Paratë e destinuar për parandalimin e terrorizmit nuk arsyetohen në letër
14 nga 18 projektet të cilat Ministria e Kulturës i kishte ndarë në vitin 2018-të për OJQ-të në temën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm kanë mbetur të pambyllura në këtë ministri.
Një hulumtim i Gazeta Jeta në Kosovë zbardhë se OJQ-të nuk i kanë dorëzuar raportet financiare në ministri dhe projektet figurojnë si të pambyllura në ministri.
Sipas ligjit në rastet kur OJQ-të përfitojnë nga financat publike në fund të projektit duhet të dorëzojnë raportet narrative dhe financiare por në ndarjen e 40 mijë eurove në këtë skemë raportet mungojnë për shumicën e OJQ-ve.
Hulumtimi zbardhë se në vitin 2018-të 40 mijë euro ishin ndarë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për të financuar 18 Organizata jo- Qeveritare të cilat do të mbanin trajnime dhe aktivitete për parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit te të rinjtë.
Projekti ishte dhënë në bazë të një konkursi të shpallur nga MKRS në vitin 2018 në bazë të strategjisë së krijuar për luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit.
Dy vite më vonë gazeta ka kërkuar raportet e mbylljes së projekteve ndërsa përgjigja e Ministrisë është se 14 nga projektet nuk i kanë dorëzuar raportet dhe nuk ka të dhëna nëse aktivitetet janë përfunduar edhe pse një pjesë e madhe e parave rreth 40 mijë euro janë paguar tashmë .
Buxheti i ndarë për mbështetjen e këtyre projekteve nga ana e MKRS-së ishte 40 mijë euro. Shuma minimale për një projekt ka qenë 1 mijë euro e maksimalja 5 mijë euro. Kështu kanë qenë të parapara ndarja e parave që kishte planifikuar ministria për këto projekte.
Që nga viti i kaluar, Gazeta “Jeta në Kosovë” kishte kërkuar nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dosjen e projekteve dhe arsyetimin e shpenzimeve nga OJQ-të që kishin fituar projektet nga ana e ministrisë.
Në listën që ka marrë Gazeta JNK figurojnë edhe tri OJQ të tjera të cila ishin shtuar por që të njëjta nuk kishin qenë të përfshira në listën e përfituesve e cila ishte shpallur nga ministria më 26 qershor të vitit të kaluar.
Të dhënat që i janë ofruar Gazetës JNK kishin shumë paqartësi, duke treguar se Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit kishte dështuar të menaxhoj dhe kontrollojë shpenzimet e parasë publike nga OJQ-të përfituese.
Arsyetimi i ish- Drejtorit të Departamentit të Rinisë në këtë ministri, Xhevat Bajrami, ishte se i njëjti kishte kaluar në Departamentin Ligjor në po të njëjtën ministri, saktësisht në kohën kur ka qenë e paraparë që OJQ-të të raportonin mbi shpenzimet për projektet.
Shkurt ai është përgjigjur se OJQ-të që nuk kanë arsyetuar shpenzimet nuk do të mbështeten në të ardhmen nga ministria.
“Ju kemi bërë me dije se gjithë ato OJQ që nuk kanë zbatuar/mbyllur projektet, sipas kontratës me MKRS për mjetet e marra për projektet e tyre, nuk do të mbështeten dhe lënda do të procedohet në organet përkatëse”, ka thënë Bajrami për Gazetën JNK.
Njëri nga përfituesit Bariu Zenelaj, që kishte menaxhuar projektin “Roli i të rinjve në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit” të OJQ-së “Akademy for Training and Technical” (ATTA) ka thënë se kanë raportuar për shpenzimet dhe e kanë mbyllur projektin në ministri mirëpo ai dyshon se të dhënat janë humbur në ministri.
“I kemi dorëzuar në fund të vitit. Na kanë thirrur këta të MKRS-së se nuk po mund t’ i gjejnë (dokumentet) dhe na thanë a kanë thanë a mundësi me i bo kopje. Por unë tash nuk punojë në ATTA dhe duhet mu mobilizu. Përndryshe komplet dokumentacionit në kopje origjinale i dorëzojmë në ministri dhe i kemi dorëzuar. Domethënë kopjet origjinale dorëzohet në ministri dhe origjinalin duhet me mbajte OJQ-ja”, ka thënë Zenelaj.
Zenelaj ani pse thotë se ka raportuar mbi shpenzimet, ai nuk figuron në listën e MKRS-së se ka mbyllur projektin me raport.
Ndërkaq Atdhe Dacaj, kryetar i OJQ-së, “Kujdesi për mjedisin dhe Shëndetin e të rinjve”, ka thënë për Gazetën JNK se kishte realizuar projektin “Ekstremizmi fetar dhe parandalimi i pjesëmarrësve kosovarë në luftërat e huaja”, duke hamendësuar se stafi i OJQ-së kishte mundësi të i ketë vonuar dorëzimin e raportit për shpenzimet.
“Ne e kemi mbajt projekti, i kemi mbajt trajnimet, dhe e kemi krye projektin sipas kontratës me MKRS, vetëm nëse stafi është vonu me i dorëzu, se të kryme janë krejt”, ka thënë Dacaj.
Në listën e mbylljes së projekteve të dhëna nga ana e Ministrisë së Kulturës, nuk figurojnë asnjëra nga OJQ-të e lartpërmendura të cilat janë deklaruar për Gazetën JNK.
Në bazë të të dhënave të ofruara nga MKRS për Gazetën Jeta në Kosovë, katër Organizatat Jo-Qeveritare që kishin arsyetuar paratë e marra nga ministria për realizimin e projekteve për parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit ishin “’Jeta rinore”, “Acces” “Liza-r” dhe “Kites”.
Si nisi strategjia për parandalimin e terrorizmit në Kosovë:
Më shumë se 400 kosovarë janë bërë pre e propagandës së ushtruar nga ana e organizatave terroriste dhe thirrjeve të tyre për tu bërë pjesë e luftërave të huaja.
Që nga viti 2012, numri i shqiptarëve nga Kosova që i janë bashkuar organizatave terroriste, në Siri dhe Irak, u rrit nga viti në vit.
Në vitet 2012-2014 persona individualë i ishin bashkuar organizatave terroriste ndërsa që nga viti 2015 kishte ndryshuar organizimi, shkuarja në vatrat e luftës u bë në grupacione, familjarë, gra e fëmijë.
Vetëm në vitin 2015 më pak se 20 persona sipas statistikave të policisë i ishin bashkëngjitur luftërave të huaja.
E në atë periudhë ishte formuar një strategji e cila kishte për qëllim parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.
Kjo strategji ishte e paraparë që të zhvillohej gjatë viteve 2015-2020. E në këtë strategji ishte e përfshirë edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e cila në vitin 2018 kishte mbështetur projektet e 18 Organizatave Jo-Qeveritare që për qëllim kishin parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit te të rinjtë.