Kur shteti i mbyll bibliotekat

Në dhjetë vitet e fundit në Kosovë janë mbyllur 53 biblioteka në mungesë të investimeve dhe përkujdesjes shtetërore. Me vetëm pesë biblioteka të reja të hapura, vendi ka shënuar rënie drastike të hapësirave për lexim duke mbetur me vetëm 107 biblioteka.

 

Sa herë e kujton të kaluarën, Alisahit Bunjakut, i ndërmendet biblioteka në Desivojcë, fshat afër Kamenicës në Kosovën lindore. Sa ishte nxënës në vitet 70-ta, e gjithë jeta e tij zhvillohej përreth bibliotekës. Sapo e përfundonte mësimin nisej për aty, ku përveç librave të shumtë, e priste edhe bibliotekistin. Së bashku me librin e dorëzonte edhe librezën me shënimet e nevojshme, pastaj kthehej në shtëpi dhe fillonte me leximin.

Sot, në të njëjtin fshat, Bunjaku jep lëndën e matematikës, në shkollën që e ndan të njëjtin oborr me bibliotekën ku ai e kaloi fëmijërinë. Por, asgjë nuk është si më parë.

Shkolla “Kadri Zeka”, e fshatit Desivojcë sot numëron vetëm 44 nxënës. Në vitin 2000, ishin 355 nxënës, por nga mungesa e infrastrukturës, përkujdesjes institucionale dhe kushteve të rënda ekonomike, fshati ka mbetur gati i boshatisur.

“Gati të gjithë kanë emigruar nga fshati, dikush në qytet e disa jashtë vendit”, na drejtohet Drejtoresha e kësaj shkollë, Hanife Ferizaj.

Shkolla dhe biblioteka e fshatit Desivojcë të Kamenicës. Foto: Agon Sinanaj

Në oborrin e shkollës shihen pak nxënës, jo më shumë se dhjetë. Ata ndalojnë lojën, sapo shohin vizitorë. Në fytyrat e tyre vërehet habi. Në këtë anë, siç na thotë mësuesi i matematikës, ndodhë që kalojnë muaj pa asnjë vizitorë.

Ngjashëm ka rënë edhe interesimi për bibliotekën. “Nuk lëshohen më libreza në bibliotekë. Nuk ka as bibliotekar. Biblioteka për me u rregullu i duhet një investim. Janë në rrezik edhe librat, siç po e shihni”, na tregon Alisahiti, librat e shumtë të stivuara nëpër rafte.

Përveç librave shkencorë, aty të sheh syri edhe vepra të shkrimtarëve të mëdhenj të shekullit 20-të. Në mesin e shumë veprave aty ndodhen edhe “Fausti” i Gëtes, “Kështjella” e Franz Kafkës dhe “I huaji” i Albert Kamy-s.

“Kemi lexuar edhe letërsi në kohën time”, thotë Alisahiti, si nën faj, si për të dashur të tregojë se ajo kohë tashmë ka ikur.

Biblioteka e Desivojcës i rezistoi kohërave.

Biblioteka e Desivojcës është themeluar në vitin 1962 nga banorët e fshatit. Dikur numëronte një fond prej 10 mijë librash, kishte bibliotekar, frekuentohej nga banorët e disa fshatrave përreth, ndërsa sot rrezikon t’i vihet dryni. Aso kohe, biblioteka për banorët e Desivojcës ishte gjithçka. Vitet 60-ta të shekullit të kaluar ishin të rënda për shqiptarët e Kosovës; të privuar nga liria për të shprehur kombësinë e tyre dhe më pak mundësi për arsimim në gjuhën shqipe, mijëra qytetarë u detyruan të shpërngulen nga Kosova, shumica për Turqi.

Alisahiti thotë se biblioteka u ka ndihmuar banorëve të fshatit për t’i tejkaluar kufizimet dhe pengesat në arsimim, sidomos gjatë viteve 90-ta. Me 23 mars të vitit 1989, Kosovës, si krahinë në kuadër të Federatës Jugosllave, iu suprimohet autonomia dhe, si rrjedhojë, mijëra njerëz largohen nga puna, kurse më vonë fillon të organizohet arsimi paralel.

Pikërisht në këtë kohë, me 1993, Alisahiti së bashku me kolegët në shkollë, krijuan Shoqërinë Kulturore Artistike “Isa Boletini” prej nga u realizuan shfaqje dhe aktivitete kulturore për ditën e shkollës. “Na mungon gjithësecilit ajo kohë. Në fshat kemi pasur edhe këngëtar, edhe instrumentist. Sa është një kënaqësi është edhe mërzi, kur dihet gjendja në të cilën jemi sot”, tregon ai.

Alisahit Bunjaku, arsimtar nga Desivojca e Kamenicës, në bibliotekën e fshatit. Foto: Agon Sinanaj

Sot, jeta kulturore e fshatit pothuajse nuk vërehet. Alisahiti thotë se kjo është për keqardhje, kur dihet se tash, siç shprehet ai, “jemi ne ata që udhëheqim me shtetin”. Përkrahja institucionale për mirëmbajtjen e bibliotekave dhe aktiviteteve që kanë të bëjnë me librin është gati e pavërejtshme.

Sipas statistikave zyrtare, shteti i Kosovës investon fare pak për funksionalizimin e bibliotekave dhe aktiviteteve që lidhen me librin dhe leximin, në përgjithësi. Në vitin 2018, për biblioteka janë ndarë vetëm 56 mijë euro nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), derisa vetëm 160 mijë euro për librin dhe aktivitetet që lidhen me të.

Investimet publike në Kosovë, në dekadën e fundit kryesisht kanë qenë të orientuara në ndërtimin e autostradave. Më shumë se dy miliardë euro janë shpenzuar në autostrada deri më tani, ndërsa pritet të ndahen mbi 1 miliard euro për autostradën e Dukagjinit, e cila do të lidhë Istogun me Prizrenin.

Osman Gashi, Udhëheqësi i Zyrës për Komunikim në MKRS, ka thënë se si ministri më shumë kanë investuar në aktivitetet që lidhen me leximin, e më pak për mirëmbajtjen e bibliotekave.

“MKRS-së për sektorin e bibliotekave ka përkrahur blerjen e librave sipas kërkesave nga bibliotekat për furnizim me libra për 30 biblioteka komunale dhe ndërkomunale, me shumën totale 56 mijë euro për vitin 2018, dhe të gjitha botimet e librave që përkrahen nga ministria shpërdahen falas nëpër biblioteka në të gjithë vendin edhe me gjerë”, ka thënë ai.

Prej 160 mijë euro sa janë ndarë në vitin 2018, janë mbështetur gjithsej 53 shtëpi botuese, mirëpo përkrahje modeste vërehet tek përkthimi i veprave me autorë të huaj. Në këtë kategori janë mbështetur vetëm pesë botime.

Gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen bibliotekat në Kosovë e konfirmon Edon Zeneli, Kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës. Ai thotë se në mungesë të përkrahjes financiare nga institucionet shtetërore, bibliotekat publike janë gati jofunksionale, përjashto këtu bibliotekat në qytetet e mëdha.

Ambient i brendshëm i bibliotekës në fshatin Desivojcë të Kamenicës. Foto: Agon Sinanaj

“E para në listë domosdoshmërisht është mosfunksionimi i rrjetit të bibliotekave publike. Shumat që ndahen nga shteti janë qesharake”, ka thënë Zeneli për BIRN.

Por krahas nivelit qendror, mirëmbajtja e bibliotekave siç është rasti me atë në Desivojcë, është para së gjithash përgjegjësi e nivelit komunal. BIRN i është drejtuar me pyetje Komunës së Kamenicës për të kuptuar arsyet se pse nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim. Zyrtarët komunal nuk kanë kthyer përgjigje deri në ditën e publikimit të këtij shkrimi, përkundër premtimeve se do ta bëjnë një gjë të tillë. Gjendja e rëndë e bibliotekës rrezikon mbylljen e saj dhe nuk do të ishte biblioteka e vetme që mbyllet në vendin tonë.

Me dhjetëra biblioteka të mbyllura në dekadën e fundit

Prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, në Kosovë janë mbyllur mbi 50 biblioteka. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2007 në Kosovë kanë qenë 165 bibilioteka, ndërsa matjet e fundit për vitin 2017 të kësaj agjencie, flasin për 107 sosh.  Komuna e Prishtinës kryeson me më së shumti biblioteka të mbyllura gjatë kësaj periudhe. Në vitin 2007, në kryeqytet kanë qenë 57 biblioteka, ndërsa sot janë vetëm 13, pra të mbyllura janë gjithsej 44 biblioteka.

BIRN ka hulumtuar raportet e ASK-së ndër vite edhe sa i përket bibliotekave të reja të hapura këtë kohë. Në total, për dhjetë vite, janë hapur vetëm 5 biblioteka. Në pesë komuna, Klinë, Obiliq, Pejë, Zubin Potok dhe Zveqan, është nga një bibliotekë e re e hapur.

Raportet tregojnë se edhe fondi i librave është në tkurrje e sipër. “Në vitin 2017, fondi i librave në krejt bibliotekat në Kosovë ishte 1 milionë  e 782 mijë  e 945 libra, apo mbi 10 mijë libra më pak se viti paraprak, 2016, kur ishin 1 milionë e 793 mijë e 73 libra”, thuhet në raportin “Statistikat e Kulturës 2017”, të ASK-së.

Statistikat nga rajoni dhe më gjerë tregojnë një gjendje tjetër.  Madje edhe në vende me popullsi më të vogël numri i bibliotekave është më i madh.

Mali i Zi me mbi 600 mijë banorë, ka në nivel vendi gjithsej 300 biblioteka, trefish më shumë se sa Kosova. Estonia, që doli e para në Evropë në vlerësimin e testit PISA dhe një vend që i kushton rëndësi të madhe arsimit, me vetëm 1.3 milionë banorë ka mbi 500 biblioteka.

Panairi i Librit në Prishtinë. Foto: Fikret Ahmeti

Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë po ashtu për rënie drastike të numrit të lexuesve në Kosovë. Vetëm në vitin 2017 ka pasur 120 mijë lexues më pak në tërë Kosovën, krahasuar me vitin 2016. Kështu, prej 278 mijë e 201 lexuesve sa kanë qenë me 2016, ka rënie në 158 mijë e 176 lexues.

Rëndësia e leximit në shoqëritë bashkëkohore

Ag Apolloni, shkrimtar dhe profesor i letërsisë në Universitetin e Prishtinës, mendon se kjo rënie e interesimit për librin ka një shpjegim, sipas tij, të njohur tashmë nga të gjithë.

“Një shoqëri ka kulturë leximi kur ka edhe bazë të mirë arsimimi. Ne kemi dështuar në arsim dhe tashmë ky është një fakt i njohur nga të gjithë”, vlerëson Apolloni, përderisa thotë se gjendje e njëjtë është në të gjitha nivelet e sistemit arsimor. “Natyrisht që universiteti nuk arrin të përgatisë lexues, sepse shumica e atyre që pranohen në studime nuk kanë lexuar asnjë libër”, shton ai.

Pretendimet e Apollonit mbështeten nga rezultati i testit PISA i realizuar në vitin 2015. Fëmijët kosovarë të moshës 15 vjeçare u renditen më së keqi në rajon dhe në pesëshën e fundit në ranglistën botërore.

Rezultatet e nxënësve kosovarë kanë dalë dëshpëruese sidomos tek aftësia e tyre për mendim kritik. 77 përqind e nxënësve të testuar kosovarë nuk arrijnë aftësitë minimale të leximit që do të thotë se ata nuk e njohin idenë kryesore në një tekst dhe nuk mund të bëjnë interpretimin e domethënies brenda një pjese të kufizuar të tekstit.

Apolloni thotë se leximi, si forma më e mirë dhe, për disa, më e vështirë e edukimit, nuk i intereson shoqërisë sonë të sotme, sepse “ai nuk është akt nëpërmjet të cilit pasurohesh, apo popullarizohesh”.

“Leximi nuk të sjell “fansa”, “llajka”, “klikime”. Ai është akt individual, intelektual, prandaj i papëlqyeshëm në epokën e dukjes. Sot, e rëndësishme është të dukesh, jo të dish”, thotë ai.

Studiuesi i filozofisë Dritan Dragusha flet për mungesë të mekanizmave institucional në Kosovë në raport me dijen dhe në përgjithësi një arsimim të dobët që nuk po arrin t’i dërgojë nxënësit deri tek libri.

“Aktualisht oferta që kemi është një edukim/arsimim i shpejt, i pa kriter, pa substancë, kjo është oferta, por njëkohësisht kjo është edhe kërkesa që kemi, sepse ne po dëshirojmë që të gjithë të jemi njërëz me shkollë të kryer, me diploma, por jo edhe të tillë që mund t’i dalim zot asaj që kemi kryer”, ka thënë Dragusha.

Foto: Agon Sinanaj

Ardian Batusha, themelues i Qëndres për Filozofi dhe Art në Prishtinë, mendon se kultura bashkëkohore e ka devalvuar të lexuarit si akt dhe rëndësinë e librit në shoqëri. “Fatkeqësisht sot po jetojmë në një kohë kur tregu dhe marketingu po i dikton gjithnjë e më tepër zgjedhjet tona të përditshme, dhe kemi vërejtur se edhe në fushën e librit dhe kulturës në përgjithësi, servohen vepra që janë më shumë popullore dhe komerciale. Ky realitet i tregut po e quaj, po bën që kryeveprat dhe mjeshtritë e mëdhenjë të fjalës dhe mendimit të lihen në hije”, thotë ai.

Sipas tij, në kuadër të Qëndres funksionon edhe grupi i leximit ku të rinj pasionant për filozofi dhe letërsi debatojnë me orë të tëra. Grupi i leximit është themeluar në vitin 2017 dhe deri tash sipas Batushes janë organizuar rreth 15 diskutime mbi vepra të ndryshme letrare e filozofike.

Disa nga autorët dhe veprat janë: Friedrich Nietzsche “Kështu foli Zarathustra”, Albert Camus “I huaji”, Jean Paul Sartre-“Muri”, Herman Hesse “Sidhartha”, Ernest Hemingway “Plaku dhe Deti”, Dostoevsky “Krim dhe Ndëshkim”, etj.

Shumë prej këtyre veprave ndodhen edhe në bibliotekën e Desivojcës.

Megjithatë, ndryshe nga kryqendra ku aty këtu organizohen edhe grupe leximi, në fshatin Desivojcë, përveç braktisjes nga banorët, është edhe dora e shtetit që ka lënë bibilotekën në harresë sikur dhjetëra të tjera pa përkujdesje që po mbyllen anekënd Kosovës.

Biblioteka e fshatit Desivojcë të Kamenicës. Foto: Agon Sinanaj