Foto: KALLXO.com

Komuna e LDK-së porosit mallëra serbe si “Plazma” e “Eurokrem”

Agjencia Qendrore e Prokurimit javë më parë kishte shpallur një tender 23.5 milionë eurosh për t’i furnizuar disa institucione të Kosovës me artikuj ushqimor.

E në mesin e artikujve ishin paraparë edhe produkte serbe, ndaj të cilave Qeveria e Kosovës kishte vënë taksë 100%.

KALLXO.com ka siguruar kërkesat që Autoritetet Kontraktuese kishin bërë në AQP për furnizim.

Njëra prej komunave që ka bërë  porosi në AQP është edhe Komuna e Istogut që udhëhiqet nga Haki Rugova i LDK-së.

Istogu në këtë kërkesë kishtë kërkuar për furnizim me 500 copa keksa “Plazma”, 300 kilogramë “Eurokrem” dhe 9200 copë “Smoki”.

Përveç këtyre produkteve serbe kjo komunë ka porositur edhe disa artikuj tjerë ushqimor me sasi të mëdha si dhe me firmë të specifikuar.

Komuna ka kërkuar edhe 2400 copa Pashteta pule “Argeta” ose ekuivalentë, 1220 kg plesakvica, 10.000 lëngje, 800 kg keksa “Petit Beurre”, 300 pako krem banane dhe të tjera.

Po ashtu kjo komunë ka porositur edhe 7200 copë “Pop Kek” e 800 kilogramë keksa “Petit Beurre”.

Istogu madje nuk e ka lënë anash as porosinë për mish, kështu duke kërkuar nga AQP për furnizim me 1200 kilogramë pleskavica dhe 130 copë peshk të konservuar “Tuna” apo ekuivalente.

Edhe 300 pako krem banane e 97 kilogramë vegetë ishin të përfshira në kërkesën e Istogut për AQP-në.

Ndryshe nga disa komuna që KALLXO.com ka raportuar, kjo komunë nuk ka kërkuar asnjë pije energjike “Golden Eagle” apo “Red Bull”, që janë të shënuara në shabllonin e AQP-së.

KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Istogut për të marrë sqarime në lidhje më këto kërkesa.

Zëdhënësja e komunës Fjolla Berisha tha për KALLXO.com se artikujt e kërkuar kanë qenë për çerdhet publike, derisa ia ka hedhur fajin AQP-së për shabllonin e dërguar.

“Shablloni ka qenë i punuar nga AQP-ja. Është kërkuar nga ne që ky shabllon të plotësohet me të dhënat e nevojshme për artikuj të nevojshëm dhe është plotësuar nga Drejtoreshat e Kopshteve te Komunës se Istogut. Komuna e Istogut ka gjithsej 5 kopshte të fëmijeëe,ku ushqimi përgatitet vetë nga kuzhinierët e këtyre çerdheve”, tha Berisha.

Ndryshe, vendosja e markave të prodhueseve është e ndaluar me nenin 28 të Ligjit të Prokurimit Publik.

Ndërsa AQP-ja e cila bënë prokurime për të gjitha institucionet, në emërtimin e produkteve që synon t’i blejë ka vendosur marka të prodhuesve të caktuar.

Në tenderin, që është i ndarë në 9 llote dhe që pritet të kushtojë rreth 23.5 milionë euro, tek specifikat teknike janë edhe artikujt: “EuroKrem”, “Plazma”, “Vegetë”, “Pop-Kek”, apo pashtetën e pulës “Argeta” por që pas tyre shkruhet edhe ekuivalentë.

AQP-ja, në arsyetimin e saj, ka thënë se kanë përdorur një shabllon të vitit 2015.

KALLXO.com, ka shkruar se kjo Agjenci pas reagimit publik është angazhuar për t’i larguar nga lista vetëm prodhimet serbe, siç janë: “Smoki”, “Plazma” dhe “Eurokrem”.

Për vendosjen e shabllonit të vjetër, KALLXO.com, ka marrë vesh se drejtori i përgjithshëm i AQP-së, Behxhet Rukiqi është dërguar në komision disiplinor nga Ministria e Financave.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht për komunat që kanë bërë porosi në AQP për tenderin 23.5 milionësh dhe mund t’i shikoni në këtë LINK.