Asambleja e Komunës së Vushtrrisë | Foto: Atdhe Mulla
Komuna e Vushtrrisë i Dha Tender Asamblistit (Por e Anuloi)
Komuna e Vushtrrisë kishte vendosur që ushqimet për një çerdhe fëmijësh t’i blinte nga një anëtar i asamblesë së saj.
Më pas ajo e anuloi tenderin e fituar nga kompania, e cila rezultoi se ishte në pronësi të Ilmi Azemit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Por si zyrtarët e komunës, ashtu edhe asamblisti deklaruan për Gazetën JNK se ishin të paqartë nëse quhet konflikt interesi kur komuna i jep tender kompanisë së një anëtari të asamblesë së saj, ndaj për ta zgjidhur këtë dilemë iu drejtuan Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Më 3 nëntor 2015, në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Komuna e Vushtrrisë kishte bërë thirrje për aplikim lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizim me artikuj ushqimorë për nevojat e AK-Vushtrri”, i cili kishte tw bwjw me cerdhen “Foleja”.
Më 1 dhjetor 2015, ky aktivitet i prokurimit publik përfundoi me dhënie të kontratës një operatori ekonomik, pronari i së cilës njëkohësisht është edhe këshilltar komunal në Vushtrri. Kohëzgjatja e kësaj kontrate parashihej për 12 muaj dhe vlera e përgjithshme e saj ishte mbi 25,600 euro.
Fadil Muzaqi, drejtor i drejtorisë komunale të prokurimit në këtë komunë, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se ka kërkuar opinion nga Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) lidhur me gjendjen e konfliktit të interesit për kompaninë në pronësi të asamblistit Ilmi Azemi.
“Një deputet i joni i Kuvendit Komunal është pronari një firme këtu për furnizim me artikuj
ushqimorë, jo drejtor por pronar, dhe ne për me ditë që a është konflikt interesi apo nuk është ju kemi drejtuar Agjencinë Kundër Korrupsionit”, tha Muzaqi.
Drejtori i prokurimit tha se pasi AKK-ja vlerësoi se rasti ishte konflikt interesi, oferta e asamblistit ishte refuzuar dhe një kompani tjetër ishte përzgjedhur.
Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) me 24 dhjetor 2015 kishte konstatuar gjendjen e konfliktit të interesit lidhur me këtë kontratë.
“Ekziston konflikt i interesit në rastin e Anëtarit të Kuvendit Komunal në Komunën e Vushtrrisë,i cili si pronari biznesit privat ka fituar kontratë në Komunën e Vushtrrisë, të titulluar Furnizim me artikuj ushqimore për Autoritetin Kontraktues te Komunës se Vushtrrisë”, thuhet ne opinionin e AKK-së.
AKK-ja dha edhe një shpjegim ligjor se përse rasti në fjalë përbënte konflikt interesi, duke cituar Ligjin për Parandalimin e Konfliktit te Interesit.
“Ndërmarrja ne te cilën zyrtari i lartë ka pronësi apo pjese te pronësisë, e drejtuar nga personi i besuar, nuk ka të drejtë të lidhë kontratë ose të përfitojë ndihmë nga institucionet qendrore ose lokale, në të cilat zyrtari i lartë është në pozitë vendimmarrëse”, sqaroi AKK-ja.
Por, Muzaqi tha se nuk kanë qenë në dijeni të konfliktit të interesit, sepse në deklaratën e kompanisë ishte vetëm emri i drejtorit dhe jo i pronarit të kompanisë, ndaj nuk e kanë ditur se kompania ishte në pronësi të asamblistit.
“Esenciale është që ne jemi shmangur atij konflikti dhe ne e kemi anuluar dhe korrigjuar vendimin tonë për dhënie të kontratës dhe kemi vazhduar me procedurën ai që ka qenë në rend e ka
marrë tenderin”, tha Muzaqi për Gazetën JNK.
Por, në faqen e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), Ilmi Azemi figuron pronar i firmës “Korabi Company” sh.p.k., ndaj komunës do t’i mjaftonte një kërkim në ARBK për të vërtetuar pronësinë e kompanisë.
Në anën tjetër pronari i kompanisë të cilit ju është dhënë e më pas anuluar kontrata, asamblisti Azemi, tha se po ta dinte se përbën konflikt të interesi, nuk do të aplikonte fare.
Madje ai pretendon se e ka dërguar vetë lëndën për shqyrtim në AKK, por në opinionin e agjencisë përmendet se rastin e ka dërguar për shqyrtim drejtori i prokurimit në komunë, Muzhaqi.
“Menaxheri [i kompanisë] ka qenë i njoftum që mos me u nënshkrua para se me u kthyer opinioni… Ne absolutisht nuk e kemi ditur se kjo përbën konflikt interesi sepse po ta kishim ditur nuk do të kishim konkurruar fare”, tha Azemi për Gazetën JNK.
Komuna e Vushtrrisë qeveriset nga PDK-ja, e cila ka edhe shumicën në asamblenë komunale.