Misteri dhe huqjet në tenderin për parkingje të Komunës së Shpend Ahmetit

Komuna e Prishtinës po synon të nënshkruajë kontratën me “Tis Holding” për menaxhim të parkingjeve në qytetin e Prishtinës bazuar në një njoftim të publikuar në “E-Prokurim” që ka shumë pasaktësi.

Kjo kontratë do të nënshkruhet përkundër që Komuna e Prishtinës nuk di saktë sa do të jetë kostoja e saj.

Komuna e Prishtinës nuk ka treguar nëse ka bërë ndonjë studim paraprak për të parë të hyrat e mundshme nga parkingjet, e as dokumentet që tregojnë për negociatat që kanë bërë me kompaninë me fjalë.

Me 18 mars, komuna e Prishtinës bëri një ‘njoftim për dhënie të kontratës’ për tenderi “Shërbime te menaxhimit te parkingjeve ne Qytetin e Prishtinës”. Ishte rekomanduar kompania “Tis Holding L.L.C” pronë e Bashkim Shalla, shtetas i Shqipërisë por me adresë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deri tek kontakti me këtë kompani, Komuna e Prishtinës e ka ndjek procedurën “të negociuar, pa publikimit të njoftimit për kontratë”.

Në njoftimin për dhënie të kontratës ishte përmendur shifra prej 50 mijë euro si kosto që do të paguajë komuna, përkundër që Komuna e Prishtinës nuk ka ofruar asnjë dëshmi qysh kanë ardh deri tek kjo shumë.

Ndërsa, në njoftim përmend dy shifra: 15 euro dhe 39 euro, si oferta më e ultë dhe me e lartë. Por, nëpër dokumente të tjera, siç është ‘lista e çmimeve’ dhe njoftimi për Operatorë ekonomik shihet që në fakt bëhet fjalë për 15 për qind dhe jo 15 euro.

Në një njoftim tjetër thuhet se pas negociatave kontrata i jepet kompanisë “Tis Holding” pas është arritur marrëveshja pas negociatave që 15% e të ardhurave bruto të arkëtuarve nga kjo kompani.

Më shumë detaje janë dhënë në draf-kontratën e publikuar në “E-Prokurim”. Në draft kontratën e paraparë të nënshkruhet në mes Komunës së Prishtinës dhe kompanisë “Tis Holding” janë përshkruar pikat për të cilat kanë rënë dakord palët kontraktuese.

Në nenin e parë të draft kontratës thuhet se do të vendoset në dispozicion për shfrytëzim nga Komuna një sistem elektronik nëpërmjet të cilit Komuna përmes “NPL Prishtina Parking” do të monitorojë dhe administrojë shërbimin e parkimit me pagesë nga qytetarët apo subjektet tregtare në rrugë.

Gjithashtu, kompania është pajtuar që të shënjëzohen parkingjet dhe të vendosen sinjalistika përkatëse nëpër rrugë.

Po ashtu, në nenin 4 të draft kontratës parashihet edhe pagesa për shërbime.

“Për Shërbimet e ofruara nga Kontraktori sipas Nenit 1, Komuna do të shpërblejë Kontraktorin me anë të mekanizmit të ‘revenue sharing’ (ndarjes së të ardhurave)”, thuhet në draft kontratës. Sipas njoftimit për kontratë, kompania do të fitoj 15 të të gjithë fitimit nga parkingjet në Prishtinë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës përgjigje nëse kanë bërë ndonjë studim të fizibilitetit apo matje tjetër që mund të tregojë se sa janë të hyrat e pritshme nga parkingjet. Kjo komunë nuk është përgjigjur në këto pyetje.

Zëdhënësja e komunës, Miranda Mullafazliu ka thënë shkurt në një përgjigje se kjo komunë ende nuk e ka nënshkruar kontratën me kompaninë “Tis Holding L.L.C”.

“Komuna e Prishtinës ende nuk e ka të nënshkruar kontratën për menaxhimin e parkingjeve. Në momentin kur nënshkruhet, bëhet publike edhe në ueb-faqen e Komunës, të kontratat e hapura”, ka thënë shkurt ajo.

Gazeta ka tentuar të marrë përgjigje nga kryetari i Komunës Shpend Ahmeti në një prej paraqitjeve të tij publike.

Ai ka thënë se kontrata që do të nënshkruajnë është një test për shërbimin e parkingjeve në Prishtinë, që pritet të aplikohet për herë të parë në Kosovë.

“Kjo kompani është e provuar, në disa qytete në Izrael, në Itali, edhe ne duam ta provojmë në mënyrë që kompania të filloj me të hyra, ta testojmë sesi është dhe pastaj të shohim se çfarë bëjmë pas një viti. Po mundohemi që kontrata të jetë e saktë, ta mbrojmë komunën e Prishtinës. Ne jemi në fazën e përfundimit të kontratës, në mënyrë që ta nënshkruajmë dhe ta publikojmë, siç i publikojmë dokumentet tjera”, ka thënë i pari i kryeqytetit.

Ai ka treguar edhe për të hyrat nga ky projekt e që pritet të jenë 85 për qind, ndonëse nuk dihet se sa të hyrja në përgjithësi do të arkëtohen nga parkingjet publike.

“Vlerën e kontratës duhet me vendosë, nuk mundmi ta lëmë zero, prandaj është vendos 50 mijë euro. Kjo do të jetë me përqindje, “Prishtina Parking” është kompani e komunës dhe ajo do t’i merr 85 për qind të të hyrave, ndërsa ne do të paguajmë për një kohë një vjeçare softuerin që pagesat do të bëhen me aplikacion, me sms, me biletat dhe me disa pajisje. Ne do të paguajmë një pjesë të hyrave, derisa ta shohim sesi po shkon”, tha tutje Ahmeti, duke e pranuar ende nuk dihen sa do të jenë të hyrat.

Në një deklarim për KALLXO.com, pronari i kompanisë “Tis Holding L.L.C” ka thënë se janë në pritje për nënshkrimin e kontratës pasi i kanë bërë gati të gjitha dokumentet.

“Jo, nuk kemi ende kontratë të nënshkruar. Nuk na kanë kthyer përgjigje, ndonëse ne u kemi dërguar atyre kërkesa”, ka thënë Bashkim Shalla.

Ai tha se ende nuk kanë ndonjë zyre të kompanisë në Kosovë për shkak se ende nuk kanë filluar të punojnë. Ndërsa, sa i përket ndonjë studimi paraprak në Prishtinë për tregun që e pret, ai tha se një gjë të tillë nuk e kanë bërë.

“Nuk kemi bërë ndonjë studim paraprak, sepse ende nuk kemi asnjë kontratë me komunën e Prishtinës. Ne nuk e kemi idenë fare se pse komuna e Prishtinës nuk na ka ftuar deri më tani që ta nënshkruajmë kontratën”, ka thënë ai.

Siç raportojnë mediat në Shqipëri, kompania “Tis Holding L.l.c” është e regjistruar me adresë në ShBA me pronar biznesmenin nga Shqipëria, Bashkim Shalla. Ndërsa, e njëjta kompani ka edhe një degë të hapur në shtetin shqiptar.

Kompania “Tis Holting L.l.c” kishte fituar një tender në kohëzgjatje prej 15 vitesh që të menaxhoj me parkingjet publike në komunën e Vlorës, por kontrata ishte ndërprerë me ndërrimin e pushtetit në këtë komunë.

Mediat në Shqipëri kanë raportuar se për kontesti që kishte kompania “Tis Holding L.L.C” me komunën e Vlorës, si dhe hetimet që ishin duke u bërë nga prokuroria e Vlorës.

I pyetur nga KALLXO.com mbi telashet e kompanisë në tenderin në Bashkon e Vlorës, Bashkim Shalla ka thënë se kontratën e kanë shkëputur për arse se ajo nuk ishte respektuar nga qeverisja lokale në Vlorë.

“Nuk na kanë shkëputur kontratën ata, ne e kemi shkëputur. Bashkia e Vlorës nuk ka përmbushur kushtet sipas kontratës, për jemi në Gjykatë dhe nuk ka përfunduar ende gjykimi”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, për kontratën për menaxhimin e parkingjeve publike ka reaguar asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi. Ai ka thënë se kompania “Tis Holding L.l.c” është zgjedhur pa konkurrencë.

“Siç kemi parë edhe nga mediat. Pa asnjë konkurrencë, por me procedurë të negociuar, prokurimi i Prishtinës e ka shpallur fitues të tenderit për parkingje kompaninë “TIS Holding L.L.C” nga SHBA-ja që për adresë e ka vendi “Coastal Highëay Leëes Delaëare””, ka thënë Azemi.

Ai ka thënë se marrëveshja për menaxhimin e parkingjeve duhet të hetohet nga Prokuroria e shtetit.

“Siç dimë me parkingjet në Prishtinë janë marrë Shpend Ahmeti e Dardan Sejdiu. Se a ishte edhe kjo një marrëveshje e pilotuar ngjashëm si ajo në Vlorë do duhej ta vërtetonte Prokuroria, e cila fatkeqësisht nuk ka filluar asnjë hetim edhe pse kishte raportime për këtë temë”, ka thënë tutje Azemi.

Asamblisti i Vetëvendosjes ka ngritur dyshime edhe mbi çmimin e kontratës dhe njësisë.

“Sado që numri i tenderëve të pranuar ka qenë vetëm një, në dosje të tenderit është shkruar se kompania ka pasur ofertë 15 euro për njësi, ndërsa kompania me çmimin më të shtrenjtët ka qenë 39 euro. Pra si mund të ishte një kompani me 39€ e një me 15€ kur thuhet se vetëm një kompani ka aplikuar? Pra është një mashtrim që s’do shpjegim”, deklaroi Egzon Azemi.