Monopoli në tregun e naftës garanton të hyra mbi 15 milionë euro në vit

Kompania që do të ketë monopolin në shenjim/markim të naftës pritet të fitojë miliona euro brenda një viti. Nëse MTI e kontrakton kompaninë për shënjim të karburanteve, siç është paraparë në Udhëzuesit Administrativ për Kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, atëherë do të rritet çmimi i naftës pasi parashihet që për çdo litër të shënjuar të paguhet një në tarifë.

MTI nuk kanë publikuar koston që bizneset duhet të paguajnë për litër të shënjuar, por KALLXO.com ka hulumtuar nëse vendet e rajonit aplikojnë një praktik të tillë.

Shqipëria në të kaluar e ka aplikuar shënjimin e naftës duke i obliguar bizneset që të paguajnë 7.1 lekë për çdo litër të shënjuar, apo 5 centë.

Të dhënat e Doganës së Kosovës thonë se në vitin 2019 janë importuar 618 milionë litra naftë, kurse në vitin 2020 janë importuar 602 milionë litra naftë në Kosovë.

Nëse e marrim si bazë çmimin e paguar në Shqipëri, pra 5 cent për litër dhe e kalkulojmë me sasinë e naftës që është importuar në Kosovë gjatë vitit 2020, i bie që kompania që do ta ketë monopolin do të ketë të hyra prej rreth 30 milionë euro.

Nën supozimin që çmimi i shënjimit të karburanteve të lëngëta në Kosovë do të jetë përgjysmë më lirë, pra vetëm 2.5 cent për litër, atëherë i bie që kompania do të ketë të hyra vjetore të garantuara prej 15 milionë euro. Të hyrat ditore nga shënjimi të naftës do të jenë prej rreth 40 mijë euro, nën supozimin se në Kosovë shënjimi për litër do të jetë vetëm 2.5 cent apo 50% më lirë se në Shqipëri.

Me një kosto prej vetëm 2.5 cent për shënjim/markim të litër, kompania që do të sigurojë monopolin për 5 vjet, do të ketë të hyra prej 75 milionë euro.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Udhëzuesit Administrativ për Kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës e ka paraparë krijimin e një monopoli të ri. Ky udhëzim administrativ ka paraparë që MTI-ja të kontraktojë në operator të vetëm për shënjimin (markimin) e karburanteve për një periudhë prej 5 viteve, me mundësi vazhdimi edhe për 5 vite të tjera.

Përmes shënjimit të karburanteve MTI do të sigurohet që cilësia e karburanteve është e verifikuar dhe i ka kryer obligimet doganore. Kjo bëhet duket u injektuar karburantet e lëngëta të naftës me produktin unik dhe të posaçëm për shënjim, përmes të cilit vërtetohet që karburantet janë verifikuar në aspektin e cilësisë dhe kanë përmbushur obligimet doganore dhe ato të akcizës.

Në nenin 54 ku flitet për shënjimin e karburanteve është paraparë kontraktimi i një trupe që do ta kryej shënjimin e këtyre produkteve.

Pika 17 e këtij neni ka paraparë kontraktimin e një trupe për terë territorin e Kosovës.

“MTI do të autorizojë dhe kontraktojë vetëm një (1) trupë për territorin e Republikës së Kosovës për Shënjimin e produkteve të lëngëta të naftës dhe të monitorimit të shënjimit, kjo me qëllim të sigurimit të uniformitetit të monitorimit të shënjimit të produkteve në tërë Republikën e Kosovës dhe të identifikimit dhe të monitorimit të të gjitha produkteve të lëngshme të naftës”, thuhet në pikën 17 të nenin 54.

Kurse pika 15 e ka përcaktuar kohëzgjatjen e autorizimit si dhe kushtet për vazhdim të autorizimit.

“Afati i vlefshmërisë së emërimit dhe angazhimit kontraktual të trupës apo palës së kontraktuar për shënjim dhe monitorim në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës është pesë (5) vite me mundësi vazhdimi. Për vazhdimin e emërimit dhe angazhimit trupi apo pala e kontraktuar për shënjim paraqet kërkesë 60 ditë para skadimit të afatit të emërimit duke përmbushur të gjitha kushtet dhe kriteret paraprake nga aspekti teknologjik dhe operacional”, thuhet në pjesën e parë të pikës 15.

Në këtë udhëzim është paraparë që koston e shënjimit do ta bartin bizneset.

“Shpenzimet e krijuara gjatë procesit të shënjimit dhe monitorimit mbulohen nga Subjekti i cili i është nënshtruar këtij procesi”, thuhet në pikën 19 të nenin 54 të këtij UA.

Në një prononcim për KALLXO.com, kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi ka thënë se do të shikojnë nëse ai udhëzim administrativ bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

“Kjo politikë ekonomike e zbatuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për t’i monopolizuar tregjet e caktuara, përkon me një politikë recidiviste, të një ekonomie të planifikuar, e që haptas, nëse vërtetohet si e tillë, bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e që është ekonomi e tregut me konkurrencë të lirë. Sot kam kam autorizuar sekretariatin e AKK-së, që urgjentisht të filloj procedurën e hetimit paraprak”, ka thënë Prestreshi.