Komuna e Podujevës angazhon si vozitës vëllanë e asamblistes së LVV-së

Komuna e Podujevës që udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi, e ka angazhuar si vozitës Shpat Maliqin, vëllanë e Lirika Maliqit, asambliste e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë. 

Angazhimi i Maliqit dhe tre vozitësve të tjerë për një periudhë punësimi prej 120 ditëve është bërë përmes një konkursi që është hapur duke u thirr në Ligjin e Punës. Por, aktualisht rregullimi i marrëdhënies së punës në sektorin publik bëhet me Ligjin për Zyrtarët Publik, si dhe me Ligjin për Prokurim Publik për angazhimin me kontrata për shërbime.

Në një bisedë për KALLXO.com, asamblistja Maliqi ka thënë se nuk ka ndikuar që vëllai i saj të fitoj kontratë nga komuna.

“Shpat Maliqi është vëllai im, por nuk kam ndikuar asgjë, pasi vëllai është punësuar me kontratë mbi vepër. Është hapë konkursi gjithçka ka qenë sipas rregullave dhe e di që është kontratë mbi vepër”, ka thënë shkurt ajo.

Gjashtë persona u intervistuan, por vetëm katër persona u angazhuan me kontratë katër muajshe.

 

Në një përgjigje për KALLXO.com, Komuna e Podujevës kanë thënë se nuk e kanë favorizuar vëllanë e asamblistes në konkursin për për punë me nevoja dhe specifika të veçanta me kontratë 4 mujore. 

“Nuk është favorizuar si vëlla i asamblistes Maliqi, por as nuk mund të diskriminohet. Ne kemi qenë të hapur e transparent dhe kemi bërë vlerësim meritor. Nuk do të ketë favorizim ndaj askujt e as diskriminim, do të jemi të hapur e transparent në secilin konkurs”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

Tutje në komunën e Podujevës thonë se i angazhuari i vozitës e ka përfunduar edhe fakultetin.

“Janë pranuar 4 persona e njëri ndër ta është Shpat Maliqi, i cili ka përvojë të gjatë si shofer, ai është i licencuar si instruktor dhe i ka të gjitha kategoritë e vozitjes. Po ashtu e ka edhe fakultetin e mbaruar. Ai i ka plotësuar të gjitha kriteret për t’u pranuar në këtë konkurs dhe nuk ka ndërhyrë askush për pranimin e tij”, ka thënë Zhitia. 

Procedurat e kontestuara të konkursit

Deri më tani punësimet e “ekspertëve” janë bërë në bazë të ligjit për Shërbyesit Civil, i cili tashmë është shfuqizuar. Që nga vera e vitit të kaluar, në Kosovë, kur ka hyrë në fuqi Ligji për Zyrtarët Publikë, i cili rregullon marrëdhënien e punës në institucionet publike. Në të njëjtin ligj është përcaktuar se angazhimi i personave me marrëveshje për shërbime të veçanta (kontratë mbi vepër) duhet të bëhet bazuar në ligjin për Prokurim Publik, përkatësisht me kontrata për shërbime.

Kjo është konfirmuar edhe nga ministria e Administratës dhe Punëve të Brendshme.

“Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë, datë 12 korrik 2020, ka ndryshuar edhe regjimi juridik sa i përket marrëveshjeve për shërbime të veçanta. Në nenin 84 të këtij ligji është specifikuar se marrëveshjet për shërbimet e veçanta lidhen sipas legjislacionit përkatës të prokurimit publik. Për ketë qellim Komisioni Rregullt i Prokurimit Publik, me datë 22.09.2020, ka hartuar rregullat për prokurim të shërbimeve të veçanta”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Komunën e Podujevës për të pyetur se, pse nuk janë ndjekë procedurat e reja për marrëveshja për shërbime të veçanta, por Komuna nuk ka dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë. Kanë thënë se janë referuar në nenin 8 dhe 10 të Ligjit të Punës.

“Konkursi i shpallur me datën 30.12.2020 është shpallur duke ju referuar nenit 8 dhe nenit 10 të ligjit të punës, i cili është në fuqi. Konkursi ka qenë publik dhe është hapur për angazhimin e katër vozitësve me punë dhe detyra specifike, jo kontratë mbi vepër”, thuhet në përgjigjen e Komunës. Neni 8 i ligjit të punës flet për obligimin që kanë institucionet publike me hap konkurse, ndërsa neni 10 parasheh kontratat afat-shkurta.

Tutje, komuna ka thënë se angazhimi i vozitësve është bërë me qëllim të zgjerimit të kapaciteteve të Qendrës Anti-Covid dhe shërbimeve të patronazhit.

“Pas shtimit të vëllimit të punës QKMF-ja e ka pasur të pamundur ta mbulojë me kapacitetet e saj këtë vëllim të ri të punës, andaj ata kanë parashtruar kërkesë drejtuar Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për katër vozitës. Bazuar në kërkesën e tyre ne kemi hapur këtë konkurs për punë dhe detyra specifike me kohëzgjatje 120 ditë”, thuhet në fund të përgjigjes.

Ligji i ri, punësimet bëhen me tenderë

www.kallxo.com