Bujar Ejupi - Foto: KALLXO.com

KPMShC gjen shkelje ligjore, anulon vendimet disiplinore të AAC-së ndaj punëtorëve

Menaxhmenti i lartë i Autoritetit të Aviacionit Civil, për katër muaj ka iniciuar 6 procedura disiplinore për punëtorë, 5 prej të cilave për shkelje të rënda. Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil (SPAAC) ka vlerësuar se inicimi i këtyre procedurave është alarmant, meqë ky institucion ka vetëm 28 punëtorë.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime për këto procedura nga Autoriteti i Aviacionit Civil, drejtori Bujar Ejupi dhe anëtarët e bordit të AAC-së por ata nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet që i kemi dërguar. Ndërkohë, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil ka konstatuar se tri vendime të AAC-së të iniciuara nga menaxhmenti i AAC-së dhe drejtori Bujar Ejupi ndaj punëtorëve ishin në kundërshtim me ligjin. 

Vendimet që janë kthyer prapa për shkak të shkeljeve ligjore janë për largimin nga puna të Drejtoreshës së Departamentit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Rregullimit Ekonomik, shqiptimin e masës disiplinore ndaj Zyrtarit të Lartë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe për “ndalim të pagës në shumën prej 20% për një periudhë prej 2 muajve, për drejtoreshën e Departamentit për Administratë dhe Burime Njerëzore.

Ligji i KPMShCK-së thotë se vendimet e Këshillit janë vendime administrative të formës së prerë dhe ato duhet të zbatohen nga zyrtari i nivelit të lartë ose personi përgjegjës i institucionit që e ka marrë vendimin e parë ndaj palës. Me vendimet e KPMShC-së, Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së është i obliguar që të bëjë zbatimin e vendimeve brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të vendimeve.

Në rast të moszbatimit të vendimit të Këshillit, në Ligjin e Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovë thuhet se Kryetari i Këshillit nxjerr vendim për ndalimin e 50% të pagës mujore për personin përgjegjës, deri në zbatimin e vendimit të Këshillit.

Anulimi i vendimit për largim nga puna 

Pas inicimit të rastit nga drejtori Bujar Ejupi, Komisionit Disiplinor të Autoritetit të Aviacionit Civil kishte vendosur për largim nga puna të drejtoreshës së Departamentit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Rregullimit Ekonomik në AAC, me inicialet B.U. Por, ky vendim është anuluar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës, pasi kishte gjetur shkelje ligjore.

Drejtori i AAC-së, Bujar Ejupi e kishte iniciuar rastin me 9 tetor 2020 për shkelje të rënda disiplinore, gjegjësisht për mospërmbushje të detyrave të punës, mosrespektim të afateve të caktuara në përmbushjen e detyrave të punës dhe moszbatim të dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale.

Një prej arsyeve për inicim të procedurës disiplinore ishte mos-implementimi i rregullores 04/2011 për hapjen e tregut për ofruesit e shërbimeve në tokë.

“Kjo tregohet përmes korrespodencës përmes emaileve si dhe takimet e përbashkëta në vend që të marr përgjegjësi, të ofrojë përkrahje dhe zgjidhje për implementimin e rregullores, ajo haptazi refuzoi të përfshihet në përpjekje për implementim të rregullores, ajo haptazi refuzoi të përfshihet në përpjekje për implementimin e rregullores duke bartur përgjegjësi tek të tjerët dhe jap arsyetime të tjera që pengojnë implementimin e rregullores. Sjellja e tillë paraqet shkelje të rëndë disiplinore dhe sipas Ligjit, mospërmbushja e detyrave të punës, mosrespektimi i afateve të caktuara në përmbushjen e detyrave, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda moszbatimi i dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale”, thuhet në arsyetimin e vendimit për largim nga puna.

Sipas KPMShC-së, Komisioni Disiplinor i AAC-së nuk ka marrë fare parasysh faktet vendimtare, sic është vlerësimin e rezultateve në punë të ankueses. Po ashtu, sipas KPMShC-së, Komisioni Disiplinor ka vlerësuar gabimisht provat apo nuk ka vlerësuar drejtë të njëjtat sepse zbatimi i Rregullores për Qasjen në Tregun e Shërbimeve në Tokë nuk është e tëra përgjegjësi e ankuese, pasi kërkohet që të ndryshohet Marrëveshja e Partneritetit Publiko Privat, gjë që nuk është kompetencë e saj.

Neni 69 i Ligjit nr.03/L051 lidhur me nenin 7 të Rregullores nr.04/2011 mund të zbatohet vetëm pas ndryshimit të Marrëveshjes PPP nga ana e palëve përkatëse, për shkak se çdo ndryshim i tarifave dhe/ose përjashtim i këtyre shërbimeve nga tarifat e rregulluara, kërkon ndryshimin e Marrëveshjes PPP, e cila do të miratohet vetëm nga KPPP, çka nënkupton se pretendimi për mospërmbushjen e detyrave të punës nga ankuesja është i paqëndrueshëm sepse ky është problem ligjor”, theksohet në vendimin e KPMShC-së, i cili citon shkresën e Divizionit për Monitorimin e Kontratave të Departamentit Qendror për Partneritet Publiko-Privat.

KPMShC ka konstatuar se nuk janë ofruar dëshmi se drejtoresha e larguar nga puna nuk i kishte respektuar afatet kohore.

“Ankuesja në punën e saj ka përmbushur detyrat e saj të punës dhe nuk është dhënë asnjë dëshmi se iniciuesi i procedurës disiplinore respektivisht Komisioni Disiplinor nuk ka evidentuar asnjë provë për mosrespektim të afateve të caktuara në përmbushjen e detyrave të cilat kanë sjellë pasoja të rënda respektivisht moszbatimi i dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale”, vazhdon vendimi i KPMShC-së.

Kolegji ka konstatuar se Komisioni Disiplinor i AAC-së me rastin e shqiptimit të masës disiplinore nuk ka vërtetuar drejtë gjendjen faktike dhe bazën juridike, nuk ka bërë administrimin e saktë të provave që kanë të bëjnë me rastin konkret, duke vepruar në kundërshtim të Ligjit për Zyrtarë Publikë, Rregulloren (QRK) sepse përveç që nuk ka konstatuar saktë shkeljen e supozuar nga ankuesja ka dështuar të shqiptojë masën disiplinore.

Pa u bërë një muaj nga vendimi i KPMShC-së, më 12 janar 2021, Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së ka marrë vendim që B.U të kthehet në pozitën e Drejtoreshës së Departamentit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Rregullimit Ekonomik të Aviacionit, sipas akt emërimit të datës 10 janar 2012, me të gjitha të drejta dhe detyrimet që lidhen nga marrëdhënia e saj e punës.

Anulimi i vendimit për masë disiplinore

Pa kaluar 20 ditë nga vendimi i parë, KPMShC ka anuluar vendimin e Bujar Ejupit, drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së për masën disiplinore “vërejtje për dosje personale” të shqiptuar ndaj A.D, Zyrtar i Lartë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në AAC.

Kolegji për shqyrtimin dhe vendosjen e ankesave se ankuesi A.D përmes emailit zyrtar të datës 28 shtator 2020 të Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së është caktuar Menaxher i Kontratës për aktivitetin e prokurimit “Shërbime të Përkthimit”.

Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së më 18 nëntor 2020, ankuesit A.D i ka shqiptuar masën disiplinore “vërejtje për dosje personale” me arsyetimin se ankuesi në cilësinë e menaxherit të kontratës për aktivitetin e prokurimit “Shërbime të Përkthimit”, më 21 tetor 2020 përmes emailit ka pranuar kërkesë nga Departamenti për Siguri dhe Cilësi, për përkthimin e dokumentit “Procesi për menaxhimin e OR-ve” dhe përkundër se kërkesa ka qenë e refuzuar nga Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së. Ankuesi A.D të njëjtën e ka përcjellë për përkthim te Kompania Përgjegjëse, duke bërë kështu “shkelje të rregullave dhe parimeve të etikës së punës, ku kërkohet nga secili nëpunës civil që t’i kryejë detyrat e punës në mënyrë të drejtë dhe efikase”.

Ankuesi, në ankesën e dorëzuar në KPMShC pretendon se nuk ka qenë i njoftuar se kërkesa se njësisë kërkuese për përkthimin e dokumentit “Procesi për menaxhimin e OR-ve” është refuzuar nga Drejtori i Përgjithshëm, Bujar Ejupi.

Kolegji ka konstatuar se më 21 tetor 2020, një inspektor në Departamentin e Sigurisë dhe Cilësisë pranë AAC-së, ka dërguar email në adresë të ankuesit A.D me përshkrimin “është kërkuar nga ZDP-ja që të përkthehet në shqip “Procesi për menaxhimin e OR-ve”, kështu që po ta dërgoj të bashkëngjitur procesin për përcjellje te firma e përkthimeve”. 

Ankuesi A.D, në të njëjtën ditë, përmes emailit të datës 21 tetor 2020, dokumentin e njësisë kërkuese e ka përcjellë për përkthim te kompania përgjegjëse.

Kolegji po ashtu, ka gjetur se pas shqiptimit të masës disiplinore, ankuesi përmes emailit zyrtar më 25 nëntor 2020, i është drejtuar Udhëheqëses së Departamentit për Siguri dhe Cilësi, me kërkesë që të njoftohet nëse kërkesa për përkthim të dokumentit “Procesit për menaxhimin e OR-ve” ka qenë e refuzuar nga Drejtori i Përgjithshëm. Drejtoresha e Departamentit për Siguri dhe Cilësi, më 25 nëntor 2020, përmes emailit ka njoftuar ankuesin se nuk kanë pranuar me shkrim ndonjë shkresë lidhur me refuzimin e kërkesës.

“…si dhe duke marrë parasysh se në dosjen e lëndës nuk ka një shkresë tjetër që dëshmon se ankuesi ka qenë i njoftuar për refuzimin e kërkesës së njësisë kërkuese, Kolegji vlerëson se Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së me rastin e konstatimit të përgjegjësisë dhe shqiptimit të masës disiplinore ndaj ankuesit nuk e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike, duke vepruar kështu në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Zyrtarët Publikë”, thuhet në vendimin e KPMShC-së.

Anulimi i vendimit për ndalimin e 20% të pagës

Vendimi i tretë i anuluar nga KPMShC, është vendimi i Komisionit Disiplinor të AAC-së për “ndalim të pagës në shumën prej 20% për një periudhë prej 2 muajve, për drejtoreshën e Departamentit për Administratë dhe Burime Njerëzore.

Kolegji ka konstatuar se Komisioni Disiplinor i AAC-së me rastin e shqiptimit të masës disiplinore ndaj ankueses “ndalim i pagës në shumën prej 20% për një periudhë prej 2 muajve”, nuk ka vërtetuar drejtë gjendjen faktike dhe bazën juridike. 

Po ashtu Kolegji ka konstatuar se nuk është bërë administrimi i saktë të provave që kanë të bëjnë me rastin konkret, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë. Kjo për arsye se Kodi i Etikës për Shërbyesit Civil nuk është në fuqi pasi që me hyrjen në fuqi të Ligjit për Zyrtarët Publikë është shfuqizuar Ligji për Shërbimin Civil si dhe të gjitha aktet e tjera nënligjore për shërbimin civil të Kosovës.

Rasti për drejtoreshën e Departamentit për Administratë dhe Burime Njerëzore është iniciuar nga Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së, Bujar Ejupi më 7 tetor 2020 përmes emailit zyrtar. 

Procedura disiplinore ndaj saj është inicuar për shkelje të rëndë disiplinore, gjegjësisht shkelje të përsëritur të rregullave të Kodit të Etikës në Shërbimin Civil.

Më 29 tetor 2020 ankuesja është ftuar nga Kryesuesi i Komisionit Disiplinor për seancë më 2 nëntor 2020, në të njëjtën ditë ankuesja ka kërkuar shtyrje të seancës për 5 ditë. 

Po ashtu ka kërkuar që t’i ofrohen provat lidhur me shkeljet e supozuara, si dhe e ka kërkuar që të largohet nga Komisioni Disiplinor një nga anëtaret e Komisionit, me pretendimin se ka konflikt interesi, për shkak se e njëjta është vartëse e saj.

Lidhur me pretendimin për ekzistimin e konfliktit të interesit, Kolegji i KPMShC-së ka vlerësuar se AAC ka vepruar në kundërshtim me dispozitat procedurale për arsye se janë tri vërejtje të shqiptuara për anëtaren e Komisionit nga ankuesja më 22 korrik 2020, 10 gusht 2020 dhe 21 shtator 2020 për moskryerjen e punëve dhe detyrave.

Kolegji konstaton se meqenëse ankuesja ka pozitën drejtoreshë e i Departamentit të Administratës dhe Burimeve Njerëzore, mbi këtë bazë kjo paraqet direkt konflikt interesi.

Reagimi i Sindikatës ndaj vendimeve disiplinore

Ndaj vendimeve disiplinore të menaxhmentit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil (SPAAC) ka shprehur indinjatë të thellë dhe i konsideron si të padrejta.

SPAAC kishte reaguar pasi Komisioni Disiplinor i Autoritetit të Aviacionit Civil kishte marrë vendim për largim nga puna të një drejtoreshe të departamentit, e cila ka 17 vjet përvojë pune në aviacion dhe ishte pjesë e ekipit themelues të AAC-së në vitin 2008. 

“Largimin e saj, përmes një vendimi me arsyetim të pabazuar dhe tendencioz, përveç që dëmton atë personalisht, Sindikata e sheh si sulm ndaj profesionalizmit të stafit të AAC-së dhe vet institucionit”, thuhet në reagimin e SPAAC.

Sipas SPAAC, brenda një periudhe 4 mujore, 6 procedura disiplinore, 5 nga të cilat për shkelje të rënda, janë iniciuar nga menaxhmenti i lartë i AAC ndaj punëtorëve me kontribut të theksuar në këtë institucion. Në reagim thuhet se 4 kanë përfunduar me masa disiplinore, duke filluar nga vërejtjet me shkrim, ndalje të pjesshme të pagës e deri te largimi nga shërbimi civil. 

“Potencojmë se këta numra janë alarmantë kur merret parasysh se stafi i AAC-së përbëhet nga vetëm 28 profesionistë, shumica e gjerë me kualifikime postdiplomike dhe përvojë të gjatë në shërbimin civil dhe aviacion në përgjithësi.

Stafi profesional i AAC-së, i ndërtuar me mund për shumë vite dhe me shumë investim, është veçanërisht nën presion të theksuar, gjë që mund të ketë pasoja serioze edhe në mbikëqyrjen e industrisë së aviacionit civil në Kosovë.

SPAAC i ka bërë thirrje Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil dhe institucioneve të drejtësisë që t’i shqyrtojnë me përpikëri ankesat që po iu drejtohen për të ndërprerë shkeljen e të drejtave të punëtorëve, ndërsa nga institucionet mbikëqyrëse – ministri i Infrastrukturës, Kuvendi i Kosovës, dhe Bordi i AAC-së, që të monitorojnë me vëmendje situatën e krijuar.

“Ne do të vazhdojmë ta mbrojmë profesionalizmin e AAC-së të ndërtuar ndër vite që gjithnjë është vlerësuar lart nga institucionet relevante ndërkombëtare dhe do të vazhdojmë të punojmë në të mirën e përgjithshme të aviacionit civil në Republikën e Kosovës”, përfundon reagimi i SPAAC.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga Bujar Ejupi në lidhje me pretendimet e zyrtarëve të AAC-së në lidhje me masat ndëshkuese ndaj tyre por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje. Përgjigje është kërkuar edhe nga bordi i AAC-së në lidhje me masat disiplinore ndaj punëtorëve të AAC-së por as ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërsa kur është pyetur ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi nëse është në dijeni dhe nëse do të ndërmarrë masa ndaj Bujar Ejupit, drejtorit të AAC-së. Në përgjigjen e ministrisë thuhet se Ejupi e ka të gjithë mbështetjen e ministrit Abrashi.

“Drejtori i AAC-së, Bujar Ejupi, e ka mbështetjen e plotë të ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi, në kryerjen e detyrave të tij që ia përcakton ligji”, theksohet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

Bujar Ejupi është emëruar drejtor i AAC-së në muajin qershor të vitit 2020 me propozim të ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi. Ejupi ishte emëruar në vend të Eset Berishës, i cili ishte shkarkuar nga Qeveria Kurti.

Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Kosovës (AAC) është themeluar me Ligjin për Aviacionin Civil si agjenci e pavarur rregullatore për aviacionin civil. AAC-ja është përgjegjëse për rregullimin e sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe shërbimeve të navigacionit ajror në Republikën e Kosovës. 

Aktivitetet në aviacionin civil në hapësirën ajrore të Kosovës zhvillohen në përputhje me dispozitat e Ligjit për Aviacionin Civil, Konventën për Aviacionin Civil Ndërkombëtar të datës 7 dhjetor 1944 dhe Marrëveshjen për Themelimin e Zonës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit.