Këshilli Prokurorial i Kosovës | Foto: KALLXO.com
Oda e Avokatëve “Saboton” Këshillin Prokurorial
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) si një institucion i pavarur i cili ndër të tjera merret me emërimet e prokurorëve, ka më shumë se njëzet ditë që nuk po arrin të funksionalizohet.
Ky këshill nuk po mund të kompletohet me anëtarë jo-prokurorë që vijnë nga Oda e Avokatëve të Kosovës, shoqëria civile dhe Universiteti i Prishtinës.
Të paktën zgjedhja e njërit prej këtyre kandidatëve, propozuar nga Oda e Avokatëve, ka shënuar disa parregullsi, çka rrezikon ta shtyjë në afat të pacaktuar funksionalizimin e Këshillit Prokurorial.
Këshilli nuk ka dhënë informata se sa persona kanë kandiduar nga shoqëria civile dhe po ashtu, nuk dihet se kush janë kandidatët nga Universiteti i Prishtinës.
Për këto kandidatura për anëtarët jo-prokurorë, KPK-ja thotë se do të mësohet në mbledhjen e radhës duke mos dhënë hollësi se kur do të mbahet.
“Deri më tani, nuk janë hapur asnjë aplikacion i kandidatëve”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit për Informim të KPK-së, Hekrem Lutfiu.
Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili ka 13 anëtarë sipas ligjit të ri për KPK, është dashur të funksionalizohet më 1 janar 2016.
Aktualisht Këshilli ka zgjedhur kryesuesin Blerim Isufajn dhe anëtarët prokurorë, Ikramije Bojaxhiu, Bahri Hyseni, Arben Ismajli, Zejnullah Gashi, Dëshirë Jusaj, Radica Miliq dhe Haxhi Sinani.
Ndërsa anëtar i KPK-së nga radhët e prokurorëve do të jetë prokurori Idain Smajli nga Prokuroria e Apelit, ndërsa sipas detyrës zyrtare, do të jetë edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Probleme janë vërejtur në kandidimin e anëtarëve jo-prokurorë nga Oda e Avokatëve të Kosovës.
Kryetari i OAK-së, Ibrahim Dobruna, më 9 nëntor 2015 derisa ishte kryetar i këtij institucioni kishte propozuar tre anëtarë të Odës për një pozitë në KPK, çka shihet në dokumentin e siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë.
“…Oda e Avokatëve propozon listën prej tre kandidatëve të nominuar për përfaqësues të saj në KPK që janë: Ndrecë Dodaj, anëtar i OAK-së me seli në Gjakovë, Musa Dragusha, anëtar i OAK-së me seli nga Prishtina dhe Shpresa Berisha – Rexhepi me seli në Prishtinë”, thuhet në shkresën e kryetarit Dobruna.
Aktualisht, Doburnës i ka përfunduar mandati i kryetarit, por ende nuk është zgjedhur një zëvendësues.
Sipas shkresës, vërehet se të kandiduarit janë përzgjedhur nga vetë kryetari i OAK-së, Ibrahim Dobruna dhe jo nga Këshilli Drejtues i OAK-së siç kishte ndodhur herëve tjera.
Dobruna tha se Ligji i Avokatisë dhe Statuti i Odës së Avokatëve i jep të drejtën të nominojë persona pa vendosur Këshilli Drejtues i OAK-së.
“Pasi kam marrë kërkesën nga Këshilli Prokurorial për t’i dërguar nominimet e kandidatëve, diku pas tri ditësh e kam përpiluar shkresën. Është bërë propozimi i tre kandidatëve që i kam dërguar unë si kryetar i Odës së Avokatëve sipas autorizimeve ligjore që kam”, tha Dobruna.
Ai thotë se në normativin e OAK-së nuk është e saktësuar se kush mund t’i bëjë propozimet.
“Këshilli Drejtues i OAK-së sipas normativës e ka të përcaktuar vetëm propozimin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës ndërsa në rastet e tjera kryetari i OAK-së ka autorizimin të bëjë nominime. Kjo lejohet sipas ligjit të Avokatisë dhe statusit të Odës së Avokatëve të Kosovës”, tha Dobruna.
Dobruna nuk dha përgjigje për Gazetën se cili nen në Ligjin e Avokatisë dhe në Statutin e OAK-së e specifikon këtë përgjegjësi të kryetarit të Odës.
Vetë Gazeta nuk ka gjetur askund në ligj dhe statut të OAK-së të përmendet se kryetari apo Këshilli i Odës ka të drejtën e nominimit
Këtë e konfirmoi edhe anëtari i Këshillit Drejtues të OAK-së, Shemsedin Piraj njëherësh edhe kryetari i OAK-së për Gjilan.
“ Realisht nëse e shikojmë, Këshilli Drejtues duhet ta bëjë propozimin për kandidatët të cilët konsiderojnë që më së miri i plotësojnë kushtet.. Nuk është që kjo rregullohet me ligj por në praktikë ka qenë që emrat i ka propozuar Këshilli Drejtues”, tha Piraj.
E ish-anëtari i KPK-së nga Oda e Avokatëve të Kosovës, Teki Bokshi, kritikoi veprimin e kryetarit Dobruna.
Ai tha se zgjedhja e tij në të kaluarën ishte bërë nga Këshilli Drejtues i OAK-së dhe jo nga kryetari, duke shtuar se i njëjti model duhet të funksionojë gjithmonë.
“Unë në Këshillin Prokurorial një ditë e kam marr vesh që ka shkuar propozim. Kush e ka dërguar i pyeta dhe më thanë që kryetari i Odës i ka propozuar tre anëtarë”, tha Bokshi.
Kandidatët me deklarata kundërthënëse
Dy nga tre të nominuarit nga ish kryetari i OAK-së kanë folur për Gazetën JNK për kandidaturën e tyre për anëtarë të KPK-së duke rënë në kundërshtim me deklaratat e tyre.
Ndrecë Dodaj, anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës nga Gjakova tha se kandidimi i tij ka ardhur nga kryetari i OAK-së, kur ky i fundit ishte ende brenda afatit të mandatit të tij.
“Kuvendi dhe Këshilli Drejtues i kanë bërë disa autorizimeve dhe njëra ndër to është edhe kjo që kryetari mund të nominojë apo propozojë kandidatët për anëtarë të Këshillit Prokurorial dhe procedurat e mëtutjeshme i zgjedh Kuvendi i Kosovës”, tha Dodaj.
Dodaj theksoi se ka punuar si avokat, gjyqtar dhe prokuror që 28 vite.
Kandidatja tjetër, Shpesa Berisha-Rexhepi, pretendoi se e ka parë të arsyeshme të vetë-nominohet.
“Nuk më ka propozuar askush. Kjo iniciativë ka qenë e marrë nga ana ime për shkak se kam konsideruar se kam autoritet dhe kam autorizim të kandidohem sepse jam 36 vjet pjesëmarrëse në sistemin e drejtësisë së Kosovës që kam mirënjohje dhe shpërblime të ndryshme”, tha Berisha-Rexhepi.
Ajo tha se ka përvojë si gjyqtare duke dhënë kontribut në Kosovë dhe Holandë e më pas edhe si avokate.
Në fakt, nominimi i saj mban firmën e kryetarit, ndërsa ‘vetë-nominimi’ nuk ekziston si praktikë ligjore në këtë rast.
Kandidati i tretë, avokati Musa Dragusha i cili në të kaluarën ka qenë edhe kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës nuk deshi të flasë për nominimin e tij.
Tërhiqet kandidati
Por, ish-anëtari i KPK-së nga Oda e Avokatëve të Kosovës, Teki Bokshi, tha se Musa Dragusha ka hequr dorë nga kandidimi.
Bokshi theksoi se në këto kushte, procesi për zgjedhjen e një anëtari për KPK nga radhët e Odës mund të dështojë.
“Nëse ai ka hequr dorë atëherë kandidatura është jorelevante sepse janë vetëm dy kandidatë”, shpjegoi ai.
Musa Dragusha, gjithashtu i nominuar nga kryetari Dobruna, nuk pranoi të flasë as për tërheqjen e tij.
Por tërheqja është konfirmuar zyrtari për Informim i KPK-së, Hekrem Lutfiu.
Ai tha se më 15 janar 2016, KPK-ja ka kërkuar nga Oda e Avokatëve nominimin e së paku një kandidati tjetër, meqë kandidati i propozuar nga kryetari Dragusha “ka njoftuar se tërhiqet nga kandidimi”.
Lutfiu nuk dha arsyet e paraqitura në KPK mbi dorëheqjen e të nominuarit Dragusha.
Pa vulë dhe protokoll
Shkresa e nominimit nga Oda e Avokatëve është pranuar në Kuvend dhe KPK pa vulën e OAK-së dhe pa numër protokolli.
Në dokumentin e dërguar nga kryetari Dobruna për nominimin e tre kandidatëve të KPK, figuron vetëm nënshkrimi i tij.
“Me vetë faktin që është nënshkruar, është nga personi i autorizuar”, tha Dobruna, duke shtuar se “vetëm në Kosovë kërkohen vula të asaj natyre”.
Dobruna pretendon se nënshkrimi është i mjaftueshëm në një shkresë zyrtare, por sidoqoftë, ajo është dërguar ashtu për të mos humbur kohë për shkak të afateve të kërkuar nga KPK-ja për procedim më të shpejtë.
Shkresën e Ibrahim Dobrunës e ka pranuar edhe Këshilli Prokurorial, përkundër faktit që nuk është e vulosur dhe nuk është protokolluar në OAK.
“Dokumenti nuk është i vulosur por është i nënshkruar nga Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Ibrahim Dobruna. Ne e njohim nënshkrimin e Kryetarit të OAK-ut, andaj, nuk lidhemi për vula”, tha zyrtari për Informim i KPK-së, Lutfiu.
Por ky dokument është pranuar edhe në Kuvendin e Kosovës, institucion ky i cili miraton propozimet për anëtarët jo-prokurorë të KPK-së.
Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, pohoi për Gzetën se propozimet nga Oda e Avokatëve të Kosovës kanë ardhur Kuvend me 22.12.2015 përmes Këshillit Prokurorial të Kosovës që mbajnë datën 18. 12. 2015.
“Dokumenti ka logon e Odës së Avokatëve të Kosovës dhe firmën e Kryetarit te Odes”, tha ai.
Sipas Krasniqit, procedimi i këtij rasti në Kuvendin e Kosovës do të bëhet pas fillim të sesionit pranveror.
Anëtari i OAK-së, Teki Bokshi, tha se kryetari Dobruna nuk ka të drejtë ta dërgojë dokumentin pa vulë dhe pa e protokolluar.
“Ky dokument as në aspektin formal nuk i plotëson kushtet e mëtutjeshme. Pse është dërguar kështu është se ka përplasje në Odë”, tha Bokshi.
Ndërsa procesi me nominimet e tjera nga shoqëria civile dhe universiteti është duke u hulumtuar, vetëm nominimet e Odës së Avokatëve, paraqiten si pengesë e mjaftueshme për funksionalizimin e KPK-së.