të zeza në momentin e nënshkrimit të kontratës nga ana e jonë ka qenë jofunksional, i papastër dhe në gjendje shumë të rëndë për shkak të mungesës së mirëmbajtjes.

Shkarkimi i ujërave të zeza nga kompania MSS, për Inspektoratin e MMPH-së përbën aksident mjedisor. Mustafë Hyseni nga Inspektorati ka thënë se kjo përbën një aksident. Tutje, Hyseni i ka arsyetuar veprimet e kompanisë MSS, duke thënë se këto ujëra të shkarkuara përfundojnë në lumin Sitnica, aty ku derdhet i gjithë kanalizimi i Prishtinës.

Ai ka thënë se ndaj kompanisë MSS në vitin 2016 është ngritur një kallëzim penal pasi asaj i është kërkuar që të ndërtojë një impiant të kompanisë, pasi e njëjta ka disa kontrata me institucione dhe biznese të ndryshme për mirëmbajtje.

Këtë kërkesë e kanë konfirmuar edhe përfaqësues të MSS-së.

“Në të njëjtën kohë ne kemi shiquar koston për t’u pajisur me impiant, por kemi parë se kjo kosto kalon vlerën 1 milion dhe ne si kompani nuk mund të përballojmë këtë dhe kemi informuar inspektoratin se ne nuk kemi mundësi për të bërë këto investime. Ne thjesht si të gjitha bizneset në Kosovë përdorim rrjetin e kanalizimit dhe po ashtu, si të gjitha kompanitë për trajtimin e ujërave të zeza në Kosovë bëjmë përdorimin e këtij rrjeti”, tha menaxheri i MSS-së, Hasanaj.

Besian Mustafa nga KIESA (MTI) thotë se departamenti ligjor i kësaj ministrie është duke shqyrtuar kontratën që ata kanë pasur me kompaninë MSS për të bërë padi kundër saj, për shkak të derdhjes së ujërave të zeza në natyrë.

‘Jeta në Kosovë’ për Parkun e Ndotjes