Punëtorët në fabrikën e këpucëve në Suharekë, Foto: BIRN

Komunat japin bursa pa kritere

Shumica e komunave të Kosovës japin bursa për lëndët të cilat nuk janë deficitare. Bizneset ankohen për mungesë të punëtorëve profesionistë, derisa Oda Ekonomike vlerësojnë se nuk ka koordinim mes pushtetit qendror dhe atij lokal

Për një vend pune në arsim në komunën e Ferizajt konkurrojnë mesatarisht 50 persona. Por, numri i madh i të diplomuarve në edukim e të papunë, nuk e ka ndaluar komunën që të jap sërish bursa për studentët e edukimit, dhe të nxisë numër edhe më të madh të të diplomuarve në këtë drejtim.

Komunat e Kosovës ndajnë një bursë simbolike për studentët. Por, mungesa e hulumtimeve dhe politikave të duhura bën që shumë prej tyre të ndajnë bursa për drejtime ku ka mbipopullim dhe jo për drejtimet deficitare.

Në listën e bursistëve të komunës së Ferizajt shihet se shumë prej bursistëve janë edhe në drejtimin edukim.

Ferizaj e ka të zhvilluar tregtinë dhe industrinë dhe llogaritet si qyteti i dytë sa i përket taksapaguesve në buxhetin e Kosovës.

Problemi i njëjtë sikur në Ferizaj paraqitet edhe në Rahovec.

Komuna që vlerësohet si hambari i Kosovës për shkak të zhvillimit bujqësor, nuk ka ndarë asnjë bursë për studentët që studiojnë në drejtime bujqësore.

Por, ka edhe më keq.

Komuna e Vitisë nuk i ka përcaktuar fare drejtimet e studentëve që u ka ndarë bursë. Në listën zyrtare të tyre tregohet vetëm emri e mbiemri i studentit.

Kryetar i Rahovecit Smajl Latifi ka thënë se e ka trashëguar këtë gjendje dhe këtë listë të drejtimeve.

”Ne e kemi trashëguar një gjendje të aplikimit të studentëve, të cilët kemi besuar se i plotësojnë kriteret, qysh në vitin 2017. Mirëpo nuk ka pasur vazhdim të procesit. Në kemi ndarë sivjet 63 bursa për studentë të cilët komisioni ka vlerësuar që i plotësojnë kriteret”, ka thënë Latifi derisa ka pranuar se nuk ka qenë kriter ai për drejtimet deficitare.

Edhe në Ferizaj, kriter i vetëm ka qenë nota mesatare. Sipas Selvete Bajraktarit, kryetare e komisionit që ka bërë përzgjedhjen e studentëve bursistë.

“Kemi kriter notën mesatare minimale 7.5 dhe të kenë të përfunduar të gjitha provimet e vitit akademik”, ka thënë ajo.

Në komunën e Vitisë nuk kanë pasur studim që do t’i definonte lëndët deficitare.

Fatbardha Emini, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Vitisë ka thënë se janë duke bërë përpjekje që në bursat e ardhshme të fusin disa drejtime deficitare.

“Këtë vit kemi përzgjedhur tre drejtime deficitare: Gjuhën gjermane, matematikën dhe fizikën. Kjo pasi në aplikimet për këto drejtime kemi vërejtur se nuk kemi kuadro të kualifikuar”, ka thënë Emini.

Ahmet Sedefi, pronar i kompanisë “Sedefi” që është fabrikë e prodhimit të produkteve ushqimore ka thënë në emisionin Zyra e Ankesave të RTV Dukagjini-t se ka  mungesë të kuadrove profesionale.

“Mungojnë kuadrot profesionale, si në prodhim ashtu edhe në kontabilitet. Kemi nevojë për teknolog, saldues, mjeshtër të elektrikes”, ka thënë Sedefi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi ka thënë se ka një hendek të madh mes asaj që prodhon sistemi arsimor dhe kërkesës së tregut.

Kjo sipas tij vjen edhe si rezultat i ndryshimit të kërkesave të tregut prej paslufte.

“Paslufta për shkak të ndërtimit të institucioneve ka kërkuar disa profile administrative e ekonomike por ajo periudhë tash ka përfunduar”, ka thënë Rukiqi.

Sipas tij, në mënyrë që një kompani të jetë konkuruese duhet ta ketë stafin profesional.

“Nëse nuk e ka fuqinë punëtore adekuate një kompani nuk mund të jetë konkurruese në treg”, ka theksuar Rukiqi.

Sipas tij duhet që të ketë një koordinim mes nivelit qendror e komunal në mënyrë që të stimulohen drejtimet deficitare.

Peja dhe Prishtina, janë të vetmet komuna që janë munduar që në listat e bursistëve të fusin drejtimet deficitare.

 

 

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.

Autor: Arben Ahmeti