Mosmarrveshjet për plotësimin e normës në vendin e punës

Drejtoria e Arsimit në Klinë ka bërë shkëmbim të vendeve të punës, ndërmjet mësimdhënësve Gzim Hasanaj dhe Fahredin Gashi, vëllait të drejtorit të Arsimit në Klinë.

Vëllait të drejtorit të Arsimit në komunën e Klinës, Fahredin Gashit i është plotësuar norma e punës me 10 orë mësimore në lëndën e Kimisë në shkollën fillore “Ismet Rraci”, në Klinë, përderisa në atë shkollë ishte i punësuar edhe Gzim Hasanaj, i cili ligjëronte orët mësimore të lëndëve zgjedhore Kimi-Biologji dhe i ishte premtuar se këtë vit do t’i plotësohej norma në të njëjtën shkollë.

Por, të njëjtit i janë dhënë 8 orë mësimore të lëndës së Biologjisë në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Dëshmorët” – Perqevë, në të cilën me parë ka punuar vëllai i drejtorit.

Sipas Hasanajt, atij i ishte thënë se orët do të i ndaheshin nëse nuk do bënte ankesë.

“Prej një shkolle vitin e kaluar më kanë dërgu në një shkollë tjetër, në ‘Ismet Raci’ në Klinë, për mësim zgjedhor dhe më kanë thënë deri sa të plotësohen orët profesionale je këtu. Drejtori e shfrytëzoj rastin, kur i tregova unë që janë orët profesionale të Kimisë më ka thënë ‘po’ deri në momentin e fundit dhe në momentin e fundit e ka dërgu vëllain e vetë aty. Mua nuk m`u kanë dhënë as orët e mësimit zgjedhor, as orët profesionale. Mua po më thotë shko në orët e vëllasë së tij (vëllait të Drejtorit të Arsimit)”, ka thënë Hasanaj.

Për këtë, ai ka vendosur të ankohet në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Inspektoriatin e Punës në Pejë dhe ka bërë kallëzim penal ndaj drejtorit të Arsimit, Enver Gashi dhe drejtorit të shkollës “Ismet Raci”, Ahmeti Krasniqi për shantazh ndaj tij.

Ndërsa Hasanaj ka drejtuar kërkesë në Inspektoratin e Punës në Pejë, që të anulohen të gjitha vendimet e DKA-së për ndarjen e 10 orëve të Kimisë për mësimdhënësin Fahredin Gashi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Drejtorin e Arsimit, Enver Gashi dhe i njëjti ka thënë se për shkak të konfliktit të interesit zyra e kryetarit të Komunës ka angazhuar shefin e sektorit të DKA-së, Hajdin Morinën.

“Drejtori i Shkollës Ahmet Krasniqi neve na i ka sjell të gjitha dokumentet për me e shpall konkursin, mesin e tyre edhe 10 orë Biologji-Kimi, ato orë i ka mbajt dikush që nuk kanë qenë në profesion të vetë. Kërkesa të tjera përveç të Fahredin Gashit nuk kemi pas. Unë e kam paraqit konflikt interesi tek zyra e kryetarit dhe zyra e kryetarit e ka autorizuar zëdhënësin e DKA-së Hajdin Morina që të merret me atë çështje, dhe ai e ka marr vendimin dhe ato orë që kanë qenë të lira ia ka dhënë Fahredin Gashit. Pasi i kemi dhënë ne këto orë ka ardh Gzim Hasanaj dhe i ka kërku këto orë”, ka thënë Gashi.

Në anën tjetër, mësimdhënësi Gzim Hasanaj ka thënë se ka bërë kërkesë në DKA në Klinë më 30 shtator të vitit 2019, ndërsa drejori i shkollës “Ismet Raci” Ahmeti Krasniqi ka bërë kërkesë në DKA për plotësim rë orëve më 11 qershor 2020.

Ndërsa, mësimdhënësi Fahredin Gashi të cilit i është plotësuar norma prej 10 orëve në shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ismet Raci”, ka bërë të ditur se ai më parë ka punuar me normë jo të plotë në shkollën “Deshmorët”, në Klinë.

“Po, unë jam vëllai i drejtorit (të Arsimit), por nuk po besoj që ka ndiku. Përderisa në kohën kur ai ka ardh në DKA, sipas tij nuk ka pas kërkesë të ngjashme, e vetmja kërkesë imja që ka qenë dhe e ka shqyrtu dikush prej përfaqësuesve të DKA-së, nuk e ka shqyrtu për shkak të konfliktit të interesit”, ka thënë mësimdhënësi Gashi.

Drejtori i Arsimit, Enver Gashi ka bërë të ditur se Gzim Hasanaj nuk është dëmtuar në pagë dhe ka normë të plotë të orëve të mësimit, por për Hasanajn ky është mashtrim.