MAShT ia ndërron pozitën zyrtares që refuzoi validimin e parregullt të diplomave të kolegjeve private

Rreth gjashtë vite përvojë pune në sektorin e nostrifikimit të diplomave nuk i mjaftuan për ta mbajtur këtë pozitë Kumrije Gagicës.

Me një vendim një faqësh, kësaj zyrtareje ju ndërrua vendi i punës brenda Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – MAShT.

Duke qenë udhëheqëse e Departamentit ‘NARIC’ me të cilin mburrej vazhdimisht Shyqiri Bytyqi – Ministër i Arsimit, Kumrije Gagica kishte raportuar lidhur me disa shkelje që sipas saj i kanë bërë kolegjet private duke mos dorëzuar dokumentet përkatëse për verifikimin dhe vulosjen e diplomave.

Të njëjtën ditë pas dorëzimit të këtij raporti, kësaj zyrtareje i erdhi vendimi për ndërrimin e pozitës së saj nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm.

Përderisa MAShT e quajti këtë ‘transfer’ çështje të brendshme, zyrtarja në fjalë për KALLXO.com tha se kanë pasur probleme lidhur me çështjen e validimit të diplomave.

Departamenti ‘NARIC’ përpos funksionit të nostrifikimit të diplomave që vijnë nga jashtë Kosovës, tani ka funksionin edhe të validimit të diplomave vendore që synojnë të shkojnë jashtë shtetit për vazhdim të studimeve.

Gagica tha për KALLXO.com se largimi i saj është bërë në mënyrë arbitrare.

“Është e vërtetë që arbitrarisht jam dërguar në një pozitë tjetër të barasvlefshme. Unë nuk kam pranuar arsyetim në vendim se përse është bërë ky transfer, veçmas kur në vitin 2018 Ministri është deklaruar dhe është mburrur publikisht për punën e NARIC”, tha Gagica.

 Rrjedha e problemeve

Kumrije Gagica, ishte punëtore e MAShT që nga viti 2009, ndërsa kishte punuar në sektorin e nostrifikimit të diplomave që nga viti 2013.

Ajo e ushtroi detyrën e Udhëheqëses së Divizionit për Njohje dhe Barazvlerë të Diplomave deri më datën 11 shkurt të këtij viti, kur i erdhi vendimi për transfer.

“Kumrije Gagica emërohet UD në pozitën: Udhëheqës i Divizionit për Menaxhimin e Standardeve dhe Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë- Departamenti për Arsim të Lartë, Shkencë dhe Teknologji në MAShT”, thuhet në vendimin për ndërrimin e pozitës së Gagicës.

Në po atë ditë, Gagica kishte dërguar një email në drejtim të ministrit, Shyqiri Bytyqi, Zëvendësministrit, Arbër Geci, Sekretarit të Përgjithshëm, Ekrem Kastratit, Shefit të Kabinetit dhe Këshilltar të Lartë Politik, Baton Dushi.

Në emailin e siguruar nga KALLXO.com, janë të renditura disa prej shkeljeve që sipas zyrtares janë bërë nga kolegjet private.

“Siç edhe jeni të njoftuar disa nga kolegjet private nuk i kanë respektuar dispozitat ligjore duke mos dorëzuar kopjet e librave amëz në MASHT sipas afateve ligjore që është e përcaktuar me Udhëzim Administrativ për Librat Amëz të Institucioneve të Arsimit të Lartë”, thuhet në email.

Përveç kësaj sipas emailit që Gagica ua kishte dërguar eprorëve të MAShT-it, theksohet se ka parregullsi tjera kur BPrAL-të nuk i kanë respektuar dispozitat ligjore të: “Sikurse që numri i kopjes së librit amëz nuk përputhet me listat e dorëzuara elektronike; ose kur është dërguar lista elektronike, nuk është dorëzuar kopja e librit amëz në MASHT, përkatësisht listat e dorëzuara në MASHT nuk janë mbyllur dhe verifikuar me nënshkrim dhe vulë, ose rastet kur kopja e librit amëz është lënë tek individ të caktuar dhe jo kompetent në MASHT, duke mos u dorëzuar zyrtarisht, pa u protokolluar përmes arkivës”, thuhet tutje në email.

Në pyetjet e KALLXO.com drejtuar MAShT-it lidhur me arsyen e transferit të kësaj zyrtareje, Valmir Gashi, Këshilltar i Ministrit Shyqiri Bytyqi, tha se kjo është çështje e brendshme.

“Zyrtarja në fjalë ka qenë U.D. dhe ka kaluar prapë si U.D. në një sektor tjetër. Gjithsesi, kjo është çështje e brendshme e MAShT-it”, thuhet në përgjigjet e këshilltarit të ministrit Bytyqi, Valmir Gashi.

Gagica për KALLXO.com tha se ka njoftuar zyrtarët se nuk mund të bëhet legalizimi i diplomave në mënyrë retroaktive nëse dokumentet e caktuara nuk janë ofruar me kohë.

“Në momentin që në NARIC ka kaluar edhe vulosja dhe vërtetimi i diplomave të fituara në IAL Publike dhe Private të Kosovës, NARIC ka hasur në shumë parregullsi të diplomave të lëshuara nga kolegjet private. Një numër i kolegjeve, e që dallon nga viti në vit ose nuk i ka dorëzuar fare librat amë në MAShT sipas procedurave ligjore, ose ka momente kur janë përcjellë me vonesë dhe janë pranuar nga individ të caktuar jokompentent”, tha Gagica.

“Ka pasur raste kur inspektorët kanë vërtetuar gjendjen në terren dhe kanë kërkuar që ato diploma t’i vulosim, edhe pse ato libra nuk kanë qenë në MAShT. Kjo çështje u problematizua shumë, sepse natyrisht në ato diploma i kemi kthyer mbrapa sepse nuk mund t`i validojmë”, shtoi ajo.

Në arsyetimin e vendimit të ministrisë për ndërrimin e pozitës së zyrtares Kumrije Gagica thuhet shkurt se: “Duke u mbështetur në dispozitat e shënuara më lartë si dhe nevojës për mbulimin e pozitës: Udhëheqës i Divizionit për Menaxhimin e Standardeve dhe Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë…”.

KALLXO.com dje kishte shkruar lidhur me një problematikë të disa studentëve të Kolegjit ‘AAB’, me validim të diplomave.

https://kallxo.com/ish-studentet-peng-i-mosmarreveshjes-mes-aab-se-dhe-masht-it-per-vulosjen-e-diplomave/

.