Ilustrimi: BIRN

Ndriçimi i Serbisë, në stilin hungarez

Ndërsa lidhjet ndërmjet Beogradit dhe Budapestit po lulëzojnë, njëjtë po ndodh edhe me pasuritë e një grupi të kompanive të ndërlidhura që kanë ardhur për ta dominuar biznesin e ndriçimit të rrugëve të Serbisë.

 

Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë vështirë se mund të jenë më të mira, dhe po lulëzojnë mbi bazat e asaj që kritikët thonë se janë tendenca të ngjashme autoritare të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban.

Por prapa politikës, po lulëzojnë edhe marrëveshjet e biznesit.

Që nga viti 2016, një grup i kompanive hungareze, serbe e sllovene kanë fituar kontrata publike në vlerë prej 25 milionë euro për ta përtërirë ndriçimin publik në një numër të rrugëve të qyteteve të Serbisë dhe komunave në të cilat qeveris ose qeveriste Partia Progresiste në pushtet, SNS.

Një hulumtim i BIRN dhe Direkt 36 tregon se kompanitë që e kanë drejtuar procesin janë të lidhura nga biznesmenët e afërt me rrethet e brendshme të Orbanit, Vuçiqit dhe kryeministres serbe Ana Bërnabiq.

Grupi përfshin Balint Erdei, një mik dhe ish-partner biznesi me dhëndrin e Orbanit, Istvan Tiborcz, si dhe Radomir Gjumiqin, kompania e të cilit ‘Keep Light’ po prosperon falë kontratave publike që po i fiton, Dragolub Zbiliq dhe Nenad Kovaq, biznesmenë me lidhje në SNS dhe Mark Crandall, ish-shef i Bërnabiqit.

Marrëveshja mori jehonë nga një skemë e hetuar nga zyra anti-korrupsion e Bashkimit Europian, OLAF, në të cilën ndriçimi publik i Hungarisë ishte rinovuar nga Elios Inovativ, një kompani e drejtuar dikur nga Tiborcz dhe Erdei.

‘Asnjë krim nuk ka ndodhur’

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Hungarisë Viktor Orban. Foto: Beta.

Përmirësimi i ndriçimit të rrugëve në Hungari, të cilin BE kishte planifikuar ta mbështeste në financim, nisi në fillim të viteve 2010.

Që nga atëherë, shumë qytete hungareze kanë filluar të kyçen në ndriçimin LED, me projeksionin për zvogëlim të kostos së energjisë. Projekti nuk i përmbushi pritjet, siç raportoi Direkt36, por ky nuk ishte shqetësimi i vetëm.

Një rol drejtues në këtë rinovim kishte luajtur kompania hungareze e quajtur ELIOS Inovativ, e themeluar në vitin 2009 dhe fillimisht e drejtuar nga Istvan Tiborcz, një 33 vjeçar, burri i vajzës më të vjetër të Orbanit, Rahel, dhe miku i tij Balint Erdei.

OLAF hetoi 35 projekte të drejtuara nga kompania, dhe erdhi në përfundim se ka pasur “parregullsi serioze” dhe “konflikte interesi” në të gjitha ato, me “mekanizmat e mashtrimit të organizuar” në gati gjysmën e tyre.

Autoritetet hungareze lansuan një hetim në rastin e ELIOS, por policia tha vitin e kaluar se “nuk ka gjetur ndonjë krim”. Qeveria, megjithatë, vendosi kundër faturimit të BE-së për fondet që fillimisht ishin ndarë për ta mbështetur rinovimin.

Një nga parregullsitë që ka zbuluar OLAF ishte se kërkesat teknike dhe përvoja paraprake e kërkuar sipas tenderit “ishin shpesh jo domosdoshmërisht të larta dhe/ose të lidhura me subjektin e kontratës”.

ELIOS ishte shpesh ofertuesi i vetëm dhe në rastet kur është përballur me konkurrencë, ato kompani shpesh më vonë dilnin si nënkontraktorë të ELIOS, gjë që ngrit pyetje rreth konkurrueshmërisë gjatë procesit të tenderimit.

Tiborcz i shkëputi lidhjet me ELIOS në prill të vitit 2015 pasi OLAF filloi të hetojë projektet e ndriçimit, por kjo nuk e ndali atë që këtë vit të arrijë në listën e 100 hungarezëve më të pasur.

Në vendin 32, Tiborcz është më i riu me një pasuri të vlerësuar prej 35 miliardë forintë (108 milionë euro).

Serbia thërret

Ilustrimi: BIRN

Para se Tiborcz dhe ELIOS t’i ndajnë rrugët, kompania hapi një degë në Serbi në dhjetor të vitit 2014, pak muaj pasi Orban dhe Vuçiq, atëherë kryeministër i Serbisë, ta mbajnë takimin e parë të përbashkët të dy qeverive.

BIRN/Direkt36 pyetën edhe Vuçiqin edhe Orbanin nëse raportet e tyre të ngrohta politike kanë ndihmuar në bashkëpunimin e mirë mes kompanive të afërta me ta dhe partitë e tyre politike.

Shefi i shtypit i Vuçiqit u përgjigj se Presidenti “nuk vendos për tenderë, nuk merret me ndriçim”.

“Ekzistojnë procedurat ligjore që duhet të ndiqen gjatë tenderit kështu që nëse ka ndonjë dyshim rreth kësaj, kërkoj nga ju që pyetjet t’i adresoni në institucionin që e ka lëshuar thirrjen për tender”.

Kabineti i Orbanit u përgjigj se “kryeministri nuk merret me çështje të biznesit”.

Pak kohë pasi ELIOS-i hungarez themeloi ELIOS SRB, Tiborcz e braktisi kompaninë, i pasuar edhe nga Erdei shtatë muaj më vonë.

Megjithatë, në shkurt 2016, ELIOS SRB u mor përsipër nga një prej kompanive të Erdei-t, Woody Holding, e emërtuar më vonë në Redwood Holding.

Përveç ELIOS SRB, një numër i bizneseve ishin themeluar në Serbi për t’i kanalizuar fondet publike që po shpenzoheshin në projekte të ndriçimit.

Hulumtimi i BIRN/Direkt36 gjeti lidhje të ngushta ndërmjet ELIOS-it origjinal dhe katër kompanive tjera – ELIOS SRB, ESCO ELIOS, ENEF- Energetska Efikasnost dhe U Light, një degë në serbi e kompanisë hungareze me të njëjtin emër.

Gati secili tender i Partneritetit Publiko-Privat në ndriçim publik në qytetet e Serbisë që nga viti 2016 është fituar nga këto kompani, duke filluar nga Ada, një qytet në veri të Vojvodinës.

Atje ishte krijuar një konsorcium për të garuar për kontratë në korrik 2016 i cili përfshinte ELIOS SRB, U Light Kft nga Hungaria, ENEF Energetska Efikasnost, një kompani private e quajtur Energoinvest 023 dhe një kompani me 100 % pronësi shtetërore “Ozdravanje i usluge”. Një tenderues i dytë ishte refuzuar.

“Ozdravanje i usluge” refuzoi të përgjigjet se si, një firmë shtetërore, u bë që të bashkëpunojë me një grup të kompanive të lidhura me Elios Inovativ dhe njerëz bizneset e të cilëve ishin nën hetim nga OLAF.

Arpad Kosh, i cili ishte përgjegjës për projektin LED në komunën Ada, tha për BIRN/Direkt36: “Kompanitë serbe dhe hungareze u shfaqën si grup në tender në Ada. Si kompani e re, ELIOS SRB nuk mund ta kishte përvojën e vet, kështu që nja kompani hungareze ofroi përvojën e vet nga Hungaria”.

Lidhjet me partinë në pushtet

Ilustrimi: BIRN

Pas Adas, këto kompani nënshkruan një numër kontratash të mbështetura nga kompanitë serbe të afërta me SNS dhe, në rastin e një kompanie, me lidhje me Bërnabiqin.

Ato ishin Energotehnika- Juzna Backa, Resalta, Keep Light, Elektromontaza Kraljevo dhe Somborelektro.

Energotehnika- Juzna Backa është në pronësi të Maneks, një kompani e Dragolub Zbiliq, i cili ishte garantues i një kredie bankare që SNS e kishte marrë për fushatën e saj zgjedhore të vitit 2012.

Zbiliq ishte hetuar për krimet që lidhen me biznese në qytetet e Novi Sadit dhe Kragujevcit. Prokuroria në Novi sad e tërhoqi akuzën, ndërsa Zbiliq mbetet ende në proces gjyqësor në Kragujevc.

Kompania sllovene Resalta, më parë e quajtur GGE “Družba za izvajanje energetskih storitev”, ëhstë në bashkë-pronësi të PostScriptum, një fond investues i biznesmenit amerikan Mark Crandall.

Bërnabiq ishte drejtore në kompaninë e Crandall ‘Continental Wind Serbia’ deri në kohën kur u bë ministre e Administratës Publike dhe Qeverisjes Lokale në gusht 2016 dhe më pas, në qershor 2017, kryeministre e Serbisë.

Gjashtë javë pasi mori pozitën e kryeministres, kompanitë tani të lidhura me shefin e saj të dikurshëm fituan një kontratë partneriteti publiko-privat me kompanitë në pronësi të partnerëve hungarezë në qytetin në lindje të Serbisë, Petrovac na Mlavi.

Resalta fitoi tri kontrata tjera dhe do të jetë përgjegjëse për dy tjera, të fituara nga ENEF Energetska Efikasnost, të cilat Resalta i mori përsipër në fund të vitit 2016.

E pyetur rreth përfshirjes së Resalta-s dhe lidhjes së saj me Crandall, Bërnabiq tha për BIRN/Direkt36 se nuk dinte asgjë për këta tenderë.

“Kjo është hera e parë që po dëgjoj për këtë, dhe kjo nuk ka të bëjë asgjë me mua”, tha Bërnabiq.

“Unë nuk mund t’u them qeverive lokale çka të bëjnë dhe si të punojnë, nuk kam ndonjë fuqi, kështu që nuk mund të flas për raste specifike. Gjëja e vetme është, mendoj që është mirë që qeveritë lokale po e marrin në konsideratë efiçiencën e energjisë. Kjo është ajo që është pozitive. Kam punuar me Mark Crandall dhe kjo nuk është sekret […] Nuk e kuptoj, a nënkupton kjo se Mark Crandall nuk mund të punojë më në Serbi”.

Crandall, njëjtë, tha për BIRN/Direkt36 se nuk ishte në dijeni për punët e Resalta në ndriçim:

“Përfshirja ime në tregun e ndriçimit LED është shumë indirekte, përmes aksioneve të cilat PostScriptum Ventures SARL ka në kompaninë sllovene të quajtur Resalta (fillimisht e quajtur GGE)”, tha ai.

“Madje nuk jam as anëtar i Bordit në resalta edhe pse PostScriptum ka nominuar një anëtar të Bordit. PostScriptum nuk ka shumë aksione në pronësi të Resalta-  diçka rreth 17 përqind. Dhe unë nuk di absolutisht asgjë në çështjen e ndriçimit LED në atë që bën Resalta, me të vërtetë asgjë”.

Keep Light iu bashkua grupit në shtator 2017.

Keep Light u bë e famshme dimrin e kaluar kur ia shiti një dru Krishtlindjesh 18 metërsh qytetit të Beogradit të drejtuar nga SNS për 83 mijë euro. Vuçiq e arsyetoi shpenzimin.

Elektromontaza Kraljevo, e cila ishte partnere me ELIOS SRB në Bor, është në pronësi të plotë nga Nenad Kovaq, një partner biznesi me Nikola Petroviq, ish-drejtor i kompanisë serbe të energjisë dhe një nga miqtë më të ngushtë të Vuçiqit.

Në një përgjigje me shkrim, Elektromontaza tha se e ka fituar kontratën se[se “kanë ofruar çmimin më të mirë në një procedurë të ligjshme dhe transparente”.

“Por ju vazhdoni të besoni çkado që besoni, ne do të vazhdojmë të punojmë çkado që punojmë”, tha kompania.

Somborelektro, ndërkohë, sipas raporteve të veta financiare, ia huazoi rreth 577 mijë euro kompanisë Prointer IT në vitin 2017, një biznes i lidhur me SNS-në i cili, siç ka raportuar BIRN më herët, i ofroi SNS-së infrastrukturë për thirrje telefonike të votuesve për fushatë zgjedhore.

Somborelektro nuk u përgjigj në pyetjet e BIRN/Direkt36.

Specifikat e dyshimta të tenderëve

Ilustrimi: BIRN

Shumica e qyteteve dhe komunave të Serbisë në fjalë nuk janë përgjigjur në pyetjet e BIRN/Direkt36 nëse partnerët privatë për projektet e tyre të ndriçimit ishin zgjedhur për shkak të lidhjeve të tyre politike.

Boban Miliçiq, i cili drejton komunën e Lapovo, tha në një përgjigje me shkrim: “Askush nuk ka ndonjë ndikim në zgjedhjen e firmave dhe askush nuk më ka kontaktuar për këtë. Prokurimi publik është bërë sipas ligjit”.

“Nuk kam qenë i informuar rreth hetimit ndaj ELIOS në Hungari”, tha ai.

Ngjashëm me projektet e kritikuara nga OLAF në Hungari, kushtet e tenderit serb ishin shumë të ngushta gjë që tërhoqi pak konkurrencë.

Tenderët ose nuk kishin ofertues tjerë, ose konkurrenca ishte refuzuar për arsye formale.

Kërkesat e projektit në disa raste insistonin në të hyra vjetore multi-milionëshe ose disa vjet përvojë në llojin e kontratës e cila është risi për Serbinë.

Në Krushevc, për shembull, një tender për zëvendësimin e 12,545 llambave kërkonte nga aplikantët që të kenë ndërruar dyfishin e atij numri të llambave për tri vitet e kaluara.

“Është e vështirë të thuhet se në një rast të caktuar cilat kushte konsiderohen si “shumë minimale”, por me siguri duket e tepërt të kërkohet një referencë që është dyfishi i shumës së investimit të planifikuar”, tha Gabriella Nagy, drejtuesja e Programeve të Fondeve Publike të Transparency International në Hungari, e cila ka ndjekur nga afër veprimet e ELIOS në Hungari.

Zyra për Marrëdhënie me Publikun në Komunën e Krushevcit tha për BIRN/Direkt36 se Ligji i prokurimit publik lejon që tenderët të parashikojnë një kërkesë për dyfishin e shumës së investimit të planifikuar.

“Ndërsa ishim ndër qytetet e para që filluan rindërtimin e ndriçimit publik në këtë mënyrë, kërkesa për përvojën e ndryshimit të numrit të dyfishtë të llamba ishte një pjesë e provave të seriozitetit të ofertës”, tha përmes emailit Zyra për Marrëdhënie me Publikun.

Zoran Stipanoviq, një kontraktues privat i angazhuar si konsulent dhe i cili shkroi kërkesat për tender për Krushevcin dhe për një numër të tenderëve të tjerë të ndriçimit LED në Serbi, tha se dokumentet janë shkruar sipas standardeve evropiane dhe informacionit të dhënë nga komunat.

“Krushevci ishte një projekt i madh dhe serioz që kushtonte më shumë se 5 milionë euro, kështu që ishte e rëndësishme që partneri privat të dijë se si ta bëjë këtë – të zëvendësojë dhe të mirëmbajë më shumë se 12 mijë drita”, shpjegoi Stipanoviq.

“Unë nuk kam asnjë kontakt me partnerët privatë, sepse kjo nuk do të ishte profesionale, pasi unë jam i angazhuar nga pala komunale”, tha ai dhe mohoi të ketë lidhje politike.

Duke pasur parasysh se në Serbi, 80 për qind e projekteve të Partneritetit Publiko Privat (PPP) në ndriçimin publik u fituan nga i njëjti grup i kompanive, në disa raste pa asnjë ofertues tjetër, Nagy tha: “kjo tregon një konkurrencë jo të drejtë nëse vetëm 1 ose 2 kompani ofertojnë në tender dhe mund të supozohet se kjo është për shkak të kërkesave tepër të rrepta të tenderit”.

Nagy paralajmëroi se ishte e vështirë të thuhej se deri në çfarë mase tenderët serb pasqyronin tenderët problematik hungarez, por se “sa i përket mungesës së konkurrencës dhe kërkesave të rrepta të tenderit, ato janë të ngjashme”.