Njeriu i lidhur me PDK-në vendosi për punësimet e PDK-së në ATK

Administrata Tatimore e Kosovës e ka vendosur në krye të komisionit të rekrutimit të inspektorëve njërin nga drejtorët e ATK-së i cili në të kaluarën kishte lidhje të forta me PDK-në.

Ish-asamblisti dhe themeluesi i degës së PDK-së në Mitrovicë, Ukshin Rreci, ishte caktuar ta drejtonte komisionin e ATK-së për punësimin e 20 inspektorëve.

Hulumtimet e KALLXO.com zbuluan se të paktën 6 nga 20 të punësuarit si Inspektor në këtë institucion kanë lidhje të forta politike. Katër nga të punësuarit lidheshin me PDK-në, një me AAK-në dhe një me LDK-në.

KALLXO.com ka siguruar dokumentin me të cilin drejtori rajonal i ATK-së në Mitrovicë, Ukshin Rrecaj, ishte emëruar kryetar i komisionit.

Rrecaj është njëri nga themeluesit e degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, ndërsa për disa vite ka qenë edhe asamblist i kësaj partie në Mitrovicë.

Bashkë me Ukshin Rrecajn, anëtar të komisionit për përzgjedhjen e inspektoreve ishin edhe Arben Istogu, Teuta Morina, Magbule Shala dhe Tatjana Bojkovic.

Pas procesit të testimit dhe intervistimit komisioni i drejtuar nga Rrecaj kishte nxjerrë rezultatet për personat e përzgjedhur.

KALLXO.com ka kërkuar qasje në gjithë dokumentacionin e komisionit për këtë konkurs, por ATK-ja ka vendosur t’i mbajë sekrete ato.

Disa nga të punësuarit kishin lidhje direkte me PDK-në e udhëhequr nga Kadri Veseli:

Kishte të punësuar edhe persona të afërm me partitë e tjera, përkatësisht AAK-në dhe LDK-në. Ishte punësuar Veton Ademi, ish-kandidat i AAK-së për asamblist të Drenasit në zgjedhjet e vitit 2017.  E punësuar si inspektore ishte edhe Ilona Osmani- Mrasori, motra e deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani .

Kryetari i komisionit që bëri këtë përzgjedhje Ukshin Rrecaj nuk është përgjigjur në pyetjet e KALLXO.com. Pyetjet i janë dërguar në e-mail zyrtar ndërsa i janë përcjellë edhe me SMS në telefonin e tij. KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë edhe përmes telefonit, por ai nuk është përgjigjur.

Kallxo.com ka kërkuar nga ATK të ketë rezultatet përfundimtare të kandidatëve për Inspektor për të krahasuar rezultatet nga testi dhe ato nga vlerësimi, por kërkesa është refuzuar.

Ukshin Rrecaj më parë kishte qenë menaxher i ATK-së në Mitrovicë. Në të njëjtën kohë, Rrecaj për disa vite ishte edhe kryesues I bordit të kompanisë “Uniteti”.

Rrecaj u bë i njohur për publikun pasi Emisioni “Drejtësia në Kosovë” raportoi se kishte rënë në konflikt  interesit pasi mbante dy pozita, menaxherit të ATK-së dhe postin kryesuesit të bordit në kompaninë për menaxhimin e mbeturinave në Mitrovicë “Uniteti” pa pasur lejen e menaxherëve të ATK-së.

Konkursi për inspektorët e rinj ishte shpallur në mars të vitit 2019.

Në të kanë aplikuar rreth 2,000 kandidatë, ndërsa 512 kandidatë i kanë plotësuar kriteret minimale dhe janë thirr në test. Në fund vetëm 20 janë përzgjedhur.

Pas shpalljes së konkursit, BIRN kishte kërkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës që t’i lejohej monitorimi i këtij procesi të rekrutimit.

ATK nuk e ka lejuar BIRN-in të monitorojë këtë proces përkundër faktit që Ministria e Administratës Publike kishte dhënë interpretim të ligjit dhe rregulloreve në fuqi që monitorimi nga ana e shoqërisë civile nuk ndalohet me ligj dhe se i takon institucionit të vendosë për të lejuar apo mos lejuar monitorimin. Por, menaxhmenti i ri i ATK-së kishte vendosur që mos ta lejojë BIRN-in.

Kërkesat e BIRN ishin refuzuar me arsyetimin se kjo mund të shfrytëzohej si model edhe nga organizatat e tjera  që të kërkonin leje për monitorimin e proceseve të rekrutimit në ATK.