Nënshkrimi i dyshimtë i Ramush Haradinajt

Këtë të premte në “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hulumtimin ekskluziv për skandalin e falsifikimit të vendimit për Kryesuesin e Bordit të ZRRE-së.

Kryeministri Ramush Haradinaj kishte nënshkruar një vendim që dikush ia kishte ndërruar.

Më 24 korrik i Ramush Haradinaj dhe ministrat e Qeverisë së tij votuan që kuvendit t’i shkojnë 4 emra për të zgjedhur njërin nga ta kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Por, emrat e votuar nuk u shtypën në letër. Dy nga ta u hoqën në mënyrë misterioze nga lista.

Në gusht të këtij viti, Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar se u ndryshua vendimi i Qeverisë, i cili u nënshkrua nga Haradinaj. JNK kishte gjetur se nga lista u hoqën Fadil Ismajli dhe Përparim Kabashi.

Kryeministri mohon se i ka hequr ai emrat, ndërsa refuzon ta thotë emrin e atij që e ka bërë këtë ‘falsifikim’.

Ndërsa emrat u kthyen në kuvend, vetëm pasi deputetët e komisionit për zhvillim ekonomik kërkuan sqarim nga Haradinaj.

Flasin: Kryeministri Ramush Haradinaj; deputetët Mimoza Kusari-Lila, Dardan Sejdiu dhe Hykmete Bajrami; Rinora Gojani nga BFG/KOSID; Gazetarja e BIRN, Erjonë Popova dhe përgjigje për këtë temë deklarohen edhe Sekretari i Përgjithshëm i ZKM-së, Fitim Krasniqi; ministri i MZHE-së, Valdrin Lluka; Ambasada Britanike në Kosovë dhe personazhi kryesor i kësaj ngjarje, Fadil Ismajli.

Si u përfshi kryeministri Haradinaj në skandalin e falsifikimit të vendimit të qeverisë?

Cila ishte skema dhe kush toleroi këtë skandal?

Cilët emra u zhdukën dhe kush e obligoi qeverinë Haradinaj t`i rikthejë emrat në Kuvend?