Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri - Foto: ATDHE MULLA

Komuna e Gazmend Muhaxherit injoron britanikët, emërojnë drejtorë politikë

Komuna e Pejës ka bërë përzgjedhjen e katër drejtoreve të bordit të ndërmarrjes komunale, Stacioni i Autobusëve.

Emërimi i drejtorëve është bërë në kundërshtim me memorandumin e nënshkruar me Ambasadën Britanike për ofrimin e asistencës në rekrutim, pasi nuk janë marrë parasysh rekomandimet e dhëna nga BDO-ja.

Komisioni vendor i përberë nga Xhenet Syka që është drejtoresh për zhvillim ekonomik në Komunën e Pejës, Arianit Krasniqi asamblist i LDK-së, Fitore Cena nga shoqëria nuk i kanë marrë parasysh rekomandimet e partnerit britanik, BDO-së. Vetëm njëri nga katër anëtarë e bordit të ri është në listën e kandidatëve që i plotësojnë kriteret sipas vlerësimit të bërë nga BDO-ja.

Në bordin e Stacionit të Autobusëve janë përzgjedhur: Ilir Muçaj, Sadri Abazi, Ardita Rizvanolli dhe Dukagjin Kerveshi.

Në listën e BDO-së, nga anëtarët e emëruar në bord, vetëm Ardita Rizvanolli që kishte marrë 21.5 pikë nga komisionit britanik. Në listën e BDO-së, si të emërueshëm, kanë qenë edhe Arben Ibrahimi dhe Vjollca Mehmeti-Beka që kanë marrë nga 19.5 pikë secili. Të dytë nuk janë emëruar në bordin e ndërmarrjes Komunale të Pejës, Stacioni i Autobusëve.

Kandidati më i poentuar nga komisionit i Komunës së Pejës, Ilir Mucaj ka qenë pjesë e kryesisë së LDK-së në këtë komunë që aktualisht udhëhiqet nga Gazmend Muhaxheri i LDK-së.

Shefi i kabinetit të kryetarit Muhaxheri, Durim Sheremeti e ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë se Ilir Muçaj ka qenë anëtar i kryesisë.

“Iliri nuk është anëtar i kryesisë, ka qenë i angazhuar në grupet e eksperteve për integrime evropiane. E në kryesi ka qenë shumë më përpara kur nuk ka qenë Gazmend Muhaxheri kryetar”, tha Sheremeti.

Muçaj është vlerësuar më së shumti nga komisioni vendor i përberë prej dy anëtareve të LDK-së dhe një anëtareje nga shoqëria civile. Muçaj nuk ishte i emërueshem sipas Britanikëve, pasi morri vetëm 16.5 pikë duke u renditur i shtati në listë.

BIRN e ka monitoruar procesin e rekrutimit të bordit të Stacionit të Autobusëve. Drejtorët e zgjedhur në bordin e Stacionit të Autobusëve kanë marrë komplimente dhe vlerësime superiore nga anëtarët e komisionit vendor ende pa u intervistu.

Gjatë shqyrtimit të aplikacioneve të kandidatëve që do të ftoheshin në intervistë janë dhënë komente si “ky është i mbikualifikuar për këtë pozitë”, apo “na duhet një jurist në bord” kur është shqyrtuar aplikacioni i Dukagjin Kerveshit.

Këto vlerësime superiore pas intervistës janë përkthyer në poena maksimal. Kerveshi kishte marrë 28 nga 30 pikë të mundshme nga njëri nga anëtarët e komisionit vendor.

Poentimi nga Komisioni Vendor