Ministri i NISMA-së la prapa monopol në shënjim të naftës me kosto milionëshe

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e udhëhequr nga Vesel Krasniqi i partisë NISMA Socialdemokrate, e ka lënë mbrapa një monopol të ri, koston e të cilës do të mbartin kompanitë e naftës, përkatësisht qytetarët e Republikës së Kosovës, që do të paguajnë me shtrenjtë naftën. Ministri i Qeverisë së Avdullah Hotit, e ka autorizuar një kompani zvicerane për shënjim/markim të naftës. Shenjëzimi/markimi i naftës do të bëhet i obligueshëm, ndërsa pritet t’i garantojë kompanisë së autorizuar rreth 6 milionë euro në vit apo 30 milionë brenda 5 vjetëve, në vartësi të sasisë sa naftës së importuar.

Kompania e autorizuar do të jetë e vetmja që do të bëjë shënjimin/markimin e naftës në 5 vitet e ardhshme. Këtij monopoli i është hapur rrugë nga Udhëzimi Administrativë 09/2020 për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari ka njoftuar se ka shfuqizuar shumicën e neneve të Udhëzimi Administrativë 09/2020, duke përfshirë nenet që parashihnin se vlerësimin e konformitetit të bënin bizneset private e jo Dogana siç ka qenë më herët. Por, në vendimin e publikuar të Hajdarit del se nuk janë shfuqizuar nenet që flasin për shenjëzim, përkatësisht markim të naftës.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë për arsyet e mos-shfuqizimit të këtyre neneve, mirëpo ajo ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen përmes e-mailit.

Ndërkohë, KALLXO.com përmes burimeve, ka mësuar se në fakt ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, e ka autorizuar një kompani që do të kryej shënjimin e karburanteve.

Ndërsa, shkëputja eventuale e saj, mund të rrezikojë që rasti të dërgohet në arbitrazh. KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje nga Veseli, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.

KALLXO.com kishte raportuar në muajin janar për rrezikun që të themelohet një monopol në tregun e naftës. Pas raportimeve të KALLXO.com, kryeministri Avdullah Hoti kishte kërkuar shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ që i hapte rrugë krijimit të monopolit. Por, ky UA nuk ishte shfuqizuar asnjëherë. KALLXO.com disa herë kishte bërë pyetje në kryeministri pse nuk po shfuqizohet ky UA me vendim të qeverisë, mirëpo vazhdimisht kishte pranuar përgjigje se kërkesa për shfuqizim ishte dërguar te ministria.

Nenin 54 i këtij Udhëzimi Administrativ ka paraparë shënjimin e karburanteve. Pika 17 e këtij neni ka paraparë kontraktimin e një trupe për terë territorin e Kosovës.

“MTI do të autorizojë dhe kontraktojë vetëm një (1) trupë për territorin e Republikës së Kosovës për shënjimin e produkteve të lëngëta të naftës dhe të monitorimit të shënjimit, kjo me qëllim të sigurimit të uniformitetit të monitorimit të shënjimit të produkteve në tërë Republikën e Kosovës dhe të identifikimit dhe të monitorimit të të gjitha produkteve të lëngshme të naftës”, thuhet në pikën 17 të nenin 54.

Kurse pika 15 e ka përcaktuar kohëzgjatjen e autorizimit si dhe kushtet për vazhdim të autorizimit.

“Afati i vlefshmërisë së emërimit dhe angazhimit kontraktual të trupës apo palës së kontraktuar për shënjim dhe monitorim në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, është pesë (5) vite me mundësi vazhdimi. Për vazhdimin e emërimit dhe angazhimit trupi apo pala e kontraktuar për shënjim paraqet kërkesë 60 ditë para skadimit të afatit të emërimit duke përmbushur të gjitha kushtet dhe kriteret paraprake nga aspekti teknologjik dhe operacional”, thuhet në pjesën e parë të pikës 15.

Në këtë Udhëzim është paraparë që koston e shënjimit do ta bartin bizneset.

“Shpenzimet e krijuara gjatë procesit të shënjimit dhe monitorimit mbulohen nga Subjekti i cili i është nënshtruar këtij procesi”, thuhet në pikën 19 të nenin 54 të këtij UA.

Megjithatë, KALXXO.com ka inststuar që të marrë disa përgjigje nga Ministra e Tregtisë dhe Industrisë, për të sqaruar disa nga çështjet rreth vendimit. Të pyetur se përse MTI s’ka marrë vendim të anuloj edhe nenin 54 të Udhëzimi Administrativ të fuqizuar në kohën e ish ministrit Veseli, nga MTI na janë përgjigjur:
“Ky nen lidhet me një proces të ndarë nga kontrollimi i naftës në Doganë, andaj kërkon trajtim të veçantë”.
Gjithashtu KALLXO.com ka dashur të dijë nga MTI nëse është bërë autorizimi/kontraktimi i ndonjë kompanie/biznesi për shënjëzim të naftës? Për këtë pyetje nga MTI kanë thënë se ish-ministri Krasniqi ka nxjerrë vendim për të emëruar një trupë për shënjimin e karburanteve të naftës.

“Ish-ministri gjithashtu ka lidhur kontratë me trupën për shënjimin”, kanë thënë nga MTI, duke treguar gjithashtu se kontrata është e lidhur me kompaninë “SIPCA SA” me afat 5 vjeçar.

MTI e kishte publikuar ftesën për interesim të kompanive që shprehin interes që të bëjnë markimin e naftës në Kosovë. Afati i fundit për aplikim ishte caktuar data 21 dhjetor 2020. MTI-ja më nuk ka publikuar asnjë njoftim e as vendim për autorizim të ndonjë kompanie për shënjëzim/markim të naftës.

Si rrjedhojë e kësaj, KALLXO është interesuar të di se sa do të jetë kosto për shënjëzim/markim të një litre të karburanteve, e nga MTI kanë dhë përgjigjur të prerë.

“8,35 euro për 1.000 litra (pa TVSh)”, kanë thënë nga ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Të dhënat e Doganës së Kosovës thonë se në vitin 2019 janë importuar 618 milionë litra naftë, kurse në vitin 2020 janë importuar 602 milionë litra naftë në Kosovë.

Në bazë të çmimit që është nënshkruar kontrata del se të hyrat e kompanisë do të jenë 5.1 milionë euro. Kurse, nëse e marrim si kosto që do t’i kushtojë bizneseve, pra duke i shtuar TVSH-në, atëherë do të kemi një kosto prej 6 milionë euro me TVSH.

Shënim: Tekstit i është shtuar përgjigja e Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.