Foto: Laura Boushnak / The New York Times

New York Times: Brnabiq e pranon se bandat kriminale kanë “lidhje të forta” me strukturat shtetërore

Menjëherë pas arrestimit të një të dyshuari për udhëheqjen e një bande kriminale muajin e kaluar në lidhje me një seri vrasjesh që kishin të bënin me prerje kokash dhe tortura, zyrtarët policorë të Serbisë kishin kryer bastisje në  atë që ata besonin se ishte strofulla e fshehtë e këtij grupi: një dhomë si bunker në brendi të stadiumit të përdorur nga ekipi futbolistik “Partizani” nga Beogradi, një ekip me plot histori futbolli në kryeqytetin serb.

Dhoma, e vendosur në një restorant të shkatërruar poshtë stendave, është mbyllur si një skenë krimi pasi që hetuesit duke kërkuar prova të lidhjeve midis huliganëve të futbollit dhe krimit të organizuar, gjetën armë atje.

Muri i jashtëm është i lyer me bojë të bardhë dhe të zezë me emrin që tifozët e Partizanit e përdorin për veten e tyre: “Grobari” (Varrëmihësit).

Emri meriton një epitet të tillë. Tifozët serbë të futbollit, të paktën ata që në ditët e para-pandemisë futeshin në tribunat e trazuara në jug të stadiumit të Partizanit dhe anën veriore po aq anarkiste të arenës të përdorur nga kundërshtarët e tyre po ashtu nga Beogradi, Crvena Zvezda (Ylli i Kuq), kanë kohë që kanë një reputacion për dhunë të jashtëzakonshme.

Një tifoz francez që udhëtoi në Beograd në vitin 2009 për ta përkrahur ekipin e tij, Toulouse, në një lojë kundër Partizanit, humbi jetën pasi u rrah me shufra hekuri dhe zinxhirë biçikletash. Në atë rast, 14 tifozë të Partizanit u dënuan për vrasje.

Tendencat e dhunshme gjithashtu i kanë bërë tifozët serbë të futbollit, veçanërisht ata të dy ekipeve rivale të Beogradit, një forcë të fuqishme në rrugë dhe në politikën e trazuar të Serbisë.

Pyetja që tani po i merr kohë Serbisë është ajo që rezultoi në arrestimin muajin e kaluar të Veljko Belivuk, i cili dyshohet të jetë një gangster dhe udhëheqësi i një grupi tifozësh të dhunshëm të Partizanit. Për një kohë të gjatë ai ka vepruar duke mos u ndëshkuar dhe raportohet të ketë pasur lidhje të ngushta me qeverinë dhe forcat e sigurisë.

 

Sipas qeverisë, Belivuk është një mafioz brutal arrestimi i të cilit sinjalizon një vendosmëri për t’i frenuar bandat kriminale që ndihmuan në nxitjen e dhunës së tmerrshme të luftërave ballkanike të viteve 1990, që vranë një kryeministër reformator në vitin 2003 dhe i ka vështirësuar përpjekjet e Serbisë për t’u bërë një vend normal evropian.

Më 6 mars, pasi televizioni shtetëror transmetoi pamje të tmerrshme të një kufome me kokë të prerë dhe trupit të gjymtuar të një të riu me një tatuazh të Crvena Zvezdës në këmbën e tij – viktima të supozuara të bandës së Belivuk, presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili njëkohësisht është tifoz i devotshëm i klubit Crvena Zvezda, deklaroi se “porosia jonë është që ne i kemi dhënë fundin kësaj bande.” 

Hetuesit gjithashtu e kanë lidhur Belivukun me një luftë të gjatë njëdekadëshe droge midis dy klaneve kriminale rivale për kontrollin e një rruge fitimprurëse trafiku përtej Detit Adriatik nga fqinji i Serbisë, Mali i Zi, në Evropën Perëndimore.

Versioni i qeverisë për arsyen pse u arrestua Belivuk dhe 16 nga bashkëpunëtorët e tij, megjithatë, i ka tronditur ata që e përcjellin punën e klubeve të futbollit serb dhe tifozët e tyre, më të dhunshmit prej të cilëve njihen si “ultras”.

“Huliganët tanë të futbollit kontrollohen nga shteti – ata bëjnë atë që shteti u thotë të bëjnë”, tha Mirko Poledica, presidenti i Shoqatës së Futbollistëve Profesionistë “Nezavisnost” (Pavarësia), shoqata kryesore e lojtarëve të Serbisë.

Tifozët e dhunshëm, të tillë si Belivuk, tha ai, janë një forcë kaq e frikshme saqë kontrolli i tyre ka qenë gjithmonë një prioritet për çdo qeveri që dëshiron t’i shmangë telashet dhe të mbetet në pushtet.

Belivuk ishte një mjet i qeverisë, tha ai, i përdorur për të ndihmuar në pengimin e tubimeve opozitare dhe për të ofruar siguri në rrugën drejt inaugurimit të Vuçiqit në vitin 2017.

Ana Brnabiq, kryeministrja e Serbisë, tha në një intervistë se Vuçiq, larg nga të qenit partneri i Belivukut, ishte shënjestra e tij. “Unë kam një informacion të besueshëm se jeta e tij ishte në rrezik,” tha ajo. “Ishte koha për të vepruar për shkak të të gjitha kërcënimeve të bëra nga krimi i organizuar.”

Megjithatë, ajo pranoi që bandat kriminale kishin zhvilluar “lidhje të forta” me strukturat shtetërore dhe të sigurisë dhe se këto ishin tani duke u hetuar dhe çrrënjosur. “Padyshim, mafia nuk do të ishte aq e fortë nëse nuk do të kishte mbështetje në qeveri”, tha ajo.

Duke shtuar një pikëpamje të gjërë se Vuçiq po fsheh diçka, megjithatë, ka qenë një fushatë e egër shpifëse në mediat proqeveritare drejtuar atyre të cilët e kanë sfiduar storien e presidentit për një goditje direkte ndaj krimit të organizuar.

Vladimir Vuletiq, profesor i së drejtës juridike në Beograd dhe ish nënkryetar i klubit të futbollit “Partizani” i cili doli në publik me akuza për një bashkëpunim të qeverisë me udhëheqësin e arrestuar të bandës, është sulmuar egërsisht çdo ditë në ballinat e gazetave që janë mbështetëse të Vuçiq.

Brnabiq mohon se kjo fushatë ishte orkestruar nga qeveria.

Gjithashtu i njollosur nga ballinat mediatike ka qenë Krik, një grup shumë i respektuar gazetarësh hulumtues që ka raportuar për vite me radhë për ndërlidhjet midis zyrtarëve qeveritarë dhe bandës së Belivuk.

Stevan Dojçinoviq, kryeredaktori i Krik, tha se krimi i organizuar në Serbi – dhe zyrtarët qeveritarë – ishin lidhur prej kohësh me “forcën brutale të natyrës” të siguruar nga huliganët e futbollit.

“Politikanët gjithmonë kanë pasur frikë nga huliganët tanë. Pavarësisht se kush është në pushtet, ata gjithmonë krijojnë një partneritet me ta, ”tha ai.

Vështirësitë e partneritetit me huliganët, megjithatë, u bënë të dukshme nga rrëzimi i ish-presidentit të Serbisë, Slobodan Millosheviq. Nën sundimin e tij në vitet 1990, huliganët vërshuan në radhët e grupeve paramilitare të sponsorizuara nga shteti që shpërndanë kaos të madh kudo në Bosnjë dhe Kosovë pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

 

Se Millosheviq, për të cilin Vuçiq shërbeu si ministër i Informacionit dhe shërbimet e sigurisë të të cilit punuan ngushtë me huliganë dhe kriminelë, ishte në telashe serioze u bë e qartë kur ultrasit e Crvena Zvezdës filluan të brohorisnin “Slobodan vrit veten tënde!” gjatë ndeshjeve të futbollit. (Prindërit e tij kishin vdekur që të dy në raste të vetëvrasjeve.)

Millosheviq humbi pushtetin në vitin 2000 pasi ultrasit i udhëhoqën studentët dhe protestuesit e tjerë në sulmin ndaj ndërtesës së Parlamentit në Beograd.

Kur Jugosllavia, pjesë e së cilës ishte Serbia atëherë, filloi të shpërbëhej në fund të viteve 1980, një shenjë e hershme e luftës së afërt erdhi në majin e vitit 1990 kur klubi i futbollit Crvena Zvezda udhëtoi për një ndeshje futbolli në kryeqytetin kroat, Zagreb, Ndeshja u ndalua pasi tifozët rivalë organizuan një përleshje të dhunshme dhe i vunë flakën stadiumit.

Midis mbështetësve të Crvena Zvezdës që kishin udhëtuar në Zagreb ishte edhe Vuçiq, i cili më vonë mburrej se ai “shpesh përleshej” në lojëra.

Poledica, shefi i Shoqatës së futbollistëve, deklaroi: “Politikanët tanë gjithmonë kanë frikë nga stadiumi dhe fuqia e tmerrshme e tij. Ata e dinë se çdo pakënaqësi në stadium shumë shpejt mund të përhapet edhe në rrugë andaj duan ta kontrollojnë atë. ”

Ai shtoi se nuk e dinte pse autoritetet ishin kthyer kundër Belivuk mirëpo spekuloi se Belivuk dhe pasuesit e tij i kishin tejkaluar kufijtë. “Të gjithë e dinin se ishin të dhunshëm, se rrahin njerëz dhe kërcënojnë. Por të presësh koka? “

Avokati i Belivuk, Dejan Lazareviq, tha se klienti i tij nuk ishte akuzuar ende zyrtarisht dhe se nuk kishte prova që do të dilnin në mbështetje të akuzave për vrasje, kidnapimit dhe krimeve të tjera të rënda të bëra kundër tij nga zyrtarët shtetërorë.

Profesori Vuletiq deklaroi se Belivuk dhe një huligan i njohur si “Sale Mutavi”, i cili që atëherë është vrarë, së pari morën kontrollin në pjesën jugore të stadiumit të Partizanit menjëherë pasi Vuçiq u bë kryeministër në vitin 2014 dhe filloi ta rrahë këdo që brohoriste kundër tij.

Dyshimet se Belivuk kishte miq të fortë në qeveri, ose të paktën zbatues të ligjit, janë rritur që nga viti 2016, kur ai u arrestua me akuza për vrasje, por më pas u la i lirë pasi ADN-ja dhe dëshmitë tjera kundër tij u zhdukën ose duhej të hidheshin poshtë për shkak të manipulimeve me dëshmitë.

Krik, grupi i raportuesve hulumtues, më vonë publikoi fotografi përmes së cilës shfaqej një anëtar i xhandarmërisë së Serbisë, një forcë policie, që përcillte lojëra futbolli bashkë me Belivukun. Në atë kohë, zyrtari policor ishte në një marrëdhënie me një zyrtar të lartë përgjegjës për Ministrinë e Brendshme.

Ky partneritet me qeverinë, deklaroi Dojçinoviq, redaktori i Krik, u prish vitin e kaluar për arsye të panjohura, ndoshta për shkak të një përçarjeje të brendshme në Partinë Përparimtare të Serbisë (Srpski Pokret Obnova) e udhëhequr nga Vuçiq, disa prej anëtarëve të së cilës janë kapur në hetimet e bëra ndaj Belivukut.

Midis atyre që janë marrë në pyetje nga policia në lidhje me rastin është Slavisa Kozeka, presidenti i Shoqatës së Futbollit të Serbisë. Kozeka, zyrtar i lartë në partinë qeverisëse, ishte më herët një aktivist me petk nacionalist të ekstremit të djathtë që për vite me radhë udhëhiqej nga një i dënuar kriminel lufte.

Krejt kjo reklamë e keqe ka inatosur tifozët paqësorë të klubit të Partizanit, të tillë si Vladimir Trikiq. Teksa shëtitet përgjatë rajonit qendror të Beogradit, Dorcol, ai tregon murale të artistëve, regjisorëve të teatrit dhe poetëve që kanë bërë tifo për klubin. Partizani, megjithëse ishte i lidhur ngushtë me ish-Ushtrinë Jugosllave, tha ai, “gjithmonë ka qenë një ekip për intelektualët”.

 

Për tifozë të zakonshëm të Partizanit, Belivuk asnjëherë nuk ishte një tifoz i vërtetë, por një mashtrues i dërguar nga Vuçiq për të kontrolluar dhe diskredituar rivalët e mëdhenj të ekipit të tij.

Gjatë një loje të Partizanit në Beograd javën e kaluar, të zhvilluar para tribunave kryesisht të zbrazëta për shkak të pandemisë, Zoran Krivokapiq ishte një nga një numër i vogël i tifozëve që arritën të futeshin në stadium. Ai tha se kishte marrë pjesë në çdo ndeshje që luhej në shtëpi për 47 vjet dhe e  fajësoi ngritjen dhe rënien e Belivukut për atë që ai tha se ishte një hakmarrje personale kundër Partizanit nga presidenti Vuçiq.

“Ai dëshiron ta shkatërrojë Partizanin dhe t’i japë mundësinë Crvena Zvezdës që të ngritet,” tha ai.

Përkthyer nga: Nuhi Shala