Kthehet në pozitën e saj zyrtarja e MAShT pas ankesës brenda ministrisë

Kumrije Gagica do të udhëheqë sërish me departamentin e nostrifikimit dhe verifikimit të diplomave brenda Ministrisë së Arsimit, Shkencës.

Gagicës iu ndërrua pozita në shkurt të këtij viti pasi kishte raportuar lidhur me disa shkelje që sipas saj i kanë bërë kolegjet private duke mos dorëzuar dokumentet përkatëse për verifikimin dhe vulosjen e diplomave.

Të njëjtën ditë pas dorëzimit të këtij raporti, kësaj zyrtareje i erdhi vendimi për ndërrimin e pozitës së saj nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm.

Përderisa MAShT e kishte quajtur këtë ‘transfer’ çështje të brendshme, zyrtarja në fjalë për KALLXO.com tha se kanë pasur probleme lidhur me çështjen e validimit të diplomave.

Kjo zyrtare ishte ankuar ndaj këtij vendimi dhe ankesa e saj u aprovua duke e kthyer në vendn e mëparshëm të punës.

Valmir Gashi, këshilltar politik i Ministrit të Arsimit tha për KALLXO.com se transferi i saj ishte ligjor ndërsa sipas tij shkeljet që ajo kishte raportuar nuk qëndronë.

”Sekretarit ia lejon ligjit që t’i lëvizë zyrtarët në pozita të ndryshme në nivele të tjera. Mirëpo pas këtij veprimi ka pasur ankesë zyrtarja në fjalë dhe komisioni i ankesave e ka aprovu dhe e ka kthyer prapë në pozitën e saj. Lidhur me emailin e saj, pretendimet e saj nuk qëndrojnë”, tha Gashi.

Historia e transferimit të zyrtares

Kumrije Gagica, ishte punëtore e MAShT që nga viti 2009, ndërsa kishte punuar në sektorin e nostrifikimit të diplomave që nga viti 2013.

Ajo e ushtroi detyrën e Udhëheqëses së Divizionit për Njohje dhe Barazvlerë të Diplomave deri më datën 11 shkurt të këtij viti, kur i erdhi vendimi për transfer.

“Kumrije Gagica emërohet UD në pozitën: Udhëheqës i Divizionit për Menaxhimin e Standardeve dhe Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë- Departamenti për Arsim të Lartë, Shkencë dhe Teknologji në MAShT”, thuhet në vendimin për ndërrimin e pozitës së Gagicës.

Në po atë ditë, Gagica kishte dërguar një email në drejtim të ministrit, Shyqiri Bytyqi, Zëvendësministrit, Arbër Geci, Sekretarit të Përgjithshëm, Ekrem Kastratit, Shefit të Kabinetit dhe Këshilltar të Lartë Politik, Baton Dushi.

Në emailin e siguruar nga KALLXO.com, janë të renditura disa prej shkeljeve që sipas zyrtares janë bërë nga kolegjet private.

“Siç edhe jeni të njoftuar disa nga kolegjet private nuk i kanë respektuar dispozitat ligjore duke mos dorëzuar kopjet e librave amëz në MASHT sipas afateve ligjore që është e përcaktuar me Udhëzim Administrativ për Librat Amëz të Institucioneve të Arsimit të Lartë”, thuhet në email.

Përveç kësaj sipas emailit që Gagica ua kishte dërguar eprorëve të MAShT-it, theksohet se ka parregullsi tjera kur BPrAL-të nuk i kanë respektuar dispozitat ligjore të: “Sikurse që numri i kopjes së librit amëz nuk përputhet me listat e dorëzuara elektronike; ose kur është dërguar lista elektronike, nuk është dorëzuar kopja e librit amëz në MASHT, përkatësisht listat e dorëzuara në MASHT nuk janë mbyllur dhe verifikuar me nënshkrim dhe vulë, ose rastet kur kopja e librit amëz është lënë tek individ të caktuar dhe jo kompetent në MASHT, duke mos u dorëzuar zyrtarisht, pa u protokolluar përmes arkivës”, thuhet tutje në email.

Në pyetjet e KALLXO.com drejtuar MAShT-it lidhur me arsyen e transferit të kësaj zyrtareje, Valmir Gashi, Këshilltar i Ministrit Shyqiri Bytyqi, tha se kjo është çështje e brendshme.

“Zyrtarja në fjalë ka qenë U.D. dhe ka kaluar prapë si U.D. në një sektor tjetër. Gjithsesi, kjo është çështje e brendshme e MAShT-it”, thuhet në përgjigjet e këshilltarit të ministrit Bytyqi, Valmir Gashi.

Gagica për KALLXO.com tha se ka njoftuar zyrtarët se nuk mund të bëhet legalizimi i diplomave në mënyrë retroaktive nëse dokumentet e caktuara nuk janë ofruar me kohë.

“Në momentin që në NARIC ka kaluar edhe vulosja dhe vërtetimi i diplomave të fituara në IAL Publike dhe Private të Kosovës, NARIC ka hasur në shumë parregullsi të diplomave të lëshuara nga kolegjet private. Një numër i kolegjeve, e që dallon nga viti në vit ose nuk i ka dorëzuar fare librat amë në MAShT sipas procedurave ligjore, ose ka momente kur janë përcjellë me vonesë dhe janë pranuar nga individ të caktuar jokompentent”, tha Gagica.

“Ka pasur raste kur inspektorët kanë vërtetuar gjendjen në terren dhe kanë kërkuar që ato diploma t’i vulosim, edhe pse ato libra nuk kanë qenë në MAShT. Kjo çështje u problematizua shumë, sepse natyrisht në ato diploma i kemi kthyer mbrapa sepse nuk mund t`i validojmë”, shtoi ajo.

Në arsyetimin e vendimit të ministrisë për ndërrimin e pozitës së zyrtares Kumrije Gagica thuhet shkurt se: “Duke u mbështetur në dispozitat e shënuara më lartë si dhe nevojës për mbulimin e pozitës: Udhëheqës i Divizionit për Menaxhimin e Standardeve dhe Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë…”.

MAShT ia ndërron pozitën zyrtares që refuzoi validimin e parregullt të diplomave të kolegjeve private