Foltorja e e asamblesë komunale të Gjakovës | Foto: Atdhe Mulla

Nga Gjurmët e Gishtave në Shkelje të Ligjit të Prokurimit

Qytetarët e Komunës së Gjakovës do të duhet të presin të paktën edhe disa muaj që dokumentet e tyre civile t’i marrim në formë elektronike pasi që tenderi i Komunës së Gjakovës për funksionalizimin e këtyre aparateve është anuluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).

Më 30 mars të këtij viti, Komuna e Gjakovës kishte publikuar njoftimin për kontratë për tenderin “Funksionalizimi i aparateve për shërbim digjital /ATM”, por ndaj këtij njoftimi pati ankesa.

Duke shqyrtuar ankesën e një kompanie që ishte e interesuar të ofronte këtë shërbim, OSHP-ja shpërfaqi se tenderi i Komunës së Gjakovës i diskriminonte disa kompani që ishin të interesuara për këtë kontratë.

Eksperti shqyrtues i caktuar nga OSHP-ja për të bërë ekspertizën për pretendimet e kompanisë ankuese, gjeti një varg shkeljesh në raportin e tij.

Në konstatimet e ekspertit të dorëzuara më datë 11 maj 2016, thuhet se disa nga specifikat teknike të kërkuara nga komuna e Gjakovës nuk janë fare të nevojshme.

“Portet RSR232, Porti LTP, Porti LDVS, nuk kanë të bëjnë fare me aspektin e sigurisë pasi që këto porte përdoren për ndërlidhje me pajisje tjera dhe si të tilla, [duhet] të definohet saktë përdorimi i tyre apo lejimi i përdorimit të porteve të ndryshme”, thuhet në konstatimet e ekspertit të OSHP-së.

Ndërtesa e Komunës së Gjakovës | Foto: KALLXO.com
Ndërtesa e Komunës së Gjakovës | Foto: KALLXO.com

Gjithashtu, eksperti konstatoi se duke ditur që këto makina do të printojnë dokumente sipas kërkesave të ndryshme dhe jo me sasi të mëdha njëkohësisht, kushti për printim të shumë dokumenteve nuk duhet të qëndrojë.

“Pasi do të lëshohen shumë formate të ndryshme të dokumenteve, atëherë shumëllojshmëria e tyre është e domosdoshme”, thotë eksperti.

Në konstatimet e tij, gjithashtu, eksperti ka ngritur edhe një pyetje domethënëse lidhur me kërkesat e Komunës së Gjakovës, duke cekur parimin e mbrojtjes së të dhënave personale.

“Bazuar në ligjet përkatëse është e ndaluar të merren gjurmët e gishtërinjve, dhe i vetmi institucion i autorizuar për këtë veprim është MPB [Ministria e Punëve të Brendshme], gjë që nëse Komuna e Gjakovës ka një miratim nga Agjencia për mbrojtjen e të dhënave personale, duhet ta dëshmojë, në të kundërtën si produkt duhet të largohet”, konstaton eksperti.

E gjetura kryesore e ekspertit të OSHP-së, thotë bie ndesh me nenin 7 të Ligjit të Prokurimit Publik në Kosovë, duke qenë se mbështet vetëm një lloj prodhuesi.

“Paradefinimi i modelit si dhe llojit të printerit me të gjitha specifikat të dërgon vetëm tek një prodhues Lexmark, andaj si të tillë është e pamundur të gjendet edhe një prodhues tjetër me këto specifika”, thuhet në konstatimin e ekspertit të OSHP-së.

Foto nga Wikimedia Commons
Foto nga Wikimedia Commons

Eksperti konstaton më tej se përcaktimi i tillë i dizajnit me specifika nuk lejon që të aplikojnë prodhues të tjerë.

Me të gjeturat e ekspertit janë pajtuar si kompania që u ankua ashtu edhe Komuna e Gjakovës.

Në përgjigjen përmes e-mailit për Gazetën Jeta në Kosove, komuna mohon se ka përcaktuar kritere diskriminuese, por ka kërkuar elemente më të sofistikuar se sa ato që përdoren tash.

“Komuna e Gjakovës ka zgjedhur një paketë të ATM/e-Kisokut i cili duhet të jetë më i sofistikuar dhe në të cilën ka të përfshira shumë opsione. Konkretisht është menduar edhe për programe të tjera të cilat mund të inkorporohen edhe në të ardhmen. Për këtë e mohojmë që në specifikat e paraqitura ka kritere diskriminuese, por ka vetëm kritere që kërkojnë elemente më të sofistikuar sesa elementet që përdoren aktualisht”, thuhet në përgjigjen e zyrës së informimit të Komunës së Gjakovës.

Më tej në përgjigjen e Komunës së Gjakovës thuhet se kjo është arsyeja që në raportin e OSHP-së është kërkuar që të ndryshohen vetëm disa porte, konkretisht të lejohen edhe porte ekuivalente, por jo edhe të ndryshohet e tërë struktura.

Komuna pretendon se qëllimi ka qenë që të ofertojnë kompanitë serioze dhe jo vetëm me çmim më të ulët por edhe me cilësi.

“Njëherë ju informojmë që Komuna e Gjakovës nuk ka pasur asnjëherë për qëllim dhe nuk ka bërë kritere diskriminuese, mirëpo ka është munduar që në mënyrë më të detajuar dhe specifike të caktojë kriteret që të ofertojnë operatorë seriozë, të cilët nuk kanë qëllim vetëm çmimin por edhe cilësinë, prandaj edhe një nga kriteret pati vendosur ISO standardet, të cilat tashmë janë hequr sipas rekomandimeve të OSHP-së”, shton komuna.

Sipas zyrës për informim të komunës, tenderi është anuluar dhe tashmë është në proces të ri-tenderimit me qëllim që mos të ketë vërejtje të tjera nga OSHP-ja.

Për dallim nga Komuna e Gjakovës e cila ende nuk ka arritur të funksion shërbimin e digjitalizuar për dhënien e dokumenteve për qytetarët e saj, Komuna e Prishtinës këtë shërbim e ofron prej disa muajsh.

Automatet e vetëshërbimit për dokumente nga Komuna e Prishtinës | Foto: Komuna e Prishtinës
Automatet e vetëshërbimit për dokumente nga Komuna e Prishtinës | Foto: Komuna e Prishtinës

Për Gazetën Jeta në Kosove, nga zyra për informim në Komunën e Prishtinës thonë se nuk kanë hasur në telashet të cilat është duke u ballafaquar Komuna e Gjakovës lidhur me specifikimet teknike.

“Kemi kërkuar dhe parashtruar specifikat për E-Kiosk (për aparaturë). Bazuar në specifika të paraqitura janë lajmëruar kompanitë relevante. Në specifika nuk guxon të ceket firma e printerit”, thuhet në përgjigjen e Komunën e Prishtinës të pyetur nga Gazeta JNK.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), bëhet e ditur se nuk ka pas kërkesë të tillë nga komune e Gjakovës.
“Deri më tani nuk kemi pasur asnjë kërkesë të tillë, gjithashtu se sa kanë të drejt këtë kërkesë duhet ta adresoni tek Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në përgjigjen e MPB-së

Ministria më tej tregon për bazën ligjore që e rregullon marrjen e gjurmëve të gishtërinjve.

“Ju njoftojmë se sipas stanarëve të ICAO, kërkohet që gjurmët e gishtërinjve merren për dokumente (letërnjoftim dhe pasaportë) për identifikimin e qytetarit, prandaj ne këtë fushë e kemi të rregulluar me ligjet për letërnjoftime dhe dokumente të udhëtimeve”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Sipas këtyre ligjeve, rezulton se gjurmët e gishtave realizohen vetëm nga Ministria e Brendshme dhe vetëm për këto dokumente të cekura në përgjigjen e saj.

Këto të dhëna personale, përkundër pretendimeve të komunës, nuk mund të vihen në dispozicion për dokumente si certifikata, vërtetime dhe dokumente të tjera civile, çka parashihet të prodhojnë makineritë e tenderuara.

Ligji për Letërnjoftimet

Ligji Nr.05/L-015

Neni 9

Përmbajtja e letërnjoftimit

Letërnjoftimi përmban të dhënat si në vijim:

Ku në paragrafin 2 është e përcaktuar.

2. Letërnjoftimi përmban çip-in, në të cilin përveç të dhënave nga paragrafi 1 i këtij neni janë të ruajtura edhe:

2.1. Gjurmët e gishtërinjve