Ministri Arsim Bajrami gjatë një ceremonie të ndarjes së bursave për studentët e dalluar | Foto: KALLXO.com

MASHT Diskriminon me Ndarjen e Bursave të Doktorantëve

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) së Kosovës ka shpërndarë bursa për doktorantë që studiojnë në universitete prestigjioze në botë, por në këtë proces nuk ka respektuar kriteret e konkursit për përfitimin e kësaj burse.

Një studenteje e cila studion në njërin nga 500 universitetet më të mira në botë, sipas disa rangimesh, i është refuzuar bursa.

Ndër përfituesit e kësaj burse ka studentë nga universitete që nuk renditen në mesin e 500 më të mirëve sipas rangimit zyrtar në konkurs që është “Times Higher Education”.

MASHT e shpalli konkursin për ndarjen e 40 granteve në vlerë prej 2500 euro për mbështetje të studentëve që doktorojnë në një nga 500 universitetet më të mira në botë në shtator të vitit 2015.

(Kliko në këtë link për të shkakruar dokumentin e MASHT: konkursi-per-bursa-te-doktoraturave-viti-2015)

Ministria specifikoi se ky rangim do duhej të ishte sipas “Times Higher Education”, apo “ndonjë rangim të njohur ndërkombëtarisht”.

Në këtë konkurs kanë aplikuar 62 studentë të doktoratës nga universitete të ndryshme në botë.

Mimoza Telaku, studente e doktoratës në Universitetin “Ben Gurion”, në Izrael ka raportuar në KALLXO.com se i është bërë padrejtësi kur i është refuzuar ky grant pasiqë ajo i plotëson kriteret e konkursit të shpallur nga MASHT.

Telaku ka parashtruar ankesë zyrtare me shkrim edhe në Ministrinë e Arsimit me dëshmitë fizike se universiteti ku ajo studion rangohet në mes të 500 universiteteve më të mira në botë sipas këtyre rangimeve ndërkombëtare.

Qs Top University Rankings e rendit Universitetin “Ben Gurion” në vendin e 259-të.

Ndërsa Center of World University Rankings (CWUR) e rendit në vendin e 349.

Shanghai Ranking e rendit në vendin e 400 deri në 500.

Për më shumë se dy muaj, Ministria e Arsimit nuk i është përgjigjur ankesës me shkrim të bërë nga ana e Telakut.

“Kam provuar ta kontaktoj Ministrinë e Arsimit edhe në telefon për të marrë përgjigje ndaj ankesës që e kam parashtruar, mirëpo ata më kanë thënë se çështja e bursave ka përfunduar dhe nuk pse me i prit”, shpjegon Telaku për gazetën Jeta në Kosovë.

Përfundimisht në përgjigjen me shkrim ndaj kësaj ankese, Ministria e Arsimit rithekson se arsyeja e refuzimit të grantit të doktoraturës ka qenë fakti se universiteti i studentes në fjalë nuk rangohet në mesin e 500 më të mirëve sipas “Times Higher Education” apo Shanghai List (te cekur më lart).

Gazeta JNK ka kontaktuar me Ministrinë e Arsimit përmes postës elektronike dhe ka siguruar listën e përfituesve të këtyre bursave.

Nga 40 përfitues të bursave, 12 prej tyre studiojnë në Universitete që nuk rangohen në mesin e 500 më të mirëve nga rangimi i “Times Higher Education”.

Statistikisht, rezulton se 30 për qind e aplikantëve që janë bërë përfitues të bursave nuk e plotësojnë kriterin kryesor të konkursit.

“Sa kam informacion asnjë kandidat nuk ka arritë të përfitojë bursë nëse nuk ka qenë në 500 Universitetet sipas rangimit te T.H.E. [Times Higher Education]”, thuhet në përgjigjen zyrtare nga MASHT për Gazetën JNK.

Kandidatja që i është refuzuar bursa, Telaku, e konsideron këtë si shkelje të të drejtave të njeriut dhe si të tillë rastin e ka paraqitur tek Avokati i Popullit nga i cili institucion po pret rekomandim.

Bursa_doktorante