Xhafer Tahiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nuk sprapset Tahiri, nis procedurat për rrënimin e ish objektit të Gjykatës në Vushtrri

Kreu i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, duket se nuk po sprapset nga rrënimi i ish objektit të Gjykatës Komunale në Vushtrri, përkundër zërave kundërshtues për një gjë të tillë. Komuna e udhëhequr nga Tahiri, ka iniciuar procedura e prokurimit për të përzgjedhur kompaninë e cila do ta rrënoj këtë objekt. Për këtë tender, komuna ka ndarë mbi 6,500 euro.

Javën e kaluar, Komuna e Vushtrrisë bëri publike thirrjen për kontratë lidhur me rrënimin e ish objektit të Gjykatës Komunale në Vushtrri.

Për ta rrënuar këtë objekt, komuna ka parashikuar nënshkrimin e kontratës në vlerë deri 6,577.55 euro.

Për këtë tender, u përdor procedura e koutimit të çmimit me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Për rrënimin e objektit të ish Gjykatës në Vushtrri, komuna kishte dal me vendim parprakisht. Vendimi i datës 25 mars 2021, lejon rrënimi i objektit në fjalë, duke e obliguar kështu Drejtorinë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit dhe Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë që ta zbatojë vendimin.

Gjithashtu përmes këtij vendimi u shfuqizua edhe pika 1.3 e vendimit të dy viteve më parë që ka të bëjë me shfrytëzimin afatgjatë të pronës së Komunës.

KALLXO.com gjeti edhe vendimin e komunës për rrënimin e këtij objekti.

Komuna Vushtrri: Vendimi per rrenimin e ish objektit te Gjykates komunale ne Vushtrri
Vendimi për rrënimin e ish objektit të Gjykatës komunale në Vushtrri.

Lëvizja Vetëvendosje në Vushtrri e kishte kundërshtuar rrënimin e ish objektit të Gjykatës.

Lidhur me rrënimin e ish objektit të Gjykatës në këtë komunë, emisioni “KALLXO Pernime” me Jeta Xharrën, organizoi debatin lidhur me prapaskenat e rrënimit të këtij objekti, ku pati akuza e kundër akuza.

Asamblistja e Vetëvendosjes në Vushtrri, Gresa Muli, në debat kishte thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës u bënë bashkë që ta rrënojnë objektin e ish gjykatës. Sipas saj, më parë kishte vendim për dhënien e objektit në shfrytëzim për 40 vite.

“Në janar të 2019, neve na ka ardhë një propozim, që të njëjtën pronë të Gjykatës, bashkë me pronën ku gjendet edhe “Ura e Gurit” me dhanë në shfrytëzim për 99 vite. Atëherë kryetarit nuk i ka ra ndërmend që të bëjë vlerësimin e objektit, përkundrazi na ka sjellë që ta japim për 99 vjet në shfrytëzim. Është votuar atëherë. Në shkurt të 2019, e kemi bërë plotësim-ndryshimin e atij vendimi, që atë objekt ta japim në shfrytëzim për 40 vite”, kishte thënë Gresa Muli në KallxoPernime.

Asamblisti tjetër, këtë rast nga PDK, Ilmi Azemi, në debat kishte thënë se rrënimi ishte në plan-programin katër vjeçar të këtij subjekti për Vushtrrinë.

“PDK edhe në fushatën paraprake e kemi pas në programin qeverisës 4 vjeçar, që ta rrënojmë këtë objekt, posa të përfundojë ndërtimi i Gjykatës së re. Ne e kemi pasur edhe në programin tonë që të ndërtojmë shesh. Ky objekt nuk përshkruan kurrgjë për neve shqiptarëve, përkundrazi kemi vetëm të kaluar të hidhur nga kjo Gjykatë. Nuk na lidhë asgjë neve me këtë objekt”, citohet të ketë thënë Azemi.

Qëndrim ndryshe nga Azemi, kishte arkitektit Bledian Salihu, i cili qe i ftuar në emisionin “KallxoPernime”.  Salihu në emision tregoi se përse ka kundërshtuar rrënimin e objektit të ish-Gjykatës Komunale në Vushtrri.

Ai tha se i ishte drejtuar edhe Komunës se nuk duhet ngutur që të rrënohet ky objekt.

Kundër vendimit të kreut të Komunës Xhafer Tahiri, wshtw edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. MAPL nuk kishte aprovuar vendimin e komunës për rrënimin e ish objektit të Gjykatës komunale në Vushtrri.

MAPL në vendimin e saj thotë se një vendim i tillë është në kundërshtim me legjislacionin dhe kërkohet nga komuna ta rishqyrtojë.

“Ministria e Administrimi të Pushtetit Lokal, pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit më sipër, vlerëson se akti i komunës është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi. Ministria e Administrimit të Pushteti Lokal, kërkon nga komuna, që të rishqyrtojë këtë vendim”, thuhet në vendim.

Lidhur me vendimin e MAPL-së dhe afatin prej 30 ditësh që kishte komuna ta rishqyrtonte vendimin për rrënim, kreu i komunës Xhafer Tahiri në një përgjigje për KALLXO.com kishte thënë se nuk do ta kthej në Kuvendin Komunal vendimin për rrëzimin e objektit të ish Gjykatës.

Tahiri për KALLXO.com ka paralajmëruar kallëzim penal për MAPL-në nëse nuk tërhiqet nga vendimi.

“Nëse MAPL dhe ministri nuk tërhiqen nga ky veprim, Komuna e Vushtrrisë do të përgatisë kallëzim penal kundër ministrit Elbert Krasniqi dhe zyrtarëve të tjerë që janë përfshi në këtë rast të ndikimit politik e të kundërligjshëm”, ka thënë Tahiri për KALLXO.com.

Tahiri kishte thënë se MAPL nuk ka kompetencë për vendimin që ka dhënë dhe thotë se ministria shkeli rregulloren 10/2019.

Por çfarë thotë Rregullorja 10/2019?

Rregullorja 10/2019 e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, në shtojcën ll të saj thotë se vendimet për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objekteve në pronën e komunës për nevojat e komunës apo institucioneve vartëse të komunës, nuk i nënshtrohen shqyrtimit të detyrueshëm apo të rregullt të ligjshmërisë.

Në anën tjetër ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi kishte thënë për KALLXO.com se ata kanë shqyrtuar vetëm anën teknike të vendimit, duke kërkuar ndarjen e vendimit fillestar të Kuvendit Komunal në dy vendime.

“Pas ndarjes së vendimit, ashtu siç është kërkuar, vendimi për rrënimin e objektit do të dërgohet në ministrinë sektoriale për vlerësim të ligjshmërisë, ndërsa vendimi për shfuqizimin e vendimit paraprak të datës 31.01.2019 lidhur me dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të Komunës, do të vlerësohet nga MAPL”, citohet të ketë thënë Krasniqi.

Ndërsa për paralajmërimi e kryetari Tahiri, ministri Krasniqi thotë se kjo ministri nuk i nënshtrohet presioneve.

“Departamenti ligjor i MAPL-së nuk i nënshtrohet asnjë lloj presioni nga jashtë. Këtë çështje do ta rregullojë gjykata kompetente nëse është e nevojshme”, ka thënë Krasniqi për KALLXO.com.

Ministri Krasniqi ka thënë se në rast se Komuna nuk përgjigjet brenda afati, atëherë autoriteti mbikëqyrës mund ta kundërshtoj atë në gjykatë.

“Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokal Nr. 03/L-040, nëse komuna nuk përgjigjet brenda afatit apo refuzon kërkesën, apo mbështetë vendimin apo aktin e kontestuar për territorin e komunës përkatëse, brenda 30 ditësh pas dështimit për t’ju përgjigjur njoftimit për refuzim apo mbështetë aktin apo vendimin e kontestuar, autoriteti mbikëqyrës mund ta kundërshtoj aktin në fjalë në gjykatën kompetente”, ka thënë Krasniqi për KALLXO.com.