Objekti i Komunës së Ferizajt | Foto: KALLXO.com

OShP-ja mbyll sytë para shkeljeve ligjore në tenderin prej 270 mijë euro

Komuna e Ferizajt me 17 shtator ka nënshkruar kontratën për “Ndërtimin e palestrës sportive – projekt dy vjeçar” me konsorciumin “Shema shpk & Linda shpk” me një vlerë prej 270 mijë euro.

Kjo kontratë është nënshkruar përkundër faktit që eksperti shqyrtues i angazhuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte konstatuar se janë bërë shkelje ligjore nga Komuna e Ferizajt në këtë proces të prokurimit.

Eksperti i kishte rekomanduar Panelit Shqyrtues të OSHP-së që të anulohet “njoftimi për dhënie të kontratës” dhe procesi të kthehej në rivlerësim për shkak të disa shkeljeve ligjore.

Ky raport i ekspertit shqyrtues, në të cilin konstatohen shkeljet ligjore, është dorëzuar tek palët me datën 31 gusht. Pesë ditë pas finalizimi të raportit të ekspertit, me datën 5 shtator 2018, kompania ankuese ishte tërhequr nga ankesa.

Përkundër faktit që paneli shqyrtues i OSHP-së ishte në dijeni për shkeljet ligjore të bëra, sipas konstatimeve të ekspertit shqyrtues, procedura e shqyrtimit të ankesës është ndaluar.

Komuna e Ferizajt e kishte publikuar vendimin për të rekomanduar për kontratë konzorciumin “Shema & Linda” për ndërtimin e palestrës në vlerë prej 270 mijë euro.

Me 23 gusht operatori ekonomik “G & A Consulting shpk & Pro & Co Group shpk & Beni Construction shpk”, kishte deponuar ankesë në OShP në lidhje me përzgjedhjen e konsorciumit “Shema shpk & Linda shpk” për ndërtimin e palestrës sportive në Ferizaj.

Kjo ankesë ishte bërë me arsyetimin se Komuna e Ferizajt ka bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit, përkatësisht nenet që kanë të bëjnë me: qëllimin e prokurimit, ekonomicitetin dhe efikasitetin, barazinë në trajtim/jo diskriminimin, si dhe dosjen e tenderit dhe nenin 18.4 të Udhëzuesit Operativ.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka kërkuar sqarime nga kompania ankuese pse është tërhequr, mirëpo ata e kanë dërguar si përgjigje vetëm shkresën që e kishin dërguar në OShP për tërheqje të ankesës.

Grupi i kompanive “G & A Consulting shpk & Pro & Co Group shpk & Beni Construction shpk” thotë kishte kërkuar tërheqjen e kësaj ankese me arsyetimi kanë marrë obligime të tjera dhe se tashmë nuk kishin interes të vazhdonin me ankesën.

“Ne tërhiqemi nga pretendimet tona ankimore, për projektin në fjalë, arsyeja e tërheqjes është pasi që ne kemi marrë obligime të shumta, dhe ndërkohë kemi krijuar marrëdhënie kontraktuale tjera, çka kemi ardhur në përfundim se nuk është në interes tonin, vazhdimi i kësaj ankese. Andaj tërheqim ankesën tonë në mënyrë vullnetare, pa presion dhe pa ndonjë interes tjetër”, thuhej në kërkesën për tërheqje të ankesës së operatorit ekonomik “G & A Consulting shpk & Pro & Co Group shpk & Beni Construction shpk”.

Pas tërheqjes së ankesës nga OE ankues, OShP nuk ka vazhduar me shqyrtimin e gjetjeve të ekspertit shqyrtues, por e ka aprovuar kërkesën e “G & A Consulting shpk & Pro & Co Group shpk & Beni Construction shpk”, ka ndërprerë procedurën e shqyrtimit të ankesës dhe ka lejuar Komunën e Ferizajt që të vazhdojë më tutje me këtë aktivitet të prokurimit.

“Gazeta Jeta në Kosovë” e ka pyetur OShP-në se pse nuk ka vazhduar me shqyrtimin e gjetjeve të ekspertit shqyrtues, përkundër që është tërhequr OE ankues, meqë eksperti kishte gjetur shkelje ligjore.

Por, OShP-ja nuk ka dhënë sqarime. OShP-ja në përgjigjen e tyre e kanë dërguar nenin 110 të Ligjit të Prokurimit Publik, që në fakt ia njeh autoritetin OShP-së që të shqyrtojë një ankesë përkundër që OE ankues mund të tërhiqet nga pretendimet.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit ju njofton se neni 110 i LPP-së parasheh se ‘në  rast  të  tërheqjes  së  ankesave  të  parashtruara  sipas  pjesës IX të këtij ligji, OShP ka autoritetin për të vazhduar në emër të vet shqyrtimin e supozimeve (në mënyrë direkt apo indirekte) të paraqitura në një ankesë të tillë”, thuhet në përgjigjen e OShP-së për Gazetën JnK.

Pas këtij neni, OShP-ja thotë se ky nen nuk e obligon atë të vazhdojë shqyrtimin.

“Pra OShP-ja nuk e ka në mënyrë të obligueshme vazhdimin e shqyrtimit të ankesës në rastet e tërheqjes së ankesës”, thuhet në përgjigjen e OShP-së.

Më tej në këtë përgjigje, OShP-ja e ka citur neni 30 i Rregullores së Punës së OSHP-së e parasheh që “pala mund ta tërheqë ankesën në çdo kohë, para dëgjimit apo diskutimit të Panelit shqyrtues, edhe në rastet kur çështja është zgjidhur nga pala tjetër, por pa u kufizuar vetëm në to”.

Mirëpo, në pikën e fundit të të njëjtit nenë, ritheksohet autoriteti i OShP-së për të shqyrtuar një ankesë përkundër që pala ankuese mund të tërhiqet.

Shkeljet e gjetura nga eksperti shqyrtues

Me 31 gusht, Eksperti shqyrtues ka rekomanduar që ankesa e OE “G & A Consulting shpk & Pro & Co Group shpk & Beni Construction shpk” në lidhje me tenderin për ndërtimin e palestrës sportive të aprovohej si e bazuar dhe që ky tender të kthehej në rivlerësim.

“Rekomandojmë që ankesa e OE “G & A Consulting shpk & Pro & Co Group shpk & Beni Construction shpk” – Prishtinë, për tenderin e AK – “KK – Ferizaj”, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “Ndërtimi i palestrës sportive – projekt dy vjeçar”, të aprovohet si e bazuar dhe të njëjtin tender rekomandojmë Autoritetin Kontraktues, që ky aktivitet i prokurimit të Rivlerësohet”, thuhet në mendimin e Ekspertit shqyrtues.

“G & A Consulting shpk & Pro & Co Group shpk & Beni Construction shpk” kishte pretenduar se OE i rekomanduar për kontratë “Shema shpk & Linda shpk” kishte paraqitur një vinç të cilin e kishte siguruar me anë të një marrëveshje me kompaninë “B-Bardhi”, ku si dëshmi kishin ofruar një faturë ku thuhej se “në artikull janë të përfshira vetëm tri pjesë të vinçit”.

Eksperti shqyrtues sqaron se OE i rekomanduar për kontratë “Shema & Linda” sh.p.k, saktësisht anëtari i grupit “Linda” shpk, në ofertën e tyre ka dorëzuar një “marrëveshje” me kompaninë “B-Bardhi” shpk (origjinal), në të cilën shkruan thuhej se “me anë të kësaj marrëveshje konfirmojmë se “Linda” shpk mund ta marrë në shfrytëzim vinçin nga “B-Bardhi” shpk””.

Mirëpo sipas Ekspertit shqyrtues në këtë marrëveshje nuk tregohet koha se kur është lidhur kjo marrëveshje apo për cilën periudhë është valide, apo është për këtë aktivitet të prokurimit apo për ndonjë projekt tjetër (mungon data/periudha si element i rëndësishëm i marrëveshjes).

Eksperti shqyrtues sqaron se pretendimi i OE ankues qëndron për faktin se Komuna e Ferizajt ka mundur të kërkoj sqarime shtesë në mënyrë që të konstatohet me saktësi, se OE a kanë ofruar vinçin sipas kërkesës së Autoritetit Kontraktues dhe të sigurohet se OE i rekomanduar do ta kenë në shfrytëzim vinçin për këtë aktivitet të prokurimit.

Pretendimi tjetër i OE ankues “G & A Consulting shpk & Pro & Co Group shpk & Beni Construction shpk” ishte se në letrën standarde për tenderuesin e eliminuar iu është thënë se nuk e kanë dorëzuar raportin e auditimit për vitin 2017, sipas kërkesës në dosjen e tenderit.

Eksperti shqyrtues sqaron se ky pretendim i OE ankues qëndron pjesërisht, për faktin se AK nuk ka respektuar nenin 68 par.1 të LPP-së ku theksohet se në përgjithësi, operatorëve ekonomik u lejohet të plotësojnë këtë kërkesë duke paraqitur, nëse është me rëndësi dhe e nevojshme, një ose më shumë nga referencat e dhëna në vijim.

“1.1 raportin ose raportet përkatëse nga një ose më shumë banka. 1.2 evidencë të një police të sigurimit të lëshuar nga një komani e njohur e licencuar e sigurimeve. 1.3 kopje të certifikuara të një ose më shumë bilanceve të gjendjes ose ekstrakteve nga bilancet e gjendjes nëse kërkohet publikimi i bilanceve të tilla të gjendjes në kuadër të ligjit në vendin e themelimit të operatorit ekonomik. 1.4 kopjet e raporteve financiare dhe raporteve të menaxhimit të certifikuara nga një firmë e njohur i licencuar për kontrollim apo një auditor i pavarur. 1.5 deklarata tatimore vjetore të dorëzuara në Administratën Tatimore të Kosovës”, shkruhet në mendimin e Ekspertit.

Lidhur me pretendimet e OE ankues, se Komuna e Ferizajt nuk e ka respektuar nenin 60 të LPP-së, Eksperti shqyrtues sqaron se ky pretendim qëndron pjesërisht dhe se ky aktivitet i prokurimit duhet të rivlerësohet.

“Në mënyrë që të bëhet verifikimi i dëshmive dhe të sigurohet Komuna e Ferizajt se OE i rekomanduar për dhënie të kontratës i plotëson kërkesat e AK-së, dhe po ashtu i rekomandoj AK-së që edhe një herë ta bëjë ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve sipas kërkesave të kualifikimit të specifikuara në njoftimin e kontratës dhe në dosjen e tenderit”, vazhdon mendimi i Ekspertit.

Sipas kontratës së nënshkruar për ndërtimin e palestrës sportive në Ferizaj, ky projekt do të përfundoj në afat dy vjeçar.

Kontratën e nënshkruar, Komuna e Ferizajt e ka publikuar në ueb-faqen e saj.