Në javën e dytë të pandemisë, QKUK-së i anulohet tenderi për shampon e letër higjienike

Qendra Klinike Universitare e Kosovës edhe më tej nuk do të ketë shampon e letër higjienike për pacientët e saj.

Kjo pasi, Gjykata e Tenderëve ka kërkuar nga QKUK ta anulojë tenderin “Furnizim me material higjienik”.

Bazë e vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit kanë qenë shkeljet që janë bërë në këtë tender ndërsa QKUK e ka zbatuar vendimin e OSHP-së duke e anuluar tenderin.

“Bazuar në vendimin e OSHP anulohet aktiviteti i prokurimit “Furnizim me material higjienik”, thuhet në njoftimin për anulim të tenderit nga QKUK.

Për këtë tender ishin dorëzuar ofertat e bizneseve, ndërsa bazuar në procesverbal e hapjes së ofertave del që ministria kishte pranuar dy oferta, operatori ekonomik “Troja” kishte ofertuar me 133 mijë e 700 euro, ndërsa operatori ekonomik “Euro Kosova” me 142 mijë e 750 euro.

Ndërsa Qendra Klinike Universitare e Kosovës kishte planifikuar të shpenzojë  152,250.00 euro për t’u furnizuar me material higjienik për 12 muaj.

QKUK kishte planifikuar të blinte: 80,000 copë Letër për duar, 15,000 copë Letër Tualeti dhe 30,000 litra Shampon për duar.

QKUK kishte hapur tenderin në qershor të vitit 2019 ndërsa deri më tash ende nuk e ka një operator, i cili do të furnizonte klinikat me shampon për duar, letra për duar dhe letra tualeti.

Në vendimin e OShP thuhet që aprovohet ankesa e operatorit ekonomik “Troja” dhe ka obliguar QKUK që nëse ka interes për ta vazhduar këtë duhet ta ritenderojë.

Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte konstatuar se QKUK ka dëmtuar dhe nuk ka ruajtur mostrat duke e bërë të pamundur rivlerësimin e mostave nga eksperti shyrtues i OShP-së.

Me këto veprime QKUK ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, duke shkelur nenin e 59-të të këtij Ligji, i cili ka të bëjë me ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve.

“Anulohet në tërësi aktiviteti i prokurimit me titull: “Furnizim me material higjienik”, (QKUK), ndërsa nëse edhe me tutje AK-ja, ka interes për të vazhduar me këtë aktivitet të prokurimit të njëjtin mund ta ritenderojë konform dispozitave te LPP-se”, thuhet në vendimin e OShP-së.

Sipas vendimit të OShP nëse operatorit ekonomik do t’i kërkohej zëvendësimi i letrave të dëmtuara do të ishte në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, duke shkelur kështu nenin e 62-të të këtij Ligji sepse kërkimi i zëvendësimit të mostrave nuk është kërkuar në specifikat e tenderit.

Historiku i tenderit

Për ta furnizuar QKUK-në me material higjienik, fillimisht ishte rekomanduar operatori ekonomik “Troja” si operatori me çmimin më të ulët, ndërsa operatori ekonomik “Euro Kosova” ishte shpallur i papërgjegjshëm për shkak se nuk kishte deklaruar përmbajtjen dhe cilësinë e shamponit të duarve dhe kishte pasur letër të hollë dhe jo cilësore.

“Tenderi juaj është refuzuar për këto arsye: Shamponi i cili është ofruar mostër nuk ka përshkrim rreth përmbajtjes dhe cilësisë. Letra është jocilësore është shumë e hollë (ngjitet për duar)”, thuhet në letrën e QKUK-së përmes të cilës është njoftuar kompania “Euro Kosova” për eliminim nga tenderi.

Pas arsyeve të refuzimit, të cilat i kishte marrë nga QKUK, kompania “Euro Kosova” kishte kërkuar që lënda të rishqyrtohej.

Më pas, me 7 gusht QKUK-ja e kishte pezulluar këtë tender për shkak të ankesave të operatorit ekonomik “Euro Kosova”.

QKUK e kishte refuzuar kërkesën e operatorit “Euro Kosova” me arsyetimin se është e pabazuar dhe se vlerësimi i ofertave është bërë në bazë të Ligjit të Prokurimit.

Vendimi i  dytë i OShP-së 

Kompania “Euro Kosova” pas refuzimit të kërkesës për rishqyrtim nga QKUK kishte dorëzuar përsëri ankesë në OShP.

QKUK përsëri kishte pezulluar tenderin pas ankesës së dytë të operatorit “Euro Kosova”.

Edhe pas ankesës së dytë të kompanisë “Euro Kosova”, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) kishte marrë vendim që të anulohet njoftimi për dhënien e kontratës për operatorin “Troja”, ndërsa kishte rekomanduar që lënda të kthehej në rivlerësim.

Paneli shqyrtues në OShP-së në vendimin e tij ka sqaruar se ankesa e parashtruar nga operatori ekonomik është kundër dhënies për kontratës.

Në vendim thuhet që QKUK nuk e ka respektuar vendimin e parë të OShP-së  ku sipas panelit shqyrtues, cilësia e materialeve pa raporte laboratorike nuk mund të përcaktohet.

Sipas panelit shqyrtues vlerësimin e mostrave e ka bërë komisioni i ri-vlerësimit dhe jo një person tjetër siç parashihet me ligj.

Paneli shqyrtues po ashtu sipas ekspertes profesionale ka konstatuar se QKUK nuk ka bërë vlerësim dhe krahasim të ofertave si dhe nuk e ka bërë numërimin e letrave të duarve, që sipas operatorit ankues kompania “Troja” ka pasur 222 fletë, ndërsa sipas dosjes së tenderit do të duhej të ishin 250.

Gjithashtu operatori ankues ka pretenduar se kompania “Troja” ka dërguar letër më të shkurtër 45 metra nga sa është kërkuar (200).

Pas rekomandimeve të Gjykatës së Tenderëve dhe rivlerësimit nga QKUK, tenderi i është dhënë kompanisë “Euro Kosova”, ndërsa oferta e kompanisë “Troja” është shpallur e papërgjegjshme.

Pas vendimit të QKUK, kompania “Troja” është ankuar duke kërkuar që lënda të kthehet në rishqyrtim me ç’ rast ishte pezulluar tenderi.

QKUK ka refuzuar ankesën e kompanisë “Troja” duke e cilësuar si të pabazuar.

Edhe pas këtij vendimi të QKUK-së, kompania “Troja” tashmë është duke kërkuar nga Gjykata e Tenderëve ta kthejë lëndën në rishqyrtim duke pretenduar se QKUK ka bërë shkelje të ligjit.

Vendimi i parë i OShP-së

Kompania “Euro Kosova” pas refuzimit të kërkesës për rishqyrtim nga QKUK kishte dorëzuar ankesë në OShP.

QKUK përsëri ka pezulluar tenderin pas ankesës së dytë të operatorit.

Pas ankesës së “Euro Kosova”, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) kishte marrë vendim që të anulohet njoftimi për dhënien e kontratës për operatorin “Troja”, ndërsa kishte rekomanduar që lënda të kthehej në rivlerësim.

Pretendimi i kompanisë ankuese “Euro Kosova” ishte se operatori i shpërblyer me kontratë është i papërgjegjshëm për shkak se nuk ka sjellë dëshmi për cilësinë e letrës higjienike dhe shamponi nuk ka përshkrim rreth përmbajtjes dhe cilësisë.

Paneli shqyrtues ankesën e kompanisë “Euro Kosova” e ka konsideruar të bazuar duke thënë që QKUK është dashur të kërkojë informacione shtesë nga kompania pasi nuk ka pasur ndonjë raport laboratorik për materialet, por QKUK ka vendosur për eliminimin e saj vetëm sipas shikimit okular të komisionit.

Po ashtu, pretendimi i kompanisë ankuese ishte që operatori i rekomanduar për këtë tender është i papërgjegjshëm sepse i njëjti nuk ka dorëzuar mostrat konform kërkesave të dosjes së tenderit, të njoftimit për kontratë dhe specifikave teknike.

Paneli shqyrtues i OShP-së ka konstatuar që QKUK të përdorë standarde të njëjta për të gjithë operatorët pasi që është e pamundur të përcaktohet cilësia e materialeve pa raporte laboratorike

“Paneli Shqyrtues duke u bazuar në cilësinë e këtij aktiviteti të prokurimi si dhe sqarimeve të dhëna nga ekspertja profesionale e prokurimit vlerëson se QKUK nuk i ka respektuar dispozitat e nenit 59 të LPP kur ka bërë ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve si dhe nenin 60 të LPP”.

OShP ka obliguar QKUK-në që gjatë rivlerësimit t’i trajtojë operatorët në mënyrë të barabartë.

QKUK pas rishqyrtimit të tenderit, përsëri kishte shpallur si operator të suksesshëm kompaninë “Troja” me arsyetimin se është tenderi më i lirë.

Operatori ekonomik “Euro Kosova” përsëri është ankuar në QKUK duke pretenduar se QKUK nuk e ka rivlerësuar tenderin siç ka kërkuar Organi Shqyrtues i Prokurimit.

“Autoriteti Kontraktues nuk ka dëshmuar me asnjë fakt se mostrat nuk janë rivlerësuar siç është kërkuar në dosjen e tenderit. Kjo është konstatuar në vendimin e OShP-së të datës 17.10.2019, për faktin se QKUK nuk ka bërë ndonjë raport të analizave laboratorike për përmbajtjen e materialeve”, thuhet në pretendimin e kompanisë ankuese, e cila ka kërkuar që tenderi të kthehej në rivlerësim.

QKUK kishte refuzuar kërkesën e operatorit “Euro Kosova” si dhe kishte vlerësuar se të dy operatorët plotësojnë specifikat e kërkuara dhe kishte rekomanduar operatorin “Troja” si operatorin e suksesshëm pasi ka pasur çmimin më të lirë.

Rreziku nga Coronavirusi – QKUK pa shampon e letër higjienike, pezullohet tenderi

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).