Komuna e drejtuar nga PDK porositi produkte serbe si “Plazma” e “Eurokrem”

Agjencia Qendrore e Prokurimit javë më parë kishte shpallur një tender 23.5 milionë eurosh për t’i furnizuar disa institucione të Kosovës me artikuj ushqimor.

E në mesin e artikujve ishin paraparë edhe produkte serbe, ndaj të cilave Qeveria e Kosovës kishte vënë taksë 100%.

KALLXO.com ka siguruar kërkesat që Autoritetet Kontraktuese kishin bërë në AQP për furnizim.

Njëra nga to është edhe Komuna e Kaçanikut, e cila ka kërkuar të blinte këto produkte.

Në kërkesën e saj, Komuna kishte kërkuar të blejë 14 copë keksa “Plazma” apo ekuivalentë nga 150 gramë, 17 kilogramë “Eurokrem” ose ekuivalentë dhe rreth 500 copa smoka të kompanisë serbe “Smoki”.  E po ashtu çipsa të firmës “Chipsy” 50 copa dhe 25 “Kiki Riki”.

Përveç këtyre produkteve serbe kjo komunë ka porositur edhe disa artikuj tjerë ushqimor me sasi të mëdha si dhe me firmë të specifikuar.

Komuna e drejtuar nga Besim Ilazi që vjen nga partia PDK, në tenderin e AQP-së ka kërkuar edhe 20 pije energjike “Red Bull” dhe “Golden Eagle”.

Po ashtu kjo komunë ka kërkuar  690 copa pashteta pule “Argeta” ose ekuivalentë, 800 “Pop Kek”, 341 kilogramë makarona “Divella” apo ekuivalentë dhe 10 kilogramë keksa të firmës “Petit Beurre”.

Kacaniku po ashtu ka kërkuar edhe 1780 copë bukë.

KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Kaçanikut për të marrë sqarime në lidhje më këto kërkesa.

Zëdhënsja për informim në këtë komunë, Fatlume Guri tha se artikujt e kërkuar janë për çerdhen e qytetit, ndërsa pijet energjike “Red Bull” dhe “Golden Eagle” janë kërkuar për pensionimin e mësimdhënësve.

“Artikujt ushqimor janë kërkuar për furnizim me ushqime  për çerdhen e qytetit . Pijet e gazuara janë kërkuar për rastet e ndejave të organizuara për pensionimet e stafit arsimor, sipas kërkesës së drejtorisë së Arsimit. Për shkak se furnizimet kanë të bëjnë me mallra për çerdhe dhe duke pasur parasysh se në treg ka produkte të cilësisë së dobët, është kërkuar marka e prodhuesve ose ekuivalent me to, që është e lejuar me ligjin e prokurimit. Lista e produkteve ka qenë e formuar nga AQP ku të gjitha produktet e kërkuara  bëjnë pjesë në këtë listë dhe është plotësuar vetëm sasia e planifikuar nga njësia kërkuese”, tha Guri për KALLXO.com

Ndryshe, vendosja e markave të prodhueseve është e ndaluar me nenin 28 të Ligjit të Prokurimit Publik.

Ndërsa AQP-ja e cila bënë prokurime për të gjitha institucionet, në emërtimin e produkteve që synon t’i blejë ka vendosur marka të prodhuesve të caktuar.

Në tenderin, që është i ndarë në 9 llote dhe që pritet të kushtojë rreth 23.5 milionë euro, tek specifikat teknike janë edhe artikujt: “EuroKrem”, “Plazma”, “Vegetë”, “Pop-Kek”, apo pashtetën e pulës “Argeta” por që pas tyre shkruhet edhe ekuivalentë.

AQP-ja, në arsyetimin e saj, ka thënë se kanë përdorur një shabllon të vitit 2015.

“Për informimin tuaj, ky gabim ka ngel nga Dosjet e vjetra, sepse ketë vit, AQP gjatë  grumbullimit te kërkesave nga AK-se ka përdorur shabllonin e vitit 2015, dhe Zyrtari përgjegjës i prokurimit se bashku me Autoritetet Kontraktuese kane bere lëshim teknik pasi qe nuk kane modifikuar shabllonin ne përputhje me rrethanat”, është thënë në komunikatën e AQP-së.

KALLXO.com, ka shkruar se kjo Agjenci pas reagimit publik është angazhuar për t’i larguar nga lista vetëm prodhimet serbe, siç janë: “Smoki”, “Plazma” dhe “Eurokrem”.

Për vendosjen e shabllonit të vjetër, KALLXO.com, ka marrë vesh se drejtori i përgjithshëm i AQP-së, Behxhet Rukiqi është dërguar në komision disiplinor nga Ministria e Financave.

https://kallxo.com/komuna-qe-udhehiqet-nga-aak-ja-porositi-produkte-serbe/?fbclid=IwAR22iqKJqzDTOTTxo1Soxma1PqG7kg6gLE7rzzQevjOk9JlGsWDZz1bDxIo

https://kallxo.com/arsyetimi-i-komunes-se-gjakoves-per-porosine-e-produkteve-serbe/

https://kallxo.com/dokument-komuna-e-drenasit-kerkoj-te-bleje-plazma-e-euro-crem-serb/?fbclid=IëAR28pgXZC7f39B-CPYUokXJ00U1qtKBUijZjryrndhM5Juh-GY5_aYX69Fs

https://kallxo.com/komuna-e-drenasit-arsyetohet-per-porositjen-e-produkteve-serbe/?fbclid=IëAR2PEQ9SLhrfESBC_ëm3cACRFh6xbLNQUJIuzCnA242NJY-uPLp2a1GeL_c