Vendi ku duhet të ishte stadiumi në zonën e Hajvalisë | Foto nga KALLXO.com

Komuna Dështon Dy Herë me Stadiumin në Hajvali

Ndërsa mungesa e kushteve minimale sportive shkaktoi që UEFA të përjashtojë skuadrat kosovare nga pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve dhe të Europa Ligës, disa projekte sportive në Kosovë po zvarriten prej vitesh.

Ndër to është edhe projekti i Komunës së Prishtinës për ndërtimin e një stadiumi në zonën e Hajvalisë, i cili dështoi në mënyrë të përsëritur, pavarësisht mjeteve financiare në dispozicion nga qeverisja qendrore që nga viti 2014.

Komuna e Prishtinës kishte në dispozicion 96 mijë e 954 euro për këtë ndërhyrje, por, përkundër që tri herë radhazi ka kërkuar mbështetje nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, nuk ka arritur ta implementojnë projektin.

Komuna dhe Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL) patën nënshkruar një memorandum për projektin “Ndërtimi i Stadiumit në Hajvali”, ku brenda vitit 2014, komuna do të financonte 70 mijë euro ndërsa ministria 80 mijë euro.

Por, asnjë punë dhe pagesë nuk u bë për këtë projekt deri në fund të vitit fiskal 2014, andaj edhe memorandumi ishte anuluar dhe fondet u tërhoqën nga MAPL.

Raporti i Auditorit i vitit 2014, kishte gjetur se anulimi i memorandumit ka ndodhur sepse komuna nuk i ka menaxhuar në mënyrë aktive kërkesat për prokurim sipas planit kohor të caktuar nga marrëveshja për financim.

“Vonesa në përfundimin e projektit ka rezultuar në humbje të fondeve potenciale të financimit prej 80 mijë euro. Kjo, nëse shihet se komuna nuk është në gjendje t’i implemetojë projektet me kohë, mund të rezultojë edhe në humbje të bashkë-financimeve në të ardhmen”, thuhet në raport.

Lidhur me ndërtimin e Stadiumit në Hajvali, Gazeta JNK, kontaktoi Komunën e Prishtinës se pse ministria ua ka tërhequr mjetet dhe çka ka ndodhur me këtë projekt.

Zëdhënësja e Komunës, Miranda Mullafazliu, nuk dha arsyetim se pse janë tërhequr këto mjete, ndërsa tha se faza e parë e ndërtimit ka filluar të realizohet.

Në pyetjen se a do të vazhdojë komuna të kërkojë nga ministria nënshkrimin e memorandumit të ri për projektin e njëjtë, Zyra për Komunikim me Media nuk ka treguar se komuna ka kërkuar edhe dy herë tjera financim nga ministria dhe se dy herë kanë dështuar ta implemtojnë projektin, kurse, herën e tretë ministria nuk ka pasur mjete në dispozicion për këtë projekt.

Në përgjigjet që komuna i ka kthyer me shkrim thuhet se “për financimin e fazës së dytë do të përkujdeset Komuna e Prishtinës”.

Ndërkaq, MAPL tha për Gazetën JNK, se ky projekt ishte financuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ndërsa përgjegjës për implementim ishte Komuna e Prishtinës.

Lumnije Demi nga MAPL-ja, tha se duke qenë se projekti nuk ka arriti të implementohet, mjetet e MAPL-së kanë shkuar në suficit.

“Përgjegjës për implementim është Komuna e Prishtinës e cila në vitin 2014 e ka nënshkruar kontratën me operatorin ekonomik me vonesë, në muajin dhjetor 2014 dhe nuk ka arritur të implementohet gjatë këtij viti fiskal. Dhe si rezultat i kësaj mjetet e MAPL-së kanë shkuar në suficit”, tha Demi.

Ajo tha se edhe në vitin 2015, me kërkesë të komunës për të njëjtin projekt MAPL ka ndarë sërish 80 mijë euro dhe prapë komuna nuk ka mundur ta përfundojë projektin.

“MAPL në vitin 2015 me kërkesë të komunës për të njëjtin projekt ka ndarë mjete në vlerë prej 80 mijë euro. Komuna prapë nuk ka mundur ta përfundojë projektin dhe 60 mijë euro kanë shkuar prapë në suficit vetëm 20 mijë euro janë realizuar”, thuhet në përgjigje të ministrisë.

Komuna e Prishtinës edhe në prill të vitit 2016 ka bërë kërkesën e njëjtë për këtë projekt, por kësaj radhe nuk i është aprovuar.

“MAPL në vitin 2016 ka pranuar një kërkesë në prill për këtë projekt por MAPL nuk ka pas mjete në dispozicion për të financuar këtë projekt në vitin 2016 sepse mjetet i ka shpërndarë më herët dhe do të shikojë mundësitë që në vitin 2017 ta trajtojë këtë projekt nëse komuna e Prishtinës e adreson si kërkesë me prioritet”, tha Demi.

Ndryshe, sipas Komunës së Prishtinës, ky projekt është një prej investimeve kapitale të rëndësishme për komunën dhe planifikohet që punimet të përfundojnë deri në fund të këtij viti.

Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë arsye për dështimin e përsëritur të projektit, pavarësisht faktit që fondet nga ministria iu vunë në dispozicion në mënyrë të përsëritur.

Të mërkurën, UEFA u mohoi skuadrave nga Kosova pjesëmarrjen në sezonin 2016-2017 të Ligës së Kampionëve dhe të Europa Ligës.

UEFA e arsyetoi këtë vendim me mungesën e kushteve të infrastrukturës sportive në Kosovë, për të cilën institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm duke shkaktuar që anëtarësimi në organizatën e futbollit ta gjejë futbollin kosovar të papërgatitur.

UEFA ka prashikuar plotësimin e disa kushteve minimale të infrastrukturës sportive në mënyrë që skuadrat kosovare të mos përjashtohen përsëri në sezonin e ardhshëm.