Hani i Elezit

Komuna e Hanit të Elezit tërhiqet nga porosia për "Red Bull"

Komuna e Hanit të Elezit ka thënë se nuk konsumojnë pije energjike dhe se gabimisht e kanë listuar Red Bull dhe Golden Eagle tek kërkesa për furnizim me artikuj ushqimor në tenderin e hapur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit.

Zyra e prokurimit në komunën e Hanit të Elezit, ka thënë për KALLXO.com se komuna me datën 22 janar 2019, e ka njoftuar AQP-në përmes e-mailit, se është “përvjedhur” gabimi dhe se e kanë dërguar listën e re me kërkesa.

“Të bashkangjitur gjeni e-mailin e datës 22.01.2019 (pasi që u vërejt lëshimi i gabimit) se është përvjedhur gabim sepse komuna jonë nuk konsumon pije energjike”, thuhet në përgjigje të komunës së Hanit të Elezit.

Në listën e re që Hani i Elezit kishte dërguar në AQP, nuk ka kërkesë për këto dy pije energjike.

Sipas kësaj komune pijet tjera që janë porositur në tender, janë planifikuar për kokteje dhe vizita të ndryshme.

“Pijet tjera kemi menduar të përdoren sipas nevojës që do ketë komuna për kokteje dhe vizita të ndryshme që bëhen nëpër familje të Dëshmorëve, familje te rasteve sociale”, thuhet në përgjigje.

Duke u bazuar në dokumentin e lëshuar nga AQP-ja, KALLXO.com me 11 shkurt ka shkruar lidhur kërkesat e kësaj komune për furnizim me artikuj ushqimor siç ishte Red Bull dhe Golden Eagle por që Hani i Elezit kishte ndërruar porosinë.

https://kallxo.com/hani-i-elezit-planifikoi-te-bleje-red-bull-e-golden-eagle/