Noterët i lënë gratë e tyre pa prona të regjistruara

Noterët janë prej personave të cilët çdo ditë janë në kontakt të vazhdueshëm me palë, kryesisht në ofrimin e shërbimeve të tyre për çështjet e shit-blerjeve e regjistrimit të pronave.

Me hyrjen në fuqi të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve, ata janë zotuar se secilën palë që kryen shërbime tek noteria e tyre, janë duke e udhëzuar që regjistrimin e pronës ta bëjnë në përputhje me Udhëzimin Administrativ që u mundëson qifteve që me rastin e regjistrimit të pronës në emër të përbashkët, ata do të lirohen nga tarifa për shërbimin e regjistrimit, lirohen nga tatimi mbi pronën për periudhën 1 vjeçare si dhe lirohen nga tarifa për shpenzimet e noterit.

Të njëjtit janë shprehur shumë të kënaqur nga ndikimi pozitiv që thonë që ka ndodhur që nga hyrja në fuqi e këtij Udhëzimi Administrativ.

Mirëpo ndonëse të njëjtit janë shprehur të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij Udhëzimi si dhe kanë deklaruar se vazhdimisht kanë lobuar në respektimin e Udhëzimit, kur vije në pyetje veprimi personal, si duket ata për vetën e tyre më tepër janë duke e aplikuar thënien “Bëj si të them unë, e jo çfarë bëj unë”.

Hulumtimi i fundit i BIRN-it ka rezultuar se nga 69 noterë të Republikës së Kosovës 8 kanë deklaruar se posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

BIRN ka kërkuar të dhënat nga 69 noterët dhe ka marrë përgjgije nga 42 prej tyre.

Hulumtimi tregon se nga 42 noterë nga të cilët kanë dhënë përgjigje, vetëm 2 notere (gra), kanë deklaruar që posedojnë prona të regjistruara në emër të tyre, të cilat i kanë të regjistruara në emrin e tyre personal dhe jo në bashkëpronësi me bashkëshortin.

Kurse gjashtë noterë (burra), kanë deklaruar se ndonëse nuk posedojnë pasuri të paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët, bashkëshortet e tyre posedojnë prona të regjistruara vetëm në emër të tyre.

Ndonëse noterët konsiderohen se janë personat e parë që drejtpërsëdrejti, çdo ditë përballën me trajtimin e këtyre çështjeve dhe në një fare forme veprimet e tyre konsiderohen si të një rëndësie të posaçme në shoqëri, të njëjtit përpos udhëzimeve e këshillave që i përcjellin çdo ditë tek palët, kur vije te veprimi personal, po lënë shumë për të dëshiruar në këtë aspekt.

Përpos noterëve, në këtë aspekt, hiç më mirë nuk qëndrojnë as profesorët e së drejtës.

Profesorët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, të cilët çdo ditë ligjërojnë para studentëve lidhur me respektimin e normave juridike, kur vije puna te regjistrimi i pronës, një numër shumë i vogël prej tyre mund të merret shembull lidhur me respektimin e barazisë gjinore.

Nga 39 profesorë, asistentë profesorë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës të kontaktuar nga KALLXO.com, vetëm 5 prej tyre kanë deklaruar që posedojnë ndonjë pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet.

Ndërsa nga 17 përgjigjet e pranuara nga këta profesorë, asnjë grua profesoreshë në Fakultetin Juridik nuk ka deklaruar që posedon pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortin, madje nga përgjigjet e pranuara ato kanë deklaruar që nuk posedojnë asnjë pronë të regjistruar në emër të tyre.

Ani pse në përgjithësi në mbarë vendin është shënuar rritje në regjistrimin e pronave në emër të përbashkët të dy bashkëshortëve apo në emër të grave, prapë se prapë me hulumtimet e fundit të realizuara nga BIRN, vërehet qartë se ende ka shumë nevojë për vetëdijesim të përgjithshëm lidhur me respektimin e barazisë gjinore.

E kur themi kështu, e kemi fjalën që vetëdijesimi duhet të filloj nga zyrtarët e lartë shtetëror e deri tek qytetarët e thjeshtë.

Janë pikërisht zyrtarët e lartë nga sfera politike, të cilët në kohë zgjedhjesh e fushatash japin shumë premtime, flasin shumë, por që bëjnë pak.

Shumë prej tyre i kemi dëgjuar duke mbajtur fjalime bukur të gjata sa i përket rëndësisë e domosdoshmërisë së respektimit të barazisë gjinore, por që për vete, respektimin e barazisë gjinore nuk e kanë filluar duke e aplikuar fillimisht nga pragu i shtëpisë, meqë nga të dhënat e fundit të BIRN-it, rezulton se politikanët tanë si duket e kanë shmangur këtë prag.

Hulumtimi i BRIN-it i realizuar në qershor të vitit 2018 ka arritur në konstatimin se vetëm katër gra të kryetarëve të komunave të Kosovës kanë pronë në emrin e tyre.

Kurse nga të dhënat e fundit të siguruara nga hulumtimi tjetër rezulton se nga 15 ministrat e qeverisë së re, vetëm katër prej tyre posedojnë prona të paluajtshme të regjistruara në emër të përbashkët me bashkëshortet/ët e tyre.

Aktualisht nga të dhënat të cilat i posedon BIRN nga hulumtimet e kryera që nga viti 2018, rezulton se vetëm 35 nga  1,304 zyrtarë të lartë të Kosovës posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorte.

Pjesë e hulumtimit kanë qenë të gjithë zyrtarët e lartë të vendit, duke filluar nga kryetarët e komunave, nënkryetarët, drejtorët e drejtorive, gjykatësit, prokurorët, mbrojtësit e viktimave, kryetarët e gjykatave, kryeprokurorët, ministrat, zëvendësministrat, sekretarët e ministrive, drejtorët e rajoneve policore, deputetët e deri te presidenti e kryeministri.

Shqetësuese janë shifrat edhe sa i përket “taborit të burrave”, që ndajnë drejtësi.

Nga hulumtimi i BIRN-it i kryer në prill të vitit të kaluar ka rezultuar se asnjë kryetar (burrë) i Gjykatave të Kosovës nuk posedon pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Kurse nga të dhënat e fundit të pranuara nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, lidhur me regjistrimin e pronave në emër të përbashkët të të dy bashkëshortëve kemi kuptuar se deri më tani në vendin tonë në total vetëm 5 mijë e 392 prona janë të regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve. Nga kjo shifër, në vitin 2019, në emër të dy bashkëshortëve u regjistruan 2 mijë e 110 prona.

E nëse e shohim totalin e pronave të regjistruara deri në fund të vitit 2019, rezulton se aktualisht në mbarë vendin janë të regjistruara 2 milion e 355 mijë e 164 prona, nga të cilat 1 milion e 751 mijë e 949 prona janë të regjistruara në emër të burrave, 244 mijë e 308 në emër të subjekteve juridike ndërsa vetëm 358 mijë e 907 prona janë të regjistruara në emër të grave.

Këto të dhëna po ashtu pasqyrojnë se momentalisht në Kosovë, vetëm 15,2% apo 358 mijë e 907 prona janë të regjistruara në emër të grave.

Ligji për Familjen i Kosovës si pasuri të veçantë të bashkëshortëve parasheh pasurinë e cila i ka takuar bashkëshortit në çastin e lidhjes së martesës e cila do të mbetet pasuri e veçantë e tij.
Pasuria e veçantë është gjithashtu edhe pasuria e fituar gjatë kohëzgjatjes së martesës përmes trashëgimit, dhurimit apo ndonjë forme tjetër ligjore të fitimit të pasurisë.

Në bazë të këtij ligji si pasuri e përbashkët e bashkëshortëve konsiderohet pasuria e fituar me punë gjatë vazhdimit të martesës, si edhe të hyrat që rrjedhin nga pasuria e tillë.
Bashkëshortët janë pronarë të përbashkët në pjesë të barabarta të pasurisë së përbashkët.

Qeveria në ikje në një nga mbledhjet e saj të fundit ka njoftuar se e ka aprovuar propozimin për miratimin e Udhëzimit Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ të vitit 2016 për Masat e Veçanta për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme të Përbashkët në emër të dy bashkëshortëve, duke e zgjatur periudhën kohore të zbatimit të këtij udhëzimi edhe për pesë vite

Së fundmi në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, u transmetuan rrëfimet grave të cilat janë në procese gjyqësore me familjarë të tyre për shkak të problemeve lidhur me pronën.

Ato kanë rrëfyer për proceset gjyqësore e vështirësitë me të cilat po ballafaqohen për të përfituar ligjërisht të drejtën e tyre për të poseduar pronën që konsiderojnë që u takon.