Ndërhyrja e deputetit të Vetëvendosjes në shpronësimet në Shipitullë
Banorët e fshatit Shipitullë të Obiliqit janë në proces të shpronësimit për nevojat e nxjerrjes së qymyrit nga Korporata Energjetike e Kosovës. Në emisionin “KallxoPërnime”, banorët e këtij fshati kanë ngritur shumë pretendime të cilat ngrisin dyshime se në proces pati parregullësi.
Shpronësimet për pronat ku nxirret qymyri kanë qenë problematike qysh nga viti 2004 dhe tradicionalisht çdo qeveri është përballur me skandale korrupsioni në këto procese.
Në “KallxoPërnime” u transmetua një material në të cilin dëgjohet deputeti i Vetëvendosjes, Halil Thaçi, derisa u tregon disa banorëve se ai ka diskutuar me Kryeshefin e KEK-ut dhe kryetarin e bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për të ndryshuar hartat e shpronësimeve. KPMM është institucion i pavarur dhe vendimet e veta do duhej t’i merrte sipas ligjit.
Deputeti Thaçi ka qenë pjesë e vendimmarrjes për zgjedhjen e bordit të KPMM-së, bordi i ri i së cilës u zgjodh më 16.05.2024.
Në fillim të emisionit u trajtua denoncimi i Xhemil Mjekiqit nga Shipitulla. Mjekiqi ka prezantuar një hartë. në të cilën pronat rreth arës së tij janë shpronësuar kurse prona e tij u anashkalua nga procesi i shpronësimit.
“Prona ime, 24 ari. Kur e kanë shpronësu, dallaveret e KEK-ut e kanë shpronësu të vllait tim me qat shtëpi edhe kanë dalë e kanë shpronësu 1 hektarë e 60 ari të dallavere, mu më kanë anashkalu. Jam anku por nuk më janë përgjigj” – deklaroi Mjekiqi.
Denoncimin e Xhemilit e mbështesin edhe disa banorë të tjerë të Shipitullës, Fatmir Mjekiqi e Arsim Mjeku, të cilët flasin për dyshimet për keqpërdorime në lëvizjet në vijën e shpronësimit në shipitullë.
“Vija ka lëvizë në një pjesë malore ku kanë hy 1 hektarë e 60 ari. Qysh e dimë ne, vijën e ka lëvizë deputeti i zonës tonë me nja dy drejtorë të KEK-ut. Asgje kundër asaj pjese që e kanë shti nuk kemi, kemi kundër mënyrës. Dy mundësi janë, e para është me u zhvendos komplet katuni ose e dyta me e kthy procesin në pikën zero” – thotë Fatmir Mjekiqi.
“Kërkojmë ne që qysh janë shpronësu mbi 16 shtëpi, le të shpronësohen edhe të tjerat. Kanë bërë përçamje edhe tek banorët ‘pse po ja merr atij? Pse jo mu? Pse e la? Pse s’e la?’ Është e padrejtë” – shton Arsim Mjeku.
Në Shipitullë fjalët janë që në shpronësime u përfshinë dy ish-drejtorë të KEK-ut dhe përmendet edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Halil Thaçi. Deputetit Thaçi ky pretendim i është ngritur edhe në Kuvendin e Kosovës gjatë një mbledhje të Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike.
Deputetët e PDK-së, Rashit Qalaj e Hajdar Beqa përmendën ndërtimin e disa objekteve në Shipitullë, për çka edhe u përplasën me Halil Thaçin.
“Duhet me u auditu shpronësimet në Shipitullë që po ndodhin. Me u auditu se si ndërtohen shtëpi tëk familja Mjekiqi kur atje është e ndaluar” – pati deklaruar deputeti Qalaj.
“Qato shtëpi që i tha kolegu Qalaj i ke ndërtu ti (i drejtohet Halil Thaçit). Ti e di më kënd i ke ndërtu. Ti je ai që shkon negocion me vlerësuesin që me ua vlerësu. Prokuroria gabon që s’të shtin në burg ty sepse ti duhet me qenë në burg e jo deputet” – deklaroi në këtë komision Hajdar Beqa.
“Hajdar këto krejt janë shpifje. E ftoj prokurorin që për çdo keqpërdorim me marr në intervistim Hajdarin edhe me dhanë dëshmi” – ishte kundërpërgjigjja e Halil Thaçit.
Ekipi i KALLXO.com ka dalë në terren për të verifikuar se ku ndodhen shtëpitë. Qasja në atë zonë ka qenë problematike për shkak se banorët e zonës nuk kanë lejuar që ekipi të shkojë dhe të shoh vendin ku pretendohet se janë shtëpitë e me e gjetë edhe pronarin.
Gjatë kësaj vizite, ekipi i KALLXO.com ka qenë i shoqëruar nga Naim Miftari, drejtor i Inspekcionit në Komunën e Obiliqit.
Banorët e zonës, ekipit të KALLXO.com dhe drejtorit Miftari i pamundësuan intervistën në vendin e ngjarjes. Megjithatë se në atë zonë ka pasur objekte e konfirmon drejtori i Inspekcionit, për të cilat thotë se u rrënuan.
Ekipi i KALLXO.com ka tentuar disa herë të takohet me pronarin e shtëpive mirëpo personi me emrin Kastriot nuk ka pranuar të flas e as t’ia mundësojë ekipit të shkojë në atë zonë.
Ekipi ka arritur të konstatojë që objektet tashmë janë të rrënuara. Nuk dihet se a u rrënuan objektet pasi u denoncuan në Kuvend apo pasi Inspektorati i Obiliqit konstatoi ndërtimet.
“Në atë lokacion që ishim më herët kanë qenë të ndërtuara dy objekte. Është bërë rrënimi i tyre nga vet ndërtuesit sepse kanë qenë pa leje dhe kanë qenë montazhë nga druri dhe llamarina. Inspektori ka hasë në fillimin e ndërtimit të tyre. Ka dënime dhe kallëzime penale” – deklaroi Miftari.
Banorët kanë pretendime se shpronësimet u ndikuan nga njerëz brenda KEK-ut dhe deputetë. Shpronësimi është një proces tërësisht profesional dhe i cili duhet të realizohet vetëm sipas kritereve ligjore.
Një sinjalizues i KALLXO.com ka arritur të incizojë një bisedë, në të cilin deputetit Halil Thaçi flet me disa miq të tij për procesin e shpronësimit në Shipitullë.
Në materielin të cilin e posedon KALLXO.com, deputeti flet edhe për ndikimin në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe në KEK.
“Qaj 1 hektar e 60 ari që është hy me u shpronësu qaty, qaj ka me ra edhe ka me ju shpronësu krejt juve. Unë sot kesh me këtë drejtorin, zëvendësdrejtorin, të martën jam taku edhe me Bekirin. Na jemi t`u e prit KPMM-në që KPMM-ja me ja dhanë orientimin mihjes. KPMM-ja del në vend të ngjarjes, e konstaton që qata banorë janë në rrezik, ja prej zhurmës ja… Vijnë i këqyrin shpijat qysh janë ça e sene. KPMM-ja merr vendim që pa marrë parasysh a i duhet a s’i duhet mihjes duhet me i shpronësu. Në KPMM kryetari i bordit del Basholli, Habib Basholli, mbrëmë kam nejt me të, dy orë mbrëmë kam nejt me ta edhe unë në qet drejtim s’jam t`u u ndal. Na të mërkurën po mendojmë që kemi me emëru bordin e KPMM-së, si të emërohet bordi i KPMM-së ata ja nisin sulm, mos e keni gajle. Njerëzit tanë i kem (nuk kuptohet) na e kemi shqyrtu edhe analizu edhe me drejtorin, e vetmja mundësi është me na dhanë KPMM-ja urdhër se KPMM-ja nuk jep këshilla, KPMM-ja thotë “urdhër e ki, për me marr licencën duhet qeta, qeta, qeta, qeshtu me e ba edhe ditën e mirë. Në KPMM i kemi njerëzit tanë, i shtyna do sene, s’kanë qare” – ka deklaruar Thaçi.
Nga biseda me deputetin Thaçi dëgjohet qartë se ai u thotë banorëve se në KPMM tashmë i kanë njerëzit e tyre dhe planet do të implementohen sipas udhëzimeve. Po ashtu, nga kjo bisedë vërehet se deputeti i Vetëvendosjes flet në emër të KPMM-së me shumë kompetencë dhe thirret në takime që i ka pasur me kryetarin e bordit të KPMM-së.
Për me e sqaru këtë situatë, KALLXO.com ka kërku intervistë me kryetarin e bordit të KPMM-së, Habib Bashollin. Ai nuk ka pranuar të flas në intervistë para kamerës por në telefon mohoi mundësinë e takimeve jozyrtare me Halil Thaçin apo ndikimet politike në punën e KPMM-së.
“Më vjen keq por kush e përmend emrin tem, unë me nis me u përgjigj nuk kam mundësi. Shumëkush mund ta përmend emrin tem por s’e ka të ndalume. Kush e përmend, çka e përmend është çështje e tyne, nuk është e imja. Absolutisht nuk konsideroi që ka pasë ndikim as ai, as ai, as ky e as ai tjetri” – deklaroi mes tjerash Basholli.
As deputeti Halil Thaçi nuk ka pranu të intervistohet për këtë çështje edhe përkundër disa kërkesave.
Në telefon ai ka thënë se me KEK-un është takuar por jo edhe me KPMM-në. Ai tha se takimet i ka pasur vetëm zyrtare.
“Jo, veç me KEK, por ku kam mund e kam ngrit zanin për ta. Se unë mendoj që i është bo diskriminim atyre banorëve, janë diskriminu sepse janë mbetë jashtë projektit të KEK-ut. Jo, jo s’jam taku unë me bordin e ri(të KPMM-së), ne veç i kemi votu në Kuvend të Republikës bordin e KPMM-së. Unë absolut nuk e kam ditë as që bëhet Habibi, jo se unë veç zyrtarisht me institucione unë komunikoj” – deklaroi Thaçi.
Për disa javë banorët e Shipitullës janë në rrugë dhe në protesta për të kërkuar sqarime pse disa prona u lanë jashtë shpronësimit e disa të tjera u shpronësuan.
Më 24.05.2024, KALLXO.com ka qenë në protestën e banorëve, të cilët për të kërkuar llogari nga KEK-u për shpronësimet. Gjatë gjithë kohës ekipi i KALLXO.com ka kërkuar një intervistë nga KEK-u për këtë proces mirëpo deri në transmetimin e këtij hulumtimi, nga KEK nuk ka pranuar të dalin në intervistë për të sqaruar pretendimet për ndikime politike.
Vendimi i parë që menaxhmenti i KEK-ut e ka marrë është që takimet me banorët mos të jenë transparente dhe mos të lejohen gazetarët të jenë pjesë e këtyre takimeve. Njeriu kryesor në KEK për momentin është Bekir Gërguri, një ish kandidat i Vetëvendosjes për asamblist në Fushë Kosovë.
Një ditë më vonë, më 25.05.2024, ekipi i KALLXO.com përsëri ka shkuarnë Shipitullë. Atje banorëve u është bllokuar rruga më 24.05.2024 dhe gjatë asaj dite pati edhe të arrestuar. Banorët u ankuan se pa paralajmërim u bllokua rruga.
“Na kanë blloku rrugën pa paralajmërim. Kur e kemi vërjetë i kemi blloku por pastaj ka ardhë njësia speciale, nja 30-40 policë edhe e bënë këtë që po e shihni, na kanë blloku totalisht” – deklaroi Afrim Mexhani, përfaqësues i banorëve të Sibovcit.
Në Shipitullë pati ankesa se KEK-u kur bllokoi rrugën dëmtoi edhe prona private.
“Na ka dëmtu KEK-u pa dëshirën tone. E kemi parcelën në Gjykatë, është në Gjykatë për shkak të shpronësimit. Ka pasë pemë të mbjellura, KEK-u na ka bë dëm. KA hy pa njoftim, tash duhet me ba padi në Gjykatë” – thotë Ismail Mjekiqi.
Nuhi Mjeku i cili e zhbllokoi rrugën pasi që KEK-u e bllokoi atë dhe i njëjti u arrestua nga Policia e Kosovës.
“KEK-u pa paralajmërim e në mënyrë tinzare na e ka mbyll rrugën. Kah jam ardhë, me babën dhe dy vëllezër, baba me diabet dhe e kam pa ekskavatorin, i hipa dhe e çela rrugën e vazhdova, në Leshkoshiq na e thirrën patrollën e njësisë speciale dhe aty na arrestuan” – rrëfen Mjeku.
Banorët janë ankuar edhe se pronat u janë vlerësuar me çmime të ulëta gjatë procesit të shpronësimit teksa thonë se edhe ekskavatori i KEK-ut u pamundëson qëndrimin në shtëpi sepse është shumë afër.
“100 metra nuk janë larg shtëpitë a po thojnë 250 metra duhet me qenë larg. Ne po kërkojmë me na shronësu komplet. S’ka jetesë këtu, kur të ja nis me punu ekskavatori, zhurma e tij, unë vet kam punu në te, s’ka shansë as me fjetë e as me pushu” – deklaron Shemsi Mjeku.
Qëndrim Arifaj nga “Legal Solution Company” që ka kryer vlerësimin e pronave thotë se banorët ende nuk kanë pranuar ofertat.
“Banorët nuk e di qysh munden me deklaru për ofetën kur akoma askush nuk e ka pa, nuk e ka pranu askush në dorë ofertën. Prej kompanisë nuk ka pasur kontakt me banorët që me e pa ata që me e ditë ata se kujt kah sa iu vlerësohet toka” – deklaron Arifaj.
Në Shipitullë banorët ankohen se shpronësimet u kryen pa kritere. Ekipi i KALLXO.com dokumentoi ndikime dhe interferim politik në këtë proces ndërsa insitucioni që po e realizon procesin, KEK është “betonizuar” dhe ka vendosur të mos jenë transparentë në këtë proces.
KALLXO.com nuk ka marrë intervistë nga përfaqësues të KEK-ur por ka marrë disa përgjigje me shkrim.
“Fillimisht ju bëjmë me dije se KEK nuk është institucion kompetent për zhvillimin e hetimeve, megjithatë në secilin rast që kemi bazë (fakte) ne i njoftojmë organet relevante të drejtësisë (hetuesisë). Shpronësimi nga KEK bëhet bazuar ne planin xehetar ne fuqi, i zhvilluar në vitin 2018 nga kompania gjermane “MIBRAG” dhe të aprovuar nga Bordi dhe aksionari si dhe bazuar në legjislacionin në fuqi, si Korniza e Politikave të Zhvendosjes (KPZH) dhe ligji për shpronësimin e pronës se paluajtshme në Kosovë. Bazuar në këtë bazë ligjore, regjistrohet dhe kompensohet toka, shtëpitë, të mbjellat etj, që është e lidhur dhe i përket asaj zone të shpronësimit/zhvendosjes” – ka thënë KEK-u me shkrim.
Më 03.11.2004 ishte nënshkruar vendimi me të cilin Qeveria ka shpallur Shipitullën dhe disa fshatra tjera të Obiliqit si zonë me interes të veçantë.
Në vitin 2017 ishte kryer pjesa e parë e shpronësimit në fshatin Shipitullë, ndonëse shifra përfundimtare e shpenzuar nga shteti për këto shpronësime nuk dihet.